Mittwoch, 17. Juli 2013

Remzi Limani

Remzi Limani

Remzi Limani (1955) u lind në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve, Dega e Dizajnit në Universitetin e Prishtinës.
Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike. Në të gjitha këto krijime, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti që shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.
Për punën e tij krijuese në fushën e arteve figurative dhe aplikative, zënë vend trembëdhjetë shpërblime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 1999 nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u nominua kryetar artistik për Kosovë. Deri më tash ka të realizuara dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi. 
Nga fusha e letërsisë ka të botuara 19 vepra. Nga këto dy romane, poezi, kritikë letrare, monografi mbi artet e bukura, aforizma etj. Libri me poezi “Tinguj të humbur” (Sonete Pierdute) i është përkthyer në gjuhën rumune, Bukuresht 2010. Po ashtu, poezia e tij është përfshi edhe në antologjinë poetike “Pagjumësia e fjalëve” (Insomnia cuvintelor) e botuar në gjuhën rumune, Bukuresht, 2010. Po ashtë është përfshirë edhe në pesë antologji tjera pietike, sikurse edhe në fjalorin enciklopedit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve e Kosovës.
Është autor i tekstit të këngës së ekzekutuar me rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze në Vatikan.
Aktualisht, punon në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, në Prishtinë në cilësinë e udhëheqësit të kulturës


Poezi nga Remzi Limani


KOHË E THINJUR

Nëpër shushurimën e plepave të lagur
Përfytem me kohën e thinjur
Nën harkun e vetullave të pahitura
Gërmoj shkëlqimin e një kohe të ikur

Nëpër tavernat e dehura në mesnatë
I mbytur në këngë vaji i tërbuar
Vras të sotmen i mbytur n`errësirë

Nëpër tavernat e tymta i verbuar
Prapa xhamave të thyer i përgjakur
I shtrirë përtokë vras hijen time

Sonte i përmbysur mbi hidhësitë
Mbi gotat e zbrazura rënkoj
Nëpër kohë lidhë plagët e malcuara

Nëpër labirintet e mendjes anembanë
Sytë e ëndrrave treten mbi Ulpianë




ZJARR I ETUR

I përqafuar me klithje dashurish
Shpalosi partiturat e këngëve për lulen
Që të thithë nektarin e kujtimeve
Për një çast të mbushem frymë

Ku ta shtrydhi gjithë këtë dhembje
Të degdisem nga vetmia e çmendur
Për një çast t`i kthehem jetës
Në sytë e saj ta vras dhembjen time

Si t`i fundosi hijet vrastare
Udhët me ngrica si t`i shkrijë
Pikëllimin ta varrosi para agmisë
Me zërin e saj të piqem




FUNDI I KËNGËS

Mendimet për Ty
Më ndryjnë mendjen kudo që jam

Për çdo ditë plaga jote rrjedhë në mua
Sytë e Ty ëmbëlak pa dashje më vrasin
Me pëshpëritje zërash më vjen e mbuzur
Si dikur me pashi hyjnore
Në sytë e mi pasqyron motive nate

Koha e sëmurë e humb gjakun rrugës
Andaj pranvera ime vdes nga anemia
Në brendinë e së kaluarës pikëllimi vret
Bilbili me këngën e fundit vajton
Jo nga frika e vdekjes
Por për ëmbëlsinë e këngës së vajit

Mendimet për Ty
Më ndryjnë mendjen kudo që jam




ËNDËRR E QESHUR

Tërë natën e ëndërrova të qeshur
Balerinën e veshur në këmishë nate

Tash ajo ndihej e rinuar
Me nostalgji lëvizte krahët e fluturës
Në majë të gishtit sillej e ndizej
Rreth zjarrit nxirrte djersën në ballë

Tërë natën në gji më mori më shtrydhi
Me profil të puthur në pasqyrë
Në majë të gishtërinjve ecte mbi mua
Me hijen time vallëzonte

Etja e rindezur e kafshoi etshëm
Dhe shpërtheu në brendinë e saj




DRITARET E FIKURA

Nuk di ku të fshehu dita
Nata e pa gjumë ku të zuri
Në mesnatë buzëqeshja e puthur
Me lakmitë tua ku u shtri

Kjo natë e vrarë në mua
Në dritaret e fikura e paluar
Pa britma vajtimtare
Pa zëra e qemane rri e shurdhër

Në këtë natë ngrice
Vetëm lotët puthën në një pikë
Të zhveshur nën këmishë nate
Nëpër suferinë bore të rrëmbyen

Ofshama puhi zjarri djeg
Erërat e dredhura kah të bartën
Me flakë pishe ndriti udhët
Këtë natë të qulltë ku të kërkoj

Ah sikur ta di
Ku shfletohen sonte partiturat
Drita mbi trupin tënd ku thyhet
Kush të ka pranë
Në gji kush të mban




NUDO

Akti i mbrëmjes së zhveshur
Trupin e shpalosi në pasqyrë
Çupërinë qëmoti të rrëmbyer
Me sy prushi e veshi në zjarr

Nën hënën e ndezur mbi Kala
Trupi i shpërthekuar gjëmon
Nga epshi shkrihej në dihamë
Në pasqyrë e alivanosur shtrihet

Lakmitë e trupit vizatohen në sy
Format e saja thyhen në pasqyrë
Me zërat e natës së kafshuar
Trupi i vishej me nur




PARA AGMISË

Qëmoti i dehur nxjerr gjakun në sy
Buzëheshtur humb gojën pa thënë fjalë
I shtrirë mbi udhët e përbaltura
Në dritë hëne drejt teje kërkoj gjurmët
Por kurrkund as gjurmë as zëri Yt
Pa këngën Tënde vdes nata në mua

Fytafyt zihem me vetveten për Ty
I etur frymësosur plot zjarrmi në sy
Në dritë hëne t`i shpalosi hijeshitë

Sikur mugëtirë mëngjesi e shkrirë
Pas furtunës shtrydh mallin në gji
Me dihatje veshë pasqyrën dhe sytë e mi

Një dritë hëne plot hijeshi nate
Do të ketë qenë ëndërr në mua
Një përrallë sybukur e mbuzur pranë
Klithmë dashurie lëshoi mbi mua
Dhe papandehur iku para agmisë




VETEM VAJIN MA LËRË MUA

Merri të gjitha të lutem
Edhe frymën time këpute në mua
Edhe hënën mbi mua fike
Merri të gjitha…
Me buzëqeshjen tënde vishe qiellin
Vetem dhembjen ma lërë mua

Merri të mallkuarat kujtime
Edhe këngën time për ty
Vetëm vajin ma lërë mua
Dhe harroje trishtimin tim

Ik nga froni i territ tim
Ik degtisu prapa diellit
Nëse do merre edhe lëkurën time
Mbështilli plagët e malcuara ne ty

E di, e di…
Rrugë e gjatë do të jetë pa ty




ERRËSIRË

Vaji në shpirt ndezi zjarrin në mua
Në arzë ngriu fjalën dhe kujtimin
Një ngërç më zuri shpirtin e trembur

Flutura e plagosur mbi flakë qiriri rënkon
Plaga e hapur rodhi ngjyrat e ylberit
Mbi dritën time të vetme ra mortja

Mbi krahët e fluturës dhe plagës
Pa sy mbetën kujtimet
Si një shpatë me majë helmi
Errësira ra mbi mua




KISHA DASHUR TË JETË ËNDËRR

Kambanat mbi Ulpianë zëshëm këndojnë
Tingëllimat bukur veshin dhembjen time
Këndshëm plot acar pikon dimri në mua

Rrugës fillikat befas takoj hijen Tënde
Me përkulje t`i puthi kujtimet nën vello

Shumë kohë kaluan pa hijeshinë Tënde
Dhe ëndrrat e përbashkëta çelen pa Ty
Ç`të bëj me këto sëmbime vrastare
Me këtë suvalë çmendurie që bie mbi mua

Ç`të bëj me ditët e zverdhura
Plot anemi pranvere derdhej në mua
Mhe hijet dhe terrrin që derdhej mbi lule
Me dashurinë për Ty
Luftoj frymëmarrjen e sosur



DIELL NË TRINË DORE

Sot nëpër kohë shfletoj partiturat
Si bleta petalet e luleve në fusha

Fytyra jote ndrit terrin tim
Botën e hijeve ndriçon në mua

Mos shiko kokulur
Dua t`i shoh sytë e prushtë

Në pritjen e agimeve tona
Pran teje i mbuzur të zgjohem

Mëngjeseve me dritë parajsore
Dua ta puth diellin në trinë dore

Me zgjimin e agut mbi Ty
Trupin e vakët ta shtrydhi në gji



KUR SHKRIJNË DIMRAT

Qafa e zhveshur e një gruaje
Me parfumin e saj vdekjeprurës
Po ecën drejt flakës...

Në të lëvizte lumi i etur
Dhe sillte ujërat që dehin

Këtu nuk do të ketë ngrica
Këtu në këtë shtrat
Nëpër vijat e trupit të një gruaje
Ecën bulëzat e prushta
Këtu nuk do të ketë dimër
Në mes kofshëve të saj
Do të shkrijnë të gjithë dimrat




ETJA E LUMIT

Nën hije gështenjash
Këndshëm rënkon kujtimi për Ty
Përtej etjes së lumit
Nata vdes pa kurorë

Më kujtohen netët pa gjumë
Puthjet e përkëdheljet e natës në Ty
Të puthitur buzë më buzë
Mbi të gjitha pikat e trupit

Nën hijen e flokut Tënd
Puqen lotët ende të vakët
Përtej dhembjes për Ty
Lumi i etur vdes në mua




SYTË E DEHUR

Me elegancë hoqi pardesynë
Pastaj shpalosi trajtat e theksuara
Mbi hijeshinë e fustanit bojëverë
Lirshëm e derdhi flokun e argjenduar

Në lugun e gjokseve të mbushura
Triumfalisht i peshonte broshi antik
Pastaj në majë të gishtërinjve
Bëri ca hapa drejt shtratit
Me sy të dehur
Porsi fugë bëri një rrotullim
E etur hyri në vorbullën e lumit




VETMI


E mbështjellë me puhinë e detit
Me pashi ndritë vetminë time
Si lule e larë me vesën e mëngjesit
Flokun e lagur shtrydhë në mua
Me lakuriqësi më mbulon

I verbër në heshtim i humbur tretem
Si hije thehem mbi kulmet e fjetura
Zërat e gjetheve më rrëmbejnë këndshëm
Me mall t`i puthi sytë e fjetur




NATË E VERBËR

Nata nxjerrë dihatjet e vetmisë vrastare
A thua mëngjesi do të vijë me aromën e saj
Për t`i shpëlarë sytë e mugëtirës në mua

Erërat e çmendura thejnë shtigjet e yrtit tim
Heshtja thyhet në qetësinë e verbër
Kujtimet rrëshqasin faqeve të përlotura

Me këngën e ngushëllimit vdes nata
Gjëmat shtrydhen në këngën e gjelit të kuq
A thua me sytë e saj do të çel mëngjesi




NËNËS ZELË

Pa e pyetur
Me lot ia tretën bojën e kuqrremtë
Pa e pyetur
Me këna ia lyen flokun

Kokulur shtrydhi lotët e fëmijërisë
Me syrin e pranverës e stolisën
Herët ia veshën nusërinë

Shtëpia me shoqe e lodra leckash
I ikën në kodrat e gurit të verdhë

Dhe...
Nusërinë e mbajti mbi shpatullat e malit
Duart grusht kurrë si mbajti
Me gishtërinj krehu kullosat mbi re

Pa e pyetur
Me këna ia lyen flokun




LOKËS

E shtrirë mbi motet e djegura
Të gjithëve u the lamtumirën
Dhe puthe të gjitha duart që nxore nga barku

E lodhur nga engjëjt që të bënin roje
Duke numëruar delet në tespi
Hapërove nëpër të gjitha kullosat e parajsës

Në yllin e agimit
Thanë se Lokja është bërë nuse
Nuse e paluar këmbë e duar

Ishte dasëm e shurdhër
Oborrin e fshinin tri nuse te reja
Tri nuse të reja me ballë të mbuluar

FJALA, 15 dhjetor 1986




MIKUT TIM
(Mehmet Kajtazit)

Buzë liqenit të Lozanës mike
Ofshama puhi e zjarrtë
Mbi karrigën e gjelbër
Krijuesi këmbëzbathur lidhë plagët

Në dhomën e Migjenit
Drenica sot kallej
Miku i penës në heshtje
Plot dënesë nxjerr këngën e dheut

Mbi liqenin e Lozanës mike
Shuhen zjarret mbi Kllodernicë
Miku im
Fshin lotin e një fëmije të humbur

Drenica lindi mikun tim
Pena lindi Trimin dhe Besimin
Besimi pushkë e ngrehur
Me rrënjë e degë fitoi lirinë

Mbi liqenin e Lozanës mike
Miku im
Këmishën e përgjakur ia veshi malit
Le ta kujtoj bota gjakun që nuk falet




LETËR NGA LLOGORI
(Dërguar piktorit, Adem Kastratit)

Koleg i nderuar,

Të kujtohet ilustrimi im “Ëndrra fëmijërore”
Në studion time me xhamin e thyer
Ku ti ngrihje kafenë me afsh
E Hamdi Bardhi pinte lëng molle

E di se të kujtohej
Andaj të shkruaj i pushtuar nga angështia
Që të më sjellësh pakëz dritë në errësirë

Vashëza që do të trokas në dritarën tënde
Në grusht të mbyllur mban porosinë time

Ne këtu jemi të shndërruar në numra
Emri im është “395 D”

E di...
Edhe Ti frymon në brendinë e ëndrrës së zezë
Duke ecur drejt të bardhës
Së bashku me ngjyra dheu në pikturë

Prill 1999, kampi Stenkovec – Maqedoni




ENGJËJT E LIRISË
(Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut)

Mbi Iliri jargitet bajlozi i zi

Ishte 2 nëntori i vitit 1989
Kur filloi numërimi i një kohe të vrarë
Uturima mbytëse mbillte tmerrin
Në Kodrën e Diellit lëshonte jargë

Dy rrahje zemrash të puthura në gjakim
Të barrikaduara me aromën e Lirisë
Shpalosën gjokset dhe ëndrrat përtej luleve
Dy buzëqeshje të vrara plot ëmbëlsi
Të ndritura mbi yrtin e lashtësisë ranë

Dy lule balsami mbështollën plagët tona
Të shtrira në krahët e këngës drejt Lirisë
Drejt rrjedhës së lumit në amshim
Për ta shuar etjen e ylberit mbi Ilirikum




KOSOVA

Është një Tokë
Me lule gjaku
Farë e bardhë
E urtë në Kokë

Është një Tokë
Me sy në Kokë
Kryq nën dhe
Hënë mbi Tokë

Është një Tokë
Me zot mbi Kokë
Faqebardhë
E shtrirë mbi ar

Është një Tokë
Bukë nën Kokë
Kullë e lashtë
Grurë mbi mur

Është një Tokë
Me thinja n`Kokë
Mbi këtë Tokë
Ranë shumë Kokë





MBI TEMPULLIN E DODONËS

Mbi postiqe ilire me fije cjapi rri këmbëkryq
Ngadalë gjerb kafenë e mëngjesit të shurdhër

Duke menduar për plagën dhe helmin e gjarprit
Mbi Tempullin e Dodonës bëj pallë të rreme

Pastaj mbi kokën time mbuzet verbëria e natës
Mbi gurët anëcakë kandilofanët ndezin qirinj

Njerëzit e fshehur nën veladonë pa zë njeriu
Mbyllnin portat e hekurta

Të veshur me terrin pa sy njeriu
Burgosën hënën të vetmen dritë mbi Iirikum


VITALI

Ti sikur s`më njeh
Unë jam Ti
Ky është portreti Yt
I punuar me ngjyra dheu

Mos u frikëso atdhetar i ndritur
Që dukesh i thyer në pasqyrë

Ti ke ecur nëpër shekuj
Mbi tokën e djegur
Guri në rrokullinë
Andaj s`më njeh

Mos u frikëso nga Plagët e Lirisë
Mbi Dardani
Ti ishe VITALI
Komandant i Ushtrisë Ilire





NËPËR FLUDHURA PLUMBASH

Këngët për dheun i shkruan gjaku
Nëpër gjurmë kohe mes egërsirash
Maestro i përqafuar me violonçel
Këmbëzbathur nëpër horizontin e tymt
Përvajshëm nëpër fludhura plumbash
Nxjerrë tingujt për Tokën e Djegur

Nëpër fasadat e përhime shikimi ngrinë
Qyteti i zbehur vuan nga anemia
Në sytë e botës koha vritet para agmisë

Dhembja e mendjes është e madhe
Më e madhe se flaka mbi çati
Andaj, mos u frikoni nga vdekja
Ajo është e veshur me frymën tonë


TINGUJT E HUMBUR

Ngadalë malija ngrihej në majë plepi
Dhe sillte tingujt e humbur të një kambane
Së bashku me zërin e zogjve të uritur
Mbi blozën e grurit të kallur mbi Drenas

Koha e ligë vrau ëndrrën dhe mëngjesin
Shiu i kuq
I kuq gjaku vërshoi udhët tona
Një ngërç drithërues ndaloi pikë në zemër

Uturimat barbare shkyheshin mbi kulme
Mbi truallin e Arbrit përdhe
Nën vringëllimën e shpatave të përgjakura
Agmia vinte e trishtuar

Kohë e ligë e pagjumë harbon
Nëpër tingujt e humbur vdes nata
Mbi tokën e engjëjve këmbëzbathur
Peizazhet takohen në një pikë gjaku




NËN TENDËN “395 D”

Tashmë në numra të shndërruar
Familja ime mban emrin “395 D”

Çdo ditë para agmisë
Para këngës së gjelit të kuq
Më zgjonte melankolia për nënën
Të tjerët të mbuluar me batania kuajsh
Të shtrirë përtokë flinin

Përreth qetësi relative
Dikush – dikujt i thërriste me axhele
Ecni të mos vonohemi
Para agmisë nxitonin për të ikur...

Një zë thekshëm thërriste gjakun e tij
Mos e harroni Kosovën
Ishte dikush që i përcillte i përlotur

Pa frymë nëpër tendën e ngushtë
Symbyllurazi mbi kartonat e ambalazheve
Mbi tokën e ftohtë
Shtriheshim të mardhur e të jeshiltë mbi të

Nën tendën “395 D”
Ecnim të kërrusur
Në gjunjë pinim ujë
Në gjunjë luteshim për Kosovën

Meqë ra fjala
Gjithmonë merrja shtatë pjata të gjelbëra
Shtatë gota plastmase
Shtatë pirunë
Shtatë lugë

Një pjatë plastmase
Një gotë
Një lugë
Një pirun më shumë
Sepse unë kisha pesë fëmijë
Kurse nën tendë vetëm katër

Vajza ime Venera
S`ishte me ne
Pa e pyetur e humbën në Anadoll
Duke kujtuar imazhin e humbur
Nuk doja ta ndaja nga sofra
Andaj merrja edhe për të

Një ditë në sy të mëngjesit
Para gjunjëve
Shtrova një cohë beze amerkane
Hapa kutinë e bojës së këpucëve
Fillova ta bëj konstruktin e pikturës mbi beze

Qëkur më zgjoi nëna nga gjumi
Motivi i pikturës më flinte në kokë
Doja të vizatoja Kosovën
Të mbështjellë në plagë

Ishte dita e njëzetepestë
Rreshtat për bukë rriteshin për çdo ditë
Lumi i njerëzve s`kishte të ndalur...

Nga Drenasi
Theranda, Ulpiana, Besiana, Maniana,
Brezana, Viktoriana
E gjithë Dardania
Të pafrymë zbrazeshin mbi tokën e huaj

Në gjunjë e gisht në kokë
Vëndosa ta pikturoj Tokën e Djegur

I hamendur dhe i mpirë
Vëndosa të qeras veten me një kafe – tabletë
Gjunjazi
Në qoshen tjetër të tendës
Mora llamarinën boshe
Të një konserve peshqish norvegjez

Me bojë të zezë këpucësh
Që ma kishte sjellë një vendas i Ukshin Hotit
Me gishtin tregues fillova të pikturoj
Me një ndjenë lehtësimi
U ktheva tek konserva norvegjeze
Uji kishte valuar

Në llamarinën norvegjeze lëshova një tabletë
Dhe për saora
Në gotën ngjyrë të gjelbër zbraza kafenë

Aty përtokë
Ca shishëza të mbushura me ushqim fëmijësh
Në dorë fillova të konsultoja etiketën
Shishëzat me qull pemësh perimesh

Duke tërhjekur ushqimin
Nëpër konsruktin e rrënojave
Oxhaqet e shtëpive ende tymonin

Në mungesë të penelit
Me brisk rroje tërhiqja ushqimin mbi beze

Brisku krijonte një tesiturë
Për rrugën për qiellin
Për Tokën e Djegur

Akoma e bardha e bezes dukej

Duke vrapuar mbi Tokën e Djegur
Ushqimi vinte në të sosur
Mbi sipërfaqen e pikturës
Vraponin fëmijët e uritur

Unë punoja pa ndërprerë
Depozitoja sa më shumë ushqim mbi beze

Mbi planin e sipërm të tendës
Në sytë e diellit në mesditë
Piktura e mbushur ushqim fëmijësh
Thante gjakun që nuk shihej...

15 maj 1999, Kampi Stankovec – Maqedoni




BALERINA

Agmia vinte me një suferinë kristalesh
Duke dëgjuar vajin e mjellmës së humbur
Koha lëshoi një ofshamë dhembjeje
Dhe shtrydhi këmishën e përgjakur

Zogu krahëthyer zuri vend në jelën e kalit
Nga të shtënat e djallit dhe të birit
Balerina porsi fugë u rrotullua rreth globit
Në sytë e kohës nëpër dredhat e tymit
Ekzekutoi një pikë homazhi para Botës

Heshtja flet me gjurmë kohe mbi Iliri
Acarin e veshur në sytë e mjellmës
Do ta shkrijë Koha dhe Kënga për Lulet
Për t`i hedhur një sy peizazhit me grunaja

Tashmë nën qiellin e veshur me këngët tona
Me të bardhën e engjëjve të Lirisë
Bjeshkët e Nemuna fshin lotin
Në sy të mjellmës nxirrnin dhimbjet e lindjes

Mbi Dardani këndon një kumri
Një këngë për Kullën
Dhe gjakun tim e shtrydhë në gji

Kori i lulegjakeve rreshtohet në horizont
Me ritmin e grunajave valëzore
Himnizon këngën e gjakut dhe lotit
Nga malli për këngën nusja hapi sytë e qepur
Hodhi duvakun mbuloi krushqit dhe malin

Nga gjaku ynë që rodhi nëpër shekuj
Tek peizazhet e mbuluara me luledielli
Së bashku me ngjyra dheu në pikturë
Një këngë mbi tokën e djegur lindi sot

Mbi Dardani këndon një kumri
Një këngë për Kullën
Gjakun tim e shtrydhë në gji




KOHË E NGRIRË

Nuk e di ku ta fshehu ashtin tim
Qentë e tërbuar mihin varret tona

Plagët e natës pikojnë mbi lumin e ngrirë
Në sytë e gjelit vdes hëna e re
Koha ende lidhë plagët nëpër shekuj
Nata nën ethe bluan eshtra e s`ndalet
Mbi kryqin e dritares bien perdet gri

Tërë natën me të kaluarën zihem fytas
Hijet makabre ecin mbi trupin tim
I mbuzur me vetminë dhe vdekjen
Toka e Arbrit nga të shtënat gjëmon
Në sytë e mi ngricat hapin varre para kohe

Shiu i kuq thithë ulërimat e qenve të fëlliqur
Nata nën sqetull fsheh ashtin tim




ËNDËRR

Si je he burrë i dheut
I thashë një plaku një urtaku
Ish-kalorës i kohës së shkuar

Ashtu si mendja në kapërcim o biri im
Foli urtaku që prehej nën hijen e therrës

Tashmë ngrihem ngadalë
Më tha plaku urtaku
Eci me hapat e një të vdekuri
Deri tek nevojtorja e llamarintë
T`i shkundi ca pika shurre
Mbi këtë botë të çmendur

Dhe sërish kthehem gjurmëve të mia
Deri tek shtrati im prej dheu
Ta zë ëndrrën me riga shiu
Rrugëtimin e gjatë në përjetësi
Plisat e dheut tim mbi trup t`i shkrijë


SUFERINA

Nëpër suferinë vjeshte
Udhëve të mplakura bartemi
Nga erërat e kohës biem përtokë

Papandehur një breshëri plumbash
Me jargët e bajlozit të zi
Shtrohen nëpër Kohën e Vrarë

Së bashku me zërin e zogjve të uritur
Biem pre e një Kohe Njerkë
Andaj shtigjet duhet lënë hapur gjithmonë
Për kortezhet tona të zogjve të vrarë

A thua nuk do të vdesim
Për t’i përkujtuar kohët nëpër suferinë
Nuk e di nëse i lidhim plagët e shtrira
Anëpëranë Trojeve Tona




NATA VDES PA KURORË

Priftërinjtë fshinin rrugët e qytetit
I verbëri kafshonte terrin e mykur
Gurët në shpirt gjëmonin
Nata vdiste pa kurorë

Ciklopët thyenin shtigjet e trojeve tona
Kulla e veshur rri
Nuset djepit ia shuanin etjet

Nën hijet e rrapit mali hesht
Kulla flokëbardhë mbulon rojat e mjegullës
Shpatat në lumëbardh kaliten
Hijenat matanë brigjeve jargiten

Këtu pa zë flasin shekujt e thinjur
Pa zë ecën këngët mortore
Pa zë
Mbi kokat e fëmijëve ca flokë
Kah rrita vrapojnë...


KOHË E LIGË

I zgjuar nga ankthi
Shpëlaj sytë me lot
Nga të shtënat e djallit
Shpirti shtrëngonte hapësirën
Pikat e shiut shpërndaheshin mbi akuarel
Ngjyrat e ylberit iknin nga e zeza
Hapësira mbetej e vetmuar

Ora me kukuvajkë numëronte plagët
Dardania gjëmonte nga të shtënat
Rruginat hypnin njëra mbi tjetrën
Laneti luante kaluar mbi kulmet e fjetura

Azemi lëkundej në varr
Shota në horizont krehte flokun e përgjakur
Ora shënonte mesditën e vrarë
Ethet nuk dalin nga shtrati
Kohë e ligë
Ora duhet kurdisur




ETJE

Kur të ma kthejnë zërin e humbur
Eja së bashku t`i bëlbëzojmë këngët tona

Kur të m`i kthejë dhëmbët e thyer
Eja t`i kërcënojmë armiqët nëpër shekuj

Kur të m`i kthejnë sytë e pranverës
Eja ta ngjyrosim ylberin mbi lumë

Kur të m`i kthejnë veshët e malit
Eja t`i dëgjojmë këngët e krushqve

Kur të m`i kthejnë këmbët e drenushës
Eja ta shëtisim Kosovën e lirë

Kur të m`i zgjidhin duart e prangosura
Eja të të vë kurorën e malit mbi kokë

Kur të ma kthejnë shpirtin
Eja ta lindim birin tonë

Prishtinë, 1988




PLAGË KURBETI

Rrugë kurbeti nëse merrni
Me kujtime nën sqetull shkoni
Mos i harroni varret e lëna
E sofrën e përbashkët të emrit shqip

Me vuajtje shpirti nën dhëmbë
Me sy kah udhët tona merreni gjumin
Se rrugë e pafund do t`u humbas
E lakmia fantazmë do t`u tradhtojë

Me shikim malli e lotin shpresë
Prore me kthim lotin ta shuani




PROFKATARE E PËSHTIRË

Shpeshherë më dukesh e pështirë
Në majë të Olimpit duke u çjerrë
Me flokun e shprishur dhe e mjerë
Duke u lutur para Perëndive
Të të zhveshin nga mëkatet
Për grabitje e lajka dashurishë

Dhe prapë tinëzisht shpalosesh
Në sytë e ditës shtrihesh e prishesh
Nëpër dhomat e gjumit e kafshuar
Mbi ty derdhen ulërimat e tërbuara


MESDITË E PUTHUR

Në majë të gishtërinjve e kandisur
Kaptoi kodra mbi gurra të cemta
Me erë mali e etur ngarendi me vrap
E mbështjellë me flakë zjarri në sy
Me mëngjitë e përkryera më rrëmbeu

Symbyllazi me puthje më mbuloi
Aromë trëndafilash derdhi mbi mua
Një prafullimë e dehur kërceu nga zjarri
Dhe më dogji në majë mali mbi re

Në mesditë një vetull biskonjë e putha
Vjedhurazi ia shkëputa format e qitura
Dhe prajshëm u dogja në sytë e saj




HËNË E NDEZUR

Me buzagaz në ballë e stolisur
Hënën e ndezur e mbante në gji
E shtrirë mbi të kuqen solemne
Zemra e saj rrahte s`i një fetus

Me bollëk lakmie rrinte e shkrirë
Sytë e natës rrudheshin në një pikë
I shtrirë në një botë tjetër në hutim
Onufri mbulohej me lakuriqësinë e saj

Në një mbretëri monumentale
Në këtë shtrat të pa gjumë
Asnjë gjurmë nuk do të mbetet
Përveç flakës në sytë e saj

Nën të kuqen e mëndafshit të ndezur
Koha zgjatë sa një rrjedhë lumi
Me trupin e mbërthyer në unazë
Këtu në këtë shtrat prushi
Nata i humbi sytë e gjumit


NATË E PRUSHTË

Kur trupi i saj u vesh me nur
Ai me kohë ia zuri zjarrin në sy
S`i një tempullar fisnik
Në ballë ia zuri hënën e plotë

I përvjelë në sy të mbushur lakmi
I ndezur ra mbi të
Mbi të gjitha theksimet trupore
Në pikën e etjes i kallur
Mbi të ngrykas ndezi zjarrin

Kur heshtja e natës shpërtheu e prushtë
Terri shtrydhej në sytë e saj
Nën flakën e kësaj nate
Mund ta harrosh edhe emrin tënd



PËRTEJ SYRIT

Tinëzisht nata zhveshi hënën e plotë
Hingëllin kali i azdisur qirithi ngritet në qiell

Hëna nga malli ra përdhe mbeti e shtrirë
E harlisur me gjokse shpërtheu terrinën
Pa zë hapi krahët e mjellmës
Flaku mallin matanë syrit përtej qiellit

Hëna e kallur në gji shtrydhej
Një rrahje zemre me të dridhura
Shuhet e ndizet në errësirë

Sërish hingëllin kali
I azdisur qirithi ngritet në qiell


KLITHMË DASHURIE

Me aromën e saj dehëse
Në majë të flakës u dogj
Duke u përplasur me etjen
Syri i zhvishej lakuriq

Me aromën e saj dehëse
Në mua gatuante zjarrin
Shqyente lëkurën e saj

Dhe në mua kërkonte rrënjë lisi
Të nxjerr një klithmë dashurie
Në dhëmbë ujku të vdes

Në majë mali u përplasen britmat
Në sytë e Onufrit u dogjën flakë



 

VALLËZIMI ME HIJEN TIME

Tërë natën e ëndërrova të qeshur
Balerinën e veshur në këmishë nate

Tashmë ajo ndihej e rinuar
Me nostalgji lëvizte krahët e fluturës
Në majë të gishtit sillej e ndizej
Rreth zjarrit nxirrte djersën në ballë

Tërë natën më mori më shtrydhi në gji
Me profil të puthur në pasqyrë
Në majë të gishtërinjve ecte mbi mua
Me hijen time vallëzonte

Etja e rindezur e kafshoi etshëm
Dhe shpërtheu në brendinë e saj

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen