Donnerstag, 30. Mai 2013

Mihallaq Qilleri

Mihallaq Qilleri ka lindur ne Narte te Vlores ku ka kryer edhe shkollen 7 vjeçare. Me pas te gjitha shkollimet i ka kryer ne Tirane, ku edhe u emeroua fillimisht të punoj. Me profesion eshte gjeolog.
Krijimet e para i takojne moshes se adoleshences. Ato kane qene reportazhe, por edhe poezi e tregime te botuara ne organet e shtypit të asaj kohe. Vetëm në vitin 1975 ka botuar librin e parë me tregime.
 
 
 
 
 
Veprat:
 
Prozë:
1- Jeta mbi shkëmbinj - tregime, 1975
2- Zbulimi i ishujve të humbur, - novelë, 1976
3- Dëbimi i hijeve, - tregime e novela, 1977
4- Jetë dhe dashuri, - roman, 1979
5- Robi i malit të argjendt, - tregime, 1979
6- Ne vitet shtatëdhjetë, - roman, 1982
7- Kristali blu, - novelë, 1986,
8- Shkelqimi i deborës, -tregime, 1988,
9- Nje vjeshte me Elian, - roman, 1990
10- Engjejt e viteve të vështira, roman, 2003
11- Brenga dashurie, - tregime e novela- 2008
12- Mekati i murgeshës, - roman, 2008

Drama:
1- Kufiri i gjakut, - dramë, 1981
2- Shqetësimet e Anes, - dramë, 1981
3- Mes dy dashurive, - dramë, 1983
4- Nata e gjate e se shtunes, - 1984
5 - Kërkoj te vertetën, - dramë, 1988
6- Kristali blu, - dramatizim, 1990

Poezi:
1- Takohemi pas shiut, - poezi, 2012
 
 
Poezi nga Mihallaq Qilleri 
 
SHQIPËRIA

Çati e vjetër hedhur dimërash prehistorikë
Furtunash shkulur në ditët ku lehonat lindnin
Krijesa prej guri, fushave të përmbytura,
Maleve të çveshur urivuajtur,
Nën troke kuajsh barbarë, romakë, osmanë, sllavë,
Që përçudnin gjakun e mermertë dhe iknin.

Mbi oborrin e ngushtë të shtëpisë,
Kasolle vëllezërish prej hasmi ngriheshin
Një patkua kali mbi portën bregdetare
Fatin trëmbte përditë e më pak nga dallgët,
Vellezër armiq me shumicë prodhonin vreshtat
Ullinjtë mërmërisnin trishtueshëm
Mbi një tokë të mjerë gjethetharë, e palarë.

Vështrimet ktheheshin si fenerë anijesh pragmbytjeve
Nga Lindja, Perëndimi, nga Azia vesëverdhë
Luftrat lumenjtë e gjakut shtonin,
Më shumë mesvedi sesa me armiqtë e mallkuar.
Hasmëri të çuditshme gjaktrazuar,
Pushtete, ide pa formë, reprezalje drithëruese,
Në hartën e ngushtë si një zanë belkëputur,
Shqipëria ime, Shqipëria jote,
Vështrimin e ankthëm end horizonteve
Pak shpresë në këmbë për t’u ngritur,
Si fëmijë shtatanik në pluhur zvarritet.

Çati e hedhur dimrave prehistorikë,
Armiqësisht lëkundet ende me thirrjen nën dhambë,
O, kuku, moj nanë!

 

V A T H Ë T

Ti mban vathë të bukura, mikja ime!
Mahnitem nga format, ngjyrat, drithërimat
Gjysmëhëna, monedha të arta, zemra të zeza,
Rrathë më të mëdhenj se sytë e tu ,
Manaferra e trandafilë blu…

Në veshin tënd, ato veç ajërit i përpëliten.
Trazojnë shikimet dhe shkasin më tej,
Aq shumë pata menduar për një dhuratë
Të të pëlqente shumë me vërtetë
Përtej një tundje flokësh si koketë..

Gjatë qëndrova para vitrinës së një argjendari
Një palë vathë elgante të zgjidhja për ty..
Vezullonte ari i rremë me nxitim fërkuar.
Drithëronte drita, magjia e lustruar,
E shitësi plak me ankth më shikonte në sy.

Dhe befas ika, me nxitim ika ,
Me trishtimin e mashtrimit zbuluar.
Dhe besova se isha më i pasur se aq;
Në vend të vathëve pa frymë, pa shpirt
Pranë veshit tënd të trandafiltë të mërmëritja ,
Ca fjalë dashurie të ngrohta, të buta,
Gjerdan psherëtimash tani të të sillja ..
 


F A N T A Z M A T
 
- trishtim me personazhet e librave të mi -

Treten ëndrrat, fantazitë, bota ireale thyhet,
Si një vazo antike pa vlerë, pa bukuri..
Librat rrëzohen prej rafteve si pas një tërmeti,
Milingonat gërma në njerëz, male, rrugë, fllad e dete
Ankthe e dashuri të trishtuara, të pluhurosura,
Në tokë, pas një lufte të humbur me kohën, zbresin tani.

Hutimin e heronjëve të palavdishëm shoh vrazhdët,
Viktimat dinjitozë, të heshtur mbajnë drejtpeshimin
Koha i ka venitur, zhveshur e tretur disi,
Strukur nën pluhurin e shpërbërjes njerëzore,
Si dhe faqet e zverdhura të romaneve të mi.

Fëshfërimë gjethesh e stuhi dëbore malesh
Dallgë që stepen në brigjet e mendimeve,
Lodhje, shumë dhimbje, e mendime fjalësh
Propagandë e pështirë në faqet e shtuara..
Liria e mjerë strukur rrjeshtash me vret kur ankon,
Sa pak, sa pak vend, o njeri, më ke dhënë!

Ujqër e qenë madhështorë stanesh gjakosen,
Nën një brucë çobani dridhem në Majë të Lucës,1)
Mbi çadërën e vjetër stuhia e vjeshtës rrënkon
Frika prej urisë e lavdisë së rreme nis’e mbyten..

Viktor Komi, plakushi bukurosh, vijon e pikturon,
Një Kristinë të thinjur sybukur, dashurorë,
Tomi Bregu, avokat tashmë, gjyqe pronarësh mbron
Me dinjitetin e kokoroçit të dikurshëm.
Është ngjalluar Antonia ime aq e brishtë ,
Dhe hak kërkon për tradhëtinë e të shoqit rrebel
Andrea Semani mbi një varr kujtimesh përpëlitet,
Së bukurës Loretë buqeta lulesh vazhdon e i sjell.

Angjelina shpirtzjarrtë në gjunjë më është rrëzuar,
Me duar mbi tastot e kompjuterit tim, pa kuptim,
Robert Kola ka heshtur, ashtu, krenar, i menduar,
E di që ai jeton si atëhere, gjithë ankth e hutim.
Vjeshta e trishtuar e Elias perdet teatrore shkund,
Ku ta dinte se mbretëreshë e Shqipërisë etnike
Do shfaqej e sigurtë, plotë sqimë, më në fund!

Pastaj gjeneralët kopështet e dashurive shkatërrojmë
Me të çmendurit e mi spitalet psikiatrikë pushtoj
Dhe ashtu endem në ajërin e plagosur nga përmbytja
Fantazisht i dërrmuar një përplasje nxis, përdhunë,
Kryengrite groteske që kthehet në vallëzim,
Lirika recitoj si adoleshent në Politeknikum.

Nuk e di pse kam mbetur i shpërfillur nga vetvetja
Një botë tjetër, tjetër, më të denjë duhet të krijojë..
________________
1) – Një nga majat e larta të Shqipërisë Jugperëndimore.
 
 
 
 
PUTHJA E DIELLIT

Ε ngrohtë, e ngrohtë, si ëndërr
Magji lundruese nën qiellin prej degësh
E gjethesh fëshfëritëse
Unë e ti, Lumë i ditëve të mia,
Prekim e njeri-tjetrin trazojmë...

Jemi aq pranë tani sa kurrë më parë..
Vegime vezullese depërtojnë në rrjedhën
Blu të marrëzisë së turbullt,
Ashtu shtrirë me shpinë mbi gurin e bardhë
Mokërr e jetës rrotullohet përskaj meje,
Mërmërimë venitëse lulesh kokëulura.

Ç’më tregon ashtu symbyllur vetja ime?
Ku i shpie mendimet fluritëse kur
Gjithë nxitim e ankth lëviz drejt zhdukjes?
E di që në Detin e gjithësisë zbrazesh
Njerëzor, rrëqanor sa trëmbem e mbytem
Në mrekullinë e puthjes nga një copë diell.
E unë, shtrirë me shpinën e ftohtë
Mbi gurin e mundimeve sifiztike
Pres, pres, pres, në kush e di se sa vite,
Pres.. të zbrazesh diku brenda meje..
 
 
 
BURGOSJA E DIELLIT

Për kështjella majëkodrash kemi folur,
Për mure viganë mitikë,
Jemi mburur për luftra, fitore,
Për humbje që s’i njohëm kurrë..
Për zemrat e vrara, drithërimat,
Arsyen e kalbur, pushkatimet, hata
Për zvrarritjen e jetës baltosur,
Humor kemi bërë, shaka.

Për mijëra dashuri të shkatërrura,
Të thyera kristale dritëmekur
Për rrëmbime cubash mjeranë,
Për lule të shkelura flokëgrisur
Në shtëpitë publike matanë,
Nën hije përralla kemi stisur.

Gjakmarrjen rrethuar me mure tërbimi
Përrenj lotësh kemi fshehur gjithkund
Kemi heshtur supngitur diku në një rrugë
Për vitet e varrosura, të mjera atje
Po heshtim për diej që mbyllen në burg.
Po heshtim për vitet që ikin për ne..

Për kështjella majëkodrash po flasim,
Për humbje që nuk i njohëm kurrë..
 
 
 
D A S H U R I A

Ti thua se fjalët e tua të janë një shfaqje dashurie,
Unë besoj se, mbi të gjitha, jemi thjeshtë të sinqertë !

Dashuria, po të jetë vërtetë e tillë e na dhemb,
Është nga të paktat kohë të bukura me stuhi,
Shtrëngata që na lagin e na mbajnë ngrohtë,
Sëmundje që nuk na shtrin në shtrat.
Dhimbje zemre që shpesh ka nevojë për vetmi!
 
 
 
KUR MUNGON TI

Kur mungon ti,
Kapakët e buzëve thahen nga ajëri i thinjur,
I hidhur, si në një minierë qymyri, e
Sytë ulin qepallat e rënda,
Përtej viteve të ngrira.

Kur mungon ti,
Akacia mbi dritaren e dhomës sime të punës
Vyshket e gjitha, gjethe-e-lulerënë
E degët ngjajnë si këmbë të verdha
Ushtarësh kthyer nga Lufta e Gjirit

Kur mungon ti,
Drita ka vdekur në shpella trishtimi
E humnerash pa fund, e
Hëna e hedhur mbi pusin e qiellit
Coptuar shihet si monedha e asgjësë.

Kur mungon ti,
Skllavëria zbret në tokën e pluhurt
Të mendimeve barbare,
Me drithërima gjaku e mënçuri
Të fikur..

Kur mungon ti,
Heshtja perandorinë e vet krijon përdhunshëm,
Nëpër mijëra gërma – milingona
Që ngrijnë si ushtri e tharë
Në shkretëtirat e bardha
Të romaneve të papërfunduar.

Kur mungon ti,
Koha është vrarë diku në Luginën e Gjoksit!
 
 
 
 
MUZG’ I AKULLT

Shalli yt stalaktik i bardhë
Qafën e fildishtë ta ka rrethuar
Fytyra muzg i tejdukshëm
Rrëshket mbi mendime të ftohta,
Drithërimat ankthzgjuese që shpresën tashmë
Mbi atë copë akull të bardhë të shpresës
E nisin të udhëtoj rrezikshëm....

Hapësira është e shkurtër,
Si një makth rrotullues karruseli
Që nis nga zemra jote,
Nën flokët e verdhë ku mendimet gjëmojnë,
E si alge funddeti lëkunden nga dallgë të padukshme
Si plasaritjet e shpirtit tim dyshues përfundojnë
Rrethin e ankthit dantesk..

Sy të mprehtë shoh nën këtë muzg të akullt
Që shpojnë tejpërtej trupin tim të lodhur
Nga pritja e gjatë, e mundimshme,
E dashurisë së çuditshme kozmike..
Shalli yt një stalaktikë i bardhë
Qafën e fildishtë ta ka rrethuar...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen