Mittwoch, 29. Mai 2013

Irena Gjoni

Irena Minella Gjoni ka lindur në Sarandë. Doktore e shkencave në letërsi (në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës). Master Shkencor për letërsi. E diplomuar për gjuhë letërsi. Ka punuar si gazetare në median e shkruar dhe audio- vizive. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitet dhe mësuese letërsie në gjimnaz. Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është anëtare e shoqatës së gazetarëve profesionistë si dhe nënkryetare e shoqatës “Klubi i krijuesve jonianë”. Është redaktore e redaksisë së revistës “Arti jonik”. Është anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë së Sarandës. Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm në gjuhë shqipe e në gjuhë të huaj. Është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Po kështu dhe në shumë manifestime poetike në vende të ndryshme të Evropës ku ka fituar çmime të para. Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike.

Ka botuar librat:
“Tatuazh në shpirt të detit” poezi 2003
“Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” studimor 2008
“Gjysma dashurish” vëllim me fiksione 2010
“Maja malesh e magmë jonike” poezi 2011
"Poetry" poezi 2013

 
 
 
Poezi nga Irena Gjoni
 

.1 SHTOI ZOT VALLET

Shtojzovallet kishin epoka pa bërë vizitë
Në botën dhe jetën e njerëzve
Kurioziteti shtojzovall nisi rrugën
me fustane të bardhë antike
që ngatërronin epokat, gojëdhënat

Hapën sytë në frymëmarrjen e zgjuar te njëra-tjetrës
Sikur shumë bukuri,të kishin një mendje
Kujtonin rrugën nëpër ngatërrim epokash, gojëdhënash
Takim me një shpirt të vrarë
Në momentin ku i lihej i pazhdukshëm,
Një tatuazh zhgënjimi
Dhe nga dhimbja klithte me tërbim sakati

Shtojzovallet e dhimsura,
Kaq panë në botën e njerëzve
Në një vizitë,Shumë më te shkurtër se rruga

Gjithçka u dukej makth ëndrre, makth drite
trupëzuar tek një flokëverdhë si shtojzovallet
Ulur në hijen e zonjave të shtëpisë
Duke thurur gërsheta tatuazhesh zhgënjimi
Të tepruara nga një natë më parë
Në pritje të “MIRËMËNGJESIT” të shtojzovalleve

Duke u ngjasuar me veten,
Me frymë i lanë trupin,
Me qerpikët e gjatë i krehën flokët,
Zërat dhe dritat ia qepën mantel,
Duke e bërë simotrën e tyre

Nën ritmin shtojzovall:
“SHTOI ZOT VALLET”
Shtojzovallja e re kërcente
Duke argëtuar dhe tatuazhin e zhgënjimit...
 
 
2. NE VEND TE PROLOGUT

Këtu
jam një dilemë e rrënjosur në përjetësi;
ëndërrim flakërues që turfullon si kalë i harbuar;
melankoli e muzgut;
demon i zbutur e hiç në krijim fytyrash;
prekje e realitetit me shqisat e të verbërit;
një psherëtimë galaktike;

një jehonë e saj në shpellat primitive;
dashuri e mallkuar në mëkate epshi;
perlë princesash e nimfë e pavdekshme;
mallkim i vendosur në altar martese;
mjegull e djegur në hapësirë të plakur;
tradhëti shkretëtire në oaze makthesh;
engjëll misteresh i dalë prej ferrmendjeve;
një lot shumëngjyrësh i theksuar nga koha;
imazh i rilindur prej hirit që predikon;
tatuazh në shpirt të detit.

Këtu jam vetvetja
në pretendim
që të ngelem vetvetja në çdo kohë…



3.DASHURI BUZË GREMINE

Bëmë dashuri buzë një gremine
Në mollëzat e gishtave të tu,
një cermë hëne të prek

Me ty ëngjëll jam dashuruar unë,
Me ty nata e greminës,
Me ty hëna e njohur si hajdute zemrash

S’di kujt t’ia prishësh

Gremina të josh me fundin e mistershëm
Gëlltit një copë gremine
Hëna të josh me cermën e saj
Gëlltit një copë hënë
Thua se unë të josh me sekretet e pathëna
Gëlltit një sekret timin


Mua më duhet të të shpëtoj
prej vetes sime, greminës dhe hënës
Duke të futur në një akuarium shpirti
të padepërtueshëm prej shumë palë sysh njëherësh

se dashuria ha koka...



4.PENG NË VARREZA 

Në mbërritje tek çdo qytetërim,

Pyes ku janë varrezat

Marr rrugën e dritës së lagësht
duke i ruajtur sytë prej ftohjes
për të mos humbur spektaklin
e dhënë enkas për mua

Një trompë e ngjirur-
gërrisje e portës së varrezave
e lodhur nga përsëritjet shekullore,
uron mirëseardhjen time

Parada e qiparizave të ngatërruar në moshë,
bën përzgjedhjen e mysafirëve
të hyrë nëpërmjet portës së tyre


Portë qiparizash,
e hapur kanatash për kukuvajkat,
E mbyllur përjetësisht për diellin
Këmbëngulës përtej portës ku përditë,
gjatë gjithë ditës,
ka perëndime varrezash dhe muzgje varrezash


Hapat e nemitur,
 përshkojnë relievët e bardhë të varreve
Atelie të ekspozitës së fotografive të të vdekurve
Aty - këtu fatsjellësit e së gjallës,
që jetojnë ende si relike
të qytetërimeve të vdekura
Ndoshta fatsjellës dhe për flirte,
dashuri skeletesh
Gjithçka në kthetrat e konglomerateve të vajeve

 ... ... ... ...
Koha po gërryen
Duke më lënë peng të saj në varreza
Në këtë rudiment
të botës së zhurmshme të së gjallës...




5.TATUAZH NË LEKURËN E DITËVE

Në lëkurën e ditëve
me majën e stërkalave
të detit të djegur nga malli për ty,
Le në tatuazh fytyrën time

Që t’i ngjaj origjinalit,
i derdh flokëve
parfum mimozash të verdha
të mbira, të bleruara e të lulëzuara
në rrugën e detit
përshkuar me hapa të kaltër
ku çdo hapkaltër i penduar,
kthehej mbrapsh

Duke u shndërruar në një saksi mimoze
që për t’u bërë parfumi më epshndjellës në botë,
thithte me zemër esencën e jodit,
kripës, kaltërsisë dhe hapësirës


...Ndaj tatuazhi në lëkurën e ditëve
më ngjan tmerrësisht mua...




6.ZOT NA RUAJ 

Makthet e përditshëm
Ëngjëllorë në absurdin e tyre
Maktherozionëngjëllor

Çuditshëm si një gjarpër i dehur
lëpin dhe përpin plagët e lëna përditshëm
nga vuajtjet, nga pasiguria amorfe,
që bëhet më hermetike në dëshifrim
nga format kameleon që shfaq.

Nga iluzionet e djegura prej vet iluzioneve
Nga gjaku që pikon mbi të ardhmen
pa e ditur ku e ka burimin,
pa e ditur në e ushqen për ringjallje,
apo për inekzistencë...?

Zot na ruaj!




7.KOHË TEK SHTYLLAT E HERAKLIUT

Më në fund...
Më në fund mbërrita
tek Shtyllat e Herakliut

Gdhendur në njërën
(Ndoshta prej parambërritit tim
A ndoshta prej mbërritit të parë
pas Herakliut)
deri në shpirt te shkëmbit
gati në thërrmim gjeta fjalët:
“KOHA SHËRON GJITHÇKA,
PAÇKA SE ME VONESË”


Në hutimin tim,
në të pabesë më puthi
Perëndia e Diellit

Unë riktheva të puthurën
po në të pabesë
Në gdhendje tek shtylla tjetër:
“PO NËSE S’KE MË KOHË,
MOS NDOSHTA ME PLAGË TË PASHËRUARA
TË DUHET TË VDESËSH?”


Më në fund...
Më në fund mbërrita
Tek Shtyllat e Herakliut
Para më pak
se të më dilte gjumi...




8.DEDIKIM MUA

E mora zemrën në njërën dorë
Dhe me dorën tjetër në zemër,
U nisa…

Trokita në një derë
lyer me bojë të artë
Prita.

Dhe drynin me ndryshk,
vetëm atëherë e pashë
Atëherë kur qe bërë natë
(Mallkuar sytë e mi
që dinin të shihnin veç natën)


E mora dorën ngarkuar
me sytë e mallkuar
dhe e futa në xhep
(Në një xhep të verbër
që ish ‘pagëzuar
nga soji i banorëve të tij)

U ktheva…

Veten s’e gjeta atje ku e lashë
Gjeta vetëm qenin besnik
që ruante shtëpinë e braktisur


Atëherë u ula të qaja për vete,
për zemrën e ikur,
shtëpinë e braktisur,
për sytë e vjedhur nga xhepi
dhe atë tatuazhin e vajzës,
vdekur në asfaltin e thatë
që s’kishte kush ta lante më me lotë

U ula të qaja dhe qesha
Kisha harruar se të qash pa sy
dhe me zemër të lënë diku,
Është e pamundur

U ngrita i verbuar
dhe eca drejt vetes
Truri më tha t’i thosha vetes i bindur
se kisha vdekur më në fund…

* * *
Ëndrra thonë që është e shkurtër,
por ajo që le pas,
është e gjatë
Më e gjatë se gjatësia e jetës së fundme
Dhe pak më e shkurtër
se gjatësia e jetës së përjetshme





9.NATË ALI PASHE

" Sonte gjumë s’ka Janina
Val’ e gjolit diçka thotë
Ujë të ëmbël pi Frosina
Ali Pasha helm dhe lotë..."(Populli)

...ma pëshpërit si ledhatim mes flokësh
...më puth ëndërrisht
...ma pëshpërit përsëri
për të më arratisur gjumin

Ëmbël ma nis ogurin e vrasjes
në këtë natë sterrë përballë Posejdonit
Ku heshtjen e sipërfaqshme
e shprish angullima e qenit
dhe oshëtima e valëve…

Heshto ti qen që angullin për kob!
Heshto!
Heshto det,
heshto dhe ti!
Dëgjohet klithma e heshtur e vrasjes sime!

Njeriu që po më vret
më përqafon fort, përkëdhelshëm,
dhimbshëm, dashurisht,
përmallshëmnë krahët e tij.
Vazhdon të më puthë
O Perëndi,
më ëmbël se vetë Erosi

Je ti Ali Pash modern,
endur labirintheve
te kujtesave të kohëve
që përzgjedh për të më vrarë
pikërisht me dashuri


Je ti
projektuesi i imaxheve
të zhgjëndërrta të së ardhmes
që me vret duke më lënë gjallë…




10. RECETË PËR SHËRIMIN E TRURIT

Truri i dhimbte tmerrësisht
Mikrobi i mendimit të burgosur
nga prangat e syve të tij,
mori vetëm një hallkë,
si relike të një kohe
e avancoi thellë e më thellë

Në rrebelim dhimbjeje truri,
iu servir një recetë:


Në mëngjes - një ditë e pirë pa ujë
Në paradreke - dy lugë Luvër
Në drekë - tri rreze hëne
Në pasdreke - nje gotë famë
(Kujdes! Gotëza duhet të jetë e sterilizuar,
në temperaturë të shekullit të 22-të
se fama hyn në reaksion asnjanësimi
edhe me një kokrrizë mikroskopike xhelozie)
Në paradarkë - gjysmë kokrre lumturi
(Edhe me këte duhet kujdesuar si për famën)
Në darkë - një sy trupash të shkuar në parajsë
Në pasdarkë - dy copëza dashuri
E në mesnatë - tri rreze dielli

Me dhimbjen e trurit dhe recetën në dorë,
(kurë e konsideruar 100% shëronjëse)
Labirintheve endshem
gjithë farmacive te botës
Që nga koha kur majmunit i dha lamtumirën
e deri më sot


Kurrë s’i bëri dot të gjitha bashkë
Ndoshta dhimbja e tmerrshme e trurit,
ka për të pushuar kur të rinisë sërisht
ish - bashkëjetesën me majmunin
e mikrobi i mendimit ka për të vdekur...




11. VITE MBI KARUSEL GJENDJESH


Në dëshirë për të krahasuar,
Brenda një magjie të bardhë,
Hipur mbi një karusel gjendjesh,
rendis vitet e mi

Për të mos humbur në kohë,
një ditë e brishtë shkurti
merret me rrotullimin

Në marramendje kushtesh të barabarta,
etja për pushtet e viteve
bëhet zotëruese
Dëshirë e çmendur për kurorë
pa le të jetë dhe kurorë me gjemba


 Por në rrotullim karuseli,
në marramendje çjerrjesh,
në marramendje nxjerrje sysh
                              të njëri - tjetrit,
Rrëzojnë një vit që ngelet i vdekur

Karuseli hesht...
Vitet heshtin...
Gjithçka hesht...

Të gjithë po shkojnë
Në varrim të vitit të vdekur
Të gjithë pa kurorë

Pa kurorë?


Keni dëgjuar ndonjëherë
Për të mirin që s’ka të mirë?
Për të mirin e pa fat?

...  ...  ...  ...

Dita e brishtë mori fund
Koha e konkurimit mbaroi




12. DASHURIA SI ZJARRET E CIGANËVE 

Hënëzoj ditët që u mungon hëna
Dielloj netët që u mungon dielli
Sa herë shoh sytë e tu prej përralle

Thith helmin e ditëve
Vjell gëzimin e netëve
Kur më arratisen prej shikimit
sytë e tu prej përralle cigan

Në zemër, në tru, në shpirtin tim,
ndeze një dashuri të çmendur
si zjarret e fisit tënd

Një dashuri - zjarr ciganësh
që s’dihet sa do të zgjasë
që s’dihet:
në do të shndërrohet i gjithi në hi,
në do të ngelen ende urë
të shuara përdhunshëm,
në do të merren prej tij disa thëngjij
për të ndezur një zjarr të ri
(të paktën për të krijuar egzistencën e dikurshme
të një zjarri të lashtë
si qiri i ndezur mbi kufomat e së shkuarës)

... që s’dihet...

Ah, kjo dashuri si zjarret e ciganëve...

 

 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen