Ju, anëtare të dashur të diasporës, keni mundësinë për
përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjareve tuaj dhe ekonomisë në
përgjithësi me investime në këto fusha. Në vend se të stimuloni pasivitetin dhe
dembelinë, ju mund të jeni motori i ekonomisë moderne të Kosovës. Ju mund t’i
ndihmoni Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën
kohë të ndihmoni në uljen e shifrave enorme të papunësisë.
Po e filloj këtë letër me një falënderim të madh për ju. Një
falënderim i cili i prek disa aspekte. Një falënderim për ju që i latë babë e
nánë, motër e vëlla, e mbi të gjitha grua e fëmijë, vetëm për të marrë rrugën e
mërgimit si mënyre për të siguruar një jetë më të mirë për familjen tuaj. Për
ju që me djersë punuat e fituat, vetëm për t’i dërguar këto fitime në shtëpi
duke mbajtur gjalle gjeneratë pas gjenerate. Për ju që, edhe pse larg atdheut,
dhatë kontributin tuaj në çështjet shoqërore dhe politike për Kosovën. Për ju,
që jeni shembull i atdhedashurisë edhe për ne që jemi këtu.
Dhe kur flasim për të ardhurat që ju i dërguat në familjet
tuaja (remitencat), është e pa mundur që të mos flasësh edhe për efektin
pozitiv të tyre në ekonomi. Pikë së pari, remitencat vjetore që ju dërgoni
kapin shifrën e 400 milion eurove në vit. Këto remitenca kontribuojnë në rreth
15 përqind të Bruto Produktit Vendor. Në një ambient më rreth 34 përqind
varfëri, remitencat lehtësojnë gjendjen e rëndë të shumë familjeve. Përveç
lehtësimit të gjendjes për të varfrit, tashmë ekziston edhe një kategori e
turizmit, turizmi i diasporës, të cilin Kosova e ka zhvilluar si sektor të
rëndësishëm të ekonomisë së saj. Dhe në një ambient me 45 përqind papunësi,
remitencat ndikojnë edhe në krijimin e vendeve të punës përmes rritjes së
kërkesës për shërbime dhe produkte të ndryshme.
Kohëve të fundit, sidomos pas protestave të shumta qytetare,
është përfolur shumë për çmimin e energjisë elektrike në Kosovë. Për shumë
familje ky çmim nuk është lehtë i përballueshëm. Për fat të keq, trendet
tregojnë se çmimi i energjisë elektrike veç sa do të rritet. Në anën tjetër, një
burim që deri më tani shumë e kemi përdorur për ngrohje, drutë, vazhdojnë të
jenë të papërshtatshme për përdorim për shkak të hapësirës së madhe që ato zënë
në shtëpitë tona, tymit dhe hirit qe e lëshojnë (problematikë e qyteteve), dhe
më e rëndësishmja, degradimit që kjo praktikë, e pakontrolluar deri me tani, i
shkakton pyjeve tona. Me fjalë tjera, situata energjetike sipas të gjitha
gjasave do të rëndohet në të ardhmen.
Në anën tjetër, ndërtesat tona vazhdojnë të jenë shumë
jo-efiqente në përdorimin e energjisë. Të gjithë jemi dëshmitarë të shtëpive të
ndërtuara deri në kulm, mirëpo në tulla të kuqe pa fasadë dhe izolim.
Dëshmitarë të ndërtesave me dyer dhe dritare të vjetra të cilat në dimër
lëshojnë një fishkëllime e cila qartë tregon lëvizjen e ajrit së nxehtë jashtë
dhe futjen e të ftohtit brenda. Dëshmitarë të ndërtesave pa kulm, apo me kulm i
cili shërben vetëm për të mos e lejuar shiun dhe borën të futet brenda, por
lejon të ftohtin gjatë dimrit dhe të nxehtin gjatë verës. Dëshmitarë të poqave
të vjetër të cilët më shumë lëshojnë nxehtësi sesa dritë. Këto janë vetëm disa
prej shumë aspekteve të mungesës së efiqences së ndërtesave tona. Për fat të
keq, ligji i ri për ndërtime vetëm sa e ndihmon një fenomen të tillë, pasi që
nuk parasheh ndonjë kriter të efiqences së energjisë që duhet përmbushur për të
marrë lejen e ndërtimit. Ndërsa sjelljes njerëzore, si lënia e dritave ndezur
edhe kur nuk nevojiten, ngrohja e dhomave të mëdha dhe dhomave të panevojshme,
janë aspekt tjetër për te cilin nuk do të flas.
Duke marrë parasysh këto probleme të efiqences së energjisë
dhe situatën energjetike e cila vetëm sa pritet të vështirësohet, ‘mësimi i
peshkimit’ për familjarët tuaj do të ishte pikërisht investimi në luftimin e
këtyre problemeve që u përmendën më lart. Ju dërgoni mesatarisht 2,500 euro në
vit për familjet tuaja. Shumë mund të bëhet me këto mjete. Do listoj disa prej investimeve që ju do të mund
t’i bëni që do të ishin shumë më afatgjatë, do të i ndihmonin familjaret, dhe
do të evitonit problemet e remitencave që u përmendën më lartë.
Po fillojmë me më të lirën: ndërrimi i poqave elektrik prej
të zakonshmeve (inkasendent) në efiqent (floresent). Investimi në një shtëpi e
cila ka rreth 20 poqa, do të kushtonte hiç më shumë se 80 euro. Si kthim, familjarët
do të paguanin rreth 80 përqind më pak për ndriçim dhe jetë gjatësia e poqave
efiqent është shumë më e madhe sesa e poqave të zakonshëm. Në terma monetar,
një familje do të kursente rreth 150-170 euro në vit nga ky investim.
Më i rëndësishmi fakt për këto investime është që kostoja
fillestare, apo investimi qe duhet bërë, është i përballueshëm. Ndërrimi i
poqave, dyerve dhe dritareve futen brenda shumës mesatare që ju dërgoni brenda
një viti. Ndërsa izolimi i shtëpisë dhe kulmeve, edhe pse kushtojnë me shumë,
nuk janë edhe aq të shtrenjta sa të mos jenë të përballueshme.
Element suplementar ndaj efiqences janë edhe investimet në
energji të ripërtrishme. Dhe këtu nuk po mendoj për ndërtimin e hidrocentraleve
apo mullinjve me erë. Po mendoj për instalimin e ngrohjes gjeotermike apo
vendosjen e paneleve solar për ngrohje te ujit ose për prodhimin e energjisë
elektrike. Këto investime nuk kushtojnë rreth 3,000-4,000 euro për një shtëpi,
ndërsa përfitimi është zvogëlimi i faturës së energjisë për së paku 35-40
përqind.
Ju, anëtare të dashur të diasporës, keni mundësinë për përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjareve tuaj dhe ekonomisë në përgjithësi me investime në këto fusha. Në vend se të stimuloni pasivitetin dhe dembelinë, ju mund të jeni motori i ekonomisë moderne të Kosovës. Ju mund t’i ndihmoni Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë të ndihmoni në uljen e shifrave enorme të papunësisë.
Publikuar në gazetën "Koha Ditore", 7 Prill 2013.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen