Freitag, 7. Juni 2013

Mulla Idriz Gjilani

AI NGJALLI LEGJENDËN
E MOLLËS SË KUQE
 
Mulla Idris Gjilani: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe... një gjak, një gjuhë një diell e një Zot. ... Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut...”
 
Nga Nebih BUNJAKU
   
      
 
Popujt e vegjël dhe Zoti
 
Nuk është thënë kot së koti se vetëm epokat e mëdha lindin njerëz të mëdhenj ose   përmes dyerve të tragjedive të mëdha kalitet fati i popujve të vegjël. Me djersë, me gjak dhe me sakrifica sublime janë ndërtuar dhe sot e kësaj dite ndërtohen kështjella monumentale historike të lirisë, sidomos të popujve të vegjël për  nga numri, por shumë të mëdhenj për nga aspiratat e tyre shekullore liridashëse. Në favor të kësaj teze më së miri dëshmon  mendimi aforistik se popujt e vegjël edhe Zotin e kanë të vogël!
Pavarësisht nga rrebeshet e stuhishme me të cilat u përball populli ynë gjatë shumë shekujve të historisë jo vetëm për të siguruar qenien e vet biologjike të nëpërkëmbur, por edhe për ta fituar lirinë kombëtare e njerëzore, për ta mbrojtur nderin dhe dinjitetin e vet në vatrën e shtëpisë. Në këto beteja të ashpra dhe të zjarrta bijtë dhe bijat më të spikatura u kalitën me heroizmin e tyre të paepur duke i ngritur vetes përmendore emocionale për gjeneratat, të cilave u takojnë, por edhe vetë historisë duke u bërë simbol frymëzimi për brezat e rinj të etnisë.
Njëri nga këta gur graniti me të cilin u ndërtua kështjella e rezistencës së shqiptarizmës, padyshim është edhe tribuni popullor si dhe arkitekti i shkëlqyer e luftëtari i denjë i realizimit në jetë të projektit të tij për krijimin e Shqipërisë etnike, qoftë edhe me vetëflijim. I tillë ishte Mulla Idris Gjilani, i cili u lind në fshatin Velekincë (që sot është një paralagje e Gjilanit) më 4 qershor 1901, pikërisht kur shekulli i ri sapo i kishte hapur sytë për ta parë këtë botë dhe njëkohësisht duke i shkaktuar dhimbjet e lindjes shekullit të vjetër nga i cili doli, që me gjithë paudhësitë dhe të pabërat tjera, prandaj me çdo kusht përpiqej që me kapakun e mortjes ta mbulonte gjithë robërinë e shekujve tjerë  robërisë si dhe sistemin e kalbur feudal të një perandorie katrahurë, pesha e së cilës rrezikonte jo vetëm shtetasit e vet, por edhe popujt tjerë të robëruar.
Mulla Idris Gjilani, alias Idris Hajrullahu a “I Shenjti i kombit”, siç e quajti me të drejtë Kapiten Shefqeti, rrjedh nga një familje martirësh: babai – Hajrullahu ( i vrarë më 1945) dhe Salë Smakaj (vdiq rreth vitit 1930). Nga katër vëllezërit që kishte Idrisi, të voglin, Bajramin ia pushkatuan partizano-çetnikët vetëm një javë pas pushkatimit të Hajrullahut – babait të tij.
Hajrullah Hasani nga lagjja Kurteshaj merrej me bujqësi, por ishte edhe njeri i drejtë dhe me autoritet në fshat dhe në rrethin e tij. Ai ishte mik i madh i arsimit dhe adhurues i jashtëzakonshëm i Zotit dhe i fesë.
Meqë jeta ishte treguar shumë e vështirë dhe e padrejtë me shumicën e shqiptarëve që padrejtësisht ishte robëruar, duke i shkaktuar jo vetëm padrejtësi, por edhe varfëri të skajshme, dajat e Idrizit nga fshati Cërnicë të Gjilanit, kujdeseshin për nipin e tyre të cilin fillimisht e regjistruan në Mejtepin e fshatit të tyre. Idrisi i vogël, i pajisur me afinitet, talent dhe virtyte të shquara njerëzore, u shqua edhe në mësime, të cilat i mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1911. Meqë në personalitetin  e  Idrisit të vogël që sapo krijohej, Mulla Halimi, hoxhë i njohur nga Cërnica dhe rrethina e Gjilanit, spikati entuziazmin dhe zellin e madh të këtij nxënësi, ia preferoi Ruzhdijen e Gjilanit, shkollë ku përgatiteshin kuadro të reja për punë administrative.

        
Luftërat ballkanike
 
Me shpërthimin e luftërave ballkanike, Idrisi Hajrullahu ndërpreu mësimin, ndërsa okupatori serb pushtoi territoret e banuara me shqiptarë, mbylli edhe ato pak dritare të jetës dhe të diturisë. Nëpër medresetë e lejuara thjesht fetare rreptësisht u ndalua mësimi i çfarëdo lënde shkencore.
Më 1913 Idrisi ishte nxënës në Medresenë Atik të Gjilanit, veprimtarinë e së cilës e ndërpreu Lufta e Parë Botërore, kurse më 1919 për dy vjet rresht detyrimisht shërbeu në armatën famëkeqe të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Pas shërbimit ushtarak, ku kishte mësuar serbokroatishten dhe kishte lexuar mjaft literaturë fetare, filozofike dhe historike, u kthye në të njëjtën medrese dhe në moshën 25 vjeçare e mbrojti provimin e pjekurisë për imam, duke u lauruar me ixhazetname – diplomë për shkencat teologjike, prandaj edhe mori titullin e nderit Mulla ( i ditur).
Me dekret u emërua imam në fshatin Pidiç të Karadakut, kur edhe ra në kontakt me Komitetin për çlirimin kombëtar, i njohur  si Komiteti i Kosovës, i organizuar ilegalisht nga Ferat Bej Draga ( 1929). Pastaj u dërgua për të shërbyer në fshatin Hogosht të Dardanës së sotme, ku, për shkak të ndjenjave të theksuara atdhetare, nga njëra anë si dhe për shkak të injorancës dhe analfabetizmit të masave të gjëra popullore të trashëguara ngarendi feudal i osmanëve dhe, mbi të gjitha, për shkak të përçarjes e sundimit brutal shkaktuar nga okupatori i ri serb, i cili popullit tonë ia kishte ndaluar jo vetëm shkollën, por edhe vetë jetën, Mulla Idrisi, pa e kursyer  veten aspak si dhe kohën e çmueshme të tij, ishte bërë një lloj drugëze që endej pa përtesë, herë këmbë por të shumtën e herave mbi kalë  nëpër avlëmendin e quajtur Kosovë. Ai u shqua në ndërtimin e urave, (edhe sot në Hogosht ekziston¨Ura e Mulla Idrisit¨), në meremetimin e mejtepeve dhe të xhamive, në ndërtimin e rrugëve, në çeljen e krojeve të reja dhe pastrimin e të vjetërve, në pajtimin e gjaqeve, në afrimin e të pasurve me të varfrit, qoftë të qyteteve apo edhe të fshatrave, në hapjen e mejtepeve e medreseve të reja, ku do të mësonin vajza e djem, të cilëve du t’u jepnin mësime nxënësit më të dalluar; duke përgatitur hoxhallarë dhe mësues të rinj etj. Qëllimi i tij ishte që sa më shumë ta përhapte miqësinë dhe ndjenjën e solidaritetit dhe të besës midis shqiptarëve, pavarësisht përkatësive të ndryshme fetare.
Në krijimin dhe zgjerimin e çerdhes familjare fati nuk i eci, sepse si  gruaja e parë, ashtu edhe gruaja e dytë i vdiqën, prandaj qe i detyruar të martohej për të tretën herë. Me Hatixhe Rexhepin nga Gjilani fati i eci mjaft mirë, sepse kjo jo vetëm që i solli shtëpi, tokë e luadhe të rëndësishme, por ia dhuroi vajzën e Emine si dhe djemtë Musanë dhe Isanë.
Meqë  talenti i tij u spikat në shumë aktivitete fetare, arsimore, pedagogjike, politike, strategjike, kulturore etj. si dhe mësimi i gjuhëve arabisht, osmanisht (turqisht), serbokroatisht dhe persisht, Mulla Idrisi u zgjodh Bashavaiz në Ulema mexhlizin e Kuvendit të Shkupit, detyrë që e ushtroi deri më 194
 
 
Mos e lini vetëm atdheun dhe varret e etërve
                                                      
Në aktivitetin e dendur politik e kombëtar në dobi të çështjes kombëtare, ky apostull lirie maskohej mjeshtërisht me uniformën e imamit dhe, njëkohësisht, u bë dora e djathtë e veprimtarit të shquar Ferat Bej Dragës në realizimin e programit  për pengimin e shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga autoritetet mbretërore serbo-çetnike. Nga oda në odë, nga  shumë pak gëzime dhe sidomos nga shumë pikëllime të ndryshme, nga varrimi në varrim, nga ngushëllimi në ngushëllim pa pikë ndrojtjeje u fliste masave popullore, që sipas revistës fetare Dituria Islame, thuhej: “Jemi përgjegjës për varret e prindërve tanë para Zotit dhe para kombit. Nuk guxojmë të heqim dorë prej tyre, t’i lëmë të shkreta për t’i lëvruar derrat e naselnikëve ( kolonëve, të rinj të cilëve mbretëria ua falte tokë e shtëpi të shqiptarëve – nënvizimi im) sllavë. Jo vetëm në Turqi, por as në Shqipëri nuk bën të shkojmë. Zoti në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin dhe kombin...!¨
Ishte edhe anëtar e veprimtar i shquar i Organizatës së Rinisë Përparimtare ¨Drita¨, formuar ilegalisht më 1 prill të vitit 1937 në Orllat të Drenicës nga nxënësit dhe studentët shqiptarë të Medresesë së Madhe të Kral Aleksandrit si dhe të Isa Beg Medrese¨ po me seli në Shkup, dy vatra këto që kishin grumbulluar ajkën e patriotëve dhe të rinisë përparimtare. Edhe pse i maskuar me uniformën e religjionit, ai mbante kontakte ilegale me personelin e konsullatës shqiptare në Shkup nga e cila merrte libra dhe revista me përmbajtje fetare, të cilat, pasi i lexonte dhe i studionte mirë e mirë, ilegalisht ua shpërndante miqve të tij të besueshëm.
Mulla Idris Gjilani veçmas i adhuronte shkrimet e Hafiz Ali Korçës. Ai edhe vetë bashkëpunonte me revistën vjetore Zëri i Bashkësisë Fetare Islame që botohej në Sarajevë. Punimet e tij të botuara osmanisht me alfabet arabo-osman si dhe ato serbokroatisht me alfabet cirilik, i nënshkruante: Idris Hajrullahu – bashvaiz. Aty ai i botoi edhe dy punimet e tij shumë të rëndësishme fetare “Lindja e Pejgamerit”, osmanisht dhe “Vëllazëria islame”, osmanisht e serbokroatisht.
 
 
Profecia
 
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur dora e zezë serbo çetnike, e maskuar me dorashka partizane, nën të cilat kishte fshehur bajonetën e sapo pastruar nga gjaku i pleksur i shqiptarëve të therur gjatë shumë dekadave të robërisë e dhunës gjenocidale, rishtas ia mësyu Kosovës, por tashmë me parullën tepër bajate të “vëllazërim-bashkimit”, lëng nepërke, që moti e kishin pirë shumë patriotë të devotshëm. Njëri nga këta, Mulla Idrisi, më 2 Gusht 1943, pikërisht në Tregun e Gjilanit, (cituar sipas mr. Daut Bislimit), ia çori maskën duke thënë publikisht ”Ju keni dëgjuar se një Tito, një i quajtur baba i komunistëve jugosllavë, po e lyp edhe Kosovën për Jugosllavinë e Dytë Komuniste, në kufijtë e asaj të Kral Petrit. Ajo Jugosllavi e kralit u prish... dhe shpëtuam... Tashti partizanët e Titos po i afrohen kufijve të Shqipërisë etnike, atje ku duhet të jemi sot ose nesër. Kosova jonë, edhe ashtu e copëtuar, nesër ka për t’u bërë kasaphanë e komunistëve jugosllavë dhe e çetnikëve serbë e malazezë, sepse për Kosovën e kundër shqiptarëve gjithmonë janë bashkuar dreqi dhe i biri, e do të bashkohen çetniku e drazhisti, nediçevci e komunisti”.
 
   
Të rënët janë njerëzit më me fat

Gjithë kapitalin kombëtar që e kishte arritur nëpër sprova të ndryshme me shumë sakrifica e  peripeci sublime si dhe tërë autoritetin njerëzor që e kishte fituar gjatë gjithë jetës në të gjitha fushat e dijes, pa hezituar fare i vuri në shërbim pikërisht në momentin dhe në vendin e duhur, duke udhëhequr Ushtrinë Vullnetare Shqiptare të Kosovës Lindore. Në betejën e njohur të Kikës legjendare, që u zhvillua në qershorin e vitit 1944, Mulla Idrisi, u dëshmua si strateg i famshëm ushtarak dhe jo vetëm që e fitoi këtë betejë shumë të pabarabartë nga shumë aspekte: armata armike dominonte me numrin shumë më të madh ushtarësh, ishte shumë e pajisur me armatim modern, me ushqime të shumta, udhëhiqej nga oficerë profesionistë dhe mbi të gjitha, përkrahej edhe nga forca të shumta aleate sllave etj., por ky atdhetar me shembullin personal ngjalli shpresa te luftëtarët e vet se për mbrojtjen e Atdheut mund të bëhen edhe çudira.
Profesor Izmi Zeka, duke bërë fjalë për vetitë e anëtarit të Ulemasë së Mexhlisit të Shkupit, Mulla Idrisit, spikati këto virtyte të çmueshme të tij:

a) Qasja për të ardhmen shqiptare që ishte e veçantë për kohën,
b) Predikimi kombëtar e fetar dhe
c) Ngritja intelektuale e shkencore.
    
Duke e shikuar të vërtetën drejt në sy dhe njëkohësisht duke i analizuar rrethanat aktuale që krijoheshin me mençurinë e një strategu ushtarak, duke luftuar me pushkë në dorë në ballë të frontit, si një profet ua la edhe këto fjalë: “Amanet, o burra të më varrosni këtu, buzë kufirit, ku mbrohet Shqipëria etnike...!” Me të drejtë Izmiu konstatoi se në këtë dimension Mulla Idrisi qëndron mbi jetë, ai sheh lidhjen e natyrshme mes kufijve dhunshëm të vendosur, që në kompleksin gjeografik mbetet urë që bashkon, duke u bërë simbol i jetës dhe i paqes.
Ndonëse fizikisht u shua në altarin e lirisë, për atdhe dhe për fe (25-26 nëntor 1949), edhe në momentin e fundit të jetës shqiptoi porosinë e madhe: “Në mbrojtje të Atdheut vritet vetëm ai që ka fat shehitllëkun”. Prandaj, me dinjitetin e tij njerëzor e kombëtar si një feniks hyri në panteonin e të lavdishmëve të etnisë. Ai, në kujtesën e brezave, ngjalli legjendën e Mollës së Kuqe.
 
Nga:  “LAJM EKSKLUZIVE” ( LAJM për kulturë, nr. 100, 9 shkurt 2008)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen