Samstag, 8. Juni 2013

Ndue Përlleshi

Rrafshi i Dukagjinit
i kishte të çelura dyert
për legjendën e trimërisë

Nga Tomë MRIJAJ

Veprimtaria patriotike e familjes së Përlleshajve, nuk fillon me liderin e katolikëve të Lugut të Drinit dhe mbarë Rrafshit të Dukagjinit, Ndue Përlleshin, siç e quan shefi i UDB - së, Gojko Medenica në fejtonet e luftës në Kosovë të botuara në gazetën "Vecernje Novosti" të Beogradit, të titulluar "Poraz Pod Pshtrikom" (Humbjet nën Pashtrik nga data 22 shkurt gjer me 19 mars 1965 dhe në gazetën "Rilindja" e Prishtinës "Nata e frorit" 24 - 26 shkurt 1965. Në librin "Famullia e Zllakuqanit", faqe 51, thuhet se në kryengritjen e vitit 1909, të organizuar nga Zef Gjidoda, nga familja e Përlleshajve morën pjesë Mark dhe Dedë Përlleshi. Për Lugun e Drinit flet edhe Mark Kolë Kçira, të cilin në shenjë respekti vendasit e thërrisnin Marka Kola i Zllakuqanit. Burri me një pamje kreshniku e fillonte kështu bisedën në odat e Lugdrinasve: "Vendi ynë nuk qëndroi i pastër etnikisht dhe kombëtarisht pse deshën të tjerët.
 
Ne falenderojmë pushkët e djemve tanë, që i mbajtën gjithmonë për faqe, duke filluar nga kryengritja e Mirditës e vitit 1876 që kryesohej nga kapidani Bibë Doda. Shumë djem të këtij vendi morën pjesë nën komandën e kapidanit të Mirditës, ku midis tyre veçojmë Zef Markun (Gjonlleshaj) dhe Nikoll Mrin, gjer në kryengritjet e njëpasnjëshme të Lidhjes së Prizrenit, ato të vitit 1909 dhe kryengritjen e Kaçanikut me 1910, ku kapidani i Mirditës, Marka Gjoni dhe Abati Preng Doçi kishin dërguar shumë luftëtarë nga Mirdita të udhëhequr nga Prengë Marka Prenga, bajraktar i Oroshit dhe Ndue Përdeda, që ishte prej krenve të para të Spaçit. Pjesmarrës në këto kryengritje ishte edhe vetë Marka Kola i Zllakuqanit me shumë vendas të tjerë që ua tregonin rrugët dhe shtigjet kryengritësve mirditas, të cilit kishin lënë emër të mirë në ato anë". Marka Kola tregonte se me rënien e Turqisë dhe me ardhjen e Serbisë, në vitet 1918 - 1919, Lugu i Drinit ishte prapë i fortë. Në tri komunat, në vijë të drejtë rreth 22 km, nga Gjurakovci deri në Dollc ishin këta tre kryetarë: Ukë Paloka në Gjurakovc, Pren Nikoll Mrijaj në qendrën e Lugut të Drinit, në Zllakuqan dhe Beqir Toma në Dollc. Këta udhëheqës të kësaj treve, me gjithë presionet që i bëheshin këtij vendi nga serbo - sllavët, nuk munguan që së bashku me priftërinjtë e këtij vendi të trokisnin në dyert e Romës dhe Vjenës për t'i ardhur në ndihmë kësaj popullate, që nuk i ishte gjunjëzuar për pesëqind vjet Perandorisë Osmane dhe ishte në vështirësi nga sllavizimi serbo - sllav.
Për liderin e katolikëve të Rrafshit të Dukagjinit, Marka Kola thoshte: "Me gjithë vështirësitë dhe torturat e papara gjer atëhere mbi një popull nga komunistët e porsalindur, dyert e çdo kulle në Rrafshin e Dukagjinit ishin të hapura për legjendën dhe luftëtarin e paepur Ndue Përlleshi".
Ndue Përlleshi lindi në Paskalicë, fshat në Lug të Drinit, më 1908. Ishte biri i Gjonit dhe Prenës nga Nepolja e Lugut të Baranit. Shkrim e lexim mësoi në Zllakuqan, në shkollën e kishës që ishte hapur që më 1897 nga Atë Shtjefën Gjeçovi. Thuhej se mësuesi i tij ishte Ndue Vorfi. Edhe pse s'kishte kryer ndonjë shkollë të lartë, ai qysh në ditët e hershme të fëminisë së tij, kishte mësuar mjaft në odën e burrave të familjes e tij të paisur me tradita burrërie, nderi e trimërie. Ndou ishte aktiv në jetën politike të kohës. Që nga viti 1939, kur Shqipëriau okupua nga Italia fashiste dhe për herë të parë u hap kufiri shqiptar Kosovë - Shqipëri, nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Mark Gjon Marku, Ndue Përlleshi u emërua kryetar i Komunës në Vogovë të Hasit, që gjendej në vijën kufitare Kosovë - Shqipëri. 
   Vendi kyç që iu dha Ndout të ri, bëri që ai të njihej për së afërmi me personalitetet e jetës politike dhe luftarake si me Xhafer Devën, Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, Mark Gjon Markun, vëllezërit Kolë e Pashuk Biba, që ishin në përgatitje për të përballuar erërat e Lindjes që kishin filluar të fryjnë në Shqipërinë e Jugut. Më vonë Ndue Përlleshin e shohim kryetar në komunën e Becit, komunë në prefekturën e Gjakovës, ku pati rastin të njihej me shumë personalitete të atyre viseve, si Mehmet Agën e Rashkocit, Demë Ali Pozharin, familjen e madhe të Zhel Hasanëve, Elez Myrtën e sa e sa të tjerë. Më vonë, deri në fund të vitit 1944, e shohim kryetar në komunën e Budisalcit. Në këtë kohë vjen brigada e VII partizane me komandant Shaban Haxhiun, i cili e njihte shumë mirë aktivitetin e Ndue Përlleshit.  Në Veri të Shqipërisë Muharrem Bajraktari, Pashuk Biba e të tjerë, kishin likuiduar shumë komunistë shqiptarë. Ndou me shumë shokë u takua në kullën e Ukë Bekës në Krushevë të Madhe me brigadën e Shaban Haxhiut. Me të hyrë brenda, parulla përshëndetëse e partizanëve ishte: - Vdekje fashizmit - Liri Popullit! Por Ndou, që e dinte se çfarë fshihej pas asaj parulle, nuk u përgjigj. Ai me shpejtësi nxorri revolen dhe ia drejtoi komandantit. Të pranishmit ndërhynë me të shpejtë. Që nga ai moment Ndou filloi jetën e kaçakut. Çeta e tij u rrit shumë shpejt. Në malet e Dollcit u takua me çetën e Ukë Sadikut. Me çetën e Ndout ishte edhe Marije Shllaku, dikur sekretare e Iliaz Agushit dhe e Xhafer Devës. Ajo u bë shembull i rezistencës për bashkimin e trojeve. Çeta e Ndue Përlleshit, së bashku me vëllezërit e tij Zefin, Hilin dhe bashkëluftëtarët Ndrec Nikollën, Zef Sokolin e shumë të tjerë bashkëpunoi me Ukë Sadikun, Shaban Polluzhën, prof. Ymet Berishën, Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin etj. Shemull i rezistencës së forcave kaçake ishte lufta në Trestenik të Drenicës më 21 shkurt 1945 dhe vrasja e dy kreshnikëve të Drenicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Sipas shënimeve të Marije Shllakut në librin "Shqipëria e Marije Shllakut", në faqen 50 thuhet: "Ndër komunistë, 17.864 e ndoshta edhe më mbetën si zogjtë kur i rrëmben shqiponja n'anën e vet. Gjithashtu edhe forcat e Shaban Polluzhës u shpartalluan edhe ata që mbetën iu bashkuen çetave të Ukë Sadikut, prof. Ymer Berishës, Ndue Përlleshit, Qazim Bajraktarit, Alush Smajlit etj. Kështu nga ajo kohë çeta e Ndue Përlleshit u rrit me mbi njëqind luftëtarë". Me datën 4 dhe 5 gusht 1945 u mbajt kuvendi i Dobërdolit, në Llugë të Dan Pjetrit, ku u mblodhën 2000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të r ajoneve të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjindeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet si: Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Mehmet Aga i Rashkocit, Alush Smajli, Dem Ali Pozhari, Prek Shyti nga Prizreni, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit - Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Pranë Dardhës së Madhe valonte flamuri me shkabën dykrenare, tetë metra i gjatë, të cilën e kishte sjellë Alush Smajli i Llazicës. Kuvendin e ruenin luftëtarët e Ndue Përlleshit, Alush Smajlit dhe Qazim Bajraktarit, të udhëhequr nga Smajl Hajdarii Gjurgjevikut të Madh dhe vëllai i Ndue Përlleshit, Zef Përlleshi. Kuvendin e hapi Ukë Sadiku, që ia jep fjalën pro. Ymer Berishës. Proçes - verbalin e mbante Marije Shllaku. Komandant u zgjodh njëzëri Ukë Sadiku, ndërsa udhëheqës politik u zgjodh prof. Ymer Berisha. Po ashtu u zgjodhën komisarët e çetave kryengritëse, sipas territoreve dhe e tërë Kosova u nda në 12 sektorë luftarakë dhe për këtë arsye u quajtën "Dymbëdhjetë këshillat". Pas kuvendit të Dobërdolit u bënë shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës "Besa Kombëtare". Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari, Mehmet Aga i Rashkocit dhe prof. Ymer Berisha u nisën për një mbledhje të përbashkët me krerët e Shqipërisë së Veriut, diku në malin e Pashtrikut. Çeta e Ukë Sadikut mbeti nën udhëheqjen e vëllait të Ukës, Shaban Sadiku. Data e 10 shtatorit 1945 mbeti datë e paharruar për banorët e Prekorubës dhe Drenicës.  Në Fushëgropë, mes maleve të Çelisë së Jellovcit, brigada famëkeqe e Kotorrit kishte rrethuar Çelinë ditën e tretë të Bajramit. Aty mbetën të vrarë 23 luftëtarë dhe 9 të plagosur rëndë. Mga radhët e armikut mbetën 40 partizanë të vrarë e dhjetra të plagosur. Nga çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur Zef Sokoli me djalin e tij, Markun shtatëmbëdhjetë vjeçar dhe Marije Shllaku ishte plagosur rëndë. Grusht të rëndë lëvizjes i dha vrasja e udhëheqësit të njësiteve guerile të lëvizjes popullore shqiptare në Kosovë prof. Ymer Berishës me 10korrik 1946 në Hereq, ku së bashku me Ndue Përlleshin ishin nisë të merrnin pjesë në Kongresin V të Ballit Kombëtar në Lipovicë. E kobëshme ishte edhe data e 17 shkurtit 1947, ku nga OZN - a dhe ushtria serbo - sllave u plagos rëndë komandanti i NDSH - së Ukë Sadiku. Në sverkën e Gashit mbeti i vrarë Qazim Bajraktari dhe Halil Sadria i Gjurgjevikut. Çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur të veprojë thuajse e vetme, me pak luftëtarë dhe shumë e ndjekur nga OZN - a. Më 8 shkurt të vitit 1948, së bashku me du shokët e tij, Ndrec Nikollën e Shaban Demën u rrethuan nga OZN - a. Mbas disa orë luftimesh mbetën të vrarë dy shokët e tij Ndrec Nikolla dhe Shaban Dema, ndërsa Ndou i plagosur qëndroi në mesin e pyllit deri në orët e para të mëngjesit, ku me një breshëri plumbash çan rrethimin duke lënë në fushë të betejës shumë të vrarë e të plagosur nga partizanët dhe vullnetarët me dhunë. Atë mëngjes komandanti i OZN - ës pushkatoi në vendin e ngjarjes të riun Pren Gojani nga fshati Dugajev, i cili ishte nga fisi i Ndue Përlleshit, me pretekst se i kishte hapur rrugë këtij të fundit. Ndou, me plagë të rënda arrin në shtëpinë e tij. Kur po i mjekonin plagët, aty arrin kryetari i komunës së Jagodës, Jank Boriçi, i cili hedh një bombë brenda në shtëpi. Ndou me shpejtësi e kap dhe ia kthen mbrapsht. Bomba pëlcet dhe plagoset rëndë Janku. Që të mos kapej nga partizanët, Ndou largohet menjëherë dhe shkon te Ibish Sokoli, vëllai i Zef Sokolit, të vrarë në Çelinë e Jallovcit. Tek Ibishi qëndron, deri sa shërohet. Nga aty kalon në Llapçak, tek Pren Gjoka, që ishte një shok i tij. Ky fshat i takonte komunës së Istogut. Qeveria Jugosllave, kur merr vesh se Ibish Sokoli e kishte strehuar Ndue Përlleshin, e dënon Ibishin me 8 vjet burg dhe gruan e tij me 6 vjet. Në fshatrat e Lugut të Drinit ushtria sllavo - komuniste e torturoi popullatën e kësaj ane në mënyrën më çnjerëzore dhe shumë e pësuan me burgje të rënda. Pas një qëndrimi në familjen e Pren Gjokës, Ndou duke parë se Partia Komuniste kishte dominuar thuajse në çdo krahinë të Kosovës, largohet me disa bashkëluftëtarë për në Shqipëri, ku bashkohet me çetat e Ndoc Mirakës në viset e Pukës, të cilët vepronin në atë territor. Sipas disa shënimeve të botuar në "Shejzat" e Ernest Koliqit në Romë dhe në "Albanien Liber", shkruhej: "Ndue Përlleshi së bashku me Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën, u vra nga forcat partizane të Shqipërisë në Bjeshkët e Iballes, në vendin e quajtur Boset, me datën 29 gusht të vitit 1949. Ata një ditë më parë ishin nisur të largoheshin për në Greqi. Largimi pengohej pasi në urën e Bërdhetit në Pukë ishte plagosë rëndë bashkëluftëtari i Ndue Përlleshit, Elez Myrta nga Kosova". Ndou nuk pranoi në asnjë mënyrë të lejë vetëm e të plagosur shokun e luftës. Profesor Lukë Çuni shkroi e dërgoi nga Melbourni i Australisë në redaksinë e gazetës "Shqipnija e Lirë", poezinë që ia kushton të ndjerit Ndoc Mirakaj dhe shokëve të tij, nga e cila po veçojmë disa vargje: 

Çka kan malet qi gjimojnë?
Djelt e Shqipes ç'po luftojnë!
Ç'po luftojn'o n'at Boset,
Ndoc Mirakaj me shok't'vet.

 
Ball për ball me klysh t'Rusisë,
N'dor Flamurin e Lirisë,
Amanet dorzim q'i - a bani,
Mark Gjomarkaj Kapidani.

 
Ndue Përlleshi i Lugut Drinit,
Asht përbe m'Zanë Lubotinit,
Asht përbe me lot ndër sy:
O vras veten, o des me ty"...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen