SIMBOL I LUFTËS PËR LIRI
DHE BASHKIM KOMBËTARË
Nga Dr. Riza Sadiku
Xhemë Hasë - Gostivari është njëri ndër personalitetet më të dalluara të historisë sonë kombëtare, i cili pa rezervë e përkrahu dhe i ndejti besnik platformës së Ballit Kombëtar, për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të natyrshme etnike shqiptare; për realizimin e saj, bëri rezistencë të vendosur me armë në dorë deri në momentin e fundit të jetës së tij. Për realizimin e synimeve të lartcekura tregoi aftësi të larta strategjike, politike dhe organizative si komandant, strateg dhe udhëheqës i shkëlqyer në organizimin dhe udhëheqjen e njësive të Ballit Kombëtar, duke u treguar i pathyeshëm kundër ideologjisë komuniste dhe i pamposhtur në të gjitha fushëbetejat kundër hordhive çetniko-fashiste dhe njësive sllavo-komuniste gjatë viteve 1941 -1945.
Xhemë Hasa lindi në fshatin Simnicë të Gostivarit në vitin 1908. Rrjedh prej një familjeje me tradita kombëtare, e cila u dëshmua edhe gjatë luftërave ballkanike, duke i bërë rezistencë ushtrisë serbe gjatë ripushtimit të territoreve shqiptare. Sikurse tërë populli shqiptar që ishte i pakënaqur me rezultatet e Konferencës së Londrës, edhe Gostivari me rrethinë e ka përjetuar rëndë këtë ndarje, por kurrë nuk janë pajtuar se kjo ndarje do të ishte e përjetshme. Xhema si fëmijë duke dëgjuar bisedat nëpër odat e burrave dhe familje të ndryshme për torturat dhe masakrat që ka përjetuar populli shqiptar në këtë anë gjatë pushtimeve dhe regjimeve sllave, në luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore, prej asaj kohe frymëzohet me ndjenjat e atdhedashurisë dhe urrejtjen ndaj regjimeve të huaja diskriminuese.
Xhemë Hasa, si i ri duke i përjetuar rëndë padrejtësitë dhe shtypjen nacionale ndaj popullit shqiptar nga regjimi i Beogradit, gjithnjë e më tepër frymëzohet për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria kolonizuese sllave.
Në vjeshtë të vitit 1935, Xhemë Hasa i quajtur shpesh në popull edhe Xhemë Simnica, shtypjen dhe varfërinë sociale që e përjetonte populli shqiptar në këtë kohë, e përjetonte edhe familja e tij, gjendjen e së cilës edhe më tepër e rëndonte regjimi i kohës përmes tagrambledhësve. Një ditë, xhandari famëkeq serb, për shqiptarët i njohur në këtë anë për terrorizimin e tyre gjatë mbledhjes së taksave, ia bën me dije të ëmës së Xhemës, se “Nëse nuk keni para të shesi Xhema dukatin e bashkëshortes”. Porosia e xhandarit shkon në vesh të Xhemës, dhe brenda 24 orëve Xhema ia pagon tatimet policit një herë e përgjithmonë me plumb në ballë. Pas këtij rasti Xhema largohet për në Shqipëri dhe vendoset në Elbasan. Në mungesë të Xhemës, regjimi serb si kundërmasë ia shpërngul familjen për në Turqi, si të rrezikshëm dhe të papërshtatshëm për pushtetmbajtësit. Rrugës për Turqi, me intervenimin e disa shqiptarëve në Selanik, familjen e Xhemës e vendosin në Elbasan.
Gjatë kohës së qëndrimit të Xhemës në Shqipëri në vitet 1936-38, situata politike në Shqipërinë e Jugut përkeqësohet për shkak të pretendimeve greke për krijimin e Greqisë së Madhe. Për mbrojten e territoreve shqiptare formohen çetat vullnetare. Në mesin e vullnetarëve për mbrojtjen e atdheut paraqitet edhe Xhemë Hasa-Gostivari me dy vëllezërit e vet. Ndërkohë Xhema themelon njësinë e vet vullnetare; gjatë luftimeve për trimërinë dhe artin luftarak që tregon kundër forcave greke për mbrojtjen e atdheut, më 28 nëntor të vitit 1937, Komanda e Lartë e Ushtrisë Shqiptare, e shpërblen Xhemë Hasën me gradën e kapitenit të klasit të parë.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore Xhemë Hasë Gostivarin e gjen në Shqipëri. Me shkatërrimin e Jugosllavisë monarkiste në prill të vitit 1941, Xhemë Hasa në maj po të atij viti kthehet me familjen në vendlindje. Me t’u kthyer në Gostivar, strukturat e qytetit të asaj kohe, e emërojnë përgjegjës në burgun e Gostivarit. Për shumë qytetarë kjo detyrë, në krahasim me aftësitë dhe autoritetin që kishte Xhema në popull, ka qenë fyese, por Xhemë Hasa e pranoi me vetëdije, duke patur qëllime tjera, të cilat i realizon në mars të vitit 1942, kur i liron të burgosurit politikë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe Shetki Përshevcën nga rrethi i Tetovës. Me këtë rast, Xhema me një numër të burgosurish arratiset në mal, duke themeluar njësinë vullnetare, fillimisht prej 37 vetash. Me rastin e largimit nga burgu Xhemë Hasa lë një letër në derën e burgut, në të cilën në mes tjerash shkruante:
"Dalja ime në mal ka për qëllim mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar, pasi gjer më tani kemi luftuar me vite të tëra dhe tani ka ardhur koha me pushkë në dorë të luftojmë fashizmin për të krijuar Shqipërinë e Lirë Etnike".
Letra e Xhemë Hasë Gostivarit pati jehonë të madhe, jo vetëm në popullatën vendase, por edhe më gjerë; ajo i shqetësoi edhe pushtuesit italianë, të cilët kanë ditur për trimërinë dhe vendosmërinë e Xhemës. Fjalët e shkruara Xhemë Hasa i bëri realitet në fillim të vitit 1943, kur njësiti i tij ndërmerr një aksion kundër ushtrisë italiane në relacionin Gostivar- Tetovë, ku u shkaktojnë dëme serioze në njerëz dhe armatim.
Dalja në skenë e Xhemë Hasë Gostivarit i shqetëson edhe komunistat maqedon dhe ata shqiptarë. Për këto arsye me iniciativën e Ahmet Perës vendosen kontaktet me Xhemë Hasën, me qëllim të zhvillimit të një lufte të përbashkët kundër regjimit fashist italian. Në bazë të deklaratës së Ahmet Perës, takimi me Xhemën është mbajtur në territorin e Banjicës së Epërme, në të cilin janë pajtuar për një luftë të përbashkët me komunistët kundër regjimit fashist italian. Nga kjo marrëveshje, Xhemë Hasa nuk ka pritur ndonjë sukses spektakolar, pasi e ka ditur se komunistët shqiptarë nuk luftojnë për çlirim kombëtar dhe bashkimin e Shqipërise Etnike. Takimin tjetër Xhemë Hasa me Ahmet Perën e pati në shtëpinë e vet në Lagjen e Re të Gostivarit, ku në atë rast deklaron:
"Jam kthyer përsëri në vendlindje për të luftuar kundër komunistave maqedon të cilët nuk luftojnë për të mirën e shqiptarëve, andaj nuk mundem t'i tradhtoj shokët. Si çdo popull, ashtu edhe maqedonët që luftojnë për të mirën e kombit të vetë, edhe ne duhet të luftojmë për të mirën e kombit tonë, prandaj jemi për bashkëpunim por me qëllime të qarta dhe pa prapavijë".
Duhet theksuar se Xhemë Hasë Gostivari edhe pse ka qenë strateg dhe luftëtar i rreptë në fushëbeteja, në shpirt ka qenë parimor, tolerant dhe demokrat; ai nuk ka urrejtë popujt tjerë, por regjimet dhe politikat shtypëse. Kur ka qenë në pyetje lufta vllavrasëse në mes të shqiptarëve, Xhemë Hasa ka qenë në gjendje çdo herë të bisedojë me komunistët për një luftë të përbashkët, por jo në dëm të çështjes kombëtare. Me këto qëllime Xhema pranon të bisedojë edhe me Tomë Gjelajn, komunist nga Shqipëria i cili luftonte në kuadër të aradhave maqedone. Por pas të gjitha përpjekjeve që u bënë në këtë drejtim, bisedimet perfundojnë pa sukses, pasi komunistët shqiptarë nuk luftonin për çlirim dhe bashkimin kombëtar të trojeve etnike, por për "vllazërim-bashkim me sllavët".
Të gjitha dilemat për një luftë të përbashkët me komunistat i hoqi prishja e Marrëveshjes së Mukjes në gusht të vitit 1943, nga ana e komunistëve të Shqipërisë të dirigjuar nga Beogradi, të cilit në shtator të vitit 1943 dualën haptazi përmes dekreteve dhe proklamatave kundër Ballit Kombëtar, duke e akuzuar, etiketuar dhe njollosur me të gjitha epitetet antikombëtare në shtresat e gjëra të popullit shqiptar, se gjoja Balli Kombëtar qe shkaktar i prishjes së Marrëveshtjes së Mukjes, dhe se nuk është për bashkëpunim për një luftë të përbashkët.
Xhemë Hasa Gostivari, pas prishjes të marrëveshtjes së Mukjes në vitin 1943, shkon në Tiranë dhe kontakton me kryetarin e Ballit Kombëtar Mid'hat Frashërin, për të marrë sugjerime lidhur me veprimet e mëtejme në rrethanat e krijuara. Gjatë bisedimeve, Mid'hat Frashëri e këshillon që në të gjitha vendbanimet shqiptare të forcohen dhe të rriten formacionet e Ballit Kombëtar, të luftojnë jo vetëm kundër fashizmit, por edhe komunistave shqiptarë, maqedon, serb dhe ndaj të gjithë atyre që e rrezikojnë popullin shqiptar, të jepet maksimumi për bashkimin e shqiptarëve duke propaganduar Dekalogun e Ballit Kombëtar, si dhe të formohen grupe të posaçme për faljen e gjaqeve.
Udhëzimet e Mid'hat Frashërit, Xhemë Hasa Gostivari i zbaton me përpikëri, përmes udhëheqësve të qendrave të rezistencës të Ballit Kombëtar në Maqedoni. Në Kërçovë udhëzimet e Mid'hatit, Xhema i realizon përmes udhëheqësve të Ballit Kombëtar: Mefail Shehut, Mefail Mehmetit të quajtur Zajazi, Begzat Vulit, Medin Letnikut, Ramazan Dalipit, Sulçe Sadikut-Aranjellit, Halim Sali Razhës, Abib Kaleshit etj., në Strugë përmes: Nazim Tateshit, Faik Dobovjanit, Murat Labunishtës, Lekë Margjinit, Mentor Çukut, Beqir Agës, Hysni Demës etj., në Dibër përmes: Ukë Camit, Riza Drinit, Osman Piperkut, Miftar Kaloshit, Ali Maliqit, Sabri Maqellarës Azis Kaloshit, Zejnulla Ballancës etj., në Gostivar përmes: Aqif Reçanit, Kadri Saliut, Xhevat Kallajxhiut, Mustafë Tërnicës, Loke Lakovicës, Imer Sermnovës, Selim Nezirit etj., në Tetovë përmes: Shaip Kamberit, Xhafer Sulejmanit, Arif Kapetanit, Gajur Derrallës, Zyrap Hasanit, Hysen Derallës, Hafez Xhemail Efendiut, Shefket Pershevcit, Idriz Idrizit etj., në Shkup përmes: Shaip Mustafës, Qemal Rustemit, Jahja Osmanit, Abdulla Musliut, etj., në Kumanovë dhe Karadak përmes: Sulë Hotit, Sadik Llojanit, Selman Idrizit, Refik Shaqirit, Ali Stanecit, Ajet Rainces, Abdul Durës etj. Po ashtu duhet theksuar se Xhemë Hasa Gostivari përveç me personalitetet e lartpërmendura, për çlirim dhe bashkim kombëtar ka bashkëpunuar ngushtë edhe me Molla Idriz Gjilanin.
Në situatën e krijuar, Xhemë Hasë Gostivari jo vetëm që e intensifikon bashkëpunimin me personalitetet e dëshmuara të rezistencës kombëtare përsa i takon masovizimit dhe përforcimit të njisive të Ballit Kombëtar, por ndërmerr iniciativa edhe në përforcimin dhe krijimin e strukturave ushtarake udhëheqëse të Ballit Kombëtar. Për realizimin e synimeve të lartëpërmendura, gjatë kësaj kohe në Malin Sharr mbi Tetovë mbahet Kuvendi Qendror i njësive të Ballit Kombëtar, në të cilin marrin pjesë këto personalitete të shquara kombëtare: Xhemë Hasa Gostivari, Mefail Shehu, Mefail Mehmeti-Zajazi, Arif Dragomanci, Sylë Hotla, Mulla Idriz Gjilani, Hajez Xhemail Efendiu, Shaip Kamberi, Abaz Abazi, Gajur Deralla, Vehap Lushi, Kadri Saliu, Jusuf Kuliku dhe Xhevat Kallajxhiu.
Në këtë Kuvend themelohet Komiteti Ushtarak dhe merren këto vendime:
l. Komandant i përgjithshëm emërohet Xhemë Gostivari, zëvendës Arif Kapetan Tetova.
2. Të mbrohet me luftë çdo pëllëmbë toke nga të gjitha forcat antishqiptare.
3. Të çlirohet Shkupi, të ngrihet flamuri kombëtar dhe të shpallet kryeqytet i Shqipërisë.
Xhemë Hasë Gostivari për shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore, të cilët kanë luftuar për çlirirn dhe bashkim kombëtar, nuk ka qenë vetëm organizator, udhëheqës shpirtënor, strateg dhe ushtarak, por edhe pjesëmarrës i drejtpërsëdrejt në fushëbetejat më vendimtare në momentin dhe në kohën e duhur, të cilat janë zhvilluar prej Struge e deri në Karadak, në mes të njësive të Ballit Kombëtar dhe atyre sllavo-komuniste, dhe gjithmonë duke iu falënderuar vendosmërisë dhe strategjisë luftarake të udhëhequr nga Xhemë Gostivari me komandantët e vet, ka triumfuar ndaj kundërshtarëve, pa marrë parasysh forcat, numrin dhe pozicionet e tyre.
Xhemë Hasa Gostivari, përveç që ka marrë pjesë thuajse në të gjitha aksionet dhe luftimet në Gostivar me rrethinë, në tetor të vitit 1943, me Aqif Reçanin dhe Mefailat e Zajazit merr pjesë në luftimet e ashpra të cilat zhvillohen në mes të njësive të Ballit Kombëtar dhe forcave partizane në Dibër, ku njësitë partizane shpartallohen nga forcat e Ballit Kombëtar. Po ashtu, në të njëjtën periudhë kohore të vitit 1943, derisa Mefailat e Zajazit dhe Xhemë Gostivari me një pjesë të ushtarëve të tyre kanë luftuar në Dibër, njësitë partizane e sulmojnë Kërçovën nga dy anë, prej Brodit dhe Malit Bukoç, duke i futur forcat e Ballit në gërshërë. Me të marrë lajmin për këtë sulm, forcat e Xhemës dhe Mefailave me shpejtësi kthehen nga Dibra duke i sulmuar në befasi forcat sllavo-komuniste në Malin e Bukoçit, ku në fushëbetejë u mbetën të vrarë jo vetëm një numër i madhe ushtarësh, por edhe një numër i udhëheqësve, në mesin e të cilëve edhe Tomë Gjelaj.
Gjatë vitit 1943, sidomos gjatë vitit 1944 kur lufta në mes njësive të Ballit Kombëtar dhe njësive partizane arriti kulmin, Xhemë Hasa Gostivari, sipas kërkesave të kohës me udhëheqësit e rezistencës kombëtare gjendej në ballë të fushëbetejave në çdo territor të rrezikuar nga forcat komuniste. Xhema, përveç luftimeve që mori pjesë në Dibër, Kërçovë, Malin Bukoç, Mavrovë, Gostivar me rrethinë, gjatë viteve të lartpërmendura mori pjesë në luftimet e ashpra që u zhvilluan në Tetovë me rrethinë, si në Malin e Thatë, Malin Sharrë, Bogovinë, Grupçin, Zhelinë, lumin Treska, Sllarevë, Derventë e tjera fushëbeteja. Kurse në rrethin e Shkupit, Xhemë Hasa mori pjesë edhe në luftimet e rrepta që u zhvilluan në Saraje, Matke, Tasion, (të cilin vend më vonë regjimi komunist e emërton Gjorçë Petrov), Nikushtak, Brezë e tjera beteja. Sipas shkrimeve të dr. Vebi Xhemailit, Xhemë Hasë Gostivari me Mefailat e Zajazit, Sulë Hotlen, Arif Kapetanin, si dhe me ndihmën e Abdul Durës dhe Hamit Krujës në fund të shtatorit të vitit 1944, pas luftimeve të ashpra që janë zhvilluar në rrethin e Shkupit kundër forcave sllavo-komuniste e marrin Shkupin dhe te Ura e Gurit në qendër të qytetit ngrejnë flamurin kombëtar. Gjatë luftimeve për marrjen e Shkupit në mes të tjerëve dëshmorë të kombit bien edhe disa udhëheqës të njësive të Ballit Kombëtar si Kadri Azemi, Ferit Aliu nga fshati Dobrosht dhe Sulçe Eminin nga fshati Nerasht të Tetovës.
Xhemë Hasë Gostivari, gjatë vitit 1944, së bashku me Sylë Hotlin dhe Molla Idriz Gjilanin kanë marrë pjesë në luftime të ashpra, jo vetëm kundra forcave komuniste partizane, por edhe kundër njësive çetnike serbe dhe profashiste bullgare në rrethin e Kumanovës dhe Karadakut.
Të gjitha ofensivave të njësive sllavo-komuniste të ndërmarra gjatë vitit 1944 kundër njësive të Ballit Kombëtar, Xhemë Hasa Gostivari me udhëheqësit e vet u bënë ballë deri në fund të nëntorit, duke korrur fitore ndaj tyre në të gjitha fushëbetejat, por me hyrjen e brigadave partizane komuniste të Shqipërisë me dinakërinë qëllimkeqe të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në territoret e Maqedonisë perëndimore, për mos me ardhë deri te lufta vëllavrasëse me përmasa të mëdha në mes të popullit shqiptar, qendrat e rezistencës kombëtare fillojnë gradualisht të shuhen me dorëzimin në besim brigadave shqiptare të një numri të konsiderueshëm të luftëtarëve të Ballit Kombëtar; një pjesë e lëshojnë vendlindjen dhe emigrojnë në vende të ndryshme të botës, kurse një numër më besnik i luftëtarëve të Ballit Kombëtar iu bashkangjitën udhëheqësve të tyre dhe dolën në mal për të vazhduar rezistencën kundër regjimit komunist në vitin 1945. Në mesin e atyre që vazhduan rezistencën për idealet kombëtare ishte edhe udhëheqësi i Ballit Kombëtar në Maqedoninë perëndimore, Xhemë Hasë Gostivari, i cili me një grup të vendosur ballistash luftoi kundër regjimit komunist deri më 15 maj 1945, kur e vrau me tradhti OZNA maqedone nga dora e shqiptarit në malet e Sharrit.
Xhemë Hasë Gostivari, udhëheqësi shpirtënor i Ballit Kombëtar në Maqedoninë Perëndimore, luftoi kundër të gjitha regjimeve, gjatë tërë jetës së tij për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke flijuar edhe jetën në altarin e lirisë për realizimin e idealeve kombëtare dhe jetësimin e platformës të Ballit Kombëtar. Si i tillë, për popullin shqiptar në Maqedoni u bë shembull dhe frymëzues i atdhedashurisë dhe sinonim i rezistencës kombëtare, kurse për mbarë popullin shqiptar, identifikues i shqiptarëve të Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë trojeve etnike.
Historiografia komuniste, veprimtarinë kombëtare të Xhemë Hasë Gostivarit jo vetëm që e ka margjinalizuar, por e ka etiketuar me të gjitha epitetet antikombëtare, ashtu si e ka patur traditë t'i etiketojë të gjitha fytyrat më të ndritura të kombit shqiptar. Me rënien e sistemit komunist, përmes fejtoneve dhe disa botimeve të veçanta opinioni i gjerë shqiptar ka filluar të njihet me personalitetet e mirëfillta kombëtare, në mesin e të cilëve edhe me veprimtarinë kombëtare të Xhemë Hasë Gostivarit.
Andaj, studiuesve shkencorë në të ardhmen u mbetet obligim moral dhe kombëtar, që personalitetet e mirëfillta kombëtare të popullit shqiptar në baza shkencore dhe faktografike, t'i nxjerrin në dritë dhe, sipas meritave të zënë vendin në historinë e popullit shqiptar, në mesin e të cilëve edhe Xhemë Hasë Gostivari.
Huazuar nga ZEMRASHQIPTARE.NET
Huazuar nga ZEMRASHQIPTARE.NET
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen