Freitag, 31. Mai 2013

Ismet Januzaj

Ismet Januzaj u lind me 1963 në Uçë të Istogut në Dukagjin të Dardanisë (Kosovës).
Ka diplomuar studimet në degën e teaterologjisë në Universitetin e Oslos. Studijoi gjeografi në UP, Në Prishtinë u muer me journalistikë (recensione për film, etj), ka bashkëpunue si freelance journalist me: "bota e re", "Zëri", "Rilindja", "Fjala" etj. Inicoi dhe formoi klubin letrar "Pjetër Bogdani" në fak. e shkencave matematikore natyrore në UP dhe ishte kryetarë i parë. Ka botue përmbledhjet me poezi: "Peizazh i plagosur" Rilindja Prishtinë 1999.  Në vitin 2003-2004 ishte përfaqësues i delegacionit nga Qendra e Shkrimtarëve norvegjez ku së bashku me tre të tjerë përfaqësoi këtë shtet në turneun e shkrimtarëve të të gjithë Skandinavisë (Gøteborg- Helsinki- Oslo). Botoi "Smilets rygg": "Shpina e buzëqeshjes", në shtëpinë botuese prestigjioze Aschehoug Oslo 2004, në norvegjisht, përmbledhje kjo që ka marrë kritika pozitive dhe lavdëruese në recensione të ndryshme në mediumet norvegjeze (VG, Aftenposten, Fredrikstads blad, Poeten.no etj). Për kët libër i janë akordue disa herë grante të ndryshme. Me 2010-2011 ligjeroi si "teaching artist" në shkollën e mesme të Alta-s si shkrimtar për procesin e krijimit dhe krijimtarinë e vet ku edhe mbajti kurs letrar dhe mbrëmbje letrare në këtë qytet verior të Norvegjisë. Ismeti është antar i Qendrës së shkrimtarëve të Norvegjisë.
Përpos poezisë, merret edhe me përkthim dhe aktrim.



NË KËTË SKENË

Lëkura po më bie e vogël
veshët e vegjël
goja e madhe
kurrizi më kërruset
nga pesha e shikuesve të paktë

Në këtë skenë
gjithnjë
luaj rolin e të vuajturit

Duartrokitjet lidhen
si zinxhirët e qenit
altarit të këtij teatri
(Nga "Peizazh i plagosur", Rilindja 1999, Prishtinë)





DIALOG MONOLOG 
(Poema e zhgënjimit)

Monologu në shkretëtirë, ushqim i njelmët
avullohet e bëhet copë më e njelmët se kripa
Balli më rritet nën leshra nga goditjet e nënkokës
e truri nga lart ma thithë trupin

Përmbi kokë qielli i arnuar me re e vetëtima 
nga kërthizat i pikojnë meteorë të zi të skrumbosur
një hije zbret enkas për të zbritur përmbi mua
Kur foli tepër me të nesërmen, i futur në lëkurë tepër të vogël
vrapoj me shpejtësi drite dhe vetëm deri në nënhije
po mendja është më e shpejt, hije sdua të bëhem

Ti e mira ime eja tek unë të bëjmë asgjë së bashku
se një derë e hapur po shkelë mbi pragun tim
e gjaku merr ngjyrën e flamujve të Globit
Përderisa në realitet më rrethon ngrica
flokët e dalgëzuara më mbulojnë vetëm në ëndërr

Të ka ndodhur im mik, në hapësirën plot ajër të të zihet fryma
kur i ke pasur mushkëritë e shëndosha si topi
nëse nuk të ka rënduar mbi gjoks pesha e vdekjes së pa rend
kur unë të qaj për kohën e pajetuar

zhyte paqen time të vdekur kaherë thellë nën thellësi
që sigurisht ti ikësh shpirtit të Magbethit
Kalo nëpër nervat e mia te qielli i vrërët
atje janë mendimet ku rrezet ishin më parë
Njëmijë vjet vetmi për sekondë është dendësia mesatare
e vetmisë tek i vetmuari mes njerzve
Dhe një pikënisje me apo pa peizazh të plagosur
ja vret zemrën me mallëngjim
derisa bërtet nëpër letër e shkarravitet nëpër largësi
me gojën e penës përjarget mbi kalamar të zi
e gonxheja xhembore i skuqet mbi varr
se shpirtrat e poetëve po flejnë maje ferrave

Dëshmorët i pyes: - Edhe dallëndyshet kthehen, vallë a do ktheheni ju
larg keni vajtur, më larg se dallëndyshet?
Atje thonë të masakruarit dëgjuan bisedimet prej varreve të tyre
pasi që ne po flasim dhe vajtojmë për gojët e tyre të mbyllura

Tradhëtarëve ju them: - Nga poshtë ju vjen fundi i zi me forcë
goditjet e atyre që i futët në dhe’
Prijësin tuaj do ta rrëzoi kali te vorri i vet
ajo turmë zhurmëruese dhe ashensori i Luciferrit
do t'ju zbresin në thellësinë e premtuar
kur edhe vdekja do të vdes vetveten
mbi tokë ju mbetet gjithë ajo legjendë e zezë

Botoi “BOTA SOT” 25 nëntor 2012 Prishtinë



ILIRIA
(Kombit tim shqipëtar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë)

Me krenari , me shkronjat e emrit tënd Shqyptari
që rrjedhin si lumë në mes realitetit e ëndrrës
Me përulje besnikërie tek gjaku i derdhur në murin tënd antik
Me urtësi, me besë, me mikpritje, me të gjallë e me të vdekur
E bartë profilin tënd fisnik me hapin e plagosur shtegut t’përbaltur të historisë

Në diamantët e fluturimit t’shqiponjës, shikoj të kaluarën e hapësirës kuq e zi
Me duart e trurit gërmoj thellë në harresën e botës që stërkeqet
T’i zbuloj gurët e kufirit, shtyllat e tempujve të diellit, zotit të të parëve
Në ballë të ballit, altarin ta gdhend me gurët e puthjes së zanave të malit.

Botoi “BOTA SOT” 25 nëntor 2012 Prishtinë




 NJË GRUSHT DHE NË GOJË

Përjetësisht mbrapa në kohë
deri  te bukuria
Klasike

Unë udhëtoj jashtë kohës
i ngujuar në një copëthyer
të çastit të mbyllur
Por unë bëj rojë
kur flen Dielli

Unë doja të mbijetoja puthjen e helmuar
Të ngopesha me ëndrrën
me një grusht dhe në gojë
Të gjeja në buzët tua të ngjyrosur me të kuqe që nuk ngopen
bukurinë klasike
madje përgjatë turrit ortekor të orgazmës

Unë fragmentohem në njëmijë gënjeshtra
nëse them
se nuk më mungon ajo që ti nuk ishe
përderisa iku përmes
një pylli me drunjë mallëngjimi
dhe  lirohem
nga kurora e buzëqeshjes tënde në terr

Por po të mos kishe qenë e verbër në veshtë e tu
mund të parashikoje si një falltore
se kujt do t’i përngjante shpirti im në të pëlciturën

e pasqyrës së ardhmërisë

përderisa unë në dritë
fshihem nga vetja ime

Nga përmbledhja ”Shpina e buzëqeshjes”, e shkruar drejtpërsëdrejt në norvegjishte,
Botuar me 2004, Oslo. Përktheu autori.



PARAJSA E HUAJ

Është më mirë të jetosh në ferrin tënd
se të vdesësh në një parajsë të huaj
I dashur nikoqir
Është më e leverdishme për mua të jetoj
në ferrin tim
se të vdes në parajsën tënde
O  vend strehues
unë vdes duke jetuar
dhe jetoj duke vdekur
dhe më shumë ndodhë kështu
sa më mirë të kujdesesh për mua

ndërsa ti jeton gjallërueshëm
dhe vdes vdekshëm 
në parajsën tënde

Ngrihet 
kur unë marr frymë
Është mbyllur kur është hapur
E shkurta merr shumë kohë
dhe acari më djeg

I zhveshur
e ruaj dhimbjen dhe ëndrrën
Kënaqësi
të mbaj dhimbjen time në gji
Paligjshëm
dhimbjen e kam futur në parajsë

(Nga “ Shpina e buzëqeshjes”, vëllim i botuar 
drejtpërsëdrejt në gjuhën norvegjeze me 2004, Oslo, Norvegji.
E solli në shqip autori: Ismet Januzaj).



PASIGURI  QIELLORE 

Zotrat su besojnë syve të  vet
pezull  n` ajr degë  pa lisa kulme  pa shtëpia
Medet
Delet e të huajve në livadh të stërgjyshëve
ujqit tanë humbin rrugën në pyll
Trupa të pa fytyrë  në majat e larta
goja na shtangohet në mes  të shqiptimit të emrit të tyre
Poshtë
Lulëkuqet e ujitura me shlivovicë
nuk mund të vallëzojnë në dasmën e arës

Mbi qiell vrapojnë klysh resh 
të larme
I lagur
Unë  hyj e dal nëpër jetëvdekje
me duar të lidhura bosh

Prijësit  tanë  të vetëzgjedhur
nuk flasin me njëri tjetrin
Kështu
Nuk  zbrazet  zbraztësia  e duarëve të shtrira
të uriturit  t`mos e përbijnë  diellin e zi

Ko poezi u botue në gusht të vitit 2012 në “BOTA SOT”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen