Samstag, 22. Juni 2013

Turizmi në Shqipëri

Turizmi në Shqipëri,
në vendin e kontrasteve

Shqipëria, e mbyllur për dekada të tëra, dhe e hapur vetëm 20 vitet e fundit, po tenton që ta promovojë veten si një destinacion turistik. Por nuk është një vend i njohur dhe as një destinacion për turistët, edhe pse numri i vizitorëve po rritet

Nga Gaby Ochsenbein, swissinfo.ch

“Shqipëria nuk është akoma në radar, por me bregdetin e mrekullueshëm, historinë e saj, rrënojat e vjetra, malet dhe natyrën e virgjër, ka një potencial të madh,” thotë Alexander Wittwer, ambasador i Zvicrës në Shqipëri që prej janarit të vitit 2013.

Shqipëria mund të ketë potencial, por ka edhe një reputacion të keq: shpesh për të bëhet lidhja me korrupsionin, krimin dhe gjakmarrjen. Nuk është çudi që për momentin nuk përfshihet mes destinacioneve turistike të agjencive zvicerane Kuoni dhe Hotelplan.

Kur pyesim pse, thonë se ka pak kërkesa. Megjithatë numri i zviceranëve që vizitojnë Shqipërinë është rritur nga 6 mijë në vitin 2005 në 40 mijë vitin e shkuar.

Rritjen më të madhe të vizitorëve e kanë vendet fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por turistët nga Greqia, Italia, Gjermania, Polonia dhe vendet e tjera, vijnë zakonisht në grupe. Me raste ndonjë kroçierë ndalon në rivierën shqiptare. Udhëtarët individualë janë shumë të pakët, edhe pse kompania e guidave, Lonely Planet, e ka cilësuar Shqipërinë si destinacionin kryesor për vitin 2011.


Gropa të rrezikshme dhe njerëz të këndshëm

Kushdo që do të eksplorojë vendin përmes transportit publik, duhet të ketë shumë durim, por mëson shumë për njerëzit që jetojnë aty. Ka shumë pak linja hekurudhore dhe trenat janë shumë të avashtë. Ka një rrjet të gjerë autobusësh dhe furgonësh, por nuk ka një orar të lëvizjes së tyre. Edhe shoferët duhet të përballen me rrugë me gropa, veçanërisht në fshat. Madje edhe trotuaret janë të mbushura me rreziqe, kanale të hapura dhe ndërtime që vazhdojnë.

Por probleme të tilla harrohen menjëherë sapo përballesh me njerëzit e këndshëm, të gatshëm për ndihmë dhe kuriozë, që janë shumë të gëzuar kur flasin me të huaj. Mund të takosh bujq, peshkatarë dhe të moshuar. Ushqimi është i mirë dhe i lirë, hotelet janë të pastra dhe të lira, ndërsa lumenjtë dhe malet janë magjike.


Mercedes-a dhe beton

Diçka që i bie në sy çdo vizitori në Shqipëri është numri i madh i makinave Mercedes, që janë të pranishme në çdo fshat e qytet. Është e pamundur që të mos mendosh se kush e përballon mbajtjen e një makine të tillë të shtrenjtë në një nga vendet më të varfra në Europë, dhe sa prej tyre janë të vjedhura.

Diçka tjetër që nuk mund të mos bjerë në sy është edhe numri i bunkerëve prej betoni, që gjenden kudo. Regjimi i dikurshëm i pati ngritur për të mbrojtur vendin nga ndonjë pushtim i huaj. Këto relikte të kohës së Luftës së Ftohtë gjenden në plazhe, male ose mes shtëpive. Sërish ka qindra- mijëra.

Ka shumë beton sot në Shqipëri. Duket sikur është një vend gjigand në ndërtim. Rrugët po ndërtohen kudo, ndërkohë që shtëpitë shfaqen ngado. Jo të gjitha megjithatë përfundojnë për shkak se ose mbarojnë paratë, ose qeveria ndalon punimet e paligjshme. Si rezultat, panorama është shformuar nga shpërthimi i ndërtimeve të shëmtuara të panumërta.

Natyra po ashtu është e mbushur me plehra të hedhur në pikat turistike. Qese plastike dhe plehra të çdo lloji gjenden në lumenj, në fusha, në oborret e pasme të shtëpive. Dhe nëse era është në drejtimin e kundërta, era e keqe nga djegia e plehrave i detyron turistët që të mbyllin dritaret e hotelit.


Një biznes në ndërtim

Agjencia e turizmit është akoma në proces ndërtimi, pranon një zëdhënës i qeverisë, Enton Derraj. Për dy vite ai ka qenë këshilltar pranë Ministrisë së Turizmit.

“Problemi më i madh që kemi është menaxhimi i mbetjeve. Të gjithë të huajt e përmendin këtë. Po punojmë për sistemin e depozitimit të mbetjeve dhe çdo vit bëjmë fushatë kundër hedhjes së plehrave. Në thelb nuk ka lidhje me sistemin ose infrastrukturën, por me mentalitetin. Do duhet kohë që njerëzit të ndërgjegjësohen për këtë,”.

Për të promovuar veten si një destinacion turistik, gjatë viteve të shkuara vendi ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike, duke ndërtuar rrugë, ujësjellësa dhe qendra shëndetësore. Në disa raste ka marrë ndihmë nga jashtë.

Dy vjet më parë është miratuar një ligj për planifikimin hapësinor, në mënyrë që të ndalohen ndërtimet e paligjshme në zonat bregdetare. Projektet e mëdha si resortet turistike duhet të marrin miratimin e një këshilli kombëtar.

“Ne duam që të shmangim ndërtimin e të gjithë bregdetit, siç ka ndodhur në Mal të Zi,” thotë Derraj.


Jo turizëm në masë

Derraj thotë se Shqipëria nuk interesohet për turizmin masiv.
“Është e vërtetë që ne duam të zhvillojmë turizmin bregdetar, por jo si në Spanjë dhe në Greqi, por duke pasur në konsideratë ambientin”, thotë ai.

Strategjia e re synon që të promovojë turizmin malor, agroturizmin dhe turet kulturore.
Për të huajt ka qenë e mundur që të udhëtojnë në Shqipëri vetëm 20 vitet e fundit. Megjithatë nuk ka të dhëna për turizmin, përveç hyrje- daljeve. Në këtë mënyrë nuk dihet nëse këta vizitorë janë turistë apo biznesmenë.

Nuk ka statistika as për netët e kaluara në hotel.
“Për shkak të taksave, hotelet nuk duan të bashkëpunojnë për mbledhjen e të dhënave,” thotë Derraj. “Meqë ato duhet të investojnë akoma, ne nuk po u bëjmë presion. Jemi relativisht tolerantë”./ep


Turistët e huaj në Shqipëri

Vendi/2005/2012
Zvicra: 6150/42,546
Kosova: 336,322/1,708,743
Maqedonia: 141,160/399,281
Greqia: 47,776/225,175
Mali i Zi: 105,636/186,536
Italia: 62,520/147,018
Britania: 33,163/78,593
Gjermania: 23,391/70,060
SHBA: 30,108/58,621
Franca: 9984/30,128
Austria: 6230/22,562

Burimi: GAZETATEMA.NET, 3 qershor 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen