Samstag, 1. Juni 2013

Prend Buzhala

Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951 në Çabiq të Klinës. Filloren e kreu në Ujëmirë, gjimnazin në Klinë, fakultetin filologjik (gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. I ndoqi edhe studimet postdiplomike, po për shkak të burgosjes politike më 1982, iu ndërprenë nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve dhe e drejta e punësimit.
Shkrime letrare botoi prej vitit 1967. Shkruan poezi, prozë, kritika e studime letrare, publicistikë. Gjatë tri dekadave të fundit ishte i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, kështu që gjatë viteve '90 të shekullit që e lamë pas, u arrestua e u keqtrajtua dhjetëra e dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbianë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportonte nga zonat e luftës për disa media. Punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës (1976-1982, 1992-1996), drejtues i arsimit komunal të Klinës (1995-1999), redaktor në gazetat “Fjala” (1990) e “Bashkimi” (1991) të Prishtinës, korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” (1995-shkurt 2002), pastaj te “Epoka e re”, Radio Rilindja, “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturës në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës (2006-2008). Punoi edhe zyrtar arsimi (2001-2003). Tash është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Ka qenë ndër themeluesit e themelues i disa revistave lokale të Klinës, si “Jehona e Dukagjinit “ (vitet ’70 e këndej), “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna”, “Profili” etj. Është redaktor e recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.

Krijimtaria
Veprat në poezi:-O Amë, o Amë, 1995.
-Për kë bie këmbanë e re, 1998.
-Shtatë seanca pranë Apokalipsit, 1998.


Kritika, studime monografike, vështrime:-Prend Buzhala ne promovimin e vepres se Anton Nik Berishes, Prishtine 2008
-Kritika, studime monografike, vështrime:
-Metafora e vendlindjes, 1999.
-Përqasje estetike, 2000.
-Ex libris - I, 2003.
-Odeoni i fjalës, 2003.
-Shkrimtari pranë buzëqeshjes. Studim mono-grafik për letërsinë për fëmijë të Ali Huruglicës, 2005.
-Muza e zemrës, 2006.
-Temë dhe tekst,- Shkup, 2006.
-Muza e Kujtesës, 2007.
-Aty ku krizat i besohen engjëllit, (Ndërko-munikime estetike: arti - literatura – lufta), 2008.
-Res Publica e shkrimtarit, (Ese, trajtesa), 2008.
-Kode poetike të mbijetesës shpirtërore/ Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës, Argeta LMG, Tiranë, 2009.
-Gjenitivi i lirikës - poezia e Mirko Gashit, 2009.

Roman:
-Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë, 2003.
Publicistikë: -Lartësimi i lirisë. Monografi për mësuesin dëshmor Ismet Rrahmani, 2002. Disa nga çmimet letrare e publicistike: -Çmimi i gazetës “Rilindja” për gazetarin më të mirë të decenies gjatë viteve ’90, 12 shkurt 1999,
-Çmimi “Agim Ramadani”, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2008, për poezinë më të mirë, me titull “Nga ligjërimet e Nji Plake Ditën e Shën Premtes”,
-Çmimi ”Ora e Tahir Deskut” për veprën më të mirë, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, shtator 2009, Klinë,
-Çmimi “Fondi Akil Mark Koci”, për kontribut në kulturë e në krijimatrinë artistike, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2009.




Prend BUZHLA

TRI ETYDE

LUTJA E FUNDIT
(Etydë poetike pashkiane) 1.

Po lëviz një mizë. Një miliard, biliarda, triliarda lëvizje ngjajnë në një çast të vetëm. Në një të miliontën pjesë të sekondës. E, si t’i emërtosh gjithë ato lëvizje? Aq të pakapshme, të padukshme, të çuditshme. I je drejtuar në Atë Çast Dikujt. Një Fjalë e ke shqiptuar. Ke mundur ta mbyllësh Çepallën e lënduar nga shikimi i një imazhi të plagosshëm a nga një fjalë e thershme. Në Atë Çast të Fluturimit të Amshueshëm, diku në lartësitë e një Mali, ndrit një shuk drite e beftë e përsiatjesh a vegimesh. E kjo nuk iu ngjan Lëvizjeve Të Kësobotshme. Sytë tanë njerëzorë kot i kërkojnë, ato lëvizje nuk mund t’i shohin. Aq papritmas vijnë ato në zurkajat e mendimeve. Zë e i emërton ato Lëvizje. Krejt me Një Fjalë. Një Univers Në Një Oh. Një Oh Të Asobotshëm, e ndien, e para-ndien, teksa e prek. Këtu ndalu. U fute në Të Ndaluarën. Aty ku më Nuk Ka Kohë. Është Zonë e Pazbuluar e Hyjit.
Mandej, hesht. E vetmja heshtje, para së cilës përkulesh. E kur ke heshtur si tani?

2.

Po e krijoj maskën time e nuk po mundem. Këtu pranë kam aq e aq maska; masa është këtu me dy milion maska: secili shtiret a flet a lëviz simbas maskës së vet. E asnjëra nuk është imja. Mos i besoni masës, maskës, maskës-masë. Mbeta me thënien time, krejt lakuriq: shih, ti, tashma alegoria hoqi masën-maskë e doli përfushë.

3.

The: po, po pranoj të vij në këtë botë. Nëpërmes Hirit të Dashurisë. Vetë e zgjodhe të vijsh, si Jezui. Dikush tha: kjo botë është Mësonjëtore e madhe e shembëlltyrave: Bën e Nuk Bën ta bësh këtë a atë. Simbas Dhjetë Urdhëresave të Kanunit të Hyjit. The: po, po pranoj të shkoj Së Andejmi, përtej Kësaj Bote. Por, të duhet të përbirohesh: aty ku bën luftë Shpirti me Qiellin, Nata me Ditën, Dita me Natën. Je Ti, brenda Qenies Tënde, Vetë Ligji, Rendi e Kanuni i Hyjit. Ashtu je krijuar.
Lutja e Parë e Mbrëmjes: o Hyj, më dhuro aq imagjinatë, sa ta mësoj Lëvizjen e triliardtë në Dhé, në Univers: si ta dhurosh një kafshore zemër. Lutja e Dytë: më bëj një njeri t’i prek me bekimin tënd ata në Nëndhé, në Nënbotë, nën këmbë, nën shputën e këmbës, të nëpërkëmburit. Lutja e parafundit: o Hyj, na dërgo në këtë botë, këndej, të poshtër, kasapë, xhelatë, perandorë, policë, të çmendur, budallenj, që të çlirohemi nga vetvetja. Racë njerëzore jemi.
Lutja e Fundit e Mbasmbrëmjes: na dhuro atë që na bën Njerëz; nuk duam të bëhemi as Kafshë, as Zot. Falemnderit, o Zot, që po na barazon me Veten Tënde: Të jesh Ai Që Je.


NJERIU I TRIDHJETEGJASHTË I URTISË

(Etydë borhesiane)
Tridhjetepesë urakët e Dheut askush nuk i kishte parë, po për të tridhjetegjashtin dihej. Ky e arsyetonte para njerëzve gjithëpraninë e Hyjit. Borhes thotë se ata quheshin Njerëz të Drejtësisë, të cilët e arsyetonin botën njerëzore para Hyjit. Drejtësisë dhe Urtisë nu i duhen dëshmitarë. Prandaj, po u muar vesh se kush na qenka I Urti apo I Drejti, aty për aty ia beh kobi: Kob I Urtisë dhe Kob I Drejtësisë. Nuk vdiste vetëm i tridhjetegjashti, i cili ishte i gatshëm të mos e linte vendin e zbrazët: vraponte sa te secili njeri nëpër botë për ta arsyetuar praninë e Hyjit, sa te Hyji për të folur për Njerëzit. Dhe kështu, është bërë Shpëtimtari kryesor: për ta shpëtuar botën para Hyjit dhe për ta amshuar Hyjin para njerëzisë.



BOTËVRASËSJA


(Etydë e gjithëkohshme)
Një gruaje iu paraqit në vegim se po gjykohej nga një gjyq hyjnor si vrasësja e kriminelja numër një e fëmijëve. Rreth 12 vjet nuk lindi fëmijë. Lutjet e saj prekën qiellin dhe tokën. Hyji e dëgjoi dhe ia dhuroi dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Mandej u dha mbas afshit të pafre: abortoi njërën mbas tjetrës pesë foshnja të palindura. “M’i vrave pesë foshnjat e mia që do ta shpëtonin botën”, e akuzonte në vegim Hyji. Kur ua rrfeu vegimin fëmijëve, I Madhi I tha:

1. Shpëtimtari i Parë do të quhej I Marri. Bota ka nevojë për të marrët e urtë. Ata na nevojiten që të ndërhyjnë në vatrat e krizave, për të bërë prerje cezarike botërore, për ta shpëtuar botën.


2. Shpëtimtari I Dytë do të quhej I Çmendur. Atdheu ka nevojë për të çmendur. Ata na duhen që t’i bien me grusht Tiranisë mu në Zemër dhe për t’i qeshur e përqeshur të gjitha marrëzitë tona.


3.

Shpëtimtari I Tretë do të quhej Rrugaç. Kemi nevojë për vetmitë e tyre. Rrugët tona kanë nevojë për shtegtarë vetmitarë, si yjet në qiellin e paanë. Ata duken të zhgënyer, po nuk është gjithmonë kështu. Edhe Dielli, Hëna dhe Yjet duken nganjëherë të pikëlluar, po ata asnjëherë nuk e ndiejnë veten të vetmuar. As të zhgënjyer. Të mashtron pamja. Ata mësyjnë errësirën drejt dritës. Ata shndërrohen në farë plleshmërie për të tjerët që vijnë pas.

4.

 Shpëtimtarja E katërt do të quhej E Çuditshmja. Na mëson si ta nxjerrim e si ta lëmë zemrën mënjanë, si të bëhemi qenie jashtë kësaj bote normale, e si t‘i shohim edhe shpirtërat e bimëve, drurëve dhe zogjve.
5.
Shpëtimtari I Pestë do të quhej Fantazmagoriku. Do të na vizitonte netëve të vona nëpër podiume e shtretër të fjetjes, nëpër dhoma gjumi e qoshqe të oborreve. Sytë do të na i mvishte me pëlhura përrallash, kurse në gjumë do të na ligjëronte për të vërtetën hamletiane. Do të na çlironte nga ndërdymjet e rënda: si t’ biem me grusht errësirës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen