Samstag, 1. Juni 2013

Rrustem Gërguri

Rrustem Gërguri u lind në 13 prill 1950 në Llukac i Begut,komuna e Istogut.Shkollimin fillor e mbaroi në Gurrakoc ndërsa të mesmen në Mitrovicën e Kosovës.Shkollimin e lartë Universitar e mbaroi në Prizren dhe Prishtinë,dega Gjuhë dhe letërsi shqipe.
Studjoi në Rijekë-Universiteti i Zagrebit,në degën e Teknologjisë ,në vitet e 70-ta,ku ndërpreu pas vitit të dytë studimet dhe vazhdoi studimet e gjuhës shqipe.
Nga shtatori i vitit 1970 deri më sot,është në procesin mësimor ,në mësimdhënie të lëndës së Gjuhës shqipe.
Ka punuar në Pejë,Prizren,Therandë,Korishë, ,Treboviq,Rogovë, Kijevë- së fundi në Osdrin fshat paralagje e Pejës.
Përndryshe me krijimtarinë letrare,pikërisht poezi e humor,nisi të merret që nga bangat e fillimit të shkollës së mesme.Ka botuar me qindra poezi në gazeta,revista dhe periodikë të kohës,po aq dhe krijime humoristike.
Ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës së famshme ‘Rilindja’,i revistave “Zëri i rinisë’, Thumbi, Satirikoni, Shkëndija, Bota e Re, Flaka e Vëllazërimit, Pionieri, Bujku etj.
Poezitë e tij janë botuar në përkthim edhe në revistën kroate ‘OKO’ në Zagreb 1977 .
Ka fituar me dhjetëra shpërblime në konkurset letrare të revistave të kohës që dilnin në Kosovë.
Është fitues i shpërblimit për poezinë më të mirë në Takimet letrare Azem Shkreli’2013 që mbahen tradicionalisht në Pejë.
Është nderuar me mirënjohjen “Krijues i dalluar” në manifestimin tradicional ‘Kultura pejane ndë rvite 2012 “
Ka botuar dy përmbledhje me poezi ‘Heshtje e kërcënuar’ dhe ‘Kujtesë e bardhë ‘.
Ka në dorëshkrim pesë përmbledhje me poezi dhe një me humor.
Shkruan kyesisht për të rritur.
Aktualisht është gazetar redaktor përgjegjës në radiostacionin rajonal Radio Peja.
Është edhe bashkëpunëtor i rregullt i sektorit të kulturës në Drejtorinë për kulturë në Pejë.
Është i martuar,ka dy fëmijë dhe një përmallim të përjetshëm.
Është 6 herë gjysh.
Qe nga viti 1970 -jeton dhe punon në Pejë.
Përshëndetje dhe ju faleminderit për konsideratën !



Rrustem GËRGURI

KALTËRIA E DUKAGJINIT

Piktori mbështet në mur
Dhe hesht,
Në pafundësinë e kallinjve valor
Më dhuron bredhjen
Pas fluturakeve të stinës
Gjurmët grishin ritmin
Në një copë qielli dukagjinas
Pëllumbat zhyten,

Dëgjohet zëshëm kitarë e harruar
Piktori sërish mbështet në mur
Në heshtje pa trazim
Kaltëria e Dukagjinit
Në krahët e pëllumbave
Bardhësi e frutnim…



TË LUTEM

Diell, shkëlqimtar
Përjetshëm
Ndriço !

Kurrë mos perëndo
Hënës lozonjare
Që tradhtisht merr

Shpirtra pafajësie

Kurrë mos i beso!…



VERBIMI I LIRISË

Nuk ëndërruam maleve
N`shtegun çlirimtar
Errësirën e shpellave

Ujqërit e sotëm
fshehur
- grabitçarë…!

Sa thellë kafshuan
Deri në verbim
Syrin e lirisë

Nga loti i shpresës
Na shteret shikimi
Si të shohim atdheun
N` dritën e tij reale.

Në përqafimin e akulltë
Kurrë aq të fundosur
Në oqeanin e përgjakur
Aq shumë kusarë !!!



 ÇAST

Më shfaqet befas
poeti i përvojës.
Duke rimuar hapat
në ecje ...

Rrugicës së njëjtë
Kurrë të njohur

As poeti
As rruga

Deri në fund ...



 TI MË FOLE

Ti më fole për shtëpinë
The- vatër e oxhak për atdhe.
Po ti s’dije që pafajësinë
S’pyet furtuna, e hedh perdhe

Ti këndove me çlirimtarin
Ia shkove këngës tej bilbili.
Nuk ngurove të sfidosh fatin
Po t’ bëheshe, ngjyrë trëndafili

Unë e di bir , ç’ëndrra thure
Mjerisht errësira t’i mbylli sytë
Ti kurrë syçartur nuk u turre
Që të godasësh pafajësitë.




 JUGU

U trand qielli
Në sy

Yjet zbritën

U tremb mali
Në gjak

Zogjtë u ngjyrosën

U shtua fjla
Në zemër

Dashuri Jugu

Në këtë midis
Heshtje dhe malli
Bimojnë

Lule ëndërrimi



 GRUA

Nëse ruan një fjalë
Në maje të gjuhës
Aq mahnitëse
Aq të butë
Thuaje
Grua

Nëse të rrin varë
Në qerpikun e shkruar
Një shikim
Aq shpresëdhënës
Zbrite
Grua !

Nëse ke mbyllur
N`thellësi të zemrës
Një duhmë
Aq të vakët
Shpalose
G r u a !

Kjo heshtje e tëra
Që pikon e derdhet
Me kryeneçësi
Në këtë shtëpi

Vallë
S`na vjen si helm jete
Në kurorën e fatit
Grua !



 SHTËPIA JONË

Shtëpia jonë është
Krejt bardh
Në zemër të fshatit
Me zogj
Të hareshëm
Të vyeshëm

Shtëpia jonë është
Gjithë plot
Gjithë bardh

Në të nuk zë vend
E zeza

Njollë që shëmton
Aty
E bardhë bujaria
Përjetshëm mbretëron.



 JETA AKULL

Kur lëkundim
Gurin e varrit
Çmendën erërat

Kur shuhet zjarri
Në vatër.

Trupin e dridhin ethet

Jeta bëhet akull…



DERI NË FLOKUN E THINJUR

Do të kthehem
Të jetoj lindjen

Deri në flokun e thinjur
Deri në fjalën e fundit

T`i ujisë gjurmët
Barishteve me vesë

Të ngroh zemrën
Me prushin e lindjes

Do të kthehem nënë!




ASGJË MË TEPËR …

Në jetë nuk kërkova
Asgjë më tepër
Veç se të jem
Poet
Mik i të gjitha nënave
Që humben sytë
Shkaku i pikëllimit
Për djalin

Nuk kërkova asgjë
Më tepër së një duhmë
Vaktësie
Në zemrën time
Nga shtegtimi i saj
Pranverave të moshës
Në vrap duke kërkuar
Moshën time...



IA DOLËM …

Tokës ia numëronim
Brinjtë

Përmes dritares së kullave
Përbironim veten
Duke ndjekur diellin
Perëndimin e tij
Krejt mallëngjim

Për një puthje mëngjesi
U dogjem sa herë e hërë
Që të mbërrijmë
Zenitin e diellit

Që dita e radhës
Të mos na shkojë
Huq

Në kalendarin e pritjes
Datuam veten
Historinë e flijimit.




PËR ATA SY TË IKUR …

Dallova verbëri të bardhë
Në shikimin e tij të fundit
S`ia doli errësira

Tani ai vetëm fle!

Ninullën e përjetësisë
Ia këndojnë dy zogjtë
- dhuratë jetës.




L U T J E

Një shikim miqësor
i shfaqur lehtë
nën qërpikun e zgjatur
si rreze jete shtrirë
bardhësisht mëngjeseve
besimin e fjalës ndritë

Në triumfin shpirtëror
butësisht në pëshpëritje
lindin dhe rritën
- miqësi të reja…

ME SHQIPEN E PARË

Më thua të nisem
Kah Ti
Me shqipen e parë .

Të thërras
Derisa të përgjigjesh.

Kur të më dëgjosh
-dije
Gjithmonë jetova
Me mallin

Për largësi ..





SYÇELË JEP SHPIRT PAFAJËSIA

Si kusarë dalë në pritë
Hije nate
Nuk dallojnë hijet
Nga afër nga largësitë
Fajësi a pafajësi
Kryejnë porositë

Anës tjetër të rrugës pritej djalli
Anës tjetër trotuarit vinte engjëlli

Në pritë vdekja
Mbyllën sytë e djalërisë
Del ëndrra dhe dergjet stinëve

Syçelë jep shpirt pafajësia !





SA PËR NGUSHËLLIM

Jeto poet
Dhe shkruaj
Letra të gjata

Miqve

Si e pinë
Trishtimin e 23 dhjetorit

Mos u trego.




KURRË...

Kurrë mos pusho së dashuruari
Jetën që sjell miqësi të paanë

Kurrë mos pusho së adhuruari
Nënën që të rri pranë

Kurrë mos i del diellit para
Pa shpresë e me mallkim

Përshëndetja rrezet e ngrohta
Se janë jetë dhe miklim.

Kurrë mos harro gjakun e dëshmorit
Derdhur n`istikame betejave për liri

I vë kurorë lulesh maje lapidarit
Se rritën e ke në shkëlqimin e tij.

Dhe kurrë mos thuaj kurrë
Se jetës kurrë nuk i dihet

Mbahu fort - qëndro si burrë,
Edhe kur copëra , zemra të thyhet.

Rrustem Gërguri


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen