Qmajl Juniku |
Qemajl Juniku lindi në Gjakovë në në vitin 1951. Shkollën fillore dhe të mesme, e kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë, ku i përfundojë edhe studimet pasdiplomike dhe mori titullin e Magjistrit të Shkencave Juridike. Përveç poezisë, Qemajl Juniku, ka shkruar edhe drama për të rritur dhe fëmijë.
Në vitin 2006, përmbledhja poezive “Loti në aurorë” mori çmimin ”Përmbledhja më e mire e vitit”.
Jeton në Gjakovë dhe punon si avokat.
Veprat:
- “Tërbime djajsh”, poezi, “Fjala”, 1994
- ”Ora e mallkimeve”, “Pena”, 1996
- “Me vdekjen në krah” “Rilindja”, 2000
- “Stuhi ankthi”, KL “Gjon N. Kazazi”- Gjakovë 2004
- “Loti në aurorë”, KL “Gjon N. Kazazi”- Gjakovë, 2006
- “Mbi krahët e shqiponjës”
- "5 Drama për fëmijë", KL “Gjon N. Kazazi”- Gjakovë, 2007
- “Rrugëtim mbi gjemba KL ”Gjon N. Kazazi”-Gjakovë, 2009
- “Ofshamë gjaku” KL.”Gjon N.Kazazi”- Gjakovë 2013
- “Shungullimë Shqetësimesh“, KL ”Gjon N.Kazazi” 2016
Poezi nga Qemajl Juniku
BUZËQESHJE E PËRVAJSHME
Kalova lehtas
Urës së Tabakëve
Uji gurgullonte përvajshëm
Një hije mu kacavjerrë mbi kurriz
Me peshën e rëndë të kohës
E takova rininë time plot mall
Qante e buzëqeshur
Sytë mbyllur i kishte
me qepallat e mallit tim
Urës së Tabakëve kalova
Heshtas
Fëmijëria ime fikall vetëm
Dëneste
E mbulova me petkun e gëzimeve të mia
Buzëqeshi përvajshëm
E unë mbeta lot i terur në qepallë
(Ura e Tabakeve është ne qytetin e Gjakovës)
PIKTURIM I ETHSHËM
Pikturova kohën
Mbi ballin e rrudhur të jetës
Me ngjyra malli
Loti syrit i rrodhi
Asnjë ngjyrë nuk dallohej
Jeta kuiste me pezëm
Villte vrer të zi
Pikturës së bardhë
Dimrat e vetmisë sime
Pikturova
Brusha mu ngri
Ngjyrat idhnake kacafyteshin
E bardha mbi të zezën tretej
E zeza mbi të bardhën në ngjyrë shkrumbi
Shndërrohej
Mbi pikture rrjedhke dëshpërimi
Pikturim i ethshëm
IKE PA FJALËN E FUNDIT
poetit Ali Podrimja
Ike me Kosovën e strehuar në gji
Gjakun e saj kurrë mos ta fal
Gurbetit kujtimet i lidhe dry
Miku im i shtrenjtë
Pa thënë asnjë fjalë të vetme ike
Vetmisë tënde pikëlluese
Në çdo cep të botës
Lule Kosove mbolle
Me afsh zemre këndove shqip
Me ujq rrugëtove
Jetëshkretës
Me këmishën e shqyer të vatanit
Lirinë e shpirtit për ta kërkuar
Kur zoti e kishte harruar popullin tënd
E thika e pabesive të therte thellë
Ike
Shpirtëdjegur
Me copëzat e dashurive të shkrumbuara
Me trëndafilat e shpresave të shpirtit flakë
Këlthitjen e parë të lindjes për ta kërkuar
Një copë tokë për varr
Evropës dinake që kombin ta përbuzi
Shekujve të çmendur
I rebeluari
Miku im Ali
Ike shpirtmllefosur
Me kujtimet e viteve të anktheve
Kur servilet kurthet ngrehnin
Të gjitha ëndrrat e Erenikut tënd
I more me vete
Peshqit e fëmijërisë së Krenës
Gjakovës së plaguar kohërash të pista
Kur gjarpërinjtë i dredhshin trupit
Eh miku im Ali
Zemërplasur ike
Me gugimën e përvajshme të pëllumbave
Foleve të djegura
Agimet e mjegulluara për ti ndritur
Hija e vdekjes Kosovën të mos e errëson
Me mallkimin e vetmisë pikëlluese
Ike
Pa fjalën e fundit
Mbi kullën e Ajfelit u ngrite
Zotin për ta kërkuar
Kosovën amanet për të ia lënë
Dashurinë tënde të fundit...
KUJTESË
Kur më përkunde në djep
Ime ëmë
Mbi kokë më rrinte shqiponja
E përgjakur
Gjyshja tregonte përralla tmerri
Për korbat e uritur
Pëllumbat e plaguar
Mbi shkrepat e Arbrit
Kur më përkundte në djep
Ime ëmë
Mbi kokë më rrinin engjëj
Të lidhur në pranga
Gjyshi tregonte përrallën
Për djajtë e tërbuar
Blegërimat e qengjave të copëtuar
Nga ujqit e uritur
Nuk e dije se isha nisur
Rrugëtimit me egërsira
Dhiareve gjembore të jetës
Tani kujtesës ende e ruaj
djepin
Shqiponjën e përgjakur
Përrallën e gjyshes për korbat e uritur
E rrugëtimin e gjate me ujq...
PËRFLAKJE
E mbështolla jetën me çarçaf gëzimesh
Lotoj
Dashuritë mu shndërruan në klithmë
Pranverat në verdhësi
Varrin e dashurisë sime të parë
E kërkova
hullirave të rinisë së tretur
nuk e gjeta dot
fëmijëria ime lotonte
sa qenka plakur jeta
në rrjetë merimange mbyllur
e këlthet frikshëm
zjarret e zemrës mi ndezë
e përflakëm
e shndërrohem në flakadan ...
LIGËSHTIM
Në çdo dhembje të këngës një lot
Në çdo lot një pikëllim
Në çdo pikëllim një ofshamë
Në çdo ofshamë një klithmë
Në çdo klithmë një ulërimë
Buzagazin ma ngrinë
Fytyrën ma zverdhë
Me ngjyrë morti
E më ligështon
E më ligështon përditë nga pak...
RRUGËTIM I ETHSHËM
Rruga e parë:
Sonte
Zymtësisë së qiejve
Yjet janë strukur mjegullnajave
Jeta e bërë xhuxhë
Kollitet e vjellë gjak
Koha si gjarpër i dredhur
Rebelohet
Thimthonë shpresat
Gracka venë udhëtimeve tona
Litar për vetvarrje
Rruga e dytë:
Pse jam nisur kaq i dërmuar
Me këtë strajcë dhembjesh
Rrugëve të mallit tim të shfrenuar
kërkoj yllin tim të tretur
E bëhem si peshk i ngordhur
Lumit të ëndrrave të mia
Rruga e tretë:
Një qen endacak leh
Turi fëlliqur
Përtypet e shkumëzon
Kockave të përjargura
Mbeturinave të kohëligës
Rruga e katërt:
Fanarët qenkan fikur
Evropa pështynë fytyrë e vet
Lakuriq lodron
Si derr i sëmurë kuis
Gjykatoreve të kohës
Jeta murmurinë e pranguar
Gjykatësit vjellin vrer mbi kode
Xhindet ankthin thellojnë
Rrugëve tona
Karnavale bëjnë
Mijtë mi grimcojnë ëndrrat e
Ujërat e jetës i fëlliqin
Rruga e pestë:
Durimi po soset mik
Qelbësira të kohës duke pastruar
Nuk jetohet në nevojtore
Si mizat në bythën e kalit
Rruga e gjashtë:
Tiktaku i orës është ndalë
Koha nuk matet më me shpresa
E kotësi fjalësh
Ëndrrave të ngrira
Ku qentë urinojnë
Rruga e shtatë:
Në të majtë u ktheva
Prapë ulërima
Në të djathtë
Këlthitje
Macet grithnin pasqyrat e kohës
Katran shkumëzonin
Teja jetën grimconte
Hija ime e gjymtuar
Me lotin e ngrirë syrit
Gjëmonte
E tretet në ofshama
Rrugëtim i ethshëm
YLBER I ZBEHUR
Me ujë Ereniku
Ballin e djersitur ta flladita
Për t`i qetësuar dhembjet
Për ti ndalur ofshamat
Në gji t`i ruajta dashuritë e heshtura
Shekujve të çmendur
Ah Gjakovë Gjakova
Zemra ime e plasur
Gëzimi im i shfrenuar
Motmoteve të uritura
Erërat e zhgënjimeve të përplasën
E unë bregut të Krenës së errësuar
Për ty ndeza zjarre
Katërdhjetë e dy gurëzi i numërova
Mos me të zënë ora e mallkimeve
Djajtë të mos vallëzojnë lëndinave të
shpirtit
E korbat të mos krrokatin çative
Gjakovë
Fëmijëria ime e leckosur
Dallgë e dashurive të mia të shtanga
Sa e qet sa e zemëruar
Në langonjtë e uritur lakmie
Fshehurazi ta thyejnë kupën e
buzëqeshjeve
E t`i vodhën yjëzit e qiejve të ëndrrave
Mu në ferkun e ditëshpresave
Lotin ta fshiva syve të gjakosur
Ah Gjakovë ylber i zbehur
Rinia ime...
BREGUT TE KRENËS
Dola bregut të Krenës
Për ti freskuar
Dashuritë e mia të para
Trupin një rënqethje ma kaploj
Biografinë e buzëqeshjeve si ta shkruaj
Në ditarin e dhembjeve
Gurgullimave të kroit rinor
Fëmijërija ime gulçonte tmerrshëm
Fjalët dënesnin të shtanguara
Bregut të Krenës
Hija ime peshk i etur valëvitej
Rëra e përvëlonte trupin e saj
E më shikonte sertë
E më përbuzte me ironi
Diçka belbëzonte për mua...
(Krena, Lum në Gjakovë)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen