Nga Gani QARRI
Diaspora shqiptare,ishte dhe mbeti përherë,pjesa më e sinqertë e kombit me themele të forta atdhetarie,e cila shkëlqeu në të gjitha kohët për patriotizmin e saj të kulluar. Ndaj me meritë dhe plot të drejt,sot mërgata jonë hynë ballëhapur, faqebardhë dhe më krenare se kurdo herë më parë, në jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë.
Ajo ishte dhe mbeti gjithmonë e përkushtuar deri në fund kombëtarisht e cila kurrë nuk pyeti se si atdheu asnjëherë nuk arriti të bënte sa duhet për diasporën tonë,por përkundër gjithë kontributit që dha dhe përpjekjeve të pareshtura që bëri për vendin e saj ndër vite e dekada, diaspora gjithmonë jetoi me brengën se ndoshta nuk mundi të bënte sa duhej për kombin dhe atdheun e varfër e të vuajtur nën robëri e sundim regjimesh që populli ynë i shumëvuajtur, nuk i meritoi çdo herë.
Mërgata jonë, si shkollimin në gjuhën shqipe, ashtu edhe kulturën kombëtare,i ruajti dhe zhvilloi me angazhime të veta përmes organizimeve në lidhje e shoqata atdhetare,me kontributet vetanake financiare dhe pa asnjë ndihmë shtetërore,të cilat vetëm shqiptarëve u mungonin, kurse të gjitha kombet tjera i kishin.
Me të shkelur në vendet e huaja, shqiptarët ndër të parët do ta kuptonte shpejt dhe me kohë -, se çdo gjë që dëshirohej, ajo nuk falej por duhej fituar dhe merituar me punë, angazhim e përpjekje të pareshtura, luftë e sakrifica të pa ndërprera deri në arritjen e saj, siç bën edhe popujt e tjerë në të gjitha kohët dhe vendet e Botës kudo.
Ndaj, për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare e njerëzore ata seriozisht duhej organizuar dhe mobilizuar sa më mirë në vend dhe diasporë, për të sensibilizuar institucionet shtetërore ku ata jetonin e punonin dhe opinionin publik ndërkombëtar gjithandej, për realizimin e të drejtave të tyre që u mungonin dhe arritjen e lirisë së atdheut të ndarë e të robëruar.
Kështu do ti dilnin zot atdheut- shqiptarët kudo dhe në të gjitha kohët që nga Naum Veqilharxhi i cili për të vepruar kombëtarisht qysh në ato mote u dashtë të shpërngulej në Rumani, ku shkroi edhe Abetaren (Alfabetaren) e parë dhe të dytë.
Andon Zako Çajupi i cili studimet e larta i mbaroi në Zvicër ku do të merrte edhe titullin e doktorit të drejtësisë prej nga u zhvendos në Egjipt, nga atje punoi e u angazhua në dobi të kombit deri në vdekjen e tij më 1930,pra edhe ai larg atdheut.
Asdreni, Himnin e Flamurit kombëtar me titullin “Betimi në Flamur”, për herë të parë do ta botonte më 21 prill të vitit 912 në të përditshmen “Liria e Shqipërisë” që atëbotë dilte në Sofje, kohë kur ai punonte dhe vepronte në Rumani.
Faik Konica,themeluesi i kritikës letrare shqiptare,veprimtar poliglot, gazetar publicist, politikan,diplomat e njeri me kulturë të lartë i cili edhe do të bëhej shembull i mendësisë së re shqiptare,pothuajse gjatë gjithë kohës, jetoi dhe punoi në vende të huaja duke u angazhuar për Shqipërinë, deri më vdekjen e tij në vitin 1942, në Uashington.
Po ashtu, Mit`hat Frashëri,i biri i Patriotit Abdyl Frashëri i cili do të studionte historinë e Shqipërisë dhe në shenj dashurie e respekti ndaj atdheut, më 4 Prill të vitit 1929, me testament do ti dhuronte shtetit shqiptar të gjithë pasurin që kishte, për krijimin e institutit albanologjik, atdheu i tij i dashur-nën regjimin komunist,edhe atë do ta dëbonte për të vdekur në rrethana të dyshimta më 1949 në Nju Jork të SHBA-s.
Atdhetarët në diasporë, shumica prej të cilëve ngjashëm do të vepronin e disa nga ta edhe do të përjetonin fate të njëjta me mërgimtarët paraardhës të kombit,sidomos atdhedashësit e diasporës së kohëve tona nga Kosova dhe viset tjera shqiptare nën pushtimin sllav.
Angazhimin e gjithanshëm dhe punën e palodhshme të mërgatës shqiptare edhe pse ajo vepronte jashtë dhe në distanca mijëra-kilometërshe nga vendlindja, asnjëherë nuk arritën ta ndalonin vrasjet, atentatet kërcënimet as largësia me vendin, që ajo të ndërpriste përpjekjet e pareshtur me vite e dekada, për lirinë e atdheut dhe kombit për të cilin ndjente krenari,vuante dhe e çmonte atë shumë, si të gjithë mërgimtarët paraardhës e patriot dikur.
Për aq më tepër, intelektualët,politikanët dhe aktivistët e ndryshëm kombëtar,jo rrallë u detyrua që në vendet ku punonin dhe jetonin të luanin edhe rolin e shtetit i cili ndër vite shqiptarëve u mungonte, duke angazhuar personalitete të shquara nga lëmi të ndryshme veprimtarie në diasporën tonë kudo, si; shkrimtar, publicist, gazetar e analist nga të gjitha lëmit dhe mbarë trojet tona etnike, për ti dalë zot kombit që vuante nën pushtim,çlirimit të atdheut dhe lirisë së popullit që i takonte.
Duke u bazuar në afrinë që krijonte ideali kombëtar në mes të mërgimtarëve, përveç kontributit fizik e financiar, diaspora shqiptare jo rrallë dha edhe heronj e dëshmorë të kombit edhe në kohët më të reja, disa nga të cilët u vranë në atentatet e organizuara nga UDB-a, serbosllave në vendet ku ata vepronin,si Vehbi Ibrahimi e Ali Hadri në Bruksel, kurse Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka në Gjermani.
Vehbi Ibrahimi,i lindur me 23 maj të vitit 1938 në fshatin Uglar të Gjilanit, njihej si patriot i flakët dhe nip i familjes së të famshmit Idriz Seferi, i cili për veprimtarinë kombëtare të tij,do të bëhej viktima e parë në mërgim duke u qëlluar për vdekje më 10 tetor të vitit 1981,nga UDB-a serbosllave, në Bruksel të Belgjikës, si anëtarë i BESËLIDHJES KOMBËTARE ,për të mos u zbuluar më kurrë vrasësi i tij.
Të njëjtin fat dhe në të njëjtin vend,vetëm disa vite më vonë, do të vritej edhe Enver Hadri,i cili pas vrasjes së Babait që kur ishte fëmijë nga pushtuesit serb dhe rritjes e burrërimit të tij para kohe, edhe ai në vitin 1972 do të arratisej nga Peja, për tu vendosur në Bruksel,ku për shumë vite do të punonte deri në vetëmohim për të drejtat dhe liritë kombëtare të shqiptarëve duke nxjerr për herë të parë edhe gazetën “Zëri i Kosovës” në mërgim dhe vepruar për kombin deri në rënien e tij, atje.
Për kontributin e madh patriotik ai do të zgjidhej udhëheqës i organizatës “Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës” në kuadër të së cilës do të bënte një pune shumë të frytshme për kohën,pa përjashtuar iniciativat e tij personale shumë aktive, për çuarjen përpara të çështjes sonë kombëtare.
Ndaj, ai përgjohej e përcillej pa ndërprerë nga policia e fshehtë jugosllave, e cila vetëm një ditë para se Enver Hadri të arrinte që në Parlamentin Evropian t`ia dorëzonte Komisionit për të Drejtat e Njeriut me seli në Bruksel, listën e përgatitur me emrat e 32 shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb në Kosovë, me tu ndalur në semafor makina që bartte atë, Enveri do të plagosej rëndë në rrugë të hapur,duke u qëlluar me dy plumba në kokë nga një makinë tjetër prapa tij, në vendin e quajtur Saint Gilles- (Sent Zhil) afër Brukselit, për të vdekur në Spital, si pasojë e plagëve të marra nga UDB_a serbosllave më 25 shkurt të vitit 1990, në moshën 49 vjeçare.
Për kontributin e tij të pa zëvendësueshëm atdhetar, në vitin 2006, patrioti i dalluar Enver Hadri me meritë dhe të drejt do të dekorohej nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,me Urdhrin e Artë “Hero i Kosovës” i cili u ndahet figurave historike në shenjë nderimi ndaj përpjekjeve të bëra për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Përveç Vehbi Ibrahimit dhe Enver Hadrit të vrarë në Bruksel të Belgjikës, edhe Isuf e Bardhosh Gërvalla nga Duboviku i Deçanit si dhe Kadri Zeka nga një fshat i Dardanës, për shkak të kontributit të tyre kombëtar,po ashtu do të vriteshin një atentat të organizuar,nga UDB,jugosllave më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë,vrasësit e të cilëve deri më sot, nuk u zbuluan kurrë.
Kontributi i diasporës shqiptare nuk kufizohej vetëm me rënien e atdhetarëve të devotshëm të kombit nga atentatet e UDB-s,në perëndim por ajo do ti falte atdheut edhe ushtar e udhëheqës të njohur lufte e pushke edhe gjatë përpjekjeve vendimtare të Kosovës për liri si Agim Ramadani, që në frontet e luftës do të shkonte nga Zvicra kurse Sali Çeku nga Gjermania, të cilët pas hyrjes në histori për thyerjen e parë me luftë, të kufirit shqiptaro-shqiptar, nën udhëheqjen e tyre, do të binin dëshmor që të dy.
Të gjithë këta patriot dhe shumë luftëtar të tjerë nga dëshira e flakët për bashkimin e shqiptarëve,si moto të luftës së tyre,do të përdornin slloganin: Pa Kosovë e Çamëri nuk ka – Shqipëri! Ata vdiqën me mallin e pashuar për të gëzuar lirin e Kosovës dhe çlirimin e viseve tjera shqiptare nën okupim si dhe dëshirës së tyre të pa epur por të pa realizuar për bashkimin e të gjitha trojeve kombëtare në SHQIPËRINË ETNIKE.
Përveç pjesëmarrjes së mërgimtarëve nga diaspora në të gjitha luftërat dhe përpjekjet e kombit për liri,falë prirjeve të tyre për krijime dhe aktivitete tjera publike,si para lufte edhe pas saj shumë sish do të organizoheshin në aktivitete kulturore dhe kombëtare duke formuar klube e shoqata dhe lidhje të ndryshme intelektualësh, shkrimtarësh,artistësh e krijuesish të ndryshëm shqiptar, për të punuar gjithmonë në frymë kombëtare.
Megjithëse në një shkrim të tillë është e pa mundur që të përfshihet e gjithë veprimtaria e mërgatës sonë në diasporë,për hir të së vërtetës duhet cekur se një kohë jo të shkurtër edhe në Zvicër do të vepronin disa organizma artistik, intelektual e kulturor,si p.sh. BISHZ,(Bashkimi i intelektualëve shqiptar në Zvicër),por edhe shoqata të ndryshme në vendet tjera evropiane, e deri te lidhja e shkrimtarëve në Amerikë.
Para mëse 16 vitesh, kur vendi përjetonte ditët më të vështira nën pushtim, diaspora e cila gjithmonë frymoi dhe bashkëjetoi me hallet e kombit dhe vuajtjet e atdheut,me iniciativën e Xhevat Mazrekajt dhe disa intelektualëve në perëndim për informim sa më të mirë dhe të përditshëm të bashkëkombësve në Zvicër, Gjermani,vendet tjera evropiane e deri në Amerikën e largët,në Cyrih të Zvicrës do të fillonte botimi i përditshëm i kombëtares “Bota Sot” e cila vazhdon të bashkëjetoj me bashkatdhetarët dhe hallet e mërgatës në Evropë dhe kudo në Botë edhe sot.
Në diasporën shqiptare vazhdojnë të jetojnë edhe “Rilindësit” e rinj, trashëgimtarët e penës dhe të punës kombëtare të ish Rilindësve të vjetër Shqiptar,të cilët në mërgim nuk janë të pakët, në vendet ku ata për shumë kohë punojnë dhe veprojnë me dinjitet,duke nderuar kombin dhe atdheun,e që me këtë rast do ta veçoja poetin, shkrimtarin, kritikun, publicistin, kineastin dhe profesorin e nderuar Elbasanas me qëndrim në Angli, Dr.Fatmir Terziun i cili me aktivitetin e tij të gjithanshëm,krijimtarinë cilësore dhe produktive si dhe punën e palodhshme që bën, ai dëshmohet jo vetëm një herë si Rilindës i vërtetë i ditëve tona me të cilin krenohen të gjithë shqiptarët pa dallim.
Mërgata shqiptare është e organizuar edhe në shoqata mjaft aktive siç është Shoqata e shkrimtarëve shqiptar në Amerikë e formuar para mese 11 vitesh e cila në mesin e saj ka emra të nderuar, publicist e aktivist të dalluar dhe mbështetës të sinqertë si Editori i mirënjohur i gazetës Dielli, z. Dalip Greca, i cili çmohet për elanin kombëtar dhe kontributin intelektual të tij.
Shoqëri dhe emra të respektuar nga të gjitha trojet tona etnike,na kujtojnë edhe sot emigracionin aktiv shqiptaro-amerikan të fillim shekullit njëzetë, veprimtaria e të cilëve njihet që nga 28 prilli i vitit të famshëm 1912, kur në Amerikë do të vepronin si grupe politiko-lobiste për mbrojtjen e interesave të kombit dhe arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, për tu shkrirë dhe formuar Federatën më të vjetër panshqiptare në botë “Vatra” e cila nga Bostoni, pas një kohe do të “atëdhesohej” në Nju Jork.
Kurse sa i takon mërgatës shqiptare në Evropë, ajo që kohët e fundit bie më shpesh në sy dhe tërheq vëmendjen e opinionit për punë e aktivitete të dalluara në perëndim,duhet theksuar se sidomos në këtë vit jubilar, për angazhim- veçohet Lidhja e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptar në Gjermani.
Pra përveç Shoqatës ekzistuese të Shkrimtarëve Shqiptar në Amerikë, më 9 dhjetor të vitit 2006, në Wupertal të Gjermanisë,do të themelohej edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptar në këtë vend të madh evropian, nga intelektual të të gjitha lëmive pa dallime dhe me të drejta të barabarta për secilin.
Edhe pse historia e saj filloi ngadalë dhe pa shumë zhurmë e bujë të madhe,krijimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, ndihmon në vazhdimësi që atje dhe kudo në diasporë të ruhet më mirë gjuha dhe kultura jon, të mos harrohet as anashkalohet ajo, por të vijoj të shkruhet dhe kultivohet me krenari edhe në vendet e huaja nga shkrimtarë,mësues, nxënës dhe pasardhës të mërgatës sonë.
Aktivitetet e saj jetojnë dhe gjejnë shprehje e mbështetje tek shqiptar dhe gjerman duke u bërë kështu shembull sublim që zgjeron jo vetëm kufijtë e respektit e bashkëpunimit të ndërsjellë letrar e kulturor por edhe frymëzon afrimin dhe bashkimin ndërshqiptar, në këtë vit historik dhe jubilar të kombit tonë.
Mërgata shqiptare, ishte dhe mbeti kurdoherë një zë i fort dhe i pazëvendësueshëm i lobimeve më të fuqishme e të pareshtura për liri dhe të drejta kombëtare në të gjitha kohët dhe për të gjitha trojet tona etnike , si dhe arritjen e pavarësisë së Kosovës,e që atëbotë shprehej si dëshirë dhe ekzistonte vetëm si ide, e cila falë luftës e përpjekjeve gjithëkombëtare, gjakut të derdhur dhe jetës së dhënë të dëshmorëve, për fat të mirë çlirimi dhe shteti i Kosovës u bën realitet i pamohueshëm, si ky që sot ekziston.
Ndaj mërgimtarët në diasporë, jo vetëm se u bënë bashkë për të punuar dhe krijuar, por ata i bashkuan edhe sakrificat, mundin dhe aktivitetin e tyre të palodhur patriotik duke u bërë kështu pjesa më sublime e “federatës” së të gjitha përpjekjeve të mëdha kombëtare e njerëzore dhe të arriturave më të shkëlqyera të shqiptarëve, që nga fillimi i luftërave për liri e pavarësi kombëtare e deri në këtë 100 vjetor të lavdishëm të historisë sonë.
Për qëllimin madhor të kombit,brenda mundësive që kanë,mërgimtarët edhe në këto kohë nuk pushojnë së përpjekuri,duke mos u kufizuar vetëm në mbrojtjen e të drejtave “minoritare” për pjesët e kombit të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë, por për çlirimin e të gjitha trojeve tona etnike dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, ku të gjithë shqiptarët do të ndiheshin të lirë e të barabartë dhe më të lumtur e më të sigurt se në çdo vend tjetër në botë.
Ngase, nuk duhet harruar as në këto çaste gëzimi si ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë, se me gjithë respektin kjo nuk u pranua për të gjithë shqiptarët. Nisur nga ky fakt ne edhe me këtë rast duhet ti kujtojmë me nderim trojet tona që ende nuk e gëzojnë lirinë, si; Çamërinë e shpopulluar nga shqiptarët, Iliridën pa të drejtat themelore kombëtare, Malësin dhe pjesët tjera kombëtare nën Mal të Zi, si dhe Kosovën lindore të cilat deri më 1912, ishin toka tonat.
Ndaj, edhe pse ngjarjet pasuese me vendimet e fuqive të mëdha, prenë padrejtësisht shpresat e shqiptarëve në mes, dihet botërisht nga kombi ynë dhe bota mbar se Shpallja e Pavarësisë, ishte e menduar edhe për këto troje dhe të gjithë shqiptarët kudo.
Pra ata mbeten luftëtarë të dalluar të cilët nuk e ndaluan asnjëherë luftën për vendin dhe popullin e tyre si dhe arritjen e pavarësisë për të gjithë shqiptarët kudo, nderuan atdheun dhe kombin gjatë gjithë historisë njëshekullore dhe si atdhetarë të devotshëm nga diaspora,ata hynë sot faqebardhë dhe me krenari,në shekullin e lavdishëm të pavarësisë.
Mërgimtarët janë pjesa më dhembshme e kombit në të gjitha kohët të cilët gjithmonë u dalluan për patriotizëm të vërtetë dhe besnikëri të sinqertë e pa asnjë shtytje egoiste dhe interesa personale në kurriz të atdheut. Ata bashkë me vitet bartin në zemër edhe ndjenjën e mallit ndaj atdheut dhe vuajtjen e tëhuajësimit të përhershëm në shpirt edhe pse dhanë shumë shembuj të çmuar atdhedashurie gjatë gjithë historisë, për tu bërë kështu pjesa më sublime e këtij jubileu festiv gjithëkombëtar si dhe pishtar- shkëlqyes i 100–Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Burimi: FLETORJASHQIPTARIA.COM
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen