Sonntag, 2. Juni 2013

Nikaj Mërturi, perla e pashfrytëzuar e Alpeve

Nga Gjon Neçaj

 Nikaj-Mërturi bën pjesë në rajonin verilindor dhe zë pjesën perëndimore të rrethit të Tropojës, në anën veriperëndimore të luginës së Drinit, duke u kufizuar në lindje përmes Majës së Korës dhe Qafës së Kolçit me komunën e Bujanit dhe të Fierzës dhe në perëndim përmes Qafës së Ndërmanjës dhe Qafës së Agrit me komunat e Shalës, Shoshit dhe Temalit, të rrethit të Shkodrës.

Qendra e komunës është në fshatin Lekbibaj, e cila është 27 km nga qyteti i Bajram Currit dhe 13 km nga Fierza. Popullsia e Nikaj Mërturit është rreth 2700 banorë, të vendosur në rreth 200 km 2, kryesisht në vendbanime të rralla e rurale. Në fillimvitet ‘90 kjo trevë kishte arritur në 9000 banorë të shpërndarë në 12 fshatra, por në regjistrimin e fundit del me më pak se 2700 banorë ose afro 60 përqind e banorëve kanë migruar brenda vendit.

Fshatrat e Nikaj Mërturit janë të shpërndarë në të gjithë zonën, afër liqenit, lumenjve dhe disa edhe afër bjeshkëve, si Bëtosha, Brisa, Salca, Peraj, Vrana, Curraj Epër, Qereshi dhe Mulaj. Ato janë vendosur në çdo vend ku ka qenë e mundur të ndërtohet një shtëpi dhe të ketë edhe një copë tokë, si në maja kodrash, livadhe, por disa kulla janë ndërtuar edhe në shkëmbinj, kthyer me kurriz nga humnera për arsye mbrojtjeje nga sulmet e pushtuesve dhe gjakmarja.

 

Si mund të arrijmë deri në Nikaj-Mërtur?

Në Nikaj-Mërturi shkohet përmes liqenit të Komanit me anije dhe ndalohet në stacionin që quhet Kodër Markaj, rreth 10 km pa shkuar në Fierzë. Përmes rrugës nacionale që kalon nga Qafa e Malit, duke u kthyer majtas në Fierzë dhe vazhduar sipas rrjedhës së Drinit.

Rruga nacionale që vjen nga Fierza, te Ura e Mërturit, ndahet në dy degëzime, njëra që vazhdon për në Lekbibaj, ku është edhe qendra e komunës, pastaj vazhdon për në fshatin Mserr ku ndahet për në Salcë dhe në Lugun e Ndërmanjës. Tjetra vazhdon bregut të lumit për në Shëngjergj, kalon afër Bëtoshës dhe vazhdon nëpër rrugën shekullore të Pultit të Vjetër, për në Qafën e Kolçit e lidhet me Tropojën (Malësinë e Gjakovës).


Çfarë ofron kjo krahinë e Alpeve të veriut?

E ndodhur midis bjeshkëve dhe majave të larta, është një zonë shumë e veçantë ku shfaqen dhe ndërthuren kontraste të papara, ku përballen e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia, pamjet mahnitëse me infrastrukturën e dobët, mundësitë e shumta për zhvillim me një prapambetje relative, ashpërsia natyrore e terrenit me butësinë hyjnore të peisazhit, e kaluara e lavdishme dhe e sotmja që po ndryshon.

Zona përshkohet tej për tej nga dy lumenj: lumi i Currajve dhe i Vranës e që burojnë nga bjeshkët e larta me ujë të pijshëm që nga burimi e deri ku bashkohen për t’u derdhur në lumin Drin. Nuk ka fshat që nuk i ka nga dy, tre e më shume kroje me ujë të pijshëm, që për nga pastërtia pa dyshim që do të konkurronin çdo ujë në botë, pasi secili prej tyre zanafillën e ka nga bjeshkët e larta, ku bora e re pushon mbi borën e vjetër. Pjesa më e madhe e zonës është me pyje e kullota, pasi toka bujqësore e përdorur për mbjellje është e vogël, por është interesant fakti që shumica e saj ndodhet nën vadë.

Peisazhi natyror është i paimagjinueshëm, me monumente natyrore të shumta e të rralla. Pyjet me gështenja krijojnë kurora të mrekullueshme rreth e rreth fshatrave, sidomos në fshatin e Lekbibajve apo në Markaj, Tetaj etj, frutet e të cilave konkurrojnë në çdo treg. Arra dhe lajthija përbëjnë një tjetër pasuri që natyra ia ka falur Nikaj-Mërturit, sidomos lajthia, e cila vende-vende formon edhe pyje të tëra, si p.sh në fshatin Qeresh, ku e gjithë kurora e këtij fshati deri në Qafën e Qereshit dhe përreth saj është e formuar nga pyje lajthish. Trofta e lumenjve të Nikaj-Merturit, mjalti, si dhe prodhimet blegtorale, të gjitha organike janë shumë cilësore.


Turizmi

Nikaj-Mërturi është një vend shumë interesant për të zhvilluar turizmin, alpinizmin dhe sporte të tjera malore. Rikonstruktimi i rrugës ekzistuese nga Fierza në qendër të komunës është në vazhdim me një fond prej mbi 600 milionë lekësh, ku janë janë kryer mbi 60 përqind të punimeve, si: vepra arti, zgjerime etj. do ta bëjë më të vizituar këtë trevë, ku ndërtimi i rrugës automoblisitike për në lugun e Ndërmanjës e në Vrane, si dhe ndërtimi i rreth dhjetë kilometra rrugë për në Curraj Epër, do ta bënte kthimin e Nikaj Mërturit në një perlat më të bukura të turizmit malor në Shqipëri e më gjerë.

Do të përmendnim vetëm disa emra vendesh, si: perlën e Alpeve Shqiptare, Currajn e Epër, Qereshin, Kuçin, Boshin, Alshinën, Kakinë, Zallin e Ortegut, Shpellën e Kakverrit, T’hermen, Fangjet, Rrukun e Nikajve, Listrami i Bëtoshës, Vorri i Fratit, Shtegu i Dashit, Piku i Currajve, Çuku i Llapushtrës mbi Rajë, Shterziqja e Brisës, Logu i Gurrës e bjeshkët e Salcës, Okoli i Palçit etj etj.

Gjatë verës shijohet tamli me borë, boronicat, mjedrrat, drethëzat, dardhat gjokmeme, hardallitë, flina, leqentku i mestitur, mazë e zier, fërligu (traditë e hershme e zones), mishi i tharë në tra mbi oxhak (postermë), bacrugat e gështenjave etj.

Përveç bukurive natyrore dhe ushqimeve karakteristike të zonës, turistët do të ulen këmbëkryq me trashëgiminë kulturore të krahinës së Nikaj Mërturit si në asnjë vend tjetër. Do të ishte i padiskutueshëm interesi i turistëve të huaj që krahas bukurive përrallore të kësaj zone, të njiheshin me folklorin e pasur, këngët dhe veglat muzikore, veshjet e larmishme, dasmat dhe ritet e zakonet mortore, të cilat dëshmojnë për një zonë jashtëzakonisht të pasur me etnokulturë të veçantë dhe të bukur.

Jo rastësisht, Franc Nopçe, i cili kishte vizituar Nikaj Mërturin në vitet 1900 të shekullit të kaluar, si deputet i parlamentit austriak, kishte propozuar që Nikaj Mërturin ta shpallnin monument kulture nën mbrojtje ndërkombëtare, për bukuritë e rralla dhe për njerëzit e mrekullueshëm..


Diçka ka filluar të lëvizin, thonë drejtuesit e komunës Lekbibaj.

Ka pasur disa ekspedita turistike, duke filluar që nga viti 1993, e deri te më e fundit verën që kaloi, nga Italia, Sllovenia etj, të interesuar për eksplorimin e shpellave. Kanë arritur të hyjnë disa kilometra në shpellën Bira e Zezë në fshatin Qeresh dhe janë mahnitur me madhështinë dhe bukurinë e asaj shpelle. Shpella vazhdon edhe më tej dhe, sipas tyre, shpërndahet në katër drejtime të ndryshme.

“Sot për sot, si pasojë e infrastrukturës së vështirë që ka zona e Nikaj-Mërturit, – thotë kryetari i komunës, Gëzim Meshi, – sektori i turizmit nuk është zhvilluar. Kjo ka bërë që kjo zonë të jetë e virgjër, pra gjithçka natyrale. Duke pasur parasysh potencialet e shumta turistike që ka zona, turizmi malor e në veçanti ai dimëror, do të jetë në të ardhmen një nga mundësitë më të mira për zhvillimin e kësaj krahine.

Në bashkëpunim me komunën, me shoqatat dhe qendrat mjedisore do të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme në mënyrë që zhvillimi i turizmit në këtë zonë të bëhet në mënyrë të tillë duke ruajtur origjinalitetin e shtëpive alpine, kullave, qoftë rikonstruktimin e atyre të vjetra apo ndërtimin e atyre të reja, në shërbim të turizmit, dhe jo ndërtimin e hoteleve, pavarësisht nga fuqia ekonomike e investitorëve, pra larg betonimit të kësaj treve,deklarojnë drejtuesit e komunës”.



Alpinizmi, synimi i turistëve

Relievi ofron kushte shumë të mira për zhvillimin e alpinizmit amator dhe sidomos atij profesionist, pasi e gjithë zona rrethohet nga maja mbi 2000 metra dhe me rrëpira fantastike. Vendet më të përshtatshme për alpinizëm janë: vargmali Ershel – Ndërmanjë- Kaki, Qafa e Kolcit, Shkëmbi i Rajës dhe përreth Kores së Mërturit etj.

Është me shumë rëndësi të përcaktohen edhe lëvizjet e alpinistëve në këto vende dhe është duke u përgatitur guida e posaçme së bashku me hartën e zonës dhe do të shpërndahet nëpër agjencitë turistike e sidomos në qendër të komunës, në mënyrë që t’u jepen turistëve në dorë përpara se ata të nisen për në faqet e maleve, thotë Ndoc Mulaj, president i Qendrës Mjedisore “Alpe” dhe një ndër intelektualët e Nikaj Mërturit.



Curraj i Epër, fshati i kullave të braktisura.

Një luginë në mes malesh rrethuar me maja të larta, në formën e një amfiteatri të qëndisur nga natyra, në mes të fshatit është një fushë e madhe e rrethuar me shpate në mes të së cilës kalon lumi me ujëbore. Në mes të fushës, pra, në qendër të fshatit ndodhet një kodrinë mbi të cilën është e ndërtuar kisha e Currajve, 150-vjeçare.Në të dyja shpatet anësore janë të ndërtuara kulla guri me nga dy e tre kate. Një objekt shumë i rëndësishëm në Curraj Epër ka qenë “kulla e ngujimit” ose siç u quajt më vonë “kulla e thepit”, sepse ishte e ndërtuar mbi një thep përballë urës, në mes të fshatit. Por tashmë kjo kullë symbol i historisë dhe heroizmit të kësaj zone, nuk ekziston. Ajo para dy vitesh u shemb totalisht. Imazhi i saj është vetëm nëpër fotot e Ndocit, apasionues i fotografisë.

Nikaj Mërturi është perla e pa shfrytëzuar e Alpeve shqiptare.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen