Dienstag, 28. Mai 2013

Elez Isuf Ndreu

Elez Isuf Ndreu
(1861-1924)
Ishte prijës popullor i çetave të krahinës së Dibrës.

Ka lindur në vitin 1861 ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Bir i Isuf Ndreut, nga një familje që do bëhej simbol i Dibrës.
Në vitin 1884, aty ku Isuf Ndreu kishte ndërtuar një kalibe në Lisivalle, djemtë e tij ndërtuan një kullë me tre kate, "Kulla e Gjatë", siç u quajt nga populli, me gurë të gdhendur, që s'dihet se nga ç'vend ishin sjellë e si ishin transportuar. Muret e gjerë mbi një metër, me sharapolle e frengji për çdo kat, i jepnin "Kullës së Gjatë" trajtat e një mikrokalaje, të ndërtuar për qëndresë. Mbahej kjo kullë deri në vitin 1968. Në kohën kur u ndërtua kjo kullë (1884), siç duket, Ndret ishin përballur me fiset e krahinës së Lumes e kishin rënë në gjaksi me ta. Nga ana tjetër, në vitet 70-80 të shekullit XIX, Lëvizja Kombëtare Shqiptare njohu zhvillime të reja. Dibranët luajtën rol parësor si në solidarizimin dhe përkrahjen e Lidhjes Shgiptare të Prizrenit, ashtu dhe të qëndresës kundra turqëve osmanë. Konfliktet e Dacit të Kalisit me fiset e Sllovës, bënë që këta të fundit të kërkonin mbrojtjen e Ndreut. Për të përligjë këtë Dush Zhugri i shiti Elez Isufit disa toka në Sllovë. Kjo blerje është bërë rreth vitit 1881, kur Elezi ishte arratisur për t'i shpëtuar shërbimit ushtarak turk. Blerjen e kësaj toke, që ishte bërë pa dijenin e të vëllait, Xhelilit, Elezi 20 vjeçar e kishte parë në disa plane dhe veçanërisht në mundësinë për t'iu afruar qendrës administrative që në këtë kohë ishte` Vlesha.
Mbas vdekjes së Xhelilit, Elezi hodhi sytë drejt Sllovës. Ndërtoi aty një kullë me tre kate. Por, pikërisht në këtë kohë, nisin dhe kontradiktat ndërmjet Dacit e Ndreut që do të zgjasnin për vite të tëra, përjashtuar rasteve kur këto vise sulmoheshin nga turkë e më vonë nga serbët, siç qe Lufta e Kolosjanit në nëntor 1912, që hasmëritë liheshin mbas dore. Më 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit ishte Elez Isufi me 200 djelmoça që mbanin të sigurtë zhvillimin e Kongresit. Historia na ka treguar se që nga viti 1912 e deri në vitin 1924, Elez Isufi mori pjesë pothuaj në të gjitha ngjarjet e mëdha politike të Shqipërisë, duke bërë një emër të madh në historinë e vendit tonë. Janë domethënse fjalët e prijësit dibran, kur e kanë pyetur:”A nuk po shkon dhe ti në Vlorë, Elez Isufi?”. Ai ia ka kthyer: ”Kam çue djemtë në dasëm se u rritën. Vetë po kqyr shpajën se mos ma çart ujku.”[1] Në ato vite kulla e Elez Isuf Ndreut në Sllove të Dibrës u bë një nga qendrat kryesore të lëvizjes atdhetare të Shqipërisë verilindore dhe aty mblidheshin burra të njohur dhe me emër të madh nga të gjitha krahinat e vendit. Dera e Ndreajve gjatë kohës kur jetoi Isuf Ndreu, ishte vend ku burra Rexhep Bajraktari i Hasit, Zija Dibra, Ramiz Daci, Islam Spahiu etj kuvendonin për çështjet madhore t'atdhetarizmit. Më 1884 lindë Hysen Elez Ndreu, që më vonë u njoh si Cen Ndreu[2]. Pushka e Elez Isufit u pagëzua shpejt në zjarrin e betejave për liri. Emri i tij ndeshet që në kryengritjet e viteve 1909-10. Ai që në fillimet e rezistencës së vet u shqua për kërkesat e qarta për liri. Për këtë arsye edhe u arrestua në Gostivar më 1910 dhe u mbajt në burgjet e perandorisë në Manastir dhe Selanik. Arrestimi erdhi pas një kurthi, që i ngritën turqit e rinj, të cilët e panë se Elez Isufi ishte kockë e fortë për ta mposhtur ballazi. E thirrën në “besë” me anë të një letre, gjoja miqsore, ku e ftonin në një takim për të biseduar punët e Shqipërisë së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën. Sapo ai shkoi në takimin-kurth, u arrestua. Presinonet e dibranëve të udhëhequr nga nipi i tij, Isuf Xhelil Ndreu dhe të lumjanëve të udhëhequr nga Mustafë Lita, u lirua.[1] Elez Isufi mori pjesë në shumë luftëra e beteja si kundër forcave turke, ashtu edhe atyre serbo-malazeze, por vlejnë për të përmendur ato të kryengritjeve të viteve 1912-1913-të, kryengritja e shtatorit e vitit 1913, goditja e Divizionit të Nishit, në 5 dhjetor të vitit 1915-të etj.
"Pjesmarrja e forcave popullore të Lumës, Hasit e Dibrës gjatë muajit nëntor 1912, në luftën kundër pushtuesëve serbë, bëri që pushtuesi të humbasë shumë ushtarë e municione."[3]
Si rezultat i kësaj veprimtarie, forcat serbe i dogjën tri herë kullat e familjes Ndreu, në 1913-ën, në 1918-ën dhe në 1921-in. Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 e deri në tetor 1918, me përjashtim të një vizite që bëri në Vjenë, ku u dekorua prej Kajzerit, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi - perandori i Austro-Hungarisë dekoroi Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të Franc Jozefit me dekoracion lufte (Kriegsdekoration)[4]. Hoxhë Kadri Prishtina themelon në Shkodër komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ku Elezi merrte pjesë përkrah Bedri Pejanit, Sotir Pecit, etj. Elez Isufi mbeti një kundërshtar i ashpër i aneksimit të tokave shqiptare sipas “vijës strategjike” të projektuar nga gjenerali francez Franchet d’Esperey. Sipas kësaj “vije strategjike” pas mbarimit të luftës së Parë Botërore, serbët mbanin nën okupim toka që gjendeshin brenda kufirit të 1913-ës dhe shtrihej nga Martaneshi, Qafa e Bullit, Qafa e Murrës, Lana e Lurës dhe Malësiët e Kelmendit dhe të Gjakovës[1]. Kjo vijë strategjike megjithëse nuk u respektua prej shqiptarëve, mbeti në duart e serbëve deri në vitin 1921.



Revolta e 1922

Në fillim të shkurtit 1922 në katundin Allajbeg mblidhen Elez Jusufi bashkë me nipin e tij Jusuf Xhelilin, Halit Lleshi, Murat Kaloshi dhe Dan Cami. Këtu vendoset organizimi i një kryengritjeje dhe vënja në zbatim e saj. Bashkë me Bajram Currin, Halit Lleshin, etj. ishin në krye të një kryengritjeje që ishte shprehi e pakënaqësisë dhe tensionit të grumbulluar. H. Lleshi, pas kësaj, shkoi në Jugosllavi për t’u kthyer mbas një muaji me fuqitë e tij, në mënyrë që të nisej në një ditë me Elezin për të sulmuar Elbasanin. Myftar Kaloshi gjithashtu do të nisej me Elezin, ndërsa Murat Kaloshi ish ngarkuar të okuponte qëndrën e prefekturës së Dibrës, ku si prefekt ndodhej Sali Vuçiterni. Kapiten Shefqet Korça me 800 ushtarë ndërkohë ishte duke bërë çarmatimin nga ana e Zerqanit. Qeveria në këto lëvizje të dibranëve dërgon kapiten Aziç Çamin dhe kapiten Selahudin Blloshmin me forca ushtarake në Qafë të Shtambës për t’i prerë rrugën fuqisë së Elezit. Elezi me fuqinë e tij më parë shkon në Lurë dhe, me pak fuqi që mori këtu dhe në Selitë, formon një forcë civile prej 370 vetësh. Me këtë fuqi, duke ecur natën, mbi rrugë e nën rrugë, pa hasur fuqitë qeveritare, mbërrin në Fushë-Krujë ku bashkohet me Abaz Kupin, Mustafa Krujën dhe Zija Dibrën. Në Tiranë, përveç kompanisë së disiplinës dhe të një kompanije të kazermës, qeveria nuk dispononte tjetër fuqi për mbrojtjen e kryeqytetit. Lajmi i papritur i dukjes së Elezit në Fushë Krujë shkaktoi një panik të madh në qarqet qeveritare në Tiranë.
Major Meleq Frashëri me 25 xhandarë të ish-bataljonit të organizuar prej francezëve ne Korçë, nën komandë të kapter Muço Kapinovës dhe me 270 civila të Hysni Toskës, nën komandën e Jaho Komanit, nipit të të parit, niset t’i dalë para Elezit. Fuqija e Meleqit, para se të arrinte afër Kamzës, ra në përgjakje. Fuqija e Hysni Toskës, në marrëveshje qysh më parë me kundërshtarët, largohet para se të fillonte lufta dhe Meleqi me ata pak xhandare që kish mbeti vetëm përpara armikut. Lufta filloi në befasi dhe si rezultat i saj vriten gjysma e xhandarmëve, kurse Meleqi plagoset. Me gjithë këshillat e Muço Kapinovës që të kthehej në Tiranë në kalë, ai nuk dëgjoi të kthehej, qëndroi në vend deri sa mbërrinë njerëzit e Elezit, midis të cilëve Azis Pilafi. Ky i mori pushkën, unazën e gishtit dhe të plagosur e vrau me një plumb kokës. Azis Pilafi më vonë u arrestua prej kapiten Riza Cerovës, komandant i xhandarmërisë së qarkut të Dibrës, dhe zhduket misteriozisht.
Më 8 mars 1922 pararojet e Elezit kishin arrirë në lagjet e jashtme të Tiranës, nga ana e veri-perëndimit. Zogu, me ato pak fuqi që dispononte qeveria ndërkohë, po mundohej të merrte masat e rastit për mbrojtjen e kryeqytetit. Kurse qeveria bashkë me deputetët u mblodh në kryeministri dhe vendosi të largohej në Elbasan, mbasi Tirana po bëhej fushë lufte. Kështu, që të nesërmen herët, më 9 mars 1922, qeveria, përveç Spiro Kolekës, ministër i Punëve Botore, bashkë me deputetët dhe shumë intelektualë dhe funksionarë u nisën për në Elbasan. Qeveria me telefon thirri fuqitë ushtarake nga Zerqani e nga Kruja dhe vullnetarët nga Elbasani. Dy ditë mbas hyrjes së Elezit në Tiranë lëvizi kundra qeverisë dhe Hamit bej Toptani. Mbas ndërmjetësimit të ministrit anglez Eyres me të marrun vesh sesa e rënduar u bë situata me ndërhyrjen e Hamit beut,[5] i paqësoi dibranët me Ahmet Zogun që drejtonte mbrojtjen e kryeqytetit. Do të çuditej konsulli anglez Ayros, i cili qe ndërmjetës në takimin që kishte Elez Isufi me Ahmet Zogun në Lëvizjen e Marsit 1922. Në kujtimet e tij, ai tregon se kishte mbetë i habitur se si ranë dakort këto dy burra, njani 26 vjeç e tjetri 60, pa protokoll zyrtar, vetëm duke i dhanë dorën njëri-tjetrit.


1922-'24

Dom Lazër Shantoja mbas një vizite në Mat e Dibër shkruan përshtypjet e veta në shtypin e kohës:
"Elez Isufi âsht nji burrë qi flet pak! Kur flet të kënaqë e të mëson.
Gadi gjith herë e hapë kuvendin me ndoj fjalë të popullit. Kambë─kryq, me çubuk qelibarit në gojë, dorët e djathët pshtetun në gjû, mêndon. Heshtim! Mandej flet. Thonë se kishe dishrue shum me pa, e përgjegjë: I falem nderës këtij zotëní fort: nuk ka ardhë me më pá mue, por mâ fort Shqipnín. Flet për zakonet e vêndit, për ndolljet e fundit, për politiken e jashtme e mandej tuj fshâ thotë: «Shum ka pa kjo Shqipní.» Pasjoni i tij duket se âsht Bajram Curri. Pyet e flet mbî tê: nuk e lëshon goje kurr. Jemi dy pleq, thotë, por kemi nji shpirtë të vetun të dy[6].
Ne vitet ‘20 gazeta "Liria Kombëtare" që botohej jashtë vendit, në mes të tjerash shkruante: "Elez Isuf Ndreu, burrë dibran me karakterin e shqiptarëve të hershëm e më atdhedashuri të fortë që nuk i'u përul as forcës brutale dhe as arit të huaj". U vra në kazermat e Peshkopisë më 26 dhjetor 1924.


Burimet

  1. Dalip Greca: Elez Isufi, prijësi popullor dibran që historia i dha pavdeksinë
  2. Xh.Ndreu, "S'ka qetësi në Lisivalle"
  3. Gazeta “Atdheu”, në numrin e saj 20 nëntorit
  4. Posta e Shqipniës, 17/03/1917
  5. Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942, Neraida 2000
  6. Dom Lazër Shantoja: Në Mat e në Dibër Tiranë 5-XI-1924 "Bashkimi", 7 nanduer 1924 ─ shkëputë nga "Vepra" nën kujdesin e Arben Markut

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen