Freitag, 7. Juni 2013

Mit’hat Frashëri

Mit’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore.

Në 4 prill 1929 Mit'hat Frasheri në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë.

Veprimtaria politike

Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës "Liria" në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese "Mbrothësia". Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit me 14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mit'hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta).

Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i botores. Më 30 mars 1913, ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit'hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ai deklaron "Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan". Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik.



Në vitin 1927, fillon të botojë në Tiranë, revistën Dituria

dhe themelon librarinë Lumo Skëndo.

Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.

Veprimtaria letrare

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Bibliofili Lumo Skëndo

Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mid'hat Bey Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid'hat Bey Frashërit. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet Bibliofili Lumo Skëndo. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha në 23 prill 2006.

Vepra

* Naim bej Frashëri, kujtimi mbi të ungjin, (1901)
* Bej mire pa hidhe ne det, (1902)
* Dhe tregonje, (1902)
* Shkurtabiqi i verdhë, (1914)
* Hi dhe shpuzë, (1915)
* Letra mbi një udhëtim në Zvicër, (1915)
* Një re e zezë për Shqipërinë, (1918)
* Rilindja e Shqipërisë, (1918)
* Albanais et Slaves. (1919)
* Mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe, (1921)
* Plagët tona, (1924)

Përkthime

* Gijom Teli, (1902)
* Robensoni, (1909)

 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen