Rrahim SADIKU
Në rrjedhë të viteve
Jam pjesë e kësaj e një gjenerate e cila doli nga errësira e shekujve dhe zuri vendin e saj të duhur e me meritë; gjeneratë kjo e cila ka kërkuar dhe po ende kërkon vendin e saj në kohë, për të mbetur e kohës.
Gjurmët e saj janë kudo në shekullin e arritjeve shqiptare: në ikjen nga prapambeturia shekullore, në emancipimin e gjithmbarshëm kombëtar; në shkollim e emancipim; në të gjitha sferat e kulturës, të ekonomisë, të shëndetësisë; të politikës; në rrugën e gjatë e të mundimshme që mundësoi ardhjen e lirisë. Atdheu real dhe ai virtual ishin dhe mbetën gjithnjë pjesë e pandarë e rrugëtimit të kësaj gjenerate; e përpjekjeve të saj, e arritjeve që ka shënuar, e punëve që ka bërë.
Si anëtar i kësaj gjenerate, jam edhe kërkues i vazhdueshëm. Tutje, gjithnjë tutje, është e shumëdashura, e dëshiruara, ëndërr, shpresë e realitet përzier, që lëviz gjithҫka: ajo ishte dhe mbeti e pambërritshmja dhe shumë premtuesja e hyjnishme.
2.
Ajo vjeshtë e vitit 1954, kur u linda unë, me asgjë nuk ishte e veçantë në rrjedhat e kohës. Lufta e madhe botërore kishte pothuaj një dekadë qëkur kishte përfunduar, shtetet pjesëmarrëse në të po i shëronin plagët e po këndelleshin dhe pjesa më e madhe e njerëzimit kishte filluar të merrte frymë ndryshe, më lirshëm se kurrë ndonjëherë në histori. E kundërta po ndodhte me popullin tim e brenda popullit tim, i cili kishte mbetur i ndarë e i shtypur, i varfër e i lëndueshëm, i pafaj e me mijëra faje mbi shpinë, i etur për dituri e i zhytur në errësirë, i fortë në bindje e i lëndueshëm në secilin hap. Prandaj e them shpesh se pata fatin e pafat të lindesha në kohë të pakohë, të cilës i duhej guxim, urti e sakrificë, më shumë se kurrë.
3.
E vështirë është të lindesh në kohë të dhunës, terrorit e pasigurisë, të jeshë anëtar i një gjenerate të cilës i duhej të rritej me prindër të frustruar, të etur për ndryshime, pa mundur të realizonin gjë; që nuk e dinin a do të kishin mundësi të siguronin bukë sa duhej për famijet e tyre; që nuk e kishin të sigurtë a do t’i gjente të gjallë e nesërmja, sepse për ta jeta gati ishte barazuar me vdekjen.
Njerëzit merreshin e zhdukeshin nëpër zyrat e policisë sikur të mos kishin qenë kurrë. Kudo mbretëronte atmosferë e rëndë, rënduar më shumë nga zakonet prapanike e nga mburrjet e kota. Me secilin mund të ziheshe në ndejë, në rrugë, në punë dhe për kurrgjë. Pushteti e shpikte secilën ditë nga një risi keqtrajtimi, për të keqësuar edhe më shumë gjendjen e mjerë të shqiptarëve dhe atmosfera bëhej e rëndë, shumë e rëndë. Nuk gjeje kund prehje e kënaqësi as si fëmijë, as si i rritur, as si plak. E liga dhe e zeza silleshin e mbështilleshin kudo...
Tash, kur kthehem e mendoj për ato vite, më bëhet se ishin vetëm mundime. Të mundimshme ishin netët e gjata, kur të ikte gjumi e dëgjoje vetëm biseda të frikshme, pyetje se çka do të sillte e ardhmja, a mund të gjendej vërtet shpëtimi duke ikur në Anadoll a diku tjetër.
4.
Kur fillova jetën prej gjimnazisti, para meje qëndronte joshës, i gjërë e plot shkëlqim horizonti i pafund i shikimeve për botën. Shtohej dëshira dhe etja për të gjetur veten aty. Thosha me vete se duhej të punoja shumë që të kisha një vend të merituar, prej njeriu me peshë reale njerëzore, në të. Ndjeja se duhej të hidhja shikimin sa më larg, të kisha sa më shumë synime e ambicie të mbara, jo vetëm sa për të qenë gjallë e jo vetëm sa për të arritur te një punë e qetë e me autoritet e te një rrogë e majme. I thosha vetes se e kisha detyrë të fitoj sa më shumë njohuri, të ushqeja trurin me sa më shumë dituri, që të bëja emër për të më dashur e për të më njohur edhe të tjerët.
Mandej, e gjithë jeta kaloi kështu, midis etjes për të njohur e mëtimit për të krijuar vepra që do të shërbenin për popullin tim, për njerëzimin, përmes të cilave do të arsyetoja të jetuarit, shkollimin, ëndrrat për të ardhmen.
5.
Pasi kanë kaluar gjithë këto vite, e ndjeja të nevojshme të mendoja për rrugët e jetës, nëpër të cilat kam ecur dashuri, me bindje e me besim. Duke shkuar me kujtime nëpër to, më bëhet e dukshme ajo që kahmot kishte zënë fill e po jetonte në mua, që me kalimin e ditëve, muajve e viteve më bënte të isha unë. Ishin ato rrugë jete që erdhën e u formësuan, u shkrinë në shpirtin e mendjen time dhe u bënë preokupim i gjithë qenies sime.
Këtyre ecjeve ka plot drama. E kam të vështirë të ndaj ato pjesë që do të jenë me interes real për të tjerët. Prandaj flas më shumë për tërësinë e rrjedhave, si spontanitet dhe si dëshmuese për një përkushtim, për një sakrificë, për një botë të bujshme krijuese.
Vijnë në mendje minuta, orë e ditë, aq të bujshme, sa nga secila prej tyre mund të shkruhet një libër. Rrjedhë kështu historia ime, që mund të jetë analoge me atë të shumicës së pjesëtarëve të popullit tim; e asaj pjese që punën dhe jetën ia kushtuan atdheut. Prandaj brenda kujtimeve e shkrimeve të mia ndërthurren aq shumë tragjika e madhështorja, dhembja e krenaria, vaji e gëzimi, vuajtja e lumturia. Prandaj gjithnjë ndjej nevojë për një fjalë shpirti, për një krijimtari madhështore, që disa deshën ta zhbënin, t’ia falnin harrimit, duke më bërë disa herë të vdekur e për të dalë para tyre më krenar e më i vendosur se më parë. Dhe, pas fitores së arritur e lirisë së vendit tim, nisa të punoja edhe më me vendosmëri për punë profesionale, për libra të rinj, për lidhje me kohën, për të qenë real ndaj të vërtetës, ndaj asaj që di, po edhe ndaj vetes, familjes sime e gjithë atyre që më duan.
6.
Ballafaqohem shpesh me dukuri brengosëse, me humbje ideali, me nëpërkëmbje tejet dashakeqe, që shpesh i bëjnë vetes njerëz që dikur ishin të sakrificës dhe pyes: vallë, e kotë paska qenë e gjithë kjo vuajtje e sakrificë! Mos e gjitha qenka bërë për ta fituar dikush, në emër të flijimit, të idealit e sakrificës, tash kur jemi të lirë e kur krenohemi se jemi ata që e fituam lirinë!?
Si njeri që e kam përjetuar robërinë dhe tash edhe lirinë e Kosovës shpesh e pyes veten: Edhe çka do të duhej të bënte njeriu për të qenë një qytetar i denjë dhe i nderuar në Kosovë? Me se mund të krenohet Kosova, nëse jo me ata që për të dhënë gjithë çka paten? Me çka mund të krenohen ish të burgosurit politikë, ish veprimtarët e ish ushtarët e lirisë, nëse nuk e kanë krenari e dashuri për njëri-tjetrin, për të gjithë atë që ishte punë dhe përkushtim i tyre i përbashkët? Mos të gjithë dhe përnjëherë kemi harruar nga kemi kaluar?! Mos na duket se nuk ishim realisht ne në ato situata të vështira? Mos na janë të padenja për t’i kujtuar ato momente kur përpëliteshim midis jetës e vdekjes? Kemi qëndruar e kemi shpëtuar në ato rrethana vdekjeje e nuk po ia dalim dot të jetojmë, punojmë e mendojmë denjësisht sot, në rrethana lirie, në rrethana që na i mundësojmë të gjitha?!
7.
Më kujtohet sesa ishim krenarë ato ditë, muaj e vite kur përballeshim kudo me vdekjen, duke synuar një jetë dinjitoze në liri; një jetë të kuptueshme, në një rrugë njerëzore për ardhmëri. Ishim të vendosur të shkonim deri në fund asaj rruge mu pse ajo ishte më e urryera për armikun e mu pse bëhej kuptimi ynë i jetës, i qëndresës dhe i shpresës, që kishim si individë e si shoqëri. Madhështia e flijimit për kombin e për njerëzoren frymëzonte ardhmëri, duke u ndritur me veprimtarë e liridashës, me të burgosur e luftëtarë, me të flijuar e të sakatosur, po me besimin e me betimin në gji.
8.
Uni im thotë se i përkas atij ndërtimi njerëzor që e ka përcaktuar veten për ecje nëpër ato rrugë, të cilat gjithnjë kanë trase shumë të vështira, që në vazhdimësi të përballin me të papritura e me shumë mundime, madje edhe me vdekjen. Ato janë kalitëse të vazhdueshme të vendosmërisë e guximit, të mundësojnë që me vetëdije të kryesh vepra kundër pushtuesit dhe shkosh drejt në sy xhelatin, i cili synon të të thyejë, të të bëjë vegël të veten, të mos jesh më kurrë vetja. Nga kjo tregohesh edhe më i vendosur: të mos flisje, të mos tregoje asgjë, edhe pse të rrezikonte jetën tënde e familjen. Prandaj nuk ishte e lehtë të vendosje për punë atdhetare e çlirimtare kur i dije të gjitha këto.
Kjo e gjitha thotë se duhet shkruar gjërat, për të mos harruar, për të çmuar njeriun e njerëzoren; për të treguar se në të gjitha rrethanat duhet të jemi e të mbetemi njerëz.
Në një libër kam shkruar “Thuhet se koha shëron plagët. Disa nuk duan shërimin. Kujtojnë se plagët e tyre mund të sëmurin edhe kohën. Andaj gabohen shumë rëndë.” Te koha, plaga dhe mentaliteti ynë, si popull e si njerëz, filloi bërja e këtij shteti, e kësaj lirie. Ajo erdhi me shumë sakrifica e gjak. Mbetet të shohim sesa të bukur e të frytshme do ta bëjmë realisht atë.
9.
Shkollën fillore e kam filluar në mejtepin e vjetër, që ishte një ngrehinë e vogël pranë xhamisë së fshatit. Kjo godinë e dedikuar që në fillim për mësim, për mësim fetar në fillim, ishte punuar me kujdes, e cila, për fat të keq nuk u ruajt, po u shkatërrua me t’u ngritur xhamia e re dhe u humb kështu një objekt me traditë për zhvillimin e mësimit në këto anë, sepse aty kishin mësuar e dhënë mësim mendjet më të ndritura të kohës, që ishin nga kjo anë. Aty e kishte kryer shkollimin bazë edhe xhaxhai i babait, Rexhepi, aty kah viti 1905, i cili pastaj shkon e shkollohet në Stamboll, nga ku kthehet më 1912 dhe zhvillon aktivitet për një kohë të shkurtër, sepse një pjesë e madhe e trojeve shqiptare pushtohen nga ushtria serbe, e cila bënë krime të papërshkrueshme e viktimë e tyre bjen edhe mulla Rexhepi.
Një vit para se të shkoja në shkollë, u bë ndërtesa e shkollës së re, mjaft e madhe e bërë nga çerpiqë, e cila realisht nuk i plotësonte kushtet për të cilat po bëhej dhe mu kur po pritej lëshimim i saj në punë, ajo u rrëzua e u bë një grumbull i madh dheu, gurësh e tjegullash. Mbi njëqind metra larg kësaj rrënoje filloi ndërtimi i godinës së shkollës së re, e cila u bë me tulla, me klasa të mëdha e të ndritura, ku edhe sot mbahet mësim.
Mësimin e filluam klasa e parë dhe e tretë së bashku. Mësuesi, Sami Tahiri, shumë i dashur e shumë i afërt me ne nxënësit na priti me buzëqeshje, me reflektim mirësie dhe ai për mua, gjatë gjithë jetës u bë simbol i ngulitjes së njerëzores dhe etjes për dituri tek nxënësit. Shkolla ishte e pashtruar, ngrihej pluhur dhe të zihej fryma, prandaj pushimet brenda orëve i mbanim mjaft të gjata, në mënyrë që gjatë asaj kohe të ndërrohej ajri i ndotur. Nuk kishim asnjë libër tjetër, përveç abetares dhe veprimtaritë tjera që na duheshin për të plotësuar orarin e mësimeve i zëvendësonim me këngë e me lojëra sportive. Kjo na kushtoi kur në gjysmëvjetorin e klasës së tretë dolëm në shkollën e re, në qendër të fshatit, ku ora zgjaste dyzet e pesë minura, ku pushimi i shkurtër zgjaste vetëm pesë minuta e i gjati pesëmbëdhjetë. Na dukej se na e kishin grabitur pa të drejtë një pjesë lirie. Por, në shollën e re kishte bibliotekë, jo aq e pasur, po ishte. Kishte edhe vegla muzikore, mjete konkretizimi të mësimeve dhe mbahej rend. Në fillim të klasës së katërt lexova librin “Posta e porositur” dhe pothuaj e mësova përmendësh. Mandej nisa të lexoja pothuaj secilin libër, secilën fletë të shkruar që më binte në dorë, po sa më shumë lexoja, aq më pak gjeja çka të lexoja, sepse përveç librave shkollorë, nuk u blinte kush fëmijëve libra të tjerë. Shumica e nxënësve madje nuk i kishin as librat që u duheshin për mësime!
10.
Kisha aftësi të të mbajturit mend lehtë dhe shumicën e mësimeve i regjistroja në kokë gjatë shpjegimit të arsimtarëve, kështu që nuk e kisha vështirë të dallohesha si nxënës i mirë. Mësuesi Ilaz, i cili erdhi të na mësonte në klasën e katërt, duke e parë se unë e Mustafë Xhemaili ishim nxënës të sjellshëm, të etur për dije e të dhënë pas leximit, na propozoi të uleshim në një bankë. Që nga ajo ditë ne ishim simbol për të gjithë nxënësit e shkollës sonë dhe kjo na lidhi për një kohë të gjatë, pasi së bashku mandej ishim edhe në shkollën e mesme e edhe në fakultet.
Deri në klasën e pestë poezinë e kam lexuar më me ëndje, më ka kënaqur më shumë dhe disi më ka bërë të kem një qasje më ndjeshme ndaj natyrës, ndaj njerëzve, ndaj dukurive. Në klasën e pestë lexova “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës dhe ajo bota e përrallave u gjend e shkruar bukur para meje, ajo imagjinatë befasuese u ngulit në mua dhe më dha shtytje të kërkoja që edhe vetë të shkruaja ashtu. Mandej erdhën lexime të reja, shkrimtarë të ndryshëm. një kohë të gjatë isha shumë i lidhur me romanet që përshkruanin avantura nëpër vende ekzotike, libra udhëpërshkrimesh, përjetime nëpër vende gjysmë të civilizuara. Atë kohë zbulova Dikensin, Tibor Sekelin, Tor Hojerdallin, Xhek Londonin, po edhe shumë libra për zbulimet e Xhejms Kukut, Magelanit, Tasmanit e detarëve të tjerë. Befasi e këndshme për mua ishte leximi i romaneve të Zhyl Vernit.
Me ardhjen e Misret Halilit për të na e ligjëruar gjuhën dhe letërsinë shqipe, etja për lexim na u shumëfishua dhe me iniciativën e tij biblioteka e shkollës u pasurua shumë dhe në të mund të gjeje pothuaj të gjithë librat që ishin botuar shqip deri në atë kohë. Ishte koha kur filloi botimi i librave komplet të autorëve nga Shqipëria, po edhe i shumë botimeve të veçanta. Për atë kohë ishte ngjarje e rrallë të lexoje kompletin e Sterjo Spasses, romanet e Petro Markos, poezinë e Ndre Mjedës, të Lasgush Poradecit, të Filip Shirokës, të Asdrenit. Ishin aty edhe vepra nga Tolstoi, Hygo, Jesenini, Petrarka, Aligieri e shumë të tjerë, po edhe të shumë shkrimtarëve kosovarë, si Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti e shumë të tjerë. Më kujtohet se me ëndje e kam lexuar librin “1001 net” që atë kohë ishte botuar në tri vëllime, kurse librin e Mjedës e mbaja me vete ngado shkoja dhe ai sikur më ishte bërë pjesë e jetës.
11.
Kur përfundoi njëra nga epokat më të rënda për shqiptarët e mbetur nën okupimin sllav, rënia nga pushteti e kriminelit Rankoviq më 1966, nuk kisha njohuritë dhe përvojën e duhur për ta kuptuar peshën e gjithë asaj që kishte ndodhur. Por, nga reagimi i prindëve, nga bisedat në odë që filluan të ishin më të lira e më me pasion; nga një liri që edhe pse nuk shihej e që ndjehej kudo, e mora me mend se shumë nga të këqijat kishin marrë fund. Së paku ajo dhuna e pandërprerë sikur ishte këputur dhe botën mund ta shikoje më ndryshe. Duke e shikuar atë që ishte ndryshim, bëheshe edhe vetë bartës i asaj që po vinte. E kjo ishte koha e ndryshimeve. Duke e parë se si po ndryshonin gjërat, se si po ndryshonin edhe njerëzit, e ndjeva se sa është e madhërishme të kesh rastin të shikosh se si mu ajo kohë, e cila ngado e shikoje të dukej vetëm mbrapshti e pengesë, fillon e kthehet për së mbari. Edhe pse kjo madhështi zakonisht kuptohet vështirë, edhe më vështirë reflekton nga njerëzit që me vite e dekada kanë jetuar nën dhunë e në varfëri të thellë. Janë disa që i kuptojnë rrjedhat më shpejt dhe punojnë të bëhen pjesë e tyre, po shumë edhe bëhen pjesë e atyre ndryshimeve pse ato i gjejnë në vende e detyra, që shpesh i detyrojnë të punojnë e të vendosin edhe kundër bindjeve të veta e kundër asaj që e kanë pasur përcaktim jetësor. Neve shqiptarëve këso gjërash na kanë ndodhur shpesh gjatë historisë më të re dhe i kemi paguar shtrenjtë. Të punonin kundër vetes, u detyruan shumë shqiptarë që ishin betuar për Turqinë e që me tërë qenien kishin punuar kundër pavarësisë së Shqipërisë. Kështu kishte ndodhur kur shumë shqiptarë që e kishin luftuar Zogun me mish e me shpirt, u bënë pa hezitim bashkëpunëtorë të devotshëm të tij. Kështu ndodhi me shumë shqiptarë që e luftuan Serbinë si okupatore e që më vonë u vunë në shërbim të saj. Kështu ndodhi me ata që e luftuan ardhjen e komunistëve në pushtet e që sa herë i pranoi pushteti, punuan për të sikur e donin me mish e me shpirt. Kështu ndodhi edhe me të drejtat e shqiptarëve në territoret e pushtuara, që të shumtën, për shkak të rrethanave të krijuara u vunë në zbatim mu përmes atyre që kishin bërë tortura, vrasje e masakra gjatë viteve të tëra. Po kështu ndodhi edhe pas luftës së UÇK-së, kur në rolin e çlirimtarit e në pozita kyçe të shtetit që po ndërtohej u vunë një pjesë e madhe e atyre që nuk e kishin dashur kurrë as pavarësinë e as shtetin e Kosovës... Gjithnjë vjen koha e ndryshimeve e kameleonët e kuptojnë të parët dhe me kohë nevojën e përshtatjes.
12.
Nga bisedat që bëheshin në odën e burrave dhe çdokund ku takoheshin dy a më shumë veta gjithnjë dëgjoja fjalë për padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve, për të dënuarirt, të ndjekurit, për trimat që ishin vrarë ose kishin dalë jashtë vendit, pasi më nuk kishin pasur mundësi të qëndronin e të luftonin. Shumica e bisedave bëheshin me zë të ulët dhe kur ishin njerëz të besueshëm mes vete, sepse edhe nga ato biseda, po të shkonin fjalët në polici, mund ta pësoje keq. Flitej për ardhjen e ditës së ëndërruar të bashkimit me Shqipërinë, “pasha ato dy ditë Shypni” si i quanin burrat me nostalgjinë më të madhe. Përmendej qëndresa e pashembullt në Malet e Karadakut, të Kitkës, të Prapashticës e pothuaj në të gjithë zonën kufitare me Serbinë, kur në verën e në vjeshtën e vitit 1944, ishin zhvilluar luftime të gjata, të përgjakshme e heroike, për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga pushtimi i ri serb. Emrat si Mulla Idrizi, Kapiten Shefqeti, Toger Gjoni e shumë të tjerë, ishin të pakalueshëm në secilin takim të më të vjetërve, të atyre që kishin qenë pjesëmarrës në ato lufta.
13.
Isha nxënës i gjimnazit kur fillova të merresha aktivisht me leximin e literaturës së ndaluar, si i emërtonin atëherë të gjitha librat në të cilat flitej për kombin tonë, për historinë, për padrejtësitë që na ishin bërë gjatë gjithë historisë.
Po bëhen vite qëkur fillova të merrem me shkrime. Gjithnjë duke besuar se do të shkruaj më të bukurën, më të dashurën, më të plotën. Ky besim e kjo etje se do ta arrij për ta parë të dalë në dritë gjithë atë që frymon brenda shpirtit tim e në mendjen time, më ka dhënë dhe më jep shtytje për të mos e ndalur punën, për të besuar e për të përballuar të gjitha andrrallat e jetës. E tërë kjo nuk më është ngulitur rastësisht, po gjatë viteve të tëra të leximit e të përkushtimit, duke e shfrytëzuar secilin rast që kam pasur mundësi për të hyrë në botën e librit; të punës së gjatë e të vënjes së vetes në sprovë, po sidomos gjatë kalitjes në veprimtarinë atdhetare. Kjo shtytje e madhe, që të lidhem edhe më shumë botën e madhe të krijimit e të shkrimit ka marrë hov në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ndryshimet brenda popullit tonë po ndodhnin me shpejtësi e ne, si gjeneratë, po nisnim të ndjeheshim bartës të tyre. Ato vite shkolla e Komogllavës, ku mësoja, u bë shembull i arritjeve arsimore e kulturore në gjithë vendin. Duke qenë njëri nga organizatorët e këtyre arritjeve, duke e shtuar përditë etjen edhe për sa më shumë arritje, në mua lindi dëshira për t’i shkruar të gjitha ato. Dhe, shkrim pas shkrimit, poezi pas poezie, tregim pas tregimi, u hap në horizontet e synimeve elanore e rinore dhe rruga e gjerë e shkrimeve. Kjo rrugë e nguliti edhe më thellë edhe më bindshëm përcaktimin tim për t’iu përkushtuar, pa i marrë parasysh pasojat, rrugës së lirisë.
Përkushtimin ndaj gazetarisë e kam filluar si nxënës i shkollës së mesme, duke bashkëpunuar me të gjitha gazetat e revistat që dilnin atë kohë në viset shqiptare të mbetura nën ish Jugosllavi.
14.
Mu pse ishin të këtillë, shqiptarët ishin gjithnjë në sy të organeve të sigurimit të Serbisë. Regjimi serb ishte i interesuar ta mbante nën vëzhgim të vazhdueshëm vendin që e kishte larë disa herë me gjak e që kishte mbetur rebel.
Për ta siguruar këtë mbikëqyrje siguronte shërbime pakurrizorësh e lolosh, që punonin për të pa, hezitim. Zakonisht këta ishin disa njerëz të pandërgjegjshëm, që herë me vetëdije e herë sa për t’u mburrur, u bënë vegël qorre e të huajit, duke lënë pasoja të mëdha në fshat e rrethinë.
Dhuna serbe ndaj Kosovës u shtua sidomos në mbarim të viteve të tetëdhjeta, kur u organizuan demonstratat e mëdha që ia luhatën themelet shtetit jugosllav dhe ai nuk u qetësua dot më, deri në shpërbërjen e tij. Atë kohë, për motive politike, u burgosën mijëra e mijëra qytetarë, sidomos të rinj. Në anën tjetër, u luajtën shumë lojëra të ndyta, për ta ndarë e përçarë popullin, për ta lënë në errësirë e për të ndikuar që ata të cilët realisht nuk pajtoheshin me pushtetin të izoloheshin ose të detyroheshin të arratiseshin jashtë vendit. Me këtë donte të fuste frikë, që të gjithë të shihnin se pushtuesi nuk e falte atë që i kundërvihej, se ata që kishin punuar për atdhe e që po punonin edhe më tutje me ngulm për lirinë e tij, ishin njerëz që nuk u duhej besuar, se ata ishin shkaktarë të të gjitha fatkeqësive që po u ndodhnin shqiptarëve dhe se te ata e jo te politika serbe, duhej kërkuar fajtorin për gjendjen e krijuar.
15.
Ishte fundi i viteve të gjashtëdhjeta, të cilat për shqiptarët e mbetur nën sundimin e Jugosllavisë, ishin vite kthesash të mëdha. Atë kohë tërë rininë shqiptare e kishin kapluar ethet e shkollimit. Shkollimi, për rininë shqiptare. ishte bërë dëshira më e madhe dhe synimi fundamental jetësor, andaj varganet e nxënësve mbushnin rrugët drejt shkollave, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Megjithatë, rrethanat për shkollim kishin qenë e vazhdonin të mbeteshin të rënda. Shumica e familjeve shqiptare kishin në gjendje të rëndë ekonomike, mungonte edhe infrastruktura elementare e lagjeve, e fshatrave, po edhe e mbarë vendit. Aty ku banonin shqiptarët shteti nuk investonte asgjë e vilte para me kërkesa e urdhra nga më të ndryshmet. Ishte një gjendje shumë e rëndë. Andaj lëvizja ishte shumë e vështirë. Fshati im, Komogllava, ishte plotësisht i izoluar nga bota pjesën më të madhe të kohës, sepse me të rënë shirat e para të vjeshtës e deri në pranverë nuk mund të dilej nga aty me qerre apo me ndonjë mjet tjetër. Prandaj dalja në Ferizaj e në qytete të tjera ishte mjaft e vështirë, kurse dalja e përditshme, si ishte shkuarja në shkollë, ishte mundim e shkuar mundimit.
Pas vitit ’81 burgjet e ish Jugosllavisë ishin plot me të rinj shqiptarë. Shumë prej tyre studentë, të tjerë të sapodiplomuar, ekspertë të fushave të ndryshme. Synohej të shkatërrohej ajo plejadë intelektualësh, që për herë të parë i kishte arrirë Kosovës. Armiqtë e shqiptarëve donin ta shuanin ende pa u formësuar ashtu si duhet.
16.
Gjatë studimeve punova gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe mësimdhënës në Ferizaj. Me të mbaruar studimet u punësova në Redaksinë e Kulturës të Gazetës “Rilindja” e cila pas gjashtë muajsh, me pëlqimin tim, më emëroi gazetar-korrespondent të saj në Shkup. Ishte koha kur po punohej me të madhe për asimilimin e shqiptarëve, për lidhjen e tyre sa më të ngushtë me fenë dhe për largimin e një numri sa më të madh të tyre për në Turqi e vende të tjera. Unë isha i akredituar në organet shtetërore të Maqedonisë, që të përcillja për lexuesit e “Rilindjes” punën e tyre dhe këtë nuk e përfilla as edhe një herë. Gjatë rreth katër viteve, sa qëndrova në Shkup, mund të kem shkruar deri pesëdhjetë shkrime për rrjedhat politike në Maqedoni, kurse shkrimet për problemet e shqiptarëve, shkollimin dhe emancipimin e tyre, për padrejtësitë që u bëheshin, janë me qindra. Për këtë jam kritikuar disa herë nga disa, po redaktorët dhe udhëheqësit tjerë të gazetës sikur nuk e vinin re këtë.
Një ditë qershori të vitit 1978 na thirrën të gjithë korrespondentëve në mbledhje urgjente, në Kuvendin e Maqedonisë, për të na kumtuar se në vend po shënohej edhe një arritje e madhe e barazisë mes kombeve e kombësive në Maqedoni, pasi të gjithë nxënësit shqiptarë të Maqedonisë, që kryenin shkollën fillore, mund të vazhdonin edhe shkollimin e mesëm në gjuhën amtare, duke filluar nga Shkupi. Mandej nisi një drekë madhështore për ne e politikanët. U ndava një qoshe të bisedoja me drejtorin e gjimnazit “Zef Lush Marku” të Shkupit, i cili më dukej shumë i indinjuar. Pas pak pashë se ai i kishte sytë me lot. “Po na rrejnë, po luajnë me ne – më pëshpëriti ai. Sipas konkursit që kanë shpallur, shkollën e mesme nuk mund ta regjistrojnë as dhjetë për qind e nxënësve shqiptarë, madje as të gjithë nxënësit e Shkollës fillore “Liria” e të asaj “Dame Gruev”. Ku do të mbesin edhe nxënësit e dhjeta shkollave fillore shqipe që punojnë në Shkup e rrethinë.” Më tha mandej se nëse do të shkruaja për këtë, të mos e pëmendja emrin e tij, sepse kishte familje e do ta shkatërroja të ardhmen e saj. Të dhënat mund t’i merrja nga vetë shkollat. Dhe shkrova një artikull të gjërë për këtë, i cili pati jehonë të madhe në Maqedoni e në Kosovë. Pa e ditur unë kishte reaguar Komiteti i LKJ i Maqedonisë, Qeveria e Maqedonisë, Kuvendi dhe shumë organe e organizata të tjera. Ishte kërkuar largimi im nga puna dhe dënimi sa më i rëndë. Shkova në “Rilindje” e aty disa më shikonin me dhembshuri, disa me ironi e disa sikur isha krimineli më i madh në botë. Kryeredaktori më tha se e kisha shkelur keq kësaj radhe dhe se e kisha të vështirë të nxirresha, nëse nuk e dëshmoja se kisha shkruar të vërtetën. I thashë se kisha shkruar të vërtetën dhe ai më besoi e më këshilloi të shkoja të bisdoja me Mahmut Bakallin, atë kohë kryetar i LK të Kosovës, që të vononte fillimin e procedurave ndaj meje. Mahmuti më priti menjëherë e më tha se kisha nxjerrë pështjellime të panevojshme. Kur i thashë se kisha shkruar të vërtetën dhe se mund ta dëshmoja atë, ai u mendua pak e tha se më jepte kohë që të nesërmën të mblidhja faktet, të shkruaja artikullin reagues ndaj atyre që kërkonin maqedonasit, ta dërgoja për botim në “Rilindje” e një kopje ta lija te sekretarja e tij. Të nesërmen mora veturën e gazetës dhe vizitova shkollat fillore shqipe e të përziera të Shkupit. njërën pas tjetrës, mora numrin e saktë të nxënësve, duke i veҫuar ata që kishin kryer klasën e tetë dhe në mëngjes artikulli ishte gati. Por ai nuk u botua kurrë, unë nuk u dënova e kjo ҫështje u hesht. Por, që atë ditë e sa qëndrova si gazetar në Shkup, spiunët më përcillnin hapur e më provokonin. Kjo përcjellje u bë pjesë e pandashme e jetës sime, derisa u burgosa më 15 dhjetor 1982.
17.
Veprimtarinë e organizuar politike e kam nisur më 1974, kur themeluam grupin e parë ilegal dhe krijuam bibliotekë me litetaraturë të ndaluar nga pushteti, e cila u bë frymëzim për shumë veta dhe ndikoi që nga dita në ditë të formoheshin e të na bashkoheshin edhe grupe të tjera ilegale. Nga viti 1979 ishim anëtarë të organizatës ilegale që “Lëvizja për Çlirimin e Kosovës”, të cilën e drejtonim bashkë me Mustafë Xhemailin e Mexhid Salihajn. Më 1980 kjo organizatë u shkri me të tjerat, që vepronin në gjithë trojet e okupuara shqiptare dhe unë isha në kryesinë e bashkuar dhe udhëheqës për Ferizaj. Nxirrnim gazetën ilegale “Liria” dhe bënim punë të vazhdueshme organizuese, rezultat i parë, i madh e me ndikim, i së cilës ishin demonstratat e vitit 1981 e pastaj edhe vazhdimësia e qëndresës, deri në fitore.
18.
Hetimet ndaj nesh, që na pagëzuan “Grupi i Bajrush Xhemajlit” (ngase Bajrushi ishte burgosur i pari) ishin të gjata, të rënda dhe për ne edhe shumë të mundimshme. Nga unë kërkonin të pranoja se kishim qenë grup i organizuar, se unë isha frymëzuesi i të tjerëve dhe se njihja edhe shumë e shumë njerëz e grupe që vepronin ilegalisht kundër Jugosllavisë. Nuk pranoja asgjë dhe deklarata ime e parë dhe e fundit që kam dhënë, para hetuesve, dallojnë shumë pak. Asnjëherë, për të mbrojtur shokët e ilegalen në përgjithësi, nuk kam luajtur rolin e heroit e të organizatorit. Thjesht flisja e shtihesha si një individ i pakënaqur me gjendjen në shtetin që më kishte burgosur. Ata e dinin që e gjitha kjo ishte vetëm farsë dhe nuk linin mjet pa përdorur për të më thyer. Më së shumti ishin të interesuar të zbulonin nga unë grupin e gazetarëve që vepronte ilegalisht brenda lokaleve të Pallatit të Shtypit, sidomos në gazetën “Rilindja”. Edhe pse aty kisha formuar disa celula ilegale, nuk pranova asgjë. Nuk pranova as se kisha punuar e biseduar për veprimtari politike me shokët e mi të ngushtë, Misret Halilin, Mustafë Xhemailin e Mexhid Salihajn. Qëndrim të fortë kanë mbajtur edhe të arrestuarit tjerë të “grupit” tonë, sidomos Bajrush Xhemajli, me të cilin kemi njohur pesonalisht qindra anëtarë të Organizatës sonë, e cila kur u burgosëm ne kishte mbi 1200 anëtarë dhe kishte shtrirje nga Ulqini, Presheva, Kumanova e deri në Ohër, po edhe të organizatave të tjera. Asnjëri nga ata as ka qenë i dyshuar e as është marrë në pyetje ndonjëherë për shkak se ka zhvilluar veprimtari ilegale së bashku me ne.
19.
Kur dola nga burgu, tri vajzat e djali ishin rritur e kishin ndryshuar, pa i parë unë, sepse drejtoritë e burgjeve nuk lejonin vizita të fëmijëve. Më pritën me mall të papërshkrueshëm, me një dashuri e gëzim të pashoq, po edhe disi me druajtje, sepse isha aq i afërt e disi edhe aq i largët për ta. Shoqja ime, Fevzija, që u sakrifikua gjatë gjithë jetës për ne, ishte ura lidhëse midis nesh dhe e gatshme të ngjiste kurdo fijet e këputura prindore, që ishin pasojë e rrites së tyre pa praninë time fizike. Vajzat që tashmë kuptonin shumë nga jeta, me mua ishin shumë të matura dhe flisnin gjithnjë duke i peshuar mirë fjalët, kurse djali, që e kisha lënë pa i mbushur gjashtë muaj, ishte i përkëdheluri dhe i llastuari i të gjithëve dhe mundohej të ishte vendosësi i ligjit dhe rendit kudo. Një ditë e qortova pse ishte aq i padëgjueshëm dhe ai me arrogancën, që tashmë i ishte bërë e natyrshme, më tha: “Mos më qorto, se te ne nuk lejojmë që mysafirët të na tregojnë se ҫka duhet të bëjmë e si duhet të sillemi në shtëpinë tonë!” U stepa e mbeta pa fjalë. Si duket ata që e dëgjuan biseduan me të, pasi që nga ajo ditë ai u bë i dëgjueshëm dhe i sjellshëm për t’ia pasur lakmi.
20.
Jam i martuar me Fevzije Zejnën nga Sojeva dhe kemi tetë fëmijë, gjashtë vajza e dy djem, katër para burgosjes sime e katër pasi jam kthyer nga burgu: Albanën, Fitoren, Majlindën, Ardianin, Yllkën, Donjetën, Gentianin dhe Qëndresën. Gruan time e përcolli fati i keq, sepse ajo ishte në prag të diplomimit në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore, në Degën e Biologjisë, kur u burgosa unë dhe ajo u detyrua të kujdesej për fëmijët e pushtetarët e asaj kohe nuk e lejonin të punonte askund. Albana ka kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike, Degën e Gjuhës Angleze në Prizren e tashti ndjek studimet në Amerikë, për resurset njerëzore dhe punon në Irak. Fitorja ka magjistruar Gjuhën Frënge në Universitetin e Prishtinës dhe punon në Alenacën Franceze në Prishtinë. Majlinda ka ndjekur studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe dhe punon në Policinë e Kosovës. Ardiani ka kryer Fakultetin e Energjetikës, Degën e Kompjuteristikës dhe punon në Prishtinë (Ardiani është i martuar me Liridona Kelmendin nga Peja dhe na kanë gëzuar shumë me mbesën, Daorsën). Yllka ka mbaruar Fakultetin e Arkitekturës dhe punon në Ferizaj. Donjeta ka mbaruar Fakultetin e Arteve, Dega e Grafikës dhe punon në Kaҫanik. Gentiani ndjek studimet në Fakultetin e Energjetikës, Degën e Kompjuteristikës. Qendresa është absolvente në Degën e Gjuhës Frënge në Universitetin e Prishtinës.
Kjo është familja ime, e cila gjatë dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, përjetori shumë të këqija e shumë fatkeqësi nga pushtuesi dhe që, përkundër të gjithave ishte dhe mbeti e përkushtuar për liri, mbarësi dhe arritje. Për këtë jam krenar dhe i falënderoj shumë të gjithë, gruan e fëmijët, veҫmas Albanën, e cila bëri aq shumë për ne, për shërimin tim, për shkollimin e motrave e vëllezërve, për mirëqenien e familjes dhe për të gjitha arritjet që kemi.
21.
Më 1991 fillova të punoja në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, e cila atë kohë ishte shkollë elitore, sepse grumbullonte shumicën e nxënësve shembullorë të qytetit. Edhe pse mësimi mbahej nëpër shtëpi private, punohej me zell të madh e me ngulm. Orët mbaheshin me rregull dhe mungesat ishin të rralla. Duke e pasur pranë atë potencial rinie e atë vrull për punë e etje, ne menduam se aty mund të kishim edhe një vatër të madhe kulture. Nisëm të nxirrnim revistën shkencore e kulturore “Gentiana lutea”, të përgatisnim revistën letrare “Zgjimi”, të organizonim Festivalin e Recitatorëve të Kosovës, të përgatisnim drama e të bënim edhe shumë punë të tjera. Ajo që punohej e organizohej në këtë vatër arsimore, u bë pasuri shpirtërore dhe frymëzim për shumë qytetarë e institucione, anembanë Kosovës.
22.
Për shkak se kisha punuar për organizimin e qëndresës së armatosur, pas mbledhjes për themelimin e UÇK-së, që u mbajt në Kërҫovë në verën e vitit 1993, u detyrova të largohesha e të vendosesha në Tiranë, ku kam qëndruar deri në dhjetor 1994.
23.
Janar 1997. Tashmë kishte marrë përmasa të gjëra lufta e armatosur kundër pushtuesit serbë. Ende me aksione të vogla e me veprime të fshehta, por prania e saj ndjehej kudo. Një ditë më arrestuan policët serbë dhe pas torturave të mëdha, më thanë se po më lëshonin, por se duhej të dorëzoja sasinë e armëve që kisha marrë me një maune. U thashë se armë nuk kisha e ata më kërcënuan se, nëse nuk e lëshoja Kosovën sa më parë, do të më arrestonin përsëri e do t’më detyronin t’i dorëzoja ato armë që kërkoheshin nga unë, i pata apo nuk i pata. E mora këtë si kërcënim, që të frikësohesha e ta lëshoja Kosovën dhe duke u marrë me punë të tjera, e kisha harruar fare. Dhe pas dy javësh, më 23 janar, pak pas mesnate, shtëpia ime u mbush policë e civilë serbë dhe nisën kontrollimin e secilës skutë të shtëpisë. Më thanë të tregoja ku ishin armët, që të shkonin t’i merrnin. Ua ktheva se nuk kisha armë e ata qeshën me ironi. Kontrollimi i shtëpisë zgjati deri rreth orës dhjetë të ditës. Duke mos pasur kohë t’i analizonin shkrimet që kisha e librat, kishin ndarë anash secilin shkrim brenda të cilit ishte emri Serbi dhe secilin libër që u dukej i dyshimtë. I mbushën disa ҫanta e thasë me to dhe m’i ngarkuan të gjitha mbi shpinë. Mezi ecja, kur më shtynë e filluan të më torturonin ashtu para gruas e fëmijëve. Më dërguan në Stacionin e Policisë në Ferizaj dhe menjëherë nisën nga torturat ҫnjerëzore. Kudo dëgjoheshin klithma ofshamje, shamje... Vetëm më vonë kuptova se me mua atë ditë ishin arrestuar edhe dymbëdhjetë veta të tjerë. Na rrahën dy ditë në Ferizaj e pastaj na dërguan në Gjilan, ku torturimi vazhdoi edhe tri ditë të tjera. Na rrihnin me ndërrime, duke u ndërruar pas katër orësh “pune” me ne, duke na varur, lidhur e bërë me ne krejt ҫka u tekej. Gjatë asaj kohe na kanë dhënë nga dy herë në ditë nga një copë bukë dhe ujë. Dhe rrahjen nuk e kanë ndalë edhe derisa hanim bukë.
Në mesditën e ditës së pestë isha alivanosur pa e hetuar. Kur më doli kllapia, po ngrysej. Më nxorën para hetuesve dhe udhëheqësi i tyre, Radovan Klariqi, më tha se po më lëshonin që të mos u vdisja në duar. Shtoi se edhe nëse shpëtoja rastësisht, nuk do të kisha kurrë jetë si duhet, sepse ai personalisht ishte kujdesur që të m’i shkatërronin veshkat, gjatë torturave.
Qëndrova rreth dy muaj pothuaj i palëvizshëm, me lëkurën tërësisht të nxirë e të rjepur e me brinjët të thyera dhe shpëtova falë Zotit e kujdesit të madh të mjekëve, veҫanërisht të Dr. Xheladin Reҫicës.
24.
Veprimtaria ime e pandalshme, puna që kam bërë gjatë gjithë jetës, për të luftuar robërinë e për të ndryshuar gjendjen e gjithëmbarshme të popullit tonë, nisi të realizohej me fillimin e luftës së armatosur dhe me përkrahjen që fitoi kombi shqiptar nga popujt liridashës të botës.
Me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi ushtrinë pushtuese serbe, represioni serb mbi shqiptarët arriti kulmin, pasi politika serbe synonte të shfrytëzonte ato rrethana e të realizonte ëndrrën e saj për spastrim etnik të trojeve shqiptare. Që nga fillimi i marsit e deri me kapitullimin e Serbisë, më 10 maj 1999, qindra mijëra shqiptarë u detyuruan të lëshonin vatrat e tyre e të shndërroheshin në refugjatë, duke kërkuar strehë kudo mundeshin. Vargane grash, fëmijësh e pleqësh, duke ikur si mundeshin e ngado mundeshin, shihje kudo. Ecja e tyre linte prapa shumë kufoma, pasi serbët e etur për gjak, duke mos mundur të pengonin luftën e UÇK-së, vrisnin, plagosnin e torturonin njerëzit e pambrojtur e të paarmatosur.
Serbët kishin synim të shkatërronin e zhduknin nga faqja e dheut UÇK-në dhe ҫdo ditë ndërmerrnin ofensiva të gjëra kundër saj. E këtillë ishte edhe ofensiva serbe mbi njësitin e UÇK-së në Stagovë, ku unë isha ushtar, e cila filloi herët në mëngjes, më 21 maj 1999. Atë ditë ne qëndruam si me duar të lidhura, si i thonë fjalës, sepse serbët zunë rob rreth 350 civilë nga Stagova e rrethina dhe i mbanin ata peng gjatë gjithë kohës. Në ato rrethana, ne bëmë qëndresë me armë vetëm kur ishim të rrezikuar të kapeshim të gjallë. Megjithatë, atë ditë kishim humbje të mëdha: dymbëdhjetë civilë dhe një ushtar (dëshmori Ekrem Gudaqi) të vrarë dhe nëntë civilë e dy ushtarë të plagosur. Unë isha i plagosur shumë rënd, sepse më ishte këputur këmba e majtë dhe nuk kishim kirurg për të rregulluar si duhej plagën e për të ndalë derdhjen e gjakut. Mjekët Fadil Gashi e Besim Ilazi dhanë gjithҫka nga vetja për të më ndihmuar e shpëtuar. Ishim edhe të rrethuar nga të gjitha anët dhe shokët e mi, të luftës e të idealit, edhe pse kishin të vrarë e të plagosur edhe nga familjet e tyre, bënë edhe të pamundurën për shpëtimin tim. Duke u vënë në pozicione luftimi e duke rrezikuar jetën, duke kaluar përmes ofensivës tjetër, që kishin filluar serbët në fshtarat e rrjedhës së djathtë të Lepencit, më nxorën në Maqedoni, së pari në Shkup e mandej në Tetovë dhe arrita atje i gjallë, por klinikisht i vdekur, sepse numri i eritrociteve në gjak te unë ishte 1.4, kurse sipas rregullave mjekësore vdekja vjen kur te njeriu eritrocitet arrijnë pikën 2. Me urdhërin e Zotit e me aftësinë, ndihmën dhe kujdesin e përkushtuar të Dr. Xheladin Elezit e të stafit mjekësor të Spitalit të Tetovës, ika nga thonjtë e vdekjes dhe me mall të madh për bashkëluftëtarët e rënë e për viktimat e shumta që dha populli ynë në luftën e tij ҫlirimtare, u lidha më ngusht se kurrë me jetën.
25.
Ndjehem gjithnjë pjesë e kërkimit të papërfunduar. Duke analizuar fillimin e vazhdimin e gjithë jetës, më bëhet sikur e gjitha ka mbetur pezull. Kthyer e mbetur në kujtime, ajo nuk formësohet dot, sado përpiqem. Ndalem e mendoj: gjenerata ime ishte e gatshme të shkrihej kurdo për ideal. Ideal ajo kishte lirinë e atdheut dhe bashkimin e kombit. Besonte se me arritjen dhe realizimin të këtij ideali, do ta shihte popullin tonë duke ecur përpara e përpara, pa kthim prapa. Se do ta shihte atë të zhvilluar, të futur në rrugën e diturisë e të përparimit, të gatshëm për të ҫmuar vlerat më të mëdha kombëtare e botërore, duke i mënjanuar e duke ikur nga jovlerat. Dhe, ideali u realizua, deri diku. Erdhi edhe njëfarë zhvillimi. Po nuk erdhën, duket edhe nuk u kërkuan, dituria, njerëzorja dhe vlerat. Ideali nisi të mbetej prapa e më prapa.
Gjenerata vazhdon rrugën e kërkimit. Dhe ajo ende beson në ideal. Besoj, deri në frymën e fundit.
Faleminderit për atë që bëre për mua { Dr. Ellen}! Burri im ndaloi së plotësuari dokumentet e divorcit pasi të kontaktova që të më ndihmoje të ndaloja divorcin me burrin tim dhe tani gjërat po shkojnë shumë më mirë. Siç the i gjithë procesi i divorcit është anuluar dhe gruaja e keqe që po shkakton problemin në martesën time ka lënë burrin tim dhe tani jemi të lumtur së bashku. Nëse po e shihni këtë dëshmi dhe keni probleme në marrëdhënien tuaj, martesën ose ndonjë problem tjetër. , ju mund ta dërgoni atë në: ( ellenspellcaster@gmail.com ) ose WhatsApp saj ( +234907481619 ).
AntwortenLöschenAi specializohet në magjitë e mëposhtme:
* Duajini Spells
* Flet martesa
* MAGIKI I PARË
* Folje të mira
* Foljet e shëndetit
* Spells Seksual ATTRACTION
* MAGIKA E KRYESORE
* Kazino Cave
* Merrni masat e mallrave
* Foljet e mbrojtjes
* Lottery magji
* Flet LUKKY
* Folje të mirë