Zejnepe Alili - Rexhepi
Jeta në parakalim
Në qytetin e braktisur,
dashuritë qenë zbehur.
Një vogëlushe hapëronte,
në dorë mbante trëndafil
të bardhë…
Çiltërsi!
Në joshjet e shpirtit,
Ajo…vajzë bridhte,
e shoqëronte trëndafili
i kuq.
Dashuri!
E mbi stolat në park ulur
rënien e gjetheve sodiste,
trëndafil të verdhë mbante,
numëronte puthje kujtimesh.
Jeta u zbeh!
Mbi petalet e kohës
Petalet tua të brishta,
t’i perkëdhela me mall.
O trëndafil i gjakut tim!
Befas një lot të rodhi,
si kristal i moçëm
e rigat e shiut mbi qelq,
më ndollën mall për dhembje.
Po…s’ndjeva mall,
as trishtimin e dikurshëm pa ty
veç rigat e shiut mbi shpirt,
strehuar mbi flatrat e kohës.
O trëndafil i gjakut tim!
Petalet tua të brishta,
u gjakosën mbi gjembat e kohës.
Si në ëndërr
Ëndrra zbret mbi qerpikun tim
dhe syri det zbulon thesaret.
Shpirti trazohet si epsh dashurie!
Malli, eh malli djeg si prush,
Loti, eh loti tret gëzimin!
Ti zbret me flatrat e ëndrrës,
loz si era me lulet erëmira
në kopshtin e dashurisë gjuan shigjeta.
E unë pres, pres në ëndërr
shigjetën e ngulur në zemrën e mollës ...
Ajo si në vegim bëhet shtojzovalle,
zanë mali a vashë me shtatin selvi,
faqet shegë përgjakur,
buzët me ëmbëlsi qershie
e gjoksin zjarr jetëgjatësie.
Malli, eh malli djeg si prush,
e loti, eh loti sjell gëzimin!
Kur ëndërrat më zbrisnin mbi qerpik,
si në arkë kujtimesh derdhte lot dashuria,
eh, dashuria qe vetë magjia.
S’më shuan nata
Të përndezur pas etjes, yjet bëjnë sehir
dhe deti i trazuar qetësohet, fle ...
shpirti i robëruar dremit në pritje,
ëndërron një valle trëndafilash
ca pika të kuqe petalesh mbi buzë.
Ankthi është trazues, pritja vrastare,
orëve të mëngjesit vetmia mposhtet,
arsyeja mund pasionoin,
koha plagët i shëron e dremitur
në pritjen e së nesërmes.
Kur hëna të pushtohet nga yjet,
deti të përgjumet nga vala e qetësuar,
shpirti bredharak le të trazohet…
në pritje sypishë,
mëngjes për mëngjes.
Lozonjarja
Me fustan valëvitës
tantelash që dridhen nga ritmi,
lozte në skenë Ajo,
me flokët rrufshake e lëvizjet çapkëne.
Ata deheshin në përgëzim
të dashurisë së zijosur ...
Buza e trëndafiltë, joshëse si petale
digjej në pëshpëritje e mall.
Ajo…lozonjare, në vallëzim përhidhej!
Në tantelat dridhëse të fustanit lulor,
me një kaltërsi mbretërore
varej krenaria,
ndillej epshi i fshehur,
e përzjarrtë Ajo dridhej.
Flaka e shpirtit rrufeshëm rritej,
e pse…pse të ketë pritje?!
Filxhani i fatit
Në fundin e filxhanit shfaqet e ardhmja!
Mes kafesë dhe zheleve të fallxhores
buzëqesh ëmbël dashuria,
pak e rebeluar si shpirti i saj,
herë si romancë në karrocën shtegtuese
ku me zjarr shkëmbehen shikime,
netëve nostalgjike me ca tinguj kënaqësie.
Të nesërmen e freskët merr udhë
cigania e vogël me fustan valëvitës,
botën e sheh me sy mashtrues,
fatin mbështjell në fundin e filxhanit
sërish me shpirt pak të rebeluar,
në vështrimin enigmatik të saj
hareshëm shfaqet e ardhmja.
Dëshirë e panjohur
Ca gota verë ngrenë dolli
për harenë tonë o kalimtar,
për fundin e fatit të përlotur!
Madje, me druajtje sodisin,
syrin e shkruar e buzën qershi.
Me puthje amshimi na pushtuan!
Përndezje
Si lule dremitur në vazo rije,
kundërmoje aromë çiltërsie.
Në mua rrezatoje ëmbëlsi!
Më joshje me shpirtin urtak,
sa herë që buronte mirësia.
Në sy të buzëqeshte lumturia!
Dëshirë e brishtë jete më je,
si gjurmë shiu në pranverë.
Ndër shekuj mall më le!
Kujt i përket e nesërmja
Si në elozhet mitike,
përjetësoj imazhin tënd
në ngjyra ëndrrash
Ti vjen ngadalë si hije e rënduar
lë gjurmë në një shpirt të ri
që jetësohet, mbi gërmadhat antike
ku relikt mbetesh dhe Ti.
Kur mishërimi vjen në shprehje,
përpëlitem në këtë botë të çoroditur,
aktroj për rolin kryesor,
të një filmi pa skenar.
Ti, nga larg joshesh,
ngujuar në elozhet mitike.
Po s’di kujt i përket e nesërmja?!
Si në elozhet mitike,
përjetësoj imazhin tënd
në ngjyra ëndrrash
Ti vjen ngadalë si hije e rënduar
lë gjurmë në një shpirt të ri
që jetësohet, mbi gërmadhat antike
ku relikt mbetesh dhe Ti.
Kur mishërimi vjen në shprehje,
përpëlitem në këtë botë të çoroditur,
aktroj për rolin kryesor,
të një filmi pa skenar.
Ti, nga larg joshesh,
ngujuar në elozhet mitike.
Po s’di kujt i përket e nesërmja?!
Beteja e maskave
Bie muzgu mbi shpirt!
Grilat rëndojnë jetën,
në heshtjen tënde joshëse
Ata t’i ndjekin gjurmët.
Marrëzia lakuriqësohet!
Po ç’ndodh me Ty!?
Je Ai që vret,
apo Ai që vranë?
Buzëqeshja fluturon magjishëm.
Në pellg ëndrrash notoj,
në heshtjen time vrasëse,
Ata zbulojnë gjurmët.
Marrëzia lakuriqësohet!
Po ç’ndodh me mua!?
Jam Ajo që vret,
apo Ajo që vranë?
(Frymëzuar nga poezia “Ndjekja”-Pol Elyar)
Kur të ikësh
Para se të ikësh,
më thuaj, nëse e dehur mërgove
si perëndesha e shiut!
Para se të ikësh,
më le një fjalë pa thumb!
Gjurmët e mallit të dehen në harresë.
Para se të ikësh,
lëri magjitë e puthjes
në sy…në gushë,
nëse për jetë mike më ke?
Para se të ikësh,
zbraz valixhen e shpirtit të lodhur,
bëji vend dashurisë së re, po të mundesh!?
Jetën jetoje pa mua!
Të jesh peng
Si të jem violinë,
për vajin që të ngeci në buzë!
Për valsin në motet e pikëllimit,
kur grish shpirtin melodia.
Si të jem kitarë,
për serenatën e pakënduar!
Në rrugën ortek i shpenguar,
merr udhë malli i mbetur peng.
I brishtë
U mplak dita në pritjen tënde,
meteorët e shpirtit u shuan
si qiri, ngadalë-ngadalë
shkrihen në vetëflijimin e fatit,
ku dergjen lotët e pikëllimit.
I heshtur si varr qindvjeçar,
një mbishkrim palimpsest
je ti...vetëm ti,
arketip i vonuar.
S’di në vjen a ikën
Josh syrin flakërues,
vërshon pa dhembje
si flakadan i përmortshëm
shpirtin flakëndezur.
Me aromë pranvere bulëzove,
zemërbardhësinë time verbuese,
një melodi ndjellakeqe
pëshpërit: Një jetë kemi!
Lozonjarja
Me fustan valëvitës tantelash
që dridhen nga ritmi,
lozte në skenë Ajo,
me flokët rrufshake e lëvizje çapkëne,
dehej në përgëzimin e dashurisë së zijosur ...
Buza e trëndafiltë, joshëse si petale
I digjej në pëshpëritje e mall.
Ajo…lozonjare, në vallëzim përhidhej!
Në tantelat dridhëse të fustanit lulor,
me një kaltërsi mbretërore
varej madhështia, ndillej epshi i fshehur,
e përzjarrtë Ajo dridhej.
Flaka e shpirtit rrufeshëm rritej,
pëshpëritej: pse të ketë pritje?!
Atë çast
Nëse vjen…nëse,
eja në çastin e pushtimit të madh
kur bota është e jona!
Me verë të lagim buzët,
si trëndafil në vazon e argjendtë,
si ëndrrat në mua dritë,
joshëse të fatit tim.
Pse dergjemi pabesisht dhe larg,
atje ku vargu as fjala s’nguron?!
Më pas lutem, e lodhur shpresoj
të të dua …nëse vjen!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen