Sonntag, 21. Juli 2013

Trifon Xhagjika

Trifon Xhagjika (1932-1963) u lind në një fshat të Zagorisë (Gjirokastër) në një familje të thjeshtë që shquhej për ndershmëri e patriotizëm. Pasi kreu studimet e larta, shërbeu në ushtri. Më 1963 u arrestua bashkë me një grup të rinjsh e u dënuan me pushkatim. Poezia ishte pasioni i tij. Për rrethanat që iu krijuan, ai botoi pak. Vargjet e tij shquhen për thellësi, ndjenjë e sinqeritet. Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur. Një pjesë e tyre është botuar në vëllimin “Atdheu është lakuriq” (1994).
 
 
 
NDIHMOMËNI TË QESH!
 
Nuk mundem,
....................... nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time...
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
 
1963
 
 
NDËRGJEGJE ME KATRORË TË ZEZA
 
Natë!
Pa më shkruaj ti vetë.
Ngjyra tënde është e zeze
(nuk ka më të zezë se errësira tënde)
Natë!
Pa më shkruaj pra vetë
në letrën time
(letra ime është e bardhë,
si ndërgjegjja e njerëzve
me katrore të zeza për'rreth)
 
Ulu pra, pranë tavolinës
për njerëzit ç'njerëzor!...
(letra ime është e bardhë
ngjyra tënde është e zezë)
Ulu, pra, shpejt
pranë tavolinës
dhe shkruaj
për fëmijët qena bij qenash!
Shkruaj!
Kurse unë,
me zërin tim,
do të thërras,
sa qielli të copëtohet
-“nuk mundem të shkruaj më,
pena m'u thye në 1958”
 
 
JAM UNË 
 
Herë herë
në orët e vona të natës
kur ndërgjegjja fluturon për diku
unë eci.
Pa mëshirë,
shkelmoj,
si kalë i harbuar
rininë time
........
Miq!
Dëgjoni trokëllimat e kalit të
harbuar?
Jam unë!
 
 
KËNGA E VERBËR
 
E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
 
Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtarë, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
 
O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’due di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
 
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti,o Republikë,
e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
 
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha mu zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”
 
Prill 1962
 
 
APOLOGJIA IME
(Jetës)
 
...Marrëzi,   dhe
mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
në ç'dhera e në ç'dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
 
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S'e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jetë, ç'ke më
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n'agim kam nisur
 
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite...
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . .
-O mëkatar,
as faliu ligjës sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s'jeton me shqetësime!...
-Mu thell' në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
 
nga ligja jote e fuqiplotë,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, o me kamxhik;
pa frik' e pa mëshirë
e pa pendim,
se mu në thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd...
____________________
Burimi: Revista ADMET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen