Donnerstag, 18. Juli 2013

Nazmi Rrahmani

Nazmi Rrahmani lindi në Bellofcë të Podujevës. U shkollua në Podujevë dhe në Prishtinë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Prishtinë. Pas studimeve punoi si gazetar në Radio-Prishtina e më pas te gazeta "Rilindja", për të vazhduar në redaksinë "Jeta e Re" dhe më pas në redaksinë e botimeve "Rilindja".
Nazmi Rrahmani është shkrimtari që ka patur dhe vazhdon të ketë një numër të madh lexuesish, sidomos në Kosovë. Tek shkollarët e mesëm është pa dyshim më i njohur, por është i lexueshëm për të gjitha shtresat shoqërore dhe për të gjitha moshat. Rrahmani është ndër autorët e paktë të letërsisë së sotme shqiptare, që shkruan vetëm llojin e prozës së gjatë, romanin. Për nga formacioni stilistik është i shkollës realiste klasike, por i një realizmi të përafërt me atë të narracionit Dokumentar.
Ka botuar romanet: Malësorja, 1965, Pas vdekjes (Kthimi i njeriut të vdekur), 1975, Tymi i votrës së fikur, 1969, Toka e përgjakur, I,I1,1973, Rruga e shtëpisë sime, 1978.
Nazmi Rrahmani ka bërë redaktimin e një numri të madh të librave, kryesisht të romaneve dhe formave tjera të shprehjes së letërsisë të daluara nga ish -"Rilindja".
Aktualisht jeton në Prishtinë.


Rruga e shtëpisë sime
(Fragment)

Nëna ime ka sy të çuditshëm. Sytë e saj, sa herë i vështroj me kujdes, më duken më të çuditshëm se gjithshka në jetën e saj. Ata herë ndezin zjarrin në mua e herë e shuajnë atë zjarr dhe më ngrijnë. Vërtet, vjetëve të fundit, sa herë e vërej, bindem se nëna ime ka ndryshuar shumë. E ndryshimi i saj më frigon. E kujtoj si ka qenë. Ndalem mandej dhe shikoj shpeshherë me kureshtje dhe kështu do kujtime gjithfarë më sillen nëpër kokë. Nuk ka qenë nëna ime kështu si është tash, i them vetes dhe ndiej diçka të më rëndojë.
Në këtë rrugën tonë ka ndryshuar gjithçka e ka ndërruar kaq shumë edhe nëna ime. E mendoj të kaluarën tonë. Ndryshimet e nënës time më lidhen gjithnjë me të kaluarën tonë. Ato ma kujtojnë menjëherë edhe këtë rrugë. Shoh: fytyra tash i është zbehur, sa i është zvogëluar dhe tretur sikur ashtu me pamjen që kishte marrë të donte të tregonte se nuk mund të qëndronte më, ose të rrëfente për të gjithë ato vjet të saj të kaluara, me të gjitha ato që e kishin rrëzuar në të dy gjunjtë si thoshte ajo shpeshherë.
Megjithatë, sa herë e vërej, shoh se sytë i kanë mbetur po ata që i ka pasur gjithmonë: të gjallë, në shikimin e tyre më është dukur gjithmonë se kishte aq shumë dëshira për jetën sa ato më dukej se shkëlqenin dhe dilnin prej tyre. Më dukej se ajo edhe mbas tërë asaj shtërngate nuk i ishte fikur, sepse më dukej se kishte plot besim, së pari në vete, e mandej edhe në ne të tjerët. Kështu i kisha thënë vetes gjithmonë sa herë kisha menduar për këtë dhe mandej pohoja se nëna ime ka qenë e këtillë gjithnjë. Këto që i mendoja për nënën në do çaste dëshpërimi, më forconin. Vetëm sa herë i vëreja kështu sytë e nënës sime, kur i zija ashtu të qetë e si të humbur në shikimet që vraponin mbas do kujtimesh, me siguri mjaft të rënda për nënën time, unë hetoja, në pamjen e saj, diçka aq të çuditshme, të fuqishme por si përvëluese, si zjarri, sa më shtynte që një kohë të gjatë të mendoja vetëm për këtë; ia kujtoja jetën e saj qysh se mbaj mend. Thosha se mu jeta e saj ia kishte bërë edhe sytë kështu, të çuditshëm, edhe pamjen ia kishte dhënë mu këtë që e kishte tash.
Nëna ime nuk ka qenë kështu, por mbas tërë atij ndryshimi sikur të gjithë i erdhën dhe e rënduan, e pleqërinë ia bënë kaq të rëndë.
"E shkreta pleqni, e zorshme më ka ardhë!" thoshte.
Po ia shikoja sytë: ishin po ata, të pandryshuar. Ngazëllehesha.
Thosha se nëna ime kishte qenë gjithmonë aq e lidhur me jetën sa edhe vetë ishte bërë mu kështu prej saj. Kujtoja mandej jetën tonë dhe nënën time. Të dyja ishin një. Nuk mund t'i ndaja. As t'i mendoja njërën pa tjetrën.
Po kur nëna ndalej dhe më vështronte mua, më dukej sikur po më fliste gjithnjë, sikur më thoshte diçka, sikur e kërkonte nga unë mu atë që mandej e qetësonte nënën time sa e gjente, sikur në shikimin që ma hedhte gjente mandej qetësinë e vet dhe prehej e kënaqur. Shikimi i nënës sime më fliste gjithnjë. Po unë edhe atëherë, mbas atij shikimi që më fliste, nisja dhe e kujtoja nënën time, edhe babain dhe ia shihja asaj gëzimin në sy, i shihja edhe vëllain, edhe motrën, edhe gëzimet e nënës... Edhe harenë e nënës sime... Po mandej hetoja se një rrebesh lëshohej mbi ne dhe na dërmonte. E shihja prapë nënën time edhe babain edhe vëllain, edhe motrën, edhe gjyshen djalin, gruan...
Unë e vëreja pamjen e saj tash dhe e kujtoja atë dikur, edhe ajo kohëve të fundit, më shqetësonte aq shumë, më sillte përnjëherë në mendje kujtime që më vinin aq të rënda dhe më dërmonin. Jetën e mendoja prapë dhe ato më lidheshin: jeta jonë dhe nëna ime...
E mbaja mend nënën time në ato çaste të ndryshme gëzimi, edhe pse aq të pakta më dukej tash se kanë qenë, e tash më duket se edhe ato e mundojnë nënën time. Kjo më shkaktonte tash pikëllim edhe mua më lente të zhgënjyer e të humbur sa më tepër që po e kujtoja.
Lajme të zeza nga Përroi i Keq:
Prej oxhaqeve të Ramës, të Hysenit, të Selimit e të Idrizit, s'ka mbetur kush. Të gjithë, i madh e i vogël, u dogjën në zjarr.
Shtëpitë u janë djegur në themele. S'ka mbetur kush as për farë bile. U humbi fara në flakë e zjarrtë përgjithmonë e jetën.
" Rand qenka me i humbë njeriut fara në flakë!"
Po, qëndroni o burra, mos i leni shtëpitë tuaja shkret se të shkoni nga të shkoni s'do të gjeni më mirë. Më mirë të vdesim në trojet tona, sepse vdesim për to!
Mundohet dhe qëndron kështu Përroni i Keq!
Nëna psherëtiu thellë. Nuk e di nëse i erdhi më keq për ata apo për ne...

Vrasjen ia kam pasë menduar shumë herë babait tim dhe gjithnjë e kam ndier trishtimin në vete. Ajo gjithnjë më tmerronte. Sa krismë pushke kam dëgjuar në katund gjithnjë ia kam menduar vrasjen babait tim. Sa e sa herë më ka ndodhur të kem qenë në harenë më të madhe kur më është kujtuar vrasja e babait tim dhe të më jenë këputur të dy këmbët në gjunj! Por se do të mundet kështu babai im nuk e kam menduar asnjëherë. Prandai e tërë kjo më dukej e pabesueshme. I kujtoja mandej bisedat e burrave në odë.
Rrugë që s'e kishin menduar kurrë ishte kjo!
Po nëna ime i ikte gjithnjë bisedës për zënien e babait tim. Ajo sikur nuk dëshironte kurrë të fliste për këtë. Gjithnjë fliste me aq ngazëllim për kthimin e tij:

"S'ash ai që zinet lehtë!" dhe unë ia shikoja gjithnjë nënës sytë. Në ta shihja gjithnjë atë gjënë që mua më dukej aq e çuditshme, që përherë më habiste aq shumë nga i buronte! Dhe, ai burim më dukej gjithnjë i pashterrshëm. Për të gjitha e pyetja mandej veten dhe sikur nuk mund ta kuptoja nënën time. Herë e shihja atë të pikëlluar dhe të rënduar, por menjëherë ajo ndërronte, nga sytë i shkrepte diçka dhe përnjëherë sikur ndryshonte krejtësisht, sikur tash kishte harruar atë që vetëm pak më parë e kishte rrëzuar në të dy gjunjtë.

Kur i kujtoj të gjitha këto përnjëherë vij në vete, shikoj rreth e rrotull. Ndiej vetminë të më ketë ndrydhur. Zhgënjimi më lë pa fuqi. Kujtimet më hapin plagë, m'i lëndojnë në vjetrat dhe m'i hapin të rejat... Ndiej dhembjen e plagëve tona që është e tmerrshme. Shikoj rreth e rrotull. Them:
" Në Përrue të Keq njerëzit gjithmonë e kanë dashtë vetëm jetën. Pak kanë mendue ata për vdekjen..."
Isha i bindur për këtë dhe më dukej se ashtu jetohej atje, edhe pse për të jetuar ishte aq vështirë, por se e dashur na dukej tash ajo ne që vetëm mund ta kujtonim.

Ata ditë që e lamë Përronin e Keq, kur ne nuk na mbanin këmbët të bënim hapat e rëndë në këtë rrugën tonë, nëna u kthye disa herë mbrapa dhe e vështronte katundin. Shikimin e kishte pikëllues, të rëndë. Kjo më dërmoi edhe më tepër. Kurrë nuk munda ta harroj pamjen e saj, ashtu duke e vërejtur katundin për herë të fundit nëpër lotë.
"Kështu vdes njeriu për së gjalli!", i pëshpëritën buzët.
Vështrimi i saj në ato çaste ishte i humbur, ashtu si ishte edhe pamja e saj atë ditë. Kushedi çdo të ketë menduar ajo atëherë, kur këmbët edhe pse ashtu rëndë po e largonin nga katundi edhe pse sytë nuk po mund t'ia ndante: jetën ose vdekjen tonë! Për këtë e kam pyetur veten shumë herë në ato çaste kur kujtimet më vështronin dhe më dërrmonin ashtu e më linin të zhgënjyer. Dhe, kam thënë se ato i ka menduar nëna ime dhe mezi kishte gjetur fuqi të ndërronte këmbët. Ndoshta që të dyja i kanë ardhur asaj përnjëherë në mendje në ato çaste dhe nuk do të ketë ditur për cilën mendonte, sepse ato i ishin ngatërruar aq shumë në mendje sa vështirë ishte atë ditë t'i ndaje. Dhe vetëm në këto çaste kur nuk e di ç'është vdekje e ç'është jetë, njeriu mbetet ashtu. jeta dhe vdekja sikur iu kishin ngarkuar në shtëpinë asaj dhe po e ndrydhnin. Ia pata vërenjtur edhe lotët që i patën rriedhur mbas çdo hapi të rëndë të këmbëve të këputura. Ia kam mbajtur në mend përgjithmonë ata lotë që i pikuan në tokë. Nëna ime rallë qante!...
" Nëpër këtë rrugë kam pasë ardhë nuse!" e theu dikur heshtjen tonë si të donte t'u jepte fund mendimeve tona që na rëndonin dhe na këputnin mbas secilit hap si këmbët si shpresat. Po zërin edhe atëherë nëna ime e kishte trishtues, edhe pse po fliste për dasmë.
Babai e shikoi si me habi.
"S'ma ka marrë mendja kurr se për herë të fundit e gjallë do të largohem nëpër të, për mos me u kthye kurr ma... Randë qenka me vdekë kështu! Ta marrim rrugën e humbjes e të dështimit..." foli idhtas.
Ndjeu një dobësim që i a futi të dy këmbët në dhe.
Gjyshja ia lëshoi një shikim të rreptë e qortues.
"Na qoftë rrugë e mbarë, nuse!" tha po sikur të mos bindej as vetë për atë që e tha, ndërroi bisedën." Qofshin burrat e... " po s'mundi të përfundojë.
"O, zot, kurr ditën e vet mos e pafshin, që nuk na lanë të jetojmë në shtëpinë tonë, po na i dhanë këto udhë të gjata, që doni kështu të na qitni fare. Dashtë zoti e kurr mos u shtofshi, e mos ngulshi themele në tokën tonë!" fliste nëna dhe sytë i shkëlqenin. Kurrë nuk e kam parë që sytë t'i shkëlqejnë kështu, kurse fytyra t'i kishte marrë atë pamje që sikur digjej flakë. "Doni të na faroni kështu, vetë u farofshi, o zot. Shpëtim gjetshim, ne të pafajshmit, edhe në këtë rrugë. E, nji ditë, u kthefshim prapë në këto troje se larg tyne nuk kemi me e pasë jetën tonë të gjatë..." Fliste ajo.
Gjyshen e mbështolli mallëngjimi, kurse babai kishte rënë në një heshtje më të rëndë se guri dhe nuk fliste gjë.
Fytyra e nënës sime merrte çehren e njeriut që po humbte gjithçka, që ashtu po e shihte atë humbje të vetën dhe atëherë mezi po qëndronte. Thuajse nuk i kishte mbetur më fije shprese se po i iknim kështu vdekjes se ne po bënim rrugën e shpëtimit... Mezi, duke u dridhur dhe pa trohë fuqie po i bënte hapat e ngathët të atyre këmbëve të dërmuara, që megjithëse ashtu të futura në dhe po e largonin andej edhe pse i dukej që po i shkëputej dhe aty po i mbetej një copë e vetvetes.

Mandej, disa çaste, iu kujtua, mu në mes të atij rrëmeti dasma e vet, ajo ditë kur ishte bërë nuse dhe po nisej për në shtëpinë e burrit. Atë ditë kur po bëhej gati të shkonte nuse iu kishin tekur do mendime dhe iu kishin kujtuar shumë e shumë gjëra për jetën e ardhshme. Iu kishte dukur se do të ishte e vështirë. Megjithatë këtë kurrë nuk kishte mundur as ta mendojë bile. Këtë ditë të largimit të këtillë, të kësaj vdekjeje të çuditshme kurrë nuk kishte mundur as ta sillte ndërmend, as t'i frigohej se do ta gjente edhe kjo, as atëherë kur kishte menduar se vështirë do ta kishin të jetonin.
Sot, mu atëherë kur e kishte mundur lodhja kështu, u habit vetëm pak sa iu kujtuan të gjitha këto çaste kur po e bënte këtë rrugë, hypur në kalë. Atëherë kishte menduar vetëm të ardhshmen, për lindje, për rriten, po këtë s'e kishte menduár kurrë. Tash derisa po ecte e dërmuar po mendonte kështu vdekjen dhe mezi po i tërhiqte këmbët zvarrë, sepse lodhja që e ndiente në trup ia kishte futur këmbët në dhe. Mendimet e kishin mbështjellë të tërën dhe nuk mund të lëkundej nga vendi pa to. Po mendonte kështu dhe mbas çdo hapi që e bënte ajo, aq rëndë, i dukej sikur po i afrohej greminës, sikur aty po i priste vdekja dhe në çdo bërryl të rrugës do t'i rrëmbënte të gjithë. Kujtoi pamjet e njerëzve që i përcollën, ua pa lotët, ua dëgjoi fjalët. Të gjitha e rënduan.
Mandej, përnjëherë si t'i harronte të gjitha ato mendime aq dërrmuese, e theku hapin, ngriti kokën, shikimin e hedhi larg përpara. Po shikimin e syve e kishte tash edhe më të çuditshëm!
"O zot, na kthe kësaj rruge prapë!" tha me zë, e babai ndali hapin hovshëm dhe e shikoi në fytyrë si të donte ta pyeste diçka. Megjithatë nuk i bëri zë, por një buzëqeshje e lehtë dhe pikëlluese në ato çaste iu përvodh në buzët e shkrumuara, si të donte t'i thoshte se kot e kishte, se nuk kishte më lutje që do t'i ndihmonin në këtë rrugë të tyre që kishin marrë tash.
Po babait edhe atëherë kur i shkoi buza vetëm pak në gaz, i vërehej në fytyrë ai pezmi që e ndiente në vete pse kishte vendosur të merrte këtë rrugë. Fytyra i mori pamjen si të donte të thoshte se gjithçka kishte marrë fund dhe se të gjithë së bashku kishin nisur ashtu asaj rruge, fundin e së cilës nuk e dinte kush...
.


Malësorja
(Frament)

Sa shumë e ndryshuan Hajrinë ato tetëmbëdhjetë vjet të martesës së dytë, habitej edhe ajo vetë. Nëpër fytyrën dikur të njomë e të bukur, të shëndoshë e të plotë, si lulja në mëngjesin e pranverës plot rreze të këndshme dielli, ishin kryqëzuar tash do rrudha që ia kishin bërë koha dhe vuajtjet, thua se në atë mënyrë i kishte shënuar çdo vuajtje kujtimet e veta me nga një rrudhë në fytyrën e saj. Të gjitha ato kishin marrë tash pamjen e një rrjete marimange në ndonjë qoshe të çardakut. Edhe trupi i saj, dikur i hollë e i gjatë si selvia në mes të malit, ishte kërrusur pak, tash dukej më e vogël. Sytë i ishin zgjeruar e flokët, dikur aqë të zez e të gjata, sa të gjitha shoqet ia lakmonin, ishin thinjur e rralluar. Megjithatë, Hajria, mu tash, në këto vite pleqërie, e ndjente veten më krenare se kurr ndonjëherë më parë. Sa herë e mendonte jetën e vet, i dukej se ka lindur mu atë ditë, që u krijua bota dhe se është më e vjetër se të gjithë njerëzit në të. Se kishte parë e përjetuar gjithçka që ndodhi deri tash në botë. E ka përcjellë çdo ngjarje të asaj ane dhe i dukej se vetë kishte marrë pjesë në to, pasi të gjithë ngjarjet e kaluara i mbante mend fare mirë.
Sabiti tashmë ishte rritur. Raba kishte vdekur para tri vjetësh. Të gjithë kujtimet e Hajrisë për të kaluarën e vështirë tashmë i mbuloi bukur shumë pluhuri i harresës, sidomos tash kur e shihte të birin burrë, të zotin e çdo pune; tash kur e shihte dhe veten dikund lart, lart mbi të gjithë, thuajse prej andej dëshironte t'u thonte të gjithëvet me plot mburrje:
"Qe, unë nuk kam qenë fajtore kurr!..." e ndjente në vete se si i shtohej ajo krenari pse arriti t'u bëjë ballë të gjitha atyre ngjarjeve të mundimshme dhe t'i harrojë deri dikund.
E vetmja brengë, të cilën nuk mund ta shlyente kurrsesi qe Aliu. Ai i dhembej e dashuria për të nuk i zvogëlohej fare, edhe pse i urrente nganjëherë ata njerëz. Dashuria prindërore e shtynte të harrojë tërë të kaluarën dhe ta ledhatojë të birin herë pas here, por vetëm me ato kujtime e dëshira, të cilat e ndjente në vete se si i rridhnin dita ditës më tepër.
Plot nëntëmbëdhjetë vjet nga ndarja mbusheshin atëherë e asaj i kujtohej vetëm fytyra e tij, ajo fytyrë të cilën e la para aq vjetësh në mesin e atyre maleve të thepisura të Gollakut të largët, të cilën nuk e pa kurr më.
"Mos ka vdekë? Kur nuk e ka dëgjue ma as një fjalë për te!" u frigua shpeshherë dhe thellë në vete ndjeu atë dhembje e pikëllim që ia djeg zemrën nënës, të cilën e mundonte dashuria për të birin e humbur.
Tash edhe po ta shihte të birin, me siguri nuk do ta njihte më e ëma nuk do ta njihte të birin! Nëna të mos e njohë të birin! I vinte keq edhe asaj dhe çuditej, por s'kishte çka të bënte, pasi e tillë qe jeta ndaj saj. Të mos e njohë djalin, për të cilin mendoi gjithmonë, në ditët më të vështira dhe më të lumtura të jetës së vet, të mos e njohë nëna fëmijën, gjirin e së cilës e kishte thithur, atë që e kishte shpëtuar nga vdekja, sepse sikur Hajrija të mos mendonte për të, të mund të mendonte jetën e të birit pa të sajën, atëherë i dukej se jeta e vet ishte e kotë dhe nuk kishte pse të jetojë, prandaj qysh atëherë do të vdiste. Të gjitha këto tash i dukeshin shumë të çuditshme. Sa net i kaloi pa gjumë dhe duke menduar për të!
Sa herë ëndërroi e në mëngjes u zemërua në vete pse pranoi të ndahet: pse nuk u kap për derën e shtëpisë sa të mos mundesh askush ta ndajë prej saj. Sa lotë derdhi gjatë atyre nëntëmbëdhjetë vjetëve malli përvëlues, i cili qe shumë më i nxehtë se dielli i korrikut. Sa e sa herë e kujtoj atë moment të ndarjes, kur e la të birin për herë të fundit me duar të zgjatura kah ajo dhe vetëm kur e mendonte këtë pamje i kujtohej më së miri fytyra e tij. Iu duk se i biri donte ta luste të mos ndaheshin, por ajo ia ktheu shpinën, kurse kali vazhdonte të ecë rrugës përpjetë, t'i ndajë e t'i largojë ëmë e bir prej njëri - tjetrit, edhe pse këtë nuk e dëshironin asnjëri.
Aqë më tepër e lodhnin edhe mendimet se i biri nuk dinte asgjë për të, për vuajtjet e së ëmës dhe për dashurinë e harruar. Mendonte se i biri do ta përfytyrojë tash vetëm si një grua zemërkeqe, të shëmtuar dhe shtrigë, e pa fije dashurie për të birin, të cilën e urrente pse e kishte lënë atë pa nënë për t'u martuar me tjetërkend.
Atij kurr nuk do t'ia tregojë kush romanin e jetës së saj. Atë roman të pashkruar të malësores, i cili me siguri një ditë do të harrohet, ashtu sikur janë harruar edhe mija e mija të tjerë në këto male të Llapit e të Gollakut, atë roman që e shkruan njerëzit me pashpirtësinë e tyre ndaj njeriut. Romanin për vuajtjet e njeriut nga njeriu. Romanin që zë fill dikund në Gollak, me një vajzë të bukur që ende nuk e kishte shijuar jetën që vazhdon për një grua të pafat dhe që përfundon me ...
Mendimet e tilla e lodhnin Hajrinë tash më tepër se gjithçka.
Friga se mos e kishte humbur dashurinë e të birit nuk e lente të qetë, sa herë që i kujtohej jeta e tashme e lumtur. Dëshironte vetëm të dijë se a e urrente ai apo jo dhe se a dëshironte të shohë ndonjëherë të ëmën. Çfarë lehtësimi do të ndjente ajo vetëm sikur ta dinte se i biri e donte, nuk e kishte harruar kurrë dhe se mendonte gjithnjë për të. Por, në atë rnoment në kokë i fluturonte përherë një mendim i ftohtë: "Me më pas dashtë kishte ardhë ndonjiherë. Ai tash asht burrë, kishte mujtë me ardhë!" i thonte vetes dhe pikëllohej përsëri.
E sa e sa mendime nuk e lenin të qetë shpeshherë edhe pas kaqë vjetësh; aq shumë pikëllohej nganjëherë sa dilte e shikonte përmallshëm qiellin e përhimtë, andej në drejtim të katundit, ku e la të birin, thua se përpiqej ta shihte atë copë qielli që e mbulonte atë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen