Ismet Aliu u lind më 1957 në Balaj të Ferizajt. Ka kryer studimet e larta në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, (Fakulteti Filologjik) në Universitetin e Prishtinës.
Shkruan poezi e prozë.
Ka botuar veprat:
“Rrathë në hapësirë”, poezi (Rilindja, Prishtinë, 1987)
“Babai i pasjellshëm”, poezi (Rilindja, Prishtinë, 1989)
“Vrasja e indiferencës”, tregime (Rilindja, Prishtinë, 1990)
“Ëndrra me krahë dylli”, poezi për të rritur – (Buzuku, Prishtinë, 2007)
“Në anën tjetër të pasqyrës”, roman – (Ura, Ferizaj, 2010 )
“MURI I QELQTË – mes mortit e jetës”, roman – ( Faik Konica, Prishtinë 2011)
Është prezantuar në librin poetik “Rrjedh e lë gjurmë” (Bota e Re, Prishtinë, 1982 si dhe në antologjinë e poezisë shqipe “Fjala poetike” që sapo doli nga shtypi.
K R I J I M I
Më erdhi ëndrra e thellësive kozmike
Muza e përndritjes me Zjarr astral
Shëtitëm në hapësira të pastra lirike
Qiell i fjalëve: Etje – Zogj plot mall
Nis gjakimin, zhytem në thellësi
Shpirti Lumë Qiellor i pavdekshëm: poezi
E lë trupin në dhomë shfaqem Njeri i Ri
Në mëngjesin e vargjeve Pema pikë bukuri
TERRI KOZMIK
Do të ketë zgjatur shumë ajo Natë...
Hapësira ishte Urith
Mendjemadhësia
I shëtiste nëpër pafundësi
Koha kotej e kotej
Në Pusin e thellë
Prej pakuptimësie
Trishtonin pafundësitë
Me sy Urithi
Do të ketë zgjatur shumë ajo Natë...
BOSHËSI DHE HIÇ
Nëpër
Trupin e Urithit
Ngjitej Hiqi
Kalorësi pa Udhë
Zvarritej nëpër vetvete
Kotësia ushqehej
Me Frutat e Mërzisë
MUZIKË
Tingujve të heshtjes
U shpërbëhej
Shpirti delikat
Tek grisnin
Pelerinën e Territ
Muzat që do të vinin
Ëndërronin
Baletin kozmik
S’ di
Nëse e dëgjonte kush
Nokturnon e Shiut
Në gjithë atë boshësi
Me sy prej Urithi
Mungonte prania ime
PIKTURA
Në gjithë atë Zbrazëti Idiote
Ishte sall një Pikturë
Për hata ishte...
2
Koha
Tulatur brenda vetes
Lexonte zbrazëtinë
Pa tekst
Piktura me Sy Urithi
Me ëndrrën pa formë
Në Vetminë mendjemadhe
Ishte për hata
Nuk e di
Si e duronte Zoti!!!
ANTIKOHË
Në Terr, Vetmi
Në pamjen pa imagjinatë
Portreti i kotësisë
Zgërdhihej
Jokoha
Dremitej Qiejve të mbyllur
Kur ia behën
Prindërit Tanë
Antikoha u mbyll
U hapën Qiejt
BALETI KOZMIK
Në hapësirat
Që trishtojnë
Trupat
Luanin Balet
Por
Mungesa jonë
Ia lagte
Faqet qiellit..
UJI
I tejdukshëm
Si dita
Dhe hyjnor
Si qiejt
Je fragment Edeni
A Ëndërr Qiellore
Mes njerëzish
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen