Beqir Musliu |
Beqir Musliu u lind në Gjilan, Kosovë në vitin 1945; vdiq më 24.06.1996, në Prishtinë dhe u varros në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan, ndërsa fakultetin filozofik drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë. Gjenerata e Beqir Musliut në Gjilan patën për ideolog të shkrimeve dhe të jetës politike Rexhep Elmazin, andaj që në shkollë të mesme u mor në biseda informative dhe u burgos. Po në këtë kohë Beqir Musliu filloi të merret edhe me shkrime letrare. Në fillim me poezi e pastaj edhe me tregime, romane, drama e kritika letrare dhe dramaturgjike. Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e renditën në rangun e shkrimtarëve me një perspektivë të theksuar. Punimi i parë iu botua në revistën letrare “Jeta e Re” të cilën e udhëhiqte Esat Mekuli. Po kjo revistë, tri vite më vonë, në vitin 1965, ia botoi edhe librin e parë.
Shkrimet e Beqir Musliut janë të një niveli të lartë dhe përdorin me mjeshtri të madhe metaforat dhe simbolet, andaj mund të quhet edhe shkrimtar i simboleve.
Puna e tij kryesisht ka të bëjë me gazetari, publicistikë dhe redaktim të revistave. Së pari punoi si gazetar e redaktor në revistën “Zëri i rinisë", e pastaj edhe në “Fjala” të Prishtinës. Së bashku me disa krijues të gjeneratës së vet, sa ishte student, nxori dhe redaktoi revistën letrare “Plejada”, e cila arriti të botohet vetëm deri në numrin 6, sepse pushteti i atëhershëm, duke parë ndikimin e krijimtarisë letrare në masën e gjerë, nuk e financoi dhe e shantazhi për të mos u botuar. Më vonë Beqir Musliu ishte anëtar i redaksisë, e një kohë edhe redaktor në revistën “Jeta e Re”.
Beqir Musliu është prezantuar thuaja në të gjitha antologjitë e shkrimtarëve shqiptarë të kohës së tij e më vonë. Punimet e tij janë përkthyer në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, italiane, arabe, gjermane, hungareze, rumune, turke, sllovake, maqedonase, sllovene, serbe dhe kroate.
Titujt të veprave
Poezi
Prozë
Dramë
Poezi nga Beqir Musliu
IMAZHI I PARË
I rrethuar nga cdo gjë që s’është në këtë ditë
Përbirohet fare i pavërejtur
Midis sheshit e mbathin këmbët e zbathura
Të atyre që asnjëherë s’e hetuarn rrethimin
As aromën e trendafilave që zihet ngadalë
Derisa majave të gishtave merr gjuhë lulëzimi
Mrekullitë hyjnë ta nxjerin nga kornizat që s’e ka
Të cilën s’di përse nuk e ka Ose e ka përse s’di
Derisa matet me butësitë e veta të gurëzuara
Të cilat edhe në vete ka mundur t’i vrasë
Në shuplakë i zbret dielli i zënë në kornizë rob
Për t’i ulur Orët e vona që kurdisin bukurinë
Sa thahet blerimi i murmë në fytyrën time
Shirat e kthejnë verdhomë në mua kur zgjohem
Të krijoj ngjyrën për të mbaruar imazhin
Në të cilin balta ka zënë t’i çelë zogjtë magjikë
E të vërshojë qytetin që e kam vetëm në shuplakë
T’i fus në vargonj mbretëritë e zgjebosura në Fushë
Kur fare i pavërejtur përbirohet përmes syve të mi
Nga cdo gjë që s’është në këtë ditë të rrethuar.
METAFIZIKA E PRISHTINËS
Ky qytet shtrihet në ëndërr si të ish
I vërtetë e në Gazi-Mestan humbi qetësia
Anatema A
Është trilluar edhe një udhëtim në shuplakë
Në maje të gjuhës na ka zbritur bukuri
Prapa na kanë ndjekur njëmijë e një mrekulli
Asgjë s'mund të marrësh më tepër se ç'ke
Edhe një farë të është mbjellë ndër grushta
Deri në verë balsamin e mban nën sqetulla
Nëpër këtë portë u përbiruan edhe engjujt
Që i shpikëm në hyrje për të na ruajtur O
Nga trendafilat që i kemi gjuhë e na flasin
Edhe mbi teë gjitha magjitë që na dëbuan
Është trilluar një udhëtim i ri në shuplakë
HAMAMI I GAZI MEHMET PASHËS
Një dorë e padukshme më shoqëroi
Nëpër honet e bukurisë së fshehtë Tha
Ky është Hamami i Gazi Mehmet Pashës
Mund të hysh Mund të dalësh Mund të hysg
Të mos dalësh Të mos hysh Të mos dalësh
Kurrë Dora m'u ngri Nuk dija Cila ishte
Ajo dorë Ajo që më shoqëroi deri këtu
Apo dora ime Përse gjithë ajo ftohtësi
Kur aty janë larë zonjat më të bukura
Të Prizrenit që ende dëgjohet shushurima
E tyre dhe dihatjet deri në epshin e shfrenuar
Hamami është fshehur nën klepsidër
E Ç'bëri Gazi Mehmet Pasha në Hamamin e tij
Pa ëndërr se aty fshihej vdekja Aq e bukur
Në trajtën e një vashe të hyjnueshme Ishte
Larë me të Ç'ndodhi pastaj Në vend
Të këmishës së natës kishte veshur qefinin
Ishte kthyer në botën tjetër për t'i përkujtuar
Të gjitha ato që s'i përjetoi në këtë botë
Vdiq nga bukuria
Ç' Hamam i çuditshëm Këtu fshehtësia
Ndryn diçka të tmerrshme që s' mund të fshihet
As të thuhet me fjalë
Laju në këtë Hamam dhe dil i pastër në botë
Aty të pret Gazi Mehemet Pasha Që emër la
Këtu Që ta përkujtojmë me aq fshetësi
Ashtu siç na pret ky Hamam Eu
Gazi Mehmet Pasha Eu
MBASLOJA E PRIZRENIT
Unë jam në Prizren edhe kur s'jam në të
Ti më merr dhe m'i zhvesh rrobat The Të jesh
I pastër ma rregullon grimin dhe krejt atë
Që shkon me të Prizreni më mbeti matanë Them
Më kthejnë sërish aty ku isha Prizren Unë
Jam Ai Që (S) Jam Kur Jam Prizreni Imzot
Nga dora ime krijuan një statujë antike
Më lanë në Muzeum që e pushtonte qetësia Thanë
Këtu çdo gjë që (s) ishte Lojë vazhdon të jetë
Si diçka që shekujt e sfiduan nëpërmjet teje
Zbrit më poshtë Ja Ku Jam Në Prizren
Aty më ke edhe mua A nuk të thashë se unë jam Ai
Që (S) Jam Mund të më ngatërrosh me engjëllin tënd
Tekanjoz që shëtit në vend teje nëpër muret
E qetësisë Kërkon një afreskë që të gjason ty
Të mund të të shenjtërojë në mënyrën e vet
Vishni rrobat e mia të vjetëruara Dua ta shijojë
Bukurinë ashtu siç është Loja mbaroi
Edhe për një milienum të heshtjes Ajo që po
Ndodhë këtu është vetëm një variant i saj
Që njëherë ka ndodhur Ç' u bë Prizreni
Ai është në mua Thashë Prizreni
( Prizren, 11 janar 1986)
BARIU I DEÇANIT
(Frymëzim nga pikturat e Ibrahim Kodrës
komponuar në Deçan, verë e vitit 1969)
Ngutu, nëpër atë urtësi të drurit, shtegtar i lodhur
në fundin e përrallës që nuk është më përrallë
- druri e hëngër bariun me fyell në dorë
që ngarendte kah ato kope të çetuara përtej ditës
kurse peizazhi që po krijohet nga gjethi i mbetur
prej vjeshtës së vjetme u shndërrua tanimë në zjarr!
Vraponi, o fëmijë, që po luani me pyllin
që ndezej nëpër atë përrallë
që nuk është më përrallë, por – vetëm heshtje që e krijoi
atë njeri që e hëngrën urtësitë e drurit dhe pylltari
që u ngul në pushkën e vet për nder
të trëndafilit që do të lulëzojë
Shtegtarë, në majë të ditës shkoi poeti për t`u varur!
Duhet të ndërrohet kjo ditë vetëm brenda kësaj kënge!
*
E sollën një piktor në ditën që u shndërrua në një mollë
tani fëmijët e padjallëzuar ngarendin që ta grimcojnë
si planetin, si ëndrrën, si fëmijërinë e tyre që merr
edhe atë paqe që e ruajnë nën gishta; dhe shkelin tokën
edhe këtë pikturë të verës që bariu me fyell në dorë e kërkon
ndër përralla e përralla atë Qytet ku do të dalë
i barazuar me atë magji që e pa njëherë gjersa u shikua
me diellin e varur nëpër shuplakat e pishave
ndërsa legjenda e mbylli prapa kapakëve të librit të vet:
Shtegtar, ngutu e shpëtoje atë dru që e hëngër bariun
i cili po përkundet në qetësinë e barit që po zhduket
në peizazhin që do të zgjohet në një dorë magjike
dhe do t`i mbyllë të gjithë rrathët që do ta shkurtojnë
atë fantazi të butë që po endet nëpër drunjtë e gjallë
e ndoshta ajo do ta shpëtojë bariun e ëndërruar të verës!
Dita po e grimcon atë kokërr mollë në dorën e fëmijës!
*
Ku mbeti Nusja e Deçanit që fliste për engjujt e zinj
që thoshte se krejt pishat mund t`i përbironte
nëpër gishtat e saj që i bleroheshin
sa çel e mbyll sytë: ah, cili është ai dhëndër në rroba
të gjetheve që do të bien në natën e gjerdekut të saj
cila është ajo kullë që do t`ua hapë dyert udhëtarëve të humbur
Në majë të pishës dielli përgatit lojën e vet
o kush foli aq shumë për magjinë e trilluar
e cila zogun e zuri fjetur në verën e dashur që i zhdukej
bashkë me ëndrrën që ndërtonte çerdhen në syrin-magji
pra: do të ndërtohet kjo kullë ai zog ajo dashuri – sa çel
e mbyll sytë: o ku mbeti ai dru që e hëngri
Bariun e Deçanit që rrinte dhe fliste vetëm me gjuhën
e magjisë me gjuhën e zogut në një vizatim që e harroi
dita në Blokun e Ibrahim Kodrës
Ai dhëndër në rroba gjethesh po kthehet në vjeshtë!
*
Zogu që foli për ditën e sharruar në atë magji
Hapi tëra dyert e ditës: piktorin po e ndëshkon syri i tij!
që e krijuan ngjyrat gjersa i përshkoi
prapa dyerve të ditës: o në cilën ujëvarë u mbytën thneglat
në Bistricë ndoshta do t`ia gjejnë emrin edhe kësaj luleje
dhe këtij fyelli që rastësisht hyri në këtë Blok të ditës
ku me siguri do të krenohet ai bari me vizatimin e syrit të tij
që shkon edhe përtej bjeshkës që na pengon edhe ne
të shikohemi edhe për atë fyell që me të i zgjon barërat
e fjetura të kohës dhe dashurisë së balsamosur ndër kohë
dhe për atë gjuhë që cicëron aq bukur dhe aq ëmbël –
si bilbilat që kanë mbetur në mesditën e murrme të heshtur
Por: cili do të shkruajë këngën apo baladën për atë dru
të urtë që hëngër bariun me fyell në dorë s`di në cilin qytet e pyll
Shtegtarë, ngarendni dhe kërkojeni në këtë vizatim të ditës!
Botuar në “Zëri i rinisë”, nr. 29, 11 tetor 1969
_________________
Biografia e autorit është marrë nga Wikipedia
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen