Sonntag, 26. Mai 2013

Mihal Grameno

Mihal Grameno u lind në Korçë më 1872. Mësimet e vetme që bëri, qenë ato të shkollës greke të vendlindjes. Që i vogël ai nisi të këndojë edhe shqip. Më 1885, ende si fëmi, Grameno u detyrua të marrë udhën e kurbetit, shkoj në Rumani, ku kishte shumë të emigruar korçarë. Ai mori gjallërisht pjesë në Lëvizjen Patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit dhe, si autodidakt, fitoj njëfarë kulture. Rreth vitit 1900, ai nisi të botojë vjersha dhe artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës. Më 1907, kur mori pjesë në çetën e vogël të Çerçiz Topullit, Grameno shkroi disa prej këngëve të tij siç janë: ,,Për mëmëdhenë’’, që ishte kënga e kryengritjes, ,,Ardhi dita’’, ,,Lamtumirë’’, ,,Vratë për liri’’ etj.
Më 1912, Grameno ishte ndër ata që ngritën flamurin në Vlorë. Pas këtij viti ai vazhdoi punën e palodhur kundër armiqve të ndryshëm që përpiqeshin t’i bëjnë varrin shtetit shqiptar, veçanërisht kundër klerit grek e grekomanëve. Si tregimtar, Grameno është nga të parët që punoi në shqipet njëren nga gjinitë e gjata të prozës, novelën. Në njëren nga të novelat e tij , ,,Varr’ i pagëzimit’’, (1909) ai kthehet edhe një herë në temën e luftës kundër shovenizmit grek dhe grekomanëve. Në këtë novelë dhe te ,,E puthura’’, (1909) autori trajton edhe temën e pamundësisë së martesës në mes të njerëzve nga origjina të ndryshme shoqërore - të pasur e të varfër.
Grameno shquhet veçanërisht si publicist. Ai drejtoi dy prej gazetave më përparimtare të çerekut të parë të shekullit tonë, ,,Lidhja orthodokse’’ (1909-10), ,,Koha’’ (1911-24, me intervale e heshtje). Ka shkruar edhe në një shumicë organesh të tjera. Veçanërisht dallohen pamfletat e tij të shkurtër, me sarkazëmn e tyre therëse kundër armiqve të ndryshëm të çështjes kombëtare, si kleri grek, grekomanët, feudalët etj. Një meritë e posaçme e Gramenos është jo vetëm se ai është nga të parët që bëri në shqipet dramën, novelën dhe pamfletën e tij të shkurtër, por se ai rroku si temat aktuale, ashtu edhe ato historike, duke i trajtuar këto me një qëllim të përcaktuar e të fortë aktual. Një tjetër meritë është se në veprat e Gramenos gjejmë shumë personazhe të shtresave të varfëra të popullit për të cilat ai ka dhembje e dashuri të thellë. Heroinat e veprave të Gramenos marrin pjesë aktive në Lëvizjen Patriotike dhe në luftën kundër kishës greke.
Me gjithë interesin e madh që veprat e Gramenos paraqesin për tematikën e tyre dhe si prova për gjinitë e gjata të dramës e të prozës, ato kanë të meta të shumta artistike, qoftë nga trajtimi i personazheve, qoftë nga ndërtimi dhe gjuha. Megjithatë, veprat e tij meritojnë tërë vëmendjen dhe zënë një vend të dukshëm në letërsinë tonë të Rilindjes. Ato i përkasin herë romantizmit përparimtar e herë realizmit kritik.

Keine Kommentare:

Kommentar posten