Azis K. Pollozhani
Nevoja për tejkalimin e ndasive historike dhe parandalimi i tragjedive të tjera në tokën evropiane, si dhe nevoja për t’u fuqizuar për një konkurrencë gjithnjë e më të ashpër globale imponoi te mendimtarë të shumtë që nga shekulli IXX (Kanti), por sidomos pas Luftës së Dytë Botërore (Schuman, Monet) nevojën për një ambient të integruar në nivel evropian. Përveç interesave ekonomike, shumë popuj në këtë proces panë edhe rrugën për realizimin e synimeve të tyre legjitime shekullore për tejkalimin e ndarjeve në mes veti, pa rënë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe, çka është më e rëndësishmja, pa gjakderdhje dhe luftëra tragjike. E kaluara e ndryshme historike dhe shkallët e ndryshme të zhvillimit të tyre ekonomik e bënë këtë proces kompleks dhe jo të lehtë.
E kaluara historike shumëshekullore e shqiptarëve dhe sidomos ndarja njëshekullore në mes tyre, në kohën e kombndërtimit, duke jetuar në sisteme të ndryshme, shtroi nevojën edhe për njohje, afrim dhe integrim ndërmjet vetë shqiptarëve. Solidarizimi dhe bashkëveprimi i ndërsjellë në fazat më turbulente për shqiptarët (vitet e tranzicionit të hershëm në Shqipëri, Lufta e Kosovës, konflikti në Maqedoni etj.) krijoi bazë solide për një afrim dhe integrim më të shpejtë dhe më efektiv.
Mungesa e politikave të qarta institucionale, mungesa e aktiviteteve programore në nivele shtetërore, duke i lënë rrugë spontanitetit, „frika” dhe për pasojë „rezistenca pasive” për këtë lloj bashkëpunimi nga ana e disa instancave vendimmarrëse në disa shtete të rajonit, kualiteti i dobët profesional dhe menaxherial i disa institucioneve të reja arsimore dhe kulturore rrezikojnë ta bëjnë këtë bashkëpunim edhe më të zbehtë.
Shqiptarët e Maqedonisë mbeten pjesa më e ndjeshme e këtij procesi. Deficiti i të kaluarës së tyre, si në aspektin arsimor, kulturor ashtu edhe ekonomik, ka si pasojë mungesën e kapaciteteve të nevojshme për t’i realizuar këto procese komplekse.
Migrimi në kontinuitet gati 100-vjeçar i tyre që tani po shoqërohet edhe me „rrjedhje të trurit” e rëndon akoma më shumë këtë situatë.
Nisur nga kjo, debati për t’i analizuar rrjedhat ndërshqiptare dhe ato integruese në kuptimin më të gjerë, në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, janë të paevitueshme. Ato shtrohen si të domosdoshme edhe për faktin që shqiptarët edhe duke jetuar në shtete të ndryshme, janë në proces të realizimit të integrimit evropian, i cili nuk mund të realizohet i plotë nëse në ndërkohë nuk kemi një proces të integrimit, në disa fusha edhe të njësimit të shqiptarëve mes vete.
Në fillim do doja të rikujtoja se arsimi dhe kultura janë çështje që duke i fuqizuar kombet me to, lehtësojnë rrugën integruese si brenda vetes, në rajon, ashtu edhe në nivel të BE-së. Forcimi dhe promovimi i hapësirës unike arsimore dhe kulturore është parakusht për integrime më të gjera në rajon dhe në Evropë. Fuqizimi me kompetenca kulturore si të individit, gjithashtu edhe të kombit, nënkupton aftësi më të madhe për të kuptuar tjetrin. Të kuptuarit dhe të respektuarit e tjetrit qëndron në themelin e proceseve integruese. Nisur nga këto premisa është e kuptueshme që bashkëpunimi në sferën e arsimit dhe kulturës në mes të popujve dhe në kuadër të vetë kombit është sa i natyrshëm, po aq edhe i nevojshëm, aq më parë kur historia imponoi që ky proces të realizohet paralelisht me integrimin e madh evropian.
Nisur nga mundësitë dhe nevojat, mund të thuhet se ky bashkëpunim ka mundësi të shumta për t’u avancuar. Duke mos lënë anash disa rezultate modeste, me këtë rast do të cek disa nga veçoritë e këtij bashkëpunimi, siç janë:
-Retorika në favor të bashkëpunimit pa programe konkrete për implementim, pa gjetur shtrat të qëndrueshëm institucional. Bashkëpunimi në mes të institucioneve arsimore (universiteteve, instituteve, shkollave të mesme etj.) po zhvillohet me vështirësi, por pa ndonjë koncept të qëndrueshëm, duke e bërë këtë bashkëpunim spontan dhe mbi bazë të aranzhimeve private, në disa raste edhe në dëm të disa vlerave më parë të etabluara.
-Në fushën e kulturës bashkëpunimi kryesisht reduktohet në iniciativa private komercialisht të motivuara pa ndonjë efekt të dëshiruar.
-Diaspora - është kontekst i ri, ku evidente është qasja e pakoordinuar, e mangët dhe parciale ndaj nevojave të diasporës për çështje arsimore dhe kulturore. Kur të flitet për diasporën, tani më mund të thuhet se analiza e rrjedhave në këtë segment është më se e domosdoshme dhe me interes të ndërsjellë dhe të përgjithshëm. Zbrazja tani më, gati 100- vjeçare e trojeve shqiptare nga migrimet, tani po karakterizohet edhe me “rrjedhjen e trurit”, pra kemi migrimin masiv dhe kërcënues të njerëzve të shkolluar dhe me kompetenca në fusha të ndryshme.
Nevoja për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit kërkon një qasje proaktive institucionale jo vetëm për ruajtjen e këtij resursi zhvillimor për të mos e lënë vendin, por edhe për të bërë ç’është e mundur që të krijojmë mundësi dhe kushte që edhe ata të rinj tanë që janë shkolluar e veprojnë jashtë, të mund të kthehen dhe kontributin e tyre ta japin edhe në vendlindje. Nuk janë të pakët njerëzit tanë që me sukses po ballafaqohen me konkurrencën tejet të fortë në tregun evropian dhe më gjerë, nuk janë të pakët edhe ato që me grada shkencore, deri në doktorë të shkencave, janë emra që me dinjitet bëjnë punë shkencore dhe akademike nëpër institucionet përkatëse me renome në gjithë botën. Nevojat e vendit për një zhvillim të vërtetë mbi standarde deklarativisht të pranuara që nuk mund të realizohen pa një potencial të tillë human, duhet të jetë arsye e mjaftueshme që institucionet e vendit të konceptojnë një politikë më të qartë dhe më konkrete për angazhimin e këtij potenciali.
Diaspora në të gjitha fazat e zhvillimit të vet ka dhënë kontributin e saj të pazëvendësueshëm për tejkalimin e sfidave që paraqiteshin në vendlindje. Është evidente sfida e radhës, integrimet si brendashqiptare, ashtu ato evropiane dhe euroatlantike. Ngecjet evidente në këtë proces, veç tjerash, konfirmojnë edhe mungesën e kapaciteteve, respektivisht resurseve humane që cilësisht t’i përgjigjen kësaj sfide. Nga krijimi i hapësirave adekuate për angazhimin e këtyre kapaciteteve në të gjitha sferat e jetës në vendlindje, si në ekonomi, politikë, institucione arsimore dhe shkencore, administratë etj., do të varet edhe fati i proceseve shoqërore këtu.
Të kuptuarit dhe të bashkëpunuarit me diasporën tonë në këtë mënyrë, do të bëhet rruga jonë më e shkurtër drejt Evropës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen