Shefqet Dibrani |
Shefqet Dibrani u lind me 03.08.1960 në fshatin Gërdoc të Podujevës, në Kosovë. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Kastriot (ish Obiliqi). U diplomua për arsimtar i lëndëve Biologji-Kimi në Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë. Është anëtar i Lidhjes së Autorëve dhe Autoreve (AdS), në Zvicër që nga viti 2001, kurse nga viti 2002 edhe anëtar i shoqatës ndërkombëtare kulturore “International Culture Bridge”, me seli në Cyrih (Zürich).
Përveç poezisë dhe kritikës letrare merret edhe me publicistikë, analiza politike dhe gazetari. Është autor i 25 librave letrarë e publicistik. Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë.
Sh. Dibrani që nga viti 1984 jeton dhe krijon në Zvicër.
Shënime bibliografike
- “Larg pikon hëna”, poezi, Tiranë, 1994.
- “Pse e urrej Kadarenë dhe poezi të tjera”, poezi, Prishtinë, 1996.
- “Qershia e pikëlluar”, vjersha, Prishtinë, 1997.
- “Ditar mërgimi”, poezi, Prishtinë, 1998.
- “Strehët e gjakut”, poezi, Prishtinë, 2000.
- “Libra dhe mbresa”, kritikë letrare, St. Gallen / Zvicër 2005.
- “Zhgënjimi ballkanik 1”, publicistikë, Prishtinë, 2005.
- “Zhgënjimi ballkanik 2”, publicistikë, Prishtinë, 2006.
- "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër", poezi, Podujevë, 2007.
- "Letrat e Agimit", korrespondencë, Prishtinë 2008.
- "Virtyte e visare", publicistikë, Prishtinë 2010.
- "11 Minuta para orës '00 ose mirazhi i suksesit të LDK-së", publicistikë, Prishtinë 2011.
- “Roli historik i LDK-së në ndryshimin e koncepteve politike”, publicistikë, Prishtinë 2013.
- “Anatomia e brymës”, poezi e zgjedhur, Prishtinë 2013.
- “Sfidë për demokracinë 1”, monografi, Prishtinë 2014.
- “Sfidë për demokracinë 2”, monografi, Prishtinë 2014.
- “Pinjollët e Rrustem Llukës”, monografi, Prishtinë 2014.
- “Leksikon i Autorëve Shqiptarë në Zvicër”, (bashkautor me Besnik Camaj), Prishtinë 2016.
- “Gedichte – Poezi”, poezi shqip – gjermanisht, Prishtinë 2016.
- “Demokracia e imituar 1”, publicistikë, St. Gallen 2018.
- “Demokracia e imituar 2”, publicistikë, St. Gallen 2018.
- “Demokracia diktatoriale 1”, publicistikë, St. Gallen 2018.
- “Demokracia diktatoriale 2”, publicistikë, St. Gallen 2018.
- “Demokracia e kontestuar 1”, publicistikë, St. Gallen 2018.
- “Demokracia e kontestuar 2”, publicistikë, St. Gallen 2018.
Poezi nga Shefqet Dibrani
ZOG MBI GURË
Azem Shkrelit
Ti ishe zogu që pushoi degë më degë
ishe edhe gurë që rëndonte mbi vendin e vet
flutur që thithte nektarin lule më lule
ishe Rugovë si pishat i gjatë, por ishe edhe Llap
gjithsesi më shumë ishe Kosovë
diell që nxeh ishe ti dhe rreze shpërndave gjithandej
ishe drita e hënës e cila natës i jepte shkëlqim
gjerë në mëngjesin e ri
ne po përjetojmë vetminë, zogjtë e gurët na mungojnë
gurët për kulla e zogjtë mbi to për ti kënduar lirisë
ti kurrë mungesa nuk pate, hapin kurrë se ndale
ishe lumi që ecte pa ndal, si poezia që rrjedhë valë valë
miqtë tuaj janë mallëngjyer ata nuk recitojnë poezi
se ti vet ishe poezia, padyshim jeta dhe ardhmëria jonë
në bufenë e qytetit kafja porositet edhe për ty
për të mos e ndjerë mungesën tënde
ata që të shoqëruan gjerë tek varri yt
ishin vet në udhën e vdekjes
tani atje në përjetësi të shoqërojnë
ne po ju presim për në mitingje letrare
karvani i shkrimtarëve po gjallërinë
kthehu Poet përsëri kthehu sepse
ti ishe karvan i dhembjeve
e dhembja të përcëlloi gjer në varr
kurse bardhësia e mbuloi jetën tonë
ti ishe liria, dielli, guri dhe dashuria e Kosovës
aman Poet kthehu edhe një herë se jemi të mallëngjyer
për t’i parë ecjet tuaja elegante drejt ardhmërisë
urtit për t’i dëgjuar që na i predikoje çdo ditë
kthehu se kemi mall o Poeti Ynë, kthehu
ti rugovas i Shkrelit me shpirt guri
me flatër zogu e asht burri, kthehu në shtëpinë tënde
tani kësaj vere edhe mërgimtarët do të vijnë
ata kthehen në Atdhe dhe do të kërkojnë Ty
te Gurra në sheshe e bulevarde a tek Burimi yt
duan ta gjejnë atë pikëllim që të rrëmbeu...
ata janë zogj në fluturim dhe si gurët në flakërim
Ooo... Poeti YNË i etnisë me Zogj dhe Gurë
mbahu he burrë?!…
St. Gallen, verë 2014.
DUART E MIA HYJNORE
(më kishin vjedhur duart e mia –
varg i poetit Vasil Tabaku)*
Duart hyjnore
fshehtas kishin hyrë në xhepat e mi
jo siç hyjnë hyjnitë
as siç hyjnë hajnat
por siç di djalli
thellë në xhepat e mi
ishin futur
Duart e mia hyjnore
kishin hyrë në xhepat e mi
jo për tu strukur
por për të turbulluar...
riskun e lekut në qoshe i strehuar
Duart e mia hyjnore
ishin futur fshehtas
në xhepat e mi
për të vjedhur
në xhepat e mi të zbrazur
edhe nga poezia
Në xhepat e mi ka veç poezi
e asgjë për të ngrënë?!
Por duart e mia
bash duart e mia...
I sigurt se ishin duart e mia
pasi vetëm ato tinëzisht
futen në xhepat e mi
Ooooh
fshehtësisht fshehur ishin futur
në xhepat e mi si futa të zi
aty ku fsheh
sall poezinë...
Për të vjedhur
duart e mia...
oh sa e rëndë qenka
të të vjedhin duart tua
Por duart e mia
kishin hyrë për të vjedhur
e si hajnat
kishin vandalisë poezitë
sepse prozë s’ kishin gjetur
se për te më digjen sytë
Sa herë të doni - betohem
në xhepat e mi
nuk lë gjë përpos poezisë
pak mall
e shumë dashuri
Por duart e mia hyjnore
kishin hyrë në xhepat e mi
për të vjedhur
aaa pëëëër... të
përkëdhelur poezinë
këtë nuk e di?!...
Por e di se
hajnisht ishin futur
në xhepat e mi...
Eh sa tinëzisht duart e mia
paskan vjedhur ç’gjeten
poezi, copa poezish, vargje
rima dhe motivin
bile edhe pak elan...
më kishin vjedhur
Por unë nuk lë asgjë
në xhepat e mi të shkret
pasi i shkret jam edhe vet
siç janë edhe vitet e mia
siç është edhe koha ime
Por duart e mia
kishin shkretuar xhepat e mi
xhepat e mi të zbrazur
nga çdo lloj halli
nga çdo lloj malli...
xhepat...
xhepat e shkretëruar nga malli
Por ato duar hyjnore
kishin hyrë
pa iu bërë syri vrik
për të vjedhur?!
Dhe kishin vjedhur
atë që kishin gjetur
por përveç moshës time...
s’kishin gjetur gjë?!
Jo... kishin gjetur
edhe shumë motive
bile... edhe mallin tim
aty e kishin gjetur
kërrus në jetën time
të kërrusur
Por duart e mia hyjnore
kishin vjedhur në xhepat e mi
jo gjë tjetër pos motivet e mia
mbushur me halle mërgimi
me dashuri përjetimi
me vaje kurbeti
e me poezitë
që i kisha fshehur
sall për veti...
Oh sall për veti
që i ruaj për natën e varrit
ose nëse mbetëm gjallë
pse jo?!
Edhe për ditën e çametit?!...
(St. Gallen 2010)
GOTË E KRISTALTË
shoqëria është si gotë e kristaltë
për të shkëlqyer duhet mirëmbajt
pakujdesia në shoqëri sjell zili
e në saje të saj edhe xhama të thyer përmbi…
sigurisht, edhe shoqëria lëndohet si një gotë
kur copëzat e xhamta shpërndahen si avuj mbi tokë
ndashtë pse ato buzët t’gotës s’përkasin me dashuri
pasi edhe mbi xhamëzat e thyer niset kapitull i ri
kristalet e xhamta edhe ato duhet fshirë gjithmonë
që gërvishtjet e rishtuara të mos prekin kohën tonë
shoqëria e thyer është si gota e kristaltë
tamam margaritar të copëzuar mbi dashurinë e zjarrtë
por nga dëshpërimet çfarë dobie mund të ketë
pasi për të pirë më në atë gotë pak shpresë do jetë!..
andaj o njeri i urtë nis kërkimin e gjatë…
e nënë atë dritëz hëne ruaj kujtimin e artë
St. Gallen, 13 janar 2014.
KAFJA E MËNGJESIT
Çdo ditë në ora tetë të mëngjesit
Ai porosiste dy kafe në filxhan
Pranë filxhanit të saj edhe pak dashuri
Ai priste atë dhe ajo erdhi
Pastaj ajo me qesëndi ia lëshoi sytë filxhanit
Kurse vështrimi i saj si puthja ra mbi sytë e tij
E atij si xixa stralli i përvëlohej e shkreta dashuri
Filxhanin e kafes ajo qetë qetë me duart e arta e mori
Pastaj e vuri pran buzëve të kuqe
Kurse buzëkuqi mbi filxhanin e kafes buzët ia pikturoi
Kundruall saj shkëlqente shikimi i tij
që i lexohej në fytyrë
Veçmas atëherë kur ajo i puthiste buzët e filxhanit
Për një çast ai buzët e tij lëpiu
bëri sikur pak aromë kafeje rrufiti
Ajo filxhanin e kafes lëshoi me kujdes mbi tryezë
Sheqer i hodhi për ta ëmbëlsuar
jetën e atij që i rrinte përball
Pastaj ajo kafen e zezë e zbardhoi me lotin e saj
Kurse përgjimi i tij i heshtur sikur i dha shkëlqimin e ri
Pasi ajo e pyeti natën si kishte kaluar
dhe nëse atë e kishte ëndërruar
Ajo mori cigaren dhe shkrepësen në dorë
E ndezi cigaren e hollë siç ndizej dashuria e tij për të
Kurse fjongot e tymit bënë peizazhin e reve përmbi
Përsëri buzët e saj pigmentuan cigaren e bardhë
E cila digjej ashtu siç shuhej ai pran saj
Ajo thithte cigaren dhe rrallë fliste
Po shikimi i saj zhbirues atij ndjenjat ia nxiste
Ajo fikte një cigare ndizte një tjetër
Pak fliste më shumë përgjonte
Nuk dihet atë apo njerëzit që kalonin përball saj
Por dikur ajo hapi ombrellën pa thënë edhe një fjalë
Atë e puthiti duke ia vulosur buzët me buzëkuqin e saj
Ndërsa nga pikturimi atij faqet iu dalldisen si flakë
Shumë e ngazëlleu e puthmja e saj
e cila e shtangu në vend atë djalë
Pas pak ai u këndell
shtrëngoi edhe ca kujtimin ndër duar
Lëpiu buzët rrufiti kafen e pastaj edhe ai shkoi…
St. Gallen, 07+07=14 ose 7 korrik 2014.
ECJET TUAJA
Ecjet tuaja të lehta, si flutura në ajër më shfaqen përherë
hapi yt i sigurt vizion tej yjeve si një shkëlqim hënor
rrezaton fytyrën tënde, përfytyrimin e bënë më admirues
kurse një valë ndjenjash përshkojnë zemrën time
Mirëmëngjesi yt në ikje e sipër si purpur
ma ledhaton shpirtin, prush ma ndez zemrën
shkëndija e shikimit tënd që të rrjedh nga sytë
fjongo e flokut të shkon tej reve sipër ylberit harkor
Ti përherë mbjell gëzimin e ditës
kurse arteria e zemrës siklet ka
ecja jote plekson monotonin e ditës
pasi jetës kuptim i jep
shikimi në mua përthyhet si era mbi retë
gjoksin tim e bënë bubullimë që vret
si ajo ëndrra e mërgimtarit
që ka për vendin e vet
Si një i dashuruar marrëzisht në ty
numëroj çastet dhe orët e ditës që po vjen
mëngjesin e purpurt ngazëllimi mbi filxhanin e kafesë
kurse ndjenja ime si cigarishte digjet
në shikimin e blertë mbi ty
Edhe ditët me shi i ngrys pa përtesë
pasi për ty përtesa ka emrin harresë
gjatë - gjatë qëndroj në vendin ku ti fillon
nismën e ditës së re
e ti asaj i jep jetë, krenarinë ta kam lakmi
andaj mbetem i gjallë për ty
Vazhdimisht plekset lodhja ime mbi idealin tënd të fort
ti thua se çdo paragjykim do të gjykohet dy herë
kur braktisë të parën dhe përsëri nis dashurinë e re
Vërtetë i beson idealit tënd e të tjerët të besojnë ty
flatrat tuaja si krahët e zogut në flatërim kërkojnë
hapësirën e re të parën puthje bëre për vete
dhe tjetrën që mua s’ma fale kurrë
Numëroj fjalët premtimet dhe betimin mbi dashurinë
e di se yjet kapin flatërimin e zogut në qiellin e hapur
kurse në terrin e burgët pres shkëndijën e vetëtimës
… sall ta shoh kthimin tënd të vonë…
POLITIKA DHE POEZIA
Si lavirja më tërhoqe pas vetes - Politikë?!
në ty e mbi ty, si kasnec i privilegjuar unë u ndjeva
në Ty i mësova fshehtësitë, metaforat e dredhitë
unë naivi - Politikës kurvë - sekretet ia zbulova
Asnjëherë nuk besova se Ti poezia ime
do më braktisje asnjëherë
e tani ndjehem i vetmuar sikurse i mbeturi në shkretëtirë
ku e rrahin erërat e forta të mbuluara me pluhur
me pluhurin e harresës mungesës dashurisë
Më fal pse të lash të vetmuar, por harruar s’të kam kurrë
u hamenda pas dalldisjeve të At(e)Dheut
e pluhuri i Politikës sytë mi verboi, të dy sytë
andaj kthehu të lutem kthehu Poezia ime se të dua
Kam mall për ty, mall kam e sytë më janë verbuar
sido që të jesh katandisur, s‘të nxora kurrë nga
Dhembja… Poezia ime
CH – St. Gallen, 29 qershor 2014.
TI ME SYTË ZHBIRUES
Ti me sytë zhbirues hyre thellë në zemrën time
Si në shuplakë të dorës nga humnera e shpirtit
Nxore dhembjen time margaritar
E mëkove druajtjen time injorancë shekullore
Që sfidonte përbuzjen nënçmimin e përditshëm
Ti je buzëkuqe që dashuri përherë shpërndan
Ata sy pushtues vazhdimisht ankorojnë
një shpresë të re...
Me buzëqeshje skofiare
Ti e mbulon dhembjen për dashurinë që të mungoi
Por fytyra jote përherë rrezaton shpresë
Çdo ditë mbillet buzëkuqi yt mbi filxhanin e kafesë
E unë si cigarja jote po digjem mbi atë vështrim
Ajo soset pa pra ashtu siç po digjet shikimi im mbi ty
Ndjenjat më janë mbërthyer në pritje të përqafimit tënd
As vapa e këtij muaji më shumë nuk po më përcëllon
Ti për mua je bërë sinonim i shpresës
Natyrisht edhe një inspirim i ri
Me naze parakalon çdo ditë para meje
Kurse ditës gëzim mi jep
Ti që paragjykime tejkalove
Krenari tani po shëmbëllen
Ndërsa drejtshikimi im si vullkan i zjarrtë
po digjet veç për ty
Lozonjare e vërtetë që më je
por secili i admiron hapat tuaj
Sepse Ti i jep jetës buzëqeshje
e dashurisë një frymë(z)im të ri...
Mëngjesi i së shtunës, 28 qershor 2014.
GRATË
Sado që i urrejmë dhe i përqeshim,
Përsëri bijë dhe robër të tyre mbesim!...
NE GJENERATA E SHKRETË
(Monologu: Shpirt Kosova – vdiq, vdiq edhe Mërgim Kosova,
Atdhe Kosova që moti vdiq, vdiq edhe ky... edhe ai...)
U dashtë të vdes e tërë gjenerata
sepse u shuan për Ne të gjitha uratat...
Ne jemi gjeneratë e shkret
Që shkretërisht u mbuluam me harresën
Ne i mbështetem shpresat mbi mjegullën
Dhe ajo një ditë u davarit
Pastaj na thanë jeni letër e djegur?!
Çdo ditë zërat tanë po pakësohen,
E këtë pakësim e përjetojmë ne që po rrallohemi
Jo aq nga mendja sa nga substanca
Kurse në mes nesh ka mbetur vetëm psherëtima
Dhe loti i vakët për Kosovën
Vetëm gotat e zbrazura të rakisë ngrohin shpirtin tonë
Dhe duhma e duhanit bashkë me avujt e alkoolit
që kundërmojnë
Duqe cigaresh gjysmë të djegura në një taketuke
rrinë në mes nesh
Të varfëruar edhe nga shpirti tanimë kemi mbetur
Për tru thatë e ndjenjën e njomë
kjo thuhet e flitet për formën tonë
Neve të pa formësuarëve që mësa druri i thatë
nuk formohemi
As si petëzimet metalike kurrë nuk do të bëhemi
Mjaftë na petëzuan hallet për At(e)Dhéun
përkatësisht për Atdheun
Andaj ne jemi gjenerata e vetme që gëzohemi
kur vdes dikush
Të vetëdijshëm se atij që qe në mesin tonë
i pushoi malli
Po sidomos dashuritë për atdheun, të rrahurat e zemrës
Se sa për vuajtjet tona nuk ka hall më askush...
Ne jemi racë e veçantë
sepse jetojmë me frikën e tmerrshme
Nga rrallimet që po na ndodhin për çdo ditë
këtu në mesin tonë
Po ne jemi po aq të vetëdijshëm
se kemi për t'u harruar, bré të gjithë...
E ne jemi fisnik pasi e dimë se:
Askush nuk qanë bythën për rrallimet tona
E kur funeralin e dikujt për At (e) Dhé,
përkatësisht për Atdhe e nisim
Çehrja blu bie si pikëllimi
mbi fytyrat e zbehura të gjeneratës sime
Sa, as forcë lëvizëse më nuk kanë gjymtyrët tona
ah gjymtyrët tona...
E, turpi ynë, përkatësisht trupi ynë
ka mbetur gjysmë i dehur gjysmë i vrarë
E ne gjenerata e pafat vetëm shikojmë
veten pa pra në sytë e tjetrit
Dhe aty i lexojmë mesazhet, si në kartë të djegur
Refreni “për rrallimet tona” që na përsëritet,
bie sikur orteku nga malet
Uturimë derdhen gotat,
për ta harruar këtë lloj mllefi që vjen nga hallet
Ne nuk kemi trajtë, formën nuk e durojmë
Se jemi tru tharë nuk besojë se pranojmë
Por lëvizim me bastun, tak e tuk, tak e tuk...
jo të kërrusur nga jeta e hallet
Por të përmbysur nga dashuria
për Atdheun dhe Malet
Eh, Malet tona kokën e kanë lart si gjirafë te retë
Vëzhgimi Ynë drejt Ballkanit të pa fre...
Zvicër, 2005.
MALL PËR PRISHTINËN
Në vjeshtën e vonë gjethet përherë nga drunjtë bien
ashtu siç bie pikëllimi i mërgimtarit për ty
as bulevardi nuk do të ketë shkëlqim të nemitur
edhe pse vazhdimisht aty mbetët dikush duke të të pritur
hëna vjeshtake bie në fytyrë e ndalet mbi vetull
qepallat si kapak dritareje mbyllin syrin petull
Eh... kur të kthehesh në vjeshtë
e gjen mërgimtarin e dremitur
udhëve të lashta puthjen duke ta pritur
kalldrëmet janë mbuluar nga gjethet e bruzta
malli dhe jeta e tij janë përplot zbrazëtirë
për puthje të ëndërrta që dikur i përjetonte
veç në Prishtinë...
EJA NË PRISHTINË
Ti më the eja në Prishtinë
Se vajin tënd në këngë do ta kthej
E mallin si lotin bashkë do ta përpijmë
Eja, se shtëpi e Zot në Prishtinë i ke
Shelgut vajtonjës degët i ranë mbi tokë
Është malli për ty që nuk ngryset dot
Eja në Prishtinë lum mërgimtari
Se rrudhat e mërzisë ta kanë vyshkur ballin
Eja në Prishtinë në këtë dimër me borë
Sall një kafe ta pimë e pastaj shko
Eja të lutem pash ditët e mërgimit
Të kalojmë natën gjer në zbardhje të agimit
Eja të lutem sall për dashuri
Malli për Prishtinën ka rënë mbi ty
Kthehu të lutem hiç mos ngurro
Se vitet e shkërmoqura veç unë t’i rinojë…
15 janar 2015.
SOT NË DITËLINDJEN TËNDE
Sot, në kalendarin historik
është e shënuar ditëlindja jote kur ke le…
natyrisht edhe në zemrën time që mbetesh e re
kujtimi për ty mi freskon ato ditë hareje
atëherë kur mbi bulevardin e qytetit shëtisja pran teje
Sot, lule për ditëlindjen tënde nuk mund të të bie
janë vetëm pëshërtima dhe vargje me mallëngjim
sikurse poezia e jote që më mbeti premtim.
Jam në kërkim të Luleborës që ti e admiroje
dikur në Malin mbi Prishtinë shumë më premtoje.
Por ky dimër me kaq inat, shumë d‘borë ka sjell
medet, medet as sythi i Luleborës akoma s‘paska qel,
veç ky varg i dëshiruar nga mendja del.
Ooo, më fal se po të vonohem edhe sot?!,
Jo, nuk vij dot pa Luleborën që ti e adhuron.
Me mendje të jam afër edhe pse larg vegjetoj
vargu për Luleborën shpirtin më pushton
tejpërtej ëndrrave dhe fjalës tënde të prehtë.
Sharmante, ecjet krenare dhe arritjet tua
është poezia e bukur ajo që më bëri të të dua…
Sot nuk vijë në këtë ditë të gëzuar
edhe pse më the “Eja në Prishtinë se shumë të dua!“,
oh… sa mëkat është… nëse kafen e pinë pa mua?!
Sot, në ditëlindjen tënde unë do të mungojë…
Ashtu siç të mungon Lulebora e Malit mbi Prishtinë.
Por, SONTE do të vijë ndër ëndrrat tua që shumë t‘i dashurova
do t’i përkëdhel flokët e shprishura dhe premtimet e trazuara
Lulemendjen e Luleborën dhe poezitë që shumë t‘i dua!....
(E shkruar më 22 shkurt, Shekulli i kaluar, kur ishte një ditëlindje e caktuar!)
MALL EROTIK
Kam mall të shkojë në shtëpi publike
Aty të puth e dashuroj të gjitha laviret
Epshet e mia të dehura ti çliroj
Mbi vashat e shtrira të puth e dashurojë
Lakuriqësinë time shpirtërore ta dëfrej në pakufi
Marrëzirat e kresë të shprush si puplat e bibanit
Sepse jam dibran dhe babë i dibranit
Dua të kthej ndjenjën dhe dashurinë që më ka braktisë
Dhe më me përkushtim ti qasem i vetmuar vetmisë
Dua të të puthë e lëpijë si vargun erotik
Sa herë më shkon mendja trishtimi në panik
Dua të ec karshi rimës që më ka braktisur
Të kthej vetveten tek dashuria si një metaforë e ikur
Vargje të dhembshme siç qëndiset një mozaik lirie
Të shkruaj elegji të trishtëta në shenjë dashurie
Të kthej si i dehuri në pellgun e poezisë
Të gjithë duhet ti besojmë mëkatit dhe shpirtit të dëlirë
Jam i pafajshëm dhe krejt çilimi
Betohem mbi arkivolin e dhembshëm me emrin poezi
Veçse mi ka pushtuar ndjenjat lavirja politikë
Prandaj aksidentalisht më ndau nga ty e dashura poezi
St. Gallen, 20.02.2016
U BËT KODËR MBI KOSOVË
Ilaz Kodrës dhe Antigonë Fazliut
“Biro kudo nëpër Drenicë
ku ka lule ka rënë një dëshmorë, sepse
ajo tokë është e mbuluar sall me Heronjë”
(Amaneti i babait Rifat D. vrarë më 18 prill ’99)
Eu Ilaz Kodra u bëre kodër mbi Kosovë
Trupi yt po thellohet bashkë me rrënjët në këtë tokë
Shtatorja jote si lisi shtatgjatë yjet i përqafon
Antigonën as graviteti nuk e ndalon
Emri i saj me Flamurin lart po valëvitet
Si ylberi mbi Kosovë Liria po rritet
Dashuria për këtë tokë e preku zenitin
Kujtimin për dëshmorët vitet se venitin
Portreti i tyre sot shndritë mbi Drenicë
Flijimi për Atdheun ishte sakrificë
Si ortek lotët rrokullisen nga malli
Për legjendën e kësaj toke Ilaz Komandantin
Nga ilegalja doli drejt në luftë
Nga lufta flatroi lartësive të atdheut
Komisar e komandant shqiptari
Ku bëhej një betejë ai ishe i pari
Drenica ka trima, ka edhe Antigonë...
Aty ku qel një lule ka rënë një dëshmorë
Bashkë me kullat është bërë historia
Me U Ç K -në erdhi P a v a r ë s i a . . .
Kujdesi për dëshmorët mbetet obligim
Malli për Ilazin shtegton në mërgim
Krenarja dhe Kosova po Ju nderojnë
Shoqet e Antigonës vazhdimisht theksojnë
“Ilaz Kodra, për UÇK-në ishte një fuqizim
Tani në L i r i, fitore dhe frymëzim”!...
Zvicër, 20 tetor 2014.
SHËN ISAI
(Shokut tim të klasës dhe zimerit, Inxhinier Isa Istogu,
vrarë më 24 maj 1999, në Luftën e Kosovës)
Më fal miku im më falë
Se sot qava shumë për ty
Kujtimet më kthyen në atë kohë
Kur jeta jonë dremiste pran varrit
Të mbaj mend miku im të mbaj
Kur si flutur mbi lule mblodhe dashurinë
U bëre zog me flatra në fluturim
Gazmor ishe urtësinë e kishe parim
Jeta është sfidë më thoshe atë duhet fituar
Nëpër net të zymta e ca të lumturuara
Si askush tjetër mësova nga aspirimi yt
Drejt majave atëherë në themelet e Lirisë
Më i urti për atë zë që të dashuronte
Po dashuria kujdesin e ka virtyt
Ylber me ngjyra shndrisje mbi nurin tonë...
Mirësinë e humanizmin kishe parim
Soditje rrethin për shoqërinë një fanar
Nuk u ankove asnjëherë për vështirësitë që të dolën
E dije Ti, e dije se udha të shpjerte në LIRINË e dashuruar
Atë që solle në Drenicë e Kosovë...
Ishte vet Dashuria, synimi e përcaktim Yti,
sa i lumtur që dukeshe
Pa e ditur ne se buzëqeshjen tënde
do ta ndaloj një breshëri
E dhembja ra mbi tërë Drenicën,
mbi Kozmaç e në Polluzhë
Veçmas kur nxënës e fëmijët buqeta me lule
të vënë përmbi
Eh Drenica vend i martirizuar
shënjoi edhe një martir atë ditë
Kurse emri i prof. “Shën Isait!” tek Zotat shkoi!
Zvicër/St. Gallen, 31 gusht 2014.
N A – R R A – T I V E
(Shkrimtarit Nazmi Rrahmani)
Rrëfimtar lindur prej Zotit
i pe vuajtjet tona si dhembje të motit
Lokja urimin qysh në djep ta dha
hapëro kujdesshëm nëpër këto anë t'Llapit...
e Ti me urtësi i kapërceve edhe luftërat ideologjike
sfida të shumta jetësore
prej ëndërrash të purpurta
Mbi gjithë ato paragjykime
këtë vend mbi vobektësi e bëtë
dhe një fjalë amanet e mbollët
“Pas vdekjes” kthjellon L I R I A . . .
Librin e bëtë ninullë për t'u edukuar fëmija
se vet ishe ara ku pjellëronte bagëtia
ishe fushë me lule ku mbushullonte dashuria
madje dhe pyll ku ulërinte dhe egërsia
fyelli i bariut ndër male me blegërimë të lirisë
ishe vet lumi që rrjedh drejt ardhmërisë
Ishe ëndrra jonë për shpresën e re
lumi që ecën rrjedhës së vet
dhembjet i mëkove në ditët e vështira
atëherë kur inskenohej pabesia
kur luftë klasash bënte ideologjia
kur shtriganë gëlltitën dashurinë
kur njëri tjetrit ia kafshëronin njerëzinë
kanibalët që përlyen plisin tonë
kur dija fliste me gjuhë sopate
e thika topitej nëpër mishërat tanë
shekujve të ftohtë mbi Atdheun e mjerë
Shqetësimi Yt nuk pushoi kurrë
anise mbi Malin e Shtedimit
veç diell të lindur ka
për fushën e blertë të Llapit
aty ku ardhmëria shihej në sy
e bukuria e fjalës mbështetej mbi urtësinë
Trishtimin magjik në zemër të nënës
e në rrudhat e shpirtit të babait
e përjetësuat Atdheut me këngë e fjalë
duke dhënë shpresë
me inicialet N.RR.
“NA” me ty edhe kurë na “RRA”-hën
tham urra bre burra
se fjala e mendjes ka dalë nga këto gurra
e tutje është shtrirë tokës pjellore
me duar prej brenge me halle njerëzore
ishe ti burrë si zë Na Rra-tiv
atëherë kur ishe djalë i njomë
kur dhëndërr “Malësorja” të futi në dhomë
Rruga drejt shtëpisë ishte vet Shtëpia jote
me emrin Kosovë
Ne kaluam bashkë
me tragjeditë e përjetuara
nga “Kthimi i njeriut të vdekur“
te “Toka e përgjakur”
Plaga e jetës sonë
si vargmale
si fusha
si uji
thellë e më thellë
përjetohej ndjenja e vargut magjik
edhe atëherë edhe tash
kur bukuria shëmtohej me kamxhik
Atëkohë dalja në derë të kushtonte me kokë
nga kosa e kostarëve komshijë
bisha me brirë që i rrisnin hallet tona
ndërsa duart tuaja prej brenge
e shkruanin historinë
nëpër shpirtin e përvuajtur
të nanave tragjike
të babait kur e rrëzuan për tokë
ishe loti i vajzave sorkadhe
që vajtonin vëllezërit ndër beteja
gjersa thinjat e flokut sa herë i u ranë
Të mos bredhim në pakthim
se ti o miku im Na-Rra-tiv
rrëfimin e bëre nocion të jetës
histori e ndodhur mbi truallin tonë
nëpër brirët e kohës u ngjite lartësive
në kujtimin tim dhe të kësaj historie...
Askush nuk jetoi këtë botë ma me dashuri
se rrëfimi yt kur u lexua nëpër shkolla
askush nuk lë mbrapa kaq ardhmëri
sa “Malësorja” që u bë motiv i jetës
dhe tabela te “Rruga e shtëpisë sime”
shkëlqim tu bë edhe “Tymi i votrës së fikur”
vatër që nuk u shua kurrë
kuurrë... kuuurrë... kuuuuuuurrë...
Atëherë kur Na Rra-hën me kamxhik
Ti - durimin na predikove si shkollë
dashuria për Llapin balsam t'u bë
sa vet historia mbi këtë Dard(h)ani
Në Kosovën tonë të Re
rrëfimi Yt NaRRa-tiv mbetet
si përditshmëri vuajtjesh
me plot dashuri
CH - St. Gallen, 19.07.2015.
MALLI PËR TY
Oh sa kam mall me të parë
Më behet sikur shekujt pa dashje na kanë ndarë
Sikur ortek bore
Rëndë si malet, bien mbi ne kujtimet e paharruara
Kurse tallazet e detit ngritën si ndjenjat e mia
Por janë valët që sjellin fatin e përmbytur si shpërblim për Ne
Unë poeti jam mërzitur sa më duket se shekujt na kanë ndarë
Kurse dëbora e re që po vjen më bënë me zemër të ngrirë oh të ngrirë
Po je ti Poezia ime qe më shpie drejt frymëzimit të ri
E mallin akull që ndjej për ty, veç pranvera e shkrin!!!!
St. Gallen, 27.10.2015
TRE MËRGIMTAR
Sipas Skënder Rusit
Një mërgimtar. Një grua. Dhe biri i tyre i mërguar.
Një platformë. Një kujtim. Një pritje për kthim!
Një tren që (s)po nisej. Një çun që nuk shihej,
Një natë. Një platformë. Një pritje!
Pas një viti përsëri në atë platformën gri.
Një burrë i moshuar. Një grua në moshë. Një çun që mungonte.
Një tren që nuk kthehej. Një mall që përthyhej,
Mall që mbeti legjendë për syrin e verbër!
Në vjeshtë, zakonisht kthehen mërgimtarët.
Në platformë një plak. Një... krejt i vetmuar.
Ai priste të shihte një tren duke u nisur.
Drejt Atdheut që e kishte braktisur!...
St. Gallen, 29.03.2016
WHISKY…
Çdo ditë në ora 6:00 me një gotë Whisky
e nis mëngjesin e ri, një cigarishte dhe kafen përbri.
Ritual përditshmërie i është bërë Whisky një mërgimtari?!
Thotë: “Whisky mi redukton dhembjet që i shkakton mërzia,
më heq mallin që bie si rrufe në qeniet e mia.
Whisky, më jep shpresë për një copë varr, atje në Ballkan
atje ku prehen ndjenjat e mia bashkë me trupi tim thatan”.
Whisky, sforcon zemrën nga pagjumësia
bënë ëndrrat e trishtëta për t’i harruar
dhe dashurinë në një kohë të shkuar për ta kujtuar
I thotë studimi që si ritual Ai ia bënë vetes.
Vetëm me Whisky pakëson rrahjet e zemrës
shok e ka bërë për të stimuluar shpresën
dhe me të për ta mbytur harresën.
Siç thotë: Prandaj pi e pi deri në marrëzi?!
T’i harrojë pabesitë në kokë që sillen vërdallë?!
andaj Whiskin e kam bërë shok të gjallë...
Nuk e di nëse ju keni provuar të pini Whisky
pikërisht në ora 6:00 të mëngjesit?
Pastaj nëse keni vënë re me sa saktësi
s’ka më vuajtje, madje as xhelozi
në kohën kur “deti kos të bëhet?!”
Po e vërteta është se me një gotë Whisky
ka më pak dhembje në qafë, në shpatulla, në kraharor
kudo në kyçe të duarve të këmbe të mendjes
e po ashtu edhe në Zemër...
Oooo pine një Whisky në mëngjesin e ri
nëse dëshironi e mira të ju vjen fill pas tij!...
Padyshim, vetëm Whisky, nga mendja t’i heq ngatërresat
Ai dhe vetëm Ai, të disponon për ditën e re
Prandaj, në ora 6:00 konsumoni një Whisky,
Gjithsesi para se të shkoni në punë,
nëse dëshironi që të keni një ditë të mirë
dhe në shpirt një çikëz lumturi!...
Kurse At-Dhéu... le të mbetet brengë e përhershme!...
CH - St. Gallen, 23 janar 2015.
DËSHPËRIM...
Jam lodhur nga hipokrizitë e miqve
Trishtimi më ka mbërthyer në fyt
Zhgënjimi më ngulfat frymëmarrjen
Pres rrokullisjen e ditës në muzgun e pafund
Për çudi ndjehem i qet vetëm kur terri më kaplon
Nuk duroj fytyrë zinj, me ankth pres ditën që lind
As hileqaret, rrenacakët e lajkatarët nuk i durojë,
Aq më pak smirëzinjtë, harraqët, kërriçet e viçet
Dua të shkoj në pus të pafund
E të mos kthehem më kurrë
T’i takoj tradhtarët që shtiren patriot
Dhe kriminelët që simulojnë engjëjt...
Nuk dua të takojë zuzar e lajkatar
Të cilët gropën pas shpine ta bëjnë
Jo, nuk plaket dita me demagog
Andaj dua të ik në fund të pusit, atje thellë...
St. Gallen, 21 shtator 2016.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen