Freitag, 21. Juni 2013

Kadri Zeka

Kadri Zeka
1953 -1982

Kadri Zeka lindi më 25 prill të vitit 1953 në fshatin Poliçkë, Malësia e Hogoshti-t. Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan dhe këtu mbaron shkollën e mesme. Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, dega e gazetarisë. Më 1973 Kadri Zeka u takon radhëve të organizuara të "Grupit revolucionar". Ishte në një celulë me dëshmorin Rexhep Mala, Hilmi Ramadanin e Hydajet Hysenin. Fillimisht Kadriu ka qenë anëtar i celulës, kurse pas arrestimeve të vitit 1974 dhe 1975 të anëtarëve të Grupit Revolucionar, Kadriu kalon në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës), në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij. Ndërkohë punon si gazetar në radio Prishtinë. Kadri Zeka ka qenë shumë i zellshëm në zgjerimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë një kohë në malësi të Gollakut, (mësues në Gmicë të Dardanës). Ka mbajtur lidhje të fshehta me Rexhep Malën e shokë të tjerë, edhe gjatë qëndrimit të tyre në burg. Pas gjurmimeve sistematike të UDB-së aty kah marsi i vitit 1978 hetohet veprimtaria e tij. Fillimisht Kadriu shkon për disa javë në Turqi, por meqë nuk kishte ndonjë risi kthehet prapë në Kosovë. Më pastaj Kadri Zeka shkon në Zvicër, në qytetin S. Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës si Hasan Mala, Kadri Abdullahu, etj. Në Zvicër Kadriu tregohet shumë aktiv : vë kontakt me organizatat shqiptare në mërgim, krijon lidhje me simpatizantë të çështjes shqiptare në Zvicër e Gjermani dhe mban lidhje të rregullta me përfaqësitë e Shqipërisë jashtë shtetit. Krahas kësaj veprimtarie përgatiti botimin dhe shkroi vetë shumë artikuj për gazetën "Liria". Veç organit të Organizatës që i takonte ai përgatiti e botoi dhe publikime të tjera siç ishin "Këngët e lirisë", një përmbledhje me poezi që u bënë kushtrim kolektiv i djalërisë kosovare. Pastaj përgatiti dhe botoi përmbledhjen me artikuj të shtypit të huaj "Rreth ngjarjeve në Kosovë" si dhe studimin e njohur të Vasa Çubriloviqit "Shpërngulja e shqiptarëve". Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e "Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës". Me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u shpërndanë në Kosovë.
Kadri Zeka ka gjetur tek vëllezërit Gërvalla shokët e idealit, të luftës e të përpjekjeve. Ata rreth një vit do të veprojnë bashkë. Përkundër intrigave të UDB-së ata nuk do të përçahen, por do të punojnë për fuqizimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe për krijimin, përmes veprimeve të përditshme, të një organizate të vetme në shkallë kombëtare; të strukturuar dhe të përgatitur për t'u përballë me kërkesat dhe sfidat e kohës. Prandaj nuk është e rastit pse ata nuk i ndau as vdekja. Vritet tinëzisht nga UDB-ja jugosllave më 17 janar 1982 në Untergrupenbach afër qytetit Heilbronn landi i Stuttgart-it (Gjermani). Pas luftës së fundit në Kosovë në fshatin e lindjes në Poliçkë vitin 2007-të u përurua Muzeu Kadri Zeka.

Burimi: WIKIPEDIA

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen