Dan Kosumi |
Dan Kosumi u lind më 1966, në fshatin Tugjec, komuna e Dardanës. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në Dardanë.
Letërsia ka qenë pjesë e pandarë e Kosumit, qysh në bankat e shkollës, ku prioritet merrte krijimtaria letrare.
Libri poetik “…dhe vjen një ditë…”, Botues “Brezi 81” Prishtinë,
pastaj "Malli i dashurisë" - Poezi, Botues “ADA” Tiranë.
Ish Kryetar i SHKSHZ / Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër ku jeton dhe vepron,
Nënkryetar i LKSHM / Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë / Botë,
Anëtar i LSHK / Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës,
Anëtar nderi dhe bashkëthemelues i LSHKSHA / Lidhjes Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri,
Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve „ Naim Frashëri“ në Fushë Kosovë,
Koordinator për Evropë i Shoqatës Shqiptare të Muhaxhirëve Mbarëkombëtar me seli në Prishtinë.
Poezi nga Dan Kosumi
Vargjet e mia
I shkrova në varret e shenjta kreshnike,
në lapidarët e pavdekësisë.
I shkrova nëpër vite e shekuj plot dhimbje,
në rrudhat e ballit të popullit tim.
I shkrova ato në këtë tokë të shenjtë,
në themelet e lashtësisë, të forta si graniti...
I thashë vetes
Mos pusho të lindësh vargjet si ylberi,
falu krahët e shqipes të ngjiten drejt qiellit,
bekoji me dashurinë të puthen me diellin,
mbushi me magjinë të mos vdesin kurrë....
Nuk duam kufij
Sa herë na ndanë e bënë copa-copa,
por trungun s’na e prenë dot, jo,
se të thella i patëm rrënjët në lëmin e gjakut,
që ne me dashuri i themi “nënë”.
Sa herë për ne, prenë e qepën harta,
makete, xhaketa e flamuj.
Askush nuk na pyeti se kush jemi,
nga vijmë dhe a jemi shumë,
emrin siç deshën na e lanë:
Shiftar,
Arnaut,
Alban...
Ata ngritën mure mes nesh,
zemrën labirint na e bënë.
Diellit, shiut të imtë të lirisë, iu bënë ombrellë,
për ne deshën vetëm stuhitë,
dhe na i nisën kohë pas kohe.
E kështu u shkrua historia…
Ne,
larg,
në dhè të huaj
e sytë e lokes mëmë verbohen prej mallit të birit
e loti derdhet pafajshëm faqeve…
Përtej mureve në të katër anët,
hidhet shikimi i saj për bijtë e ikur,
asnjë lajm,
as dje,
as sot,
as nesër…
Si në dy këmbë urash të pafundme gjeografikisht kemi mbetur,
pa motrën, pa vëllanë, pa bijën, pa birin.
Jemi larg, pa njëri-tjetrin,
pa lulet që çelin në pranverën tonë,
pa vesën e mëngjeseve shqiptare….
S’dimë
a jemi gjallë apo vdekur,
veç natën,
natën na takohen shpirtrat,
ata që s’i ndan dot kush.
Por vjen një ditë
që valët furishëm shpërthejnë,
pasi zemra s’i duron dot muret, as barrierat,
ajo do lirinë, ajo do paqen,
ajo do dheun e ëmbël të mëmëdheut.
Pakkush e di ç’na sëmboi në shpirt kaq vite,
deri në mallkim të ditës së të qarës së parë.
dhe vjen një ditë…
që mallkimi kthehet ndër ata
e shemb malet e bjeshkët mizore,
muret hiqen nga vetë ata që na i vunë.
Bijtë e shqipes, si kurrë më parë,
krenarë e ballëlartë.
Ne nuk duam kufij,
shqiptarë na thonë anekënd,
ne jemi bijtë e nënës së madhe, Shqipëri.
Censurë
Myshk i verdhë...
Mijëra germa qëndisur...
Në letër të bardhë,
qindra këngë fëmijësh prej fëmijërisë së grisur.
Ishin gjysma e jetës sime,
një pjesë e trurit tim ...
Mall i pamasë dashurie...
Sa shumë vite!
Ata na vranë lirinë
Erdhën atë natë kobzezë, pa hënë,
si qyqja pollën vezët, ngritën strofullat ku mundën.
Tokë nuk kishin,
as mëmëdhe,
të pastrehë …
Ata na i vodhën emrat, se vetë nuk kishin,
s‘dinin për legjendat, për trimëritë e burrit,
përvetësuan faltore, varre e themele...
Na e vodhën këngën në një natë prilli,
në degë dhimbjeje,
hije pafajësie hipokritësh këmbëkryq u ulën.
Ata erdhën si ëndërr e keqe,
u shfaqën jashtë dëshirës njerëzore.
Na e zunë dritën e diellit, qiellin na e nxinë,
skëterrë...
Na prenë mizorët,
na vranë,
të gjallë na dogjën...
Ata...
Na e pinë gjakun e trupit, na e vodhën lirinë.
Sot krenohen kur gënjejnë historitë trillim.
Intervistë prej A-së deri në Zh
Shkruaj, - më thanë, - prej A-së deri në Zh.
Pse emri të fillon me R e mbiemri me K?
Pse këmishën e ke të zezë, pse shallin kuqezi?
Republikën kërkoni?
... Albaninë?
... Hë?
Si bishat kur tmerrohen,
gjahun duke copëtuar.
Jargët varg u shkojnë gojëve…
Fyejnë, bërtasin, godasin...
Këmbët, duart, trupi më janë tharë
dhe fryma më zihet në këtë terr.
Eh, sa do të doja të flija,
të mos zgjohesha asnjëherë!
Shkruaj,
prej A-së deri në Zh…
Ngrihu!- thërrasin,- Shkruaj!
E sërish më shkelin në çdo dhimbje njerëzore,
e sërish më godasin barbarisht...
…letrat mbi tavolinë të bardha ua lashë…
Të bardha si bora,
të bardha si e kundërta e shpirtit të tyre…
Asnjë ravijëzim,
asnjë vijëzim,
asnjë shkronjë s’u hodh në torbën e tyre…
Sa mirë!
Tash nuk jam aty...
Mos e trazoni Apolloninë
Era bën punën e saj.
Në horizont shtrin mbretërinë,
simfonia fishkëllen lehtas
e shumë herë fryn plot mallkim...
Muret janë dëshmitare,
gjak kullojnë ata.
Sarkofagët thellë nën dhè,
shpata e heshta,
rrashta e kreshta,
s'durojnë dot më.
Mos e trazoni Apolloninë!
Kafka të thyera…
Do vijë dita,
do ngrihemi në këmbë!
Vullkan i zgjuar është Dardania!
Ilirinë do ta bëjmë!
Iliri, jam Dardania, bija jote!
1. Orët e liga
Atëherë kur e kisha të ndaluar edhe ëndrrën,
fluturoja me dëshirë mbi Bjeshkët e Nemuna,
se rrugë hapur për ne s’linin shtrëngatat,
orët e liga luteshin të mos ktheheshim kurrë!
2. Në kërkim të dritës
Stinët e vitet ikën duke më përkundur tinëz,
por unë nuk vura gjumë në sy.
Shpresa kurrë s’m’u vyshk
e në qindra vite munda errësirën.
Në kërkim të dritës,
mbeti dëshmitare kafka ime,
bashkë me feniksët e lirisë.
3. Një me pavdekësinë
Sa herë nisa krushqinë maleve
bashkë me këngët e lavdisë,
u dhashë bukën dhe kripën,
ujin e kristaltë në rrjedha e përrenj,
ballin ua flladita me freskinë e bjeshkës…
Pak tokë e dhè të lehtë,
legjendë në tel t'lahutës,
një me pavdekësinë,
për shumë vite e mote.
4. Drejt fitores
Kjo është tokë dardane,
gurrë gjaku i babës e i gjyshit.
Fuqishëm thërrasin zërat djalosharë,
5. Jam bijë e Ilirisë
Gurë e drurë, gjerdhe e vrojtore
dergjen shembur fosilet…
Lëngon për vdekje kuçedra plakë.
Gjymtyrët e trupit tim, si fara derdhur lëndinës…
Nesër lulëzojnë lulëkuqet si gjaku,
fitimtare jam, më e fortë se kurrë,
e gjallë, e fortë, kala trimërie…
Jam bijë e Ilirisë!
STINËT SHQIPTARE
1. Pranvera
Nis e kuvendon me zanat, pranvera.
Motrën kurrë s’e njoha,
as hijen kurrë s’ia pashë,
luletrëndafilat s’i mbajnë erë.
Kam mall ta puth një herë
të mirën pranverë!
2. Vera
Ujët e detit e vlon vera…
S’di pse me valën e Jonit kurrë s’u laga!
S’di si mban atje vapa,
s’di si perëndon dielli.
Motrën duke pritur te dera,
u thava unë e mjera, vera!
3. Vjeshta
Po vjeshta, është si unë?
Atje ka pemë të tjera,
rigon shiu në fusha.
Çfarë drurësh ka në male,
pse kurrë s’i pashë e shkreta?
- plot mall pyet vjeshta.
4. Dimri
Dimër, o i bardhi dimër,
sa gjatë të prita!
Më solle dëborën, të parën bardhësi.
Ti më sjell ngricën dhe acarin.
…Rrëmbimthi erdha,
unë, dimri…
Terri dritën s’e duron
Nata sonte ka mprehur dhëmbët,
as minjve në biruca s’u shihet fytyra,
më ftohtë se kurrë po më duket jeta.
Një klithje matanë murit më shoqëron…
Poet, terri dritën s’e duron dot!
“Kur e the, kujt ia the, pse e the?
… Po betimin në flamur për bashkim?”.
Truri më vlon.
Ja, po ia shoh dhe avullin,
Për çfarë i duhet maska xhelatit?
Ofshamës, përgjigje nuk më dhanë.
Ah, më përpini! Shumë u jam lutur hijeve,
tek po bënin nyje në tela e në litar,
m’i shanin vargjet e mia,
m’i fyenin ato plot dhimbje
tek më tërhiqnin zvarrë.
Jo, poshtërimin s’e duroj kurrë!
Ah, kjo ndjenjë, frymën po ma than,
zëri s'më del, s’bëzaj më,
Duart lidhur prapa,
S’kam plagët si t’i mbajë!
Majat e flokut më janë mpirë
dhe majat e thonjve më janë tkurrur.
Kasapët...
Ah, më vrisni, pse më lini të gjallë?
…Ata vdesin si bishat në arenë,
i tmerron thirrja dhe shikimi im,
por do vijë dita, ju do të mallkoheni,
as në tjetrën botë s'do gjeni shpëtim.
Rrugës së kombit, te motrushja ime
Rruga e Kombit lidh stinët e vitet, vëllain me vëlla,
male e brigje lidhin urat,
ura e zakone mbajnë kuqezi trimat.
Fildish që çan përmes bjeshkën.
…Ballëhapur, krenar nis udhën vëllai:
“Pritmë, motrushja ime, shqipe!”
…Dyrrahu i Ilirisë…
Unë dardani i heshtur i kësaj epoke,
kthehem kryelartë në tokën mëmë.
Në këtë stinë të madhe marshojmë krahëlehtë.
Erdhi dita jonë!
Vëllezër të një gjaku,
tashmë na thërret kreshnikja Çamëri!
…Në tokën e lashtë të mbjellim abetare.
Amaneti i çlirimtarit
Lirisë së pritur me shekuj i fala
xhamadanin tim, shpuar nga plumbat,
kapelën ngjyer me gjakun e ballit,
se shpinën kurrë s’ia ktheva armikut.
Shokëve të idealit u fala
armët e brezit e të krahut
bashkë me rrethatoren e zbrazur,
se fishekët ia shkrepa barbarit.
Romanit tim të pambaruar
i fala ditarin, kujtimet e memorien,
letrën që i pata shkruar nuses,
të m’i puth fëmijët në dy faqet.
Kosovës i fala gjakun e jetën,
ninull’ djepi kur kënga më thoshte,
si bir i shqipes kreha trimëritë,
me gjak lirie rrugët ia shtrova.
Dasma e lirisë
Trimat shkrepën pushkët,
për dasmë sofrën shtruan.
Motra përqafon motrën dhe vëllain
dhe nënat bekojnë vatrën.
Stinët mallkojnë vitet…
Sa kohë u bënë që lirinë s’e prekja buzësh!
Mos na vrisni me lule
Ju,
që në secilin përvjetor bridhni varreve,
që para medieve shpalosni një hektar fytyrë,
ikni që të jetojmë qetë në mëmëdheun tonë!
Turpi juaj do jetoj për shumë mote...
Na quajtët shok, por ne nuk ishim kurrë shokët tuaj,
guxuat të na nderoni me një minutë heshtje,
ndërkohë që përditë shkelët mbi gjakun tonë...
Turpi do derdhet mbi ju, kësisoj...
Ju,
që harruat të gjallët e lirisë
e për heroizmin folët gjithë jetën tuaj,
mos na këndoni këngë, se këngën na e vratë ju vetë!
As me lule,
mos na vrisni...
Na lini të jetojmë në përjetësi!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen