Freitag, 31. Mai 2013

Gjenet e shqiptarëve, unike në Ballkan


Shqiptarët janë popull shumë i vjetër dhe kanë gjuhë të veçantë. Përgjatë shekujve kanë ruajtur homogjenitetin. Dallojnë nga sllavët, derisa kanë ngjashmëri me grekët e para 3 mijë vjetëve. Por, për shkak të zhvendosjeve, migrimeve e martesave, të dhënat gjenetike tregojnë se popujt e Evropës, kush më shumë e kush më pak, të gjithë janë kushërinj të largët. Këto janë rezultatet e një studimi të Universitetit të Kalifornisë për prejardhjen gjenetike.

E gjithë Evropa është një tollovi e madhe gjenetike. Shumica e popujve në kontinentin e vjetër kanë paraardhës të njëjtë apo të ngjashëm. Këto ngjashmëri janë evidente së paku përgjatë 1 mijë e 500 vjetëve të fundit. Por, aq sa kanë të përbashkët disa prej këtyre popujve duken gjithashtu të ndryshëm. Në këtë grup duket se bëjnë pjesë shqiptarët.

Prejardhja e tyre ilire dhe gjuha tërësisht e veçantë nga të tjerët i bën ata goxha specialë. E në të njëjtën kohë del se ata janë me paraardhës të njëjtë me popujt e tjerë të rajonit, por para dyndjeve sllave, rreth 3 mijë vjet më parë.

Peter Ralph dhe Graham Coop janë dy studiues nga Departamenti për Evolucion, Ekologji dhe Biologjinë e Popullsisë në Universitetin e Kalifornisë në SHBA.

Ata në korrik të këtij viti kanë publikuar një studim të quajtur “Gjeografia e fundit e prejardhjes gjenetike nëpër Evropë”. Në të flitet për rajonet dhe popujt e tërë Evropës. Sigurisht, edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës zënë një vend të veçantë. “Disa prej nesh e dinë historinë e prejardhjeve të familjeve tona deri në disa breza. Prandaj, është e lehtë për të dalë në përfundimin se ne jemi të gjithë kushërinj të largët, të lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet një rrjeti të gjerë”, thonë në fillim të punimit shkencor dy autorët amerikanë.

Për këtë arsye, ata thonë se me këtë studim kanë dashur të gjejnë gjenet e përbashkëta të individëve evropianë për të hetuar këto marrëdhënie në distancë kohore prej 3 mijë vjetësh.

“Këtë e kemi bërë duke kërkuar për praninë e gjenit të përbashkët të trashëguar nga paraardhësit”, shkruan më tej në këtë studim.

Sipas studiuesve, në mesin e shumë prej këtyre të dhënave del se ka individë, të cilët, edhe pse janë në anë të kundërta të Evropës, ndajnë në vete gjene të njëjta të paraardhësve të tyre.

Përveç kësaj, sipas tyre, ka të dhëna se evropianët juglindorë ndajnë një numër të madh të paraardhësve të përbashkët, të cilët datojnë që para dyndjes sllave dhe zgjerimit të hunëve.

“Historia e kohëve të fundit gjenealogjike e popullsisë është një mozaik kompleks i formuar edhe nga migrimi individual, në shkallë të gjerë lëvizjet e popullsisë dhe ngjarjet e tjera demografike”, vërejnë studiuesit amerikanë.

Ata më tej theksojnë se të dhënat e popullsisë nëpërmjet gjeneve mund të sigurojnë një dritare për të parë gjurmët e prejardhjes së përbashkët gjenetike.

“Ne e kemi bërë përdorimin e të dhënave gjenetike të 2 mijë e 257 evropianëve për të kryer një nga sondazhet e fundit për prejardhjen gjenealogjike për mbi tre mijë vitet e kaluara në një shkallë kontinentale”, theksojnë profesorët e këtij universiteti.

Më tej në këtë studim shkruan se nivelet më të larta të gjeneve të përbashkëta të të parëve janë gjetur ndërmjet individëve shqipfolës nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kanë ruajtur vazhdimësinë e tyre për së paku 2 mijë vjet të fundit.

“Këta individë ndajnë të dhëna të ngjashme me paraardhësit e popujve të tjerë edhe në Evropë që para dyndjeve sllave”, shkruan më tej në këtë dokument, sipas të cilit kjo nënkupton se shqiptarët nuk kanë qenë një popullsi e izoluar në një vend më shumë sesa që ishin një popullsi e vogël.
“Për më tepër, mostrat tona greke dhe në një masë më të vogël edhe maqedonase ndajnë një numër shumë më të lartë të gjeneve të të parëve të përbashkët me shqiptarët se sa me fqinjët e tjerë. Kjo ndoshta për shkak të zgjerimit të vogël sllav në këto popullsi”, theksojnë autorët.

“Gjuha shqipe është një gjuhë indoevropiane, e pangjashme me të tjera dhe vazhdoi nëpër periudha edhe kur gjuhët fqinje ishin të fuqishme”, vërejnë studiuesit.

Në faqen 15 të studimit, e cila është e titulluar “Kush janë shqiptarët?”, thuhet se shqiptarët modernë mund të jenë pasardhës të njerëzve që kanë banuar në pjesën lindore të Adriatikut dhe në Salenton e sotme (Itali) gjatë periudhës romake.

“Niveli më i lartë i prejardhjes së përbashkët të identitetit gjendet tek individët që flasin gjuhën shqipe, që kanë një rritje të prejardhjes së përbashkët që vjen që nga 1 mijë e 500 vjet më parë. Kjo sugjeron që një pjesë e rëndësishme e pararendësve të shqiptarëve modernë kanë qenë nga një grup relativisht koherent dhe i mbledhur popullsie, që ka qenë i qëndrueshëm për të paktën 1 mijë e 500 vjetët e fundit...”, shkruan në studim.

Pjesë e këtij studimi ishin të dhënat gjenetike të nëntë shqiptarëve nga Shqipëria dhe 14 shqiptarëve nga Kosova.

Burimi: Bota sot, 23.08.2021 (Webfaqja)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen