Montag, 15. Juli 2013

Ramiz Kelmendi: Umberto Eko dhe shqiptarët


Umberto Eko dhe shqiptarët

Nga Ramiz Kelmendi 

Kur mesjeta e largët në romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos përputhet aq çuditërisht me realitetin tonë të djeshëm e të përtashëm. 

Në ato shpjegimet e veta që bën në mbyllje të romanit “Emri i trëndafilit”, Umberto Eko pyetje më të kotë - nga të gjitha pyetjet e kota që i janë bërë e i bëhen rreth librit - konsideron pyetjen e atyre që sugjerojnë se të rrëfesh për të kaluarën është një mënyrë për t’i ikur së tashmes. Këtë pyetje e mban të tillë ngase është e kotë të thuhet se të gjitha problemet e Evropës së sotme marrin formë, kështu siç e ndjejmë ne sot, në Mesjetë. Edhe më shumë se kaq, për Umberto Ekon Mesjeta është fëmijëria jonë ku duhet të kthehemi gjithnjë që të bëjmë anamnezën, historinë e sëmundjes.
Romani “Emri i trëndafilit” i shkrimtarit italian Umberto Eko, një bestseller nga më të mëdhenjtë, evroseler dhe mondseler, që arriti të botohet në mbi 40 milionë kopje, ndonëse me vonesë shumë të madhe prej gati 16 vjetësh, u përkthye s’ka si bën më bukur e më mirë edhe në shqip nga Donika Omari në Botimet Elena Gjika (Tiranë, 1996). Që nga botimi i tij i parë, më 1980, ky roman u përkthye dhe u botua në të pesë kontinentet, nga vendet e Amerikës Latine deri në Japoni, Kinë e Vietnam, në të gjithë Evropën, nga Skandinavia e deri në Ballkan. Së fundi e ka në shqip edhe lexuesi shqiptar prej shumë vjetësh.
Do thënë, po ashtu, atë që tashmë është e njohur, se Umberto Eko është një nga figurat më të spikatura të kulturës botërore, se është historian i shquar, filozof dhe estet, pa mëdyshje specialisti më i njohur në botë i semiotikës, se nuk janë pak ata që Umberto Ekon e mbajnë si dijetarin më të njohur të planetit. Dy romanet e tij të tjera – “Lavjerrësi i Fukoit” dhe “Ishulli i ditës së parë” – nuk e përsëritën famën e arrirë të romanit të parë.
*
Ka një koincidencë të habitshme midis romanit “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos me pothuajse gjithçka që na ndodhi dje dhe po vijon të na “shquajë” ne shqiptarëve edhe aktualisht. Pas rileximit, sot dhe shqip, më se njëherë ke jo vetëm asociacione, përkime e fërkime, por deri dhe një përputhje thuaj të pazakontë, të pabesueshme, të mahnitshme, për çudë, ngjarjesh e njerëzish, fatesh e zezonash të kohës së Mesjetës me dramën e gati-gati tragjedinë që përjetoi tërë kombi ynë dje.
Do të ulet një shkrimtar italian dhe do të shkruajë – se pati qejf ta shkruajë – një roman dhe të rrëfejë për Mesjetën, për intrigat dhe vrasjet në një abaci priftërinjsh pale se sa shekuj më parë, si të shkruante një roman–krimi a një roman të verdhë, rozë, për shqiptarët dje dhe, mjerisht, edhe sot.
Galeria e zezonave mesjetare – e keqja, tragjikja, smira, poshtërsia, ligësia, tradhtia dhe gjithë të pamirat e njerëzve për njeriun e njerëzit – pas kaq shembujsh të tjerë në letrat e përbotshme, doli dhe sa vete e më shumë po provohet, prapë e sërish, se rrënjët i ka të thella, të largëta, në shekuj.
Dhe ja, tash: Umberto Eko, romani “Emri i trëndafilit” dhe – shqiptarët!
E po ç’lidhje mund të ketë midis tyre dhe ç’kanë të përbashkët një shkrimtar i madh italian, një roman për Mesjetën e largët dhe – shqiptarët, po të kihet parasysh se Ekoja as na ka pasur ndërmend fare, me përjashtim të faktit se në dy-tre vende, sidoqoftë, e zë ngoje Pjetër Sant Albanin, apo Pjetrin prej shën Albani?
 


APOSTUJT E RREMË 

Thuaj faqe për faqe ndeshim në romanin e tij jo fytyra po turinj, dalë nga Mesjeta, që të kujtojnë saora një sojsorollop njerëzish të djeshëm e të përtashëm, me të cilët piqemi e fërkohemi përditë dhe pandehim të jenë pjellë e specifikë vetëm jona, si: njerëz të shthurur, përbuzës, të pangopur, të etur për qejfe, lakmitarë fitimesh, që kënaqen me dërdëllisje të kota, mburravecë, hundëpërpjetë, llupës, harbutë, lapërdharë, që vdesin për një çikë lavd, armiq të Ungjillit (lexo: kombit), gati ta mohojnë e përbuzin fjalën e vërtetë, që kanë mëri çdo shteg të mëshirës e nuk pendohen për mëkatet e tyre, që shkelin të drejtën e tjetrit, etj.
Dhe, për rrjedhojë, te Ekoja në Mesjetë e k ë t u dje dhe hëpërhë, pikërisht “falë” fytyrave e turinjve si më sipër, prandaj, zë vend, lëshon rrënjë dhe përhapet në Kosovë (e asgjëmangut edhe në Shqipëri, madje ca më tepër) mosbesimi, egërsia, zilia, urrejtja e vëllait për vëllanë, indiferentizmi, hajdutëria, dehja, tepria në çdo gjë, nepsi, qejfet e mishit, kurvërimi dhe gjithë veset e tjera.
Flet Ekoja për kohën e shkuar e të “harruar” prej shekujsh më parë, të kujton se do të vijë i biri i prishjes, kundërshtari që i thur lavdi vetes e fryhet e përfryhet, duke u shtirë si shumë i virtytshëm, që të gënjejë e mashtrojë botën mbarë e të vërë të drejtën përfund, e ti e sheh në pasqyrën e mendjes shembëllyesin e gjallë të këtij biri të prishjes e plëngprishësi, e sheh edhe ekzemplar, edhe të fortë, edhe DJE, edhe SOT, edhe KËTU, edhe NDËR NE.



ANTIKRISHTI

Për ta “përkufizuar” antikrishtin, atë të dalë nga romani i Ekos dhe këtë të djeshmin e të kësikohshmin, siç do ta quante Selman Riza, më ndihmoi “Fjalori biblik” i Imzot Nikë Prelës tek e shpjegoi, fjalë për fjalë, shkurt: “ Kundërshtari i Krishtit”. Ja që për Ekon dhe për gjithë ata që e shohin dhe e njohin mes nesh, shumë më shumë se kaq, antikrishti – fuqi ka blasfeminë, dorë mashtrimin, e djathta rrënimin, e majta përhapjen e territ.
Tek merr pushtetin antikrishti, s’ka se si të mos sundojë kudo arbitrariteti. Edhe bijtë të ngrenë dorën kundër prindërve. Edhe gruaja t’i bëjë kurthe burrit. Edhe burri të hedhë në gjyq gruan. Edhe zotërit të sillen si shtazë me shërbëtorët dhe shërbëtorët të mos u binden zotërve. Edhe të mos ketë më nderim për të moshuarit. Edhe çunakët të duan të urdhërojnë. Edhe puna t’u duket të gjithëve mund i kotë. Edhe gjithandej t’u thuren këngë lavdi lapërdhive, veseve, lirisë së zakoneve të shthurura.
Po pastaj? Ç’do të ndodhë pastaj? Ç’ ”rendimente” do të ketë pas të “lëruarave” dhe të “mbjellave” të antikrishtit?
Se mos do mend, e tha edhe Ekoja për Mesjetën si ta kish përshkruar e pasqyruar të djeshmen dhe aktualitetin tonë: do të vijnë përdhunimet, shkeljet e kurorës, shpërbetimet, mëkatet kundër natyrës e plot të këqija të tjera. Kjo më e vogla. E pas saj: në mes të njerëzve të mirë do të mbijnë profetë të rremë, do të ketë të korruptuar, mashtrues, shtriganë, përdhunues, lapangjozë, koprracë, shpërbetarë e falsifikatorë.
Dhe, si me shkop magjik, saora, barinjtë do të bëhen ujq, priftërinjtë do të gënjejnë, murgjit do të lakmojnë gjërat e qyteteve, të varfanjakët s’do t’u shkojnë në ndihmë krerëve, të fuqishmit s’do të kenë pikë mëshire, të drejtët do të bëhen dëshmitarë padrejtësie...



SHTHURJA DHE DEGRADIMI MORAL

Shkruan Umberto Eko në libër, e ne “lexuam” dhe vijojmë të “lexojmë” përditë në jetë: është kjo një periudhë shthurjeje e degradimi moral, që pati dhe mund të ketë edhe më rrjedhoja tronditëse në turma.
Pse?
Sepse, ashtu, u ngjallën herezi e sekte (lexo: parti) të panumërta, që kërkojnë rikthimin te mësimet e Ungjillit (lexo: atdhedashurisë), nga të cilat janë larguar aq shumë krerët. Çeta heretikësh (lexo: banda) përshkuan anë e mbanë tokat (lexo: shqiptare) dhe i shërbyen e vijojnë t’i shërbejnë lojës së pamëshirshme të armiqve (lexo: të shqiptarëve). Ndaj dhe sherri që plasi. Sherri që arriti kulmin. Kështu që, tash:

1. Rinisë s’i ka qejfi më të mësojë,
2. Shkrenca po bie,
3. Bota mbarë po ecën me këmbë përpjetë,
4. Të verbërit po udhëheqin ca të verbër të tjerë dhe i shpien buzë humnerave të gremisen,
5. Zogjtë po lëshohen në hapësirë pa hapur mirë krahët,
6. Gomari po i bie lirës,
7. Buajt po hedhin valle,
8. Gjithçka i është shmangur rrugës së vet.
Ishin dhe janë kohë të errta këto, thuhet, kur njeriu i mençur ishte i detyruar të ketë mendime që vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin.



PËSIMET - MËSIME

A thua, vallë, në Mesjetë i paskan rrënjët edhe ca nga pësime - mësimet didaktike naimiane si ajo se, kur ndodh diçka, siç ka ndodhur e po ndodh (e ç’të ndodhur e shkuar të ndodhure) ndër ne, atëherë “ilaç” i vetëm është vëmendja dhe këshilla e një njeriu të mprehtë e të matur (lexo: e trurit të kombit)?
Po kur qëllon që djajtë e djeshëm të bëhen e të hiqen si engjëj e shenjtërorë sot (lexo: “patriotë”), mbase edhe është e domosdoshme ndonjëherë të provosh mëkatet e fajin e ayre që tash “shkëlqejnë” me “shenjtërinë” e tyre. Sepse, jo më kot, bariu i gabuar e i mëkatosur veçohet nga barinjtë e tjerë. Ndryshe, merreni me mend ç’bëhet me delet në zënçin të dyshojnë te barinjtë. Edhe pse mund të vësh në dyshim mendimin e filozofit, i cili tha se vetëm njeriu, kali e mushka janë qenie që s’marrin inat dhe që rrojnë shumë.
Punë derrash!!
Ndaj: sa qytete tona, që më parë ishin qendra të shkëlqyera madhështie e atdhedashurie, mburrjeje e krenarie (kë qytet shqiptar të zëmë ngoje më parë?), tash janë strehë punëkotësh, të prirur për tregti e luftëra tarafësh, ku nuk mund të gjejë strehë fryma e patriotizmit.
Edhe në shkollat po bën fole gjarpri i zilisë e i marrëzisë (Kujto aferat e fundit me para e emërime drejtorësh!). E luftojnë me kaq tërbim sëmundjen e herezisë (lexo: “antipatriotizmin”), sa nga urrejtja që ngjallin i shtyjnë shumë vetë të bëhen heretikë. Tamam një rreth i shpikur nga djalli, që Zot na ruaj.
U takojnë asaj race njerëzish që janë gjithnjë dalzotësit më të mirë të kundërshtarit të tyre. Kurrë nuk vrasin mendjen se ndërmjet dashurisë për të mirën dhe dashurisë për të ligën ekziston vetëm një hap i vogël.
Kështu foli... Zaratustra?
Jo, kështu foli Umberto Eko.
Për lulen e trëndafilit, apo për ne?



ÇERDHE NEPËRKASH – PA KOMENT


Turp e faqja e zezë!
Në këtë vend ka vite që ndodhin gjëra shumë të turpshme. Luftëra për pushtet, akuza për herezi për t’i zhvatur ndonjërit ndonjë prebendë. Gomari i bie lirës, bufi lëron me mburojë, buajt mprehen vetë në parmendë, lumenjtë ngjiten përpjetë rrjedhës, deti përflaket, ujku bëhet oshënar!
Gjuhet lepuri me buall, u mësohet gramatika kukuvajkave, qentë pickojnë pleshtat, të verbërit shohin memecët dhe memecët dalin e lypin bukë, milingona pjell viçin, pulat e pjekura fluturojnë, kuleçtë i gjen mbi çati, papagajtë japin mësime retorike, pulat ndërzejnë gjelat, qerrja vëhet para buajve, qeni vëhet të flerë në shtrat dhe gjithë qeniet nga janë e nga s’janë ecin kokëposhtë.
Kështu na qenkësh dashur të katandiset edhe kjo abaci, një çerdhe nepërkash. Po marrin nëpër këmbë Qytetin e Zotit, po joshin me gënjeshtra, hipokrizi e dhunë.
Shkasin si njalë dhe është shumë vështirë t’i kapësh në gabim.
Po ama i njohim, s’është se s’i njohim këto marifete dhelpërake!
Kapin e marrin shpesh bashkë.
Me fodullëkun e tyre dërdëllisin betime të rreme.
Betohen për Zotin, atin e plotfuqishëm, të përshenjtën Virgjëreshë e për të gjithë shenjtorët se kështu është e kështu ka qenë.
Lëre se ç’gjëra të ndyra kanë bërë dje. O, Zot në ç’duar ka rënë kisha jote! E shndërruar në prostitutë, e flashkur nga luksi, është zhytur e kënaqur në zvetënim si ai gjarpri në të ngrohtë! Njerëz pa besë e pa fe, vrasës njerëzish, batakçinj, lakmues ari, të zot për dhelpërira, të egër, armiq të besnikëve të fesë dhe përndjekës të tyre!
Qen të ndyrë, kërma të qelbura, korba të zez, qojle të kurvës! Qenër! Qenër të tërbuar! Mësalla me dy faqe, të hunit e të litarit, të vdekur e të pakallur, të krimbur në vese! Llupësa!
Ata e bëjnë një gjë dhe e dinë pse e bëjnë, por nuk e dinë pse e dinë që e dinë atë që bëjnë. Tamam të humbasë njeriu besimin në rolin njerëzor.
Zoti: Unë ju dhashë formë, e ju shkoni e bëheni ithtarë të një tjetri! Ju dhashë veshë që të dëgjoni Shkrimet,e ju mbani vesh fjalët e paganëve! Ju bëra gojën që të lavdëroni Perëndinë, e ju e përdorët për shtirjet e poetëve e për enigmat e bufonëve! Ju dhashë sytë që të shihni dritën e mësimeve të mia, e ju i vutë në punë për të zhbiruar terrin!
Larg meje, o të mallkuar, tutje në zjarrin e amshuar, që ju ka bërë gati djalli e veglat e tij! Vetë e keni kërkuar, kënaquni tani! Mos i çoni dëm shtatë ditët e
fundit. Kridhemi mes mundimeve të përjetshme. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë. Ditët e Antikrishtit janë fare pranë, Uiliam, dhe unë kam frikë!
Sa më shumë bëhet e pangjashme ngjashmëria, aq më shumë na zbulohet e vërteta nën tisin e figurave tmerruese e të përçudshme dhe aq më pak qartësohet imagjinata nëpërmjet kënaqësive të mishit.
Nuk është kurrë gjë e kotë t’i njohësh më mirë armiqtë e tu.
Rrugët e Antikrishtit janë të ngadalta e dredha-dredha. Ai vjen kur ne s’e pandehim.
Mund të mëkatosh duke e tepruar së foluri ose duke e tepruar së heshturi. O Zot i madh, gjuana me rrufe këtë gjuhë që s’po flitet për së mbari!
Këtu dikujt s’ia ka qejfi që të vendosim vetë.
Derrarë e loparë që, sa hap e mbyll sytë, bëhen gjoja apostuj që duan të rrojnë pa derdhur djersë e në qejf të vet.
T’i kthesh mendimet e drejta në të padrejta e t’i shpiesh në rrjedhoja të kundërta me ligjin e Zotit e të njerëzve - kjo është tamam herezi, ose është marrëzi.
Ruaju nga lavirja e Babilonisë edhe kur merr formën e krijesës më tërheqëse që mund të bëhet. (Ruaju danajasve...)
Siç ka një shkallëzim në virtyt, ashtu ka edhe në çoroditje.
Ja se ç’thoshte teksti grek: përdor njerëzit e përvuajtur, të ulët e të shëmtuar, trupa rrondokopë, fytyra të shtrembëra.
Të gënjesh e të kapësh në befasi duke gënjyer, të thuash të kundërtën e asaj që beson, të thuash një gjë e të nënkuptosh një gjë tjetër.
Si përçapjet e ndonjë të marri. Qingja të butë e të përkorë. Një allishverish i ndyrë. Kijau frikën profetëve, o Adson, e atyre që janë gati të vdesin për të vërtetën, që zakonisht marrin me vete edhe shumë të tjerë, e shpesh para atyre vetë, e nganjëherë në vend të tyre!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen