Xhevat Latifi lindi më 28 maj të vitit 1968 në Gjilan, është poet dhe gazetar shqiptarë.
Xhevat Latifi ka kryer Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht është duke ndjekur studimet për master në sociologji në Universitetin e Shtetëror të Tetovës, Maqedoni.
Xhevat Latifi ka një përvojë të gjatë në gazetari dhe ka punuar për RTV 21, Gazeta Lajm, Express, TV Vali, dhe aktualisht është korrespodent i RTK-së, transmetues publik i Kosovës, duke mbuluar rajonin e Gjilanit.
Me shkrime letrare fillon të merret gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Poezitë e tij janë të botuara edhe në vëllime të përbashkëta të poetëve dhe nëpër revista të ndryshme letrare si ”Sheshi” Prishtinë, “Drita” Tiranë , “Jeta e Re” Prishtinë, "Gazeta e Athinës" e revista të tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe të gazetave në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Nga viti 1999 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka marrë shpërblime të ndryshme të konkurseve letrare dhe ishte pjesëmarrës i takimeve të poetëve shqiptarë në Shkup, 1999 dhe në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Vjeshta 2003” në Pogradec.
Në janar 2011 në orën letrare “Pena e Flakës”, në kuadër të manifestimit "Flaka e janarit” mori shpërblimin për poezinë më të mirë të lexuar “Dimri ballkanik ose patinazhi i vjedhjes”.
Xhevat Latifi është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton dhe vepron në Gjilan.
Deri më tani ka botuar dy libra me poezi: “Vdekja kushton shtrenjtë/Vdekja është e shtrenjtë” 1997 dhe “ Shi në flokun tënd” , 2005.
Poezitë e Latifit, janë përkthyer dhe botuar gjithashtu edhe në gjuhën rumune në revistën Haemus nderkohë që janë botuar edhe në antologjinë e poezisë shqipe në Shqipëri, dhe në antologjinë “Lotët e Virgjër ” përgatitur nga Agim Mato e Fatmir Terziu, botoi SHB “ACPE&LULU “ – USA , 2012. Poezitë e Xhevatit janë përfshirë edhe në Antologjiinë në gjuhën angleze, një përmbledhje e 30 shkrimtarëve nga gjithë bota, "EMANATIONS"- të botuar nga International Authors 2012 , me redaktor Carter Kaplan.
Xhevat Latifi, gjjithashtu ka marrë pjesë edhe në Ekspozitën e përbashkët me asociacionin e artistëve alternativ “Varg e Vi” , Gjilan 2010, dhe Perfomancën artistikë “Ma thuaj një fjalë të mirë”, Prishtinë 2012.
Me poezitë e tij të përkthyera në gjuhën angleze, gjermane dhe frenge ai u prezentua edhe në Ekspozitën në Ambasadën e Shqipërise në Bern në kuadër të shënimit të 100 vjetori të Shtetit Shqiptar
Çmimet
Xhevat Latifi është fitues i disa konkurseve letrare.
Në janar 2011 në orën letrare “Pema e Flakës”, në kuadër të manifestimit “Flaka e janarit” mori shpërblimin për poezinë më të mirë të lexuar “Dimri ballkanik ose patinazhi i vjedhjes”.
- Çmimi krijuesi i vitit ,Gjilan 1997,
- Çmimi Poezia më e mirë “Flaka e Janarit”, Gjilan 2005,
- Çmimi poezia më e mirë “Albuniversi”, Stubëll 2007,
- Çmimi poezia më e mirë “Flakadani i Kradakut”, Viti 2009,
- Çmimi poezia ë e mirë “ Muza e Agimit-Ditët e heroit Agim Ramadani” Zhegër 2010,
- Çmimi “ Pena e Flakës-Flaka e Janarit”, Gjilan 2011
Xhevat LATIFI
MA THUAJ NJË FJALË TË MIRË
Ma thuaj një fjalë të mirë
Të shoh qiellin në sy liqeni
Ta ndjej aromën e bukës në çerep
Te pleqëruar në odë
Ta hap një portë dheu
Më thuaj një fjalë të mirë
Se Thalia* ka intrigën aritmi moderne
Si sot, si dje ...
Qe dymijë vjet fjala e mirë nuk plaket
As gjumi nuk e zë
Një fjalë vdekjen e tremb!
Thalia*- muza e Dramës…
HELVETIA OSE TREGIMI PËR TY
Ky liqe si lot mjellme më kujton jugun
Melodi takesh vjeneze Ave Maria një shelg në breg në qiell purpur...
Zürich See një violinë çan mjegullën si mall i motrës për mungesën
Atje poshtë rruga e shtëpisë, një portë e mbetur hapur
Ky liqe ka ngjyrën e syve të urtaku
bastun i argjendtë si thinjat në mustaqe
Atje ktheheni sa herë të doni dimër e verë...
Një erë e ngrohtë ju pret me zogjtë në jug
Ky liqe ka plot zogj të trembur që enden...
Kërkojnë lisat e varreve që lëkunden nga era
Për një fjalë të mirë të ardhjes tënde...
A DALIM NGA ËNDRRA E KEQE DHE BËJMË DASHURI?!
Shkuan një nga një poetët që i shkruanin ëndrrës së keqe
Natës së gjatë me gjeografi gurësh në varre
E di? Shkuan syhapur duke puthur dheun në pëllëmbë
Me thonj të nxjerrë dhe dej gjaku në sy
Të plasur në zemër për ëndrrën e bardhë, amanet!
E tash, a dalim nga ëndrra!?
Se “Boll Mo”... Fol...!?
Mos ma kthe kokën me një anë!
Dhe mos ma pi me fund gotën e helmit të vjetër dymijë vjet
Ndale në zverk një pikë...
A dalim nga kjo ëndërr e keqe e zezë futë!
Ec e dalim pash mu, pash ty!
bëjmë dashuri, se sall dashuri është liria...
AZILI IM OSE STREHA KU MBAJ NË SIRTAR ËNDRRAT E MIA
Nuk është shtëpi parmakësh me grilla bojë hiri
me lisa të mëdhenj që bëjnë hije me fllad veriu
Nuk është makinë komode me rimorkio pushimi në verë
ku deti lag shkëmbinjtë e shpresës
Nuk është kështjellë me myshk kohësh dhe vija thike në mur
As libër i harruar nuk është ku ka vjersha për ujin eliksir...
As është mulli i erës se fishkëllen kohën e një dite në vjeshtë
në kodrën e vrapimit tek bari lëkundet në dashuri
Nuk është hartë ku shënjohet me kryq vendi i kutisë me ari
as lufte për Elenën ku piratohet një grua..
Sall një strehe që pret shiun e verës dhe një sirtar
me dy sy jeshile...
me lisa të mëdhenj që bëjnë hije me fllad veriu
Nuk është makinë komode me rimorkio pushimi në verë
ku deti lag shkëmbinjtë e shpresës
Nuk është kështjellë me myshk kohësh dhe vija thike në mur
As libër i harruar nuk është ku ka vjersha për ujin eliksir...
As është mulli i erës se fishkëllen kohën e një dite në vjeshtë
në kodrën e vrapimit tek bari lëkundet në dashuri
Nuk është hartë ku shënjohet me kryq vendi i kutisë me ari
as lufte për Elenën ku piratohet një grua..
Sall një strehe që pret shiun e verës dhe një sirtar
me dy sy jeshile...
MBI PULLAZ FLAMUR I VERDHË ME YJE
Tashti ti kthehesh vonë mbi pullaze antenat të kthyer në qiell
Janari i acartë flakërohet në diçka të verdhë
që gratë bëjnë yjet në shami me ojna blu
Nuk është e bardhë si qefin që burrat pështjellin kokat e thinjura..
Nuk është e kuqe si pelerina e shituar në Untergruppenbach
Me gjasë nuk ka të bëjë as me këngën “Moj e Bukura More”
As me ëndrrën e heroit të mbështjellë në kortezh
Një flamur i verdhë si ari me ngjyrë plumbi qëndron në pirg
Në fushën e mëllenjave ora e historisë i ngjan valsit vjenez
therjeve në Danub dhe letrave bizantine
gurë varesh që duken si kufij
Imzot edhe po u bashkuam nuk është Shqipëri e Madhe...
DIMRI BALLKANIK OSE PATINAZHI I VJEDHJES
Një mëngjes me borë të rikujton fëmijërinë
Parullat K. R.* vithet e lagura dhe duart që ofshajnë ngrohtësi
hundën e dordolecit e skuqur si një diplomat nordik që vjen nga Beogradi
që lë te porta Pakon e Paqes dhe ik me kaproj të trembur
nis misioni blu - EULEKS që shkon mirë me borën...
Qentë e tredhur luajnë me bojëra kravatash
tutje një maçok i kryqëzuar evropian i ri, fle me naze
Dhe ti mbetesh vetëm, në një dhomë me plot harta dhe liberalizon kufij
fole vetë me vete për qenin e Sharrit, dardanin besnik që ruante delet...
për rrugën e kombit që duhet të përfundojë në Preshevë!
Troja bëhet këngë polifonike për vjedhjen serike,
këndojnë në kor deputetët pirat si ushunjëzat,
Atdheun e shpallin ligatinë bëjnë patinazh me vijat buxhetore...
E tash kthehemi në fillim miku im! Sërish të vonuar në orën e historisë,
mësuesi nervoz ndez cigaren, fërkon ballin
i del tymi (ka frikë se do t’i dalë flaka).
ofshan në duart e ftohta...
KASNECI I HABERIT TË MIRË MUNGON
Thinjat po presin tek dera, si një këngë e vjetër jevgjish
Në ditarin që merr turbulencë me shkronjën e parë
një grua pret në prag të shtëpisë
kafshon buzët nga hije e bardhë..
Edhe sonte pa prijësin!
Ka vdekur kali që kullot barin e kuq të Karl Marksit të dehur
Ctrl- C i kemi bërë homazh një ëndrre të mirë
kur nga fustanella e një vajze me pikla në faqe
del virgjëria, si avujt e një kuzhine në Çikagon e viteve të 30-ta
një kasnec prej Prishtine shkarravitet në lloç për të treguar se ka një ëndërr
na rren duke qeshur... duke na treguar rrugën e shtëpisë...
As sonte nuk do të vijë hanxhiu nga qyteti që s’po bëhet dot metropol
OSBE sjell kanjusha të verdha
E ne prapë i themi Evropës kurvë e vjetër
Pa e paguar kurrë haraçin e dashurisë...
BALLKAN EXSPRESS
Këtu uji ka rrjedhë të egër pjellë shumë histori
çdo gur shenjtëron nyje biblike dhe thotë është imi
rapsodët thyejnë dhëmbët figurat nga balta …
i bëjnë heronj i tëhollojnë deri në mazë të qepës
deri në dhembje koke i hiperbolizojnë trimëritë
epet për ushtritë që kalërojnë
sa herë dehen në këngë
dhe bëjnë kërdi derisa kthehen në tel lahute
ky vend pjell monstrum për t’i ikur lëkurës
për t’u bërë Shegert i therjes së re
vraje atë që e ke pranë se tjetër soj është
vraje dhe there se ngushtë është kjo këmishë
në cep Evrope mos harro këtu matet lashtësia me
thikë me majë të saj ndërrohen toponimet
vizatohen ura në lëkurë ku kryqëzimi bëhet në
hënë të kuqe fajësia pështillet barbarisht krejt
thonjtë gjakosen në ikje në fshehje të gjurmëve
dreq e biri i dreqit vetëm në rolin e viktimës
kupton se është kull i zotit
shkarravit pastaj harta dhe mjegull
se kush kujt i ka vjedhur gurët e varrit
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen