Xhevahir Spahiu ka qenë miku im më i mirë i viteve të rinisë. U lind në Malind të Skraparit më 1945. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e Vlorës, ku ishte shpërngulur e gjithë familja e tij. Mbaroi studimet në Fakultetin Histori-Filologji të Tiranës, dega gjuhë letërsi shqipe dhe gazetari. Punoi në disa organe të shtypit. Ka qenë sekretar dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Aktualisht është Këshilltar pranë Presidentit të R SH.
Ka botuar shumë përmbledhje me poezi dhe publicistikë. Është përshirë në të gjitha antologjitë shqipe të poezisë dhe i përkthyer në shumë gjuhë të botës. Xhevahir Spahiu renditet në poetët e sotëm shqiptarë më të vlerësuar. Ka fituar disa herë penën e argjendtë. Kohët e fundit u nderua me çmimin “Mjeshtër i madh”.
BORXHET E MIA
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s'është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit,
i kam borxhe nënës
që s'ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit
qe s'ja hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxhe krimit
që si vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s'e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s'ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit '13
që s'ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu
terrin e një kohe të largët.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxhe të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve,
gurin e varrit do ta shes,
të laj borxhet.
Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni për borxhet që më keni ju.
DASHURI E NDALUAR
Lëshoje drerin Artemidë.
Harkoje harkun, shigjetën shigjetoje,
pikën e lotit që shket nga syri i drerit,
nëse të ngushëllon, qëlloje.
Lëshoje drerin Artemidë.
Se dashuria ka uri,
dhe vjeshta, vjeshta e llahtarisur
vë kujën të jetë në zi.
Shigjeta e nisur kurrë s'kthehet pas
dhe mosha s’është gaforre që shkon praptas.
Kllapitë e lindjes të tmerrojnë?
Rrëshqit, rrëshqit në sipërfaqen e jetës,
gjashtare e vetvetes.
Mbi kokën tënde rri mbërthyer një çerdhe gjysmëhëne,
nën dritën e saj në kopsht të Luksemburgut,
pëllumbat dashurohen gjersa çmenden.
Lëshoje drerin Artremidë
dhe mos e nis atë shigjetë.
Sorkadhja veshur me të zeza,
kah mot pas blirit pret.
EJA TE VDESIM E DASHUR
Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s'e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s'ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani.
HUMBJE
Kisha menduar të shkruaja
një këngë triumfi për ty..
Po ti e paske humbur, miku im.
Si ai që goditet papritur me grusht
dhe sytë i erren,
si ai që bie në lumë befasisht
dhe fryma i merret.
Ku shkoi vështrimi i kthjellët,
ç'korba e hanë
dhe ç'heshtë e helmatisur t'u ngul
në ballin e ëndrrës pa anë?
Cila fjalë,
cila kohë,
cili zot
të bëri të flasësh me vete?
Humbamenoja im,
i pagojë si sendet.
T'u fashit siç fashitet një zjarr
hakërrimi
e ti luan i pajetë në xhungël;
era përgjon
sa të kthehesh në flugër.
A thua je i tëri i humbur?
Shikomë në sy!
Kisha menduar të shkruaja dikur
një këngë triumfi per ty...
QEN I RRAHUR
Këtu jam i huaj
ndonëse dikur kam qenë si i shtëpisë.
Midis dy stinësh, si midis gurëve ka hyrë tinëzisht
një shtresë akulli
që mbyll si izolant çdo mirëkuptim.
Këtu jam i huaj,
përmasën që s'e pata e djeshmja s'ma pranon;
në rrugë ka të tjera pemë,
në dhomë qarkullojnë të tjerë zëra,
përmbi çati pëllumbat janë të tjerë,
një re mbi krye më thotë: je i huaj...
Të ulërish?
Është pak.
Atëherë vjen platitja,
mbi ballë ngulet hija si gur varri.
Më mirë ik si qen i rrahur,
i rrahur nga vetvetja e dikurshme
që nuk të njeh kush je.
Paçka se dje ke qenë si i shtëpisë,
i huaj, sot po ikën nga ky dhe.
PARLAMENTI
Atje brenda,
pas mureve të trasha,
pas mureve të rënda,
atje brenda,
thonë natën e varrosnin,
thonë ditën e përsosnin,
sa shpresa,
sa ëndrra,
atje brenda.
Atje brenda?
Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar
dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
të kërkonin:
kush vila, kush plazhe, kush paga të larta,
kush blloqe të reja, avionë, parajsa,
duart dhe këmbët
si në ethe i shtrinin.
Përjashta të uriturit ulërinin.
PEZULL
Ka muaj që duart s`më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s`e di se nga me vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.
Çdo ditë gishtërinjtë i flasin nikotinës
ca fjale uloke...dhe...sot ashtu...si...dje;
aq sa je gati me grusht ti biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrëzosh përdhe.
Mungesa e vetmisë më ka munduar
tani i vetëm digjem si në morg;
në se përshesh me kocka më kanë shtruar
as korbit vetë unë nuk i ndolla kob.
Ngre kurthe ditë-nata; dimër-vera
shtrigon, mpreh thikat; ç`besëlidhje e zezë!
Pas çdo rrënoje iluzionesh, era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrezë...
VJEDHËSIT E BUKURISË ANTIBIBLIKE
Përmbytja e përbotshme
siç mblidhet nata po mblidhej.
Drurë asgjëkund,
gjëkundi brigje.
Njeriu hapi dritaren e barkës
nisu, i tha pëllumbit.
Asgjëkundi drurë
brigje gjëkundi.
pëllumbi u kthye
me një bisk ulliri në sqep.
Atje ka tokë
atje ka jetë.
Po njeriut ia morën pëllumbin, degën.
Lindën maskat,
bukurinë e vodhën profetët.
REKUIEM PËR ORËN 6...
Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s'po vjen
ti s'po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s'po vjen
S'po vjen
S'vjen
në 6 e pesëmbëdhjete
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s'ekziston
Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika
SHEMBJA E NJË NATE DASHURIE:
Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.
Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.
Dritare s'ka, ka sy të zgavërt,
s'ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmërrësirë,
skelete ëndrrash, premtimesh të nesërme.
Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhë.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje! Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si tek vullkanet.
Mos u kthe në kujtim, i thashë
mos u kthe në harrim, më tha;
botës i falem një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.
Një natë. Dhe çfarë nate!
Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye...
Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie...po bie....
Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.
Kini mëshirë, mos e shembni atë nate!
Është rënkimi im apo klithma e saj?
Kini mëshirë, kini mëshirë!
Ajo ishte një natë dashurie
që kurrë s'duhej të kish gdhirë.
Kini mëshirë,
në mos po atje nën gurë,
nën peshën e natës së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,
që, përjetësisht quhet dhembje............
NATA E VITIT TË RI
O zemra ime, o vetmi,
të pimë sonte, gjithsesi.
Një mall, një dhembje dhemb atje
ku jemi dhe nuk jemi ne.
pas muresh kokë më kokë kurthojnë
harrimin e harrimit tonë.
një shishe vere të ndjek pas.
Sa vlen një gllënjkë e saj nuk vlen
as fama, as froni që shkëlqen.
E tha s'e tha Omar Khajami,
stacioni i fundit: Varri i Bamit.
O zemra ime, o vetmi
Të pimë sonte, gjithsesi...
________________________
Huazuar nga Revista ADMET
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen