Donnerstag, 30. Mai 2013

Brahim Avdyli

Brahim Avdyli

Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirje-ve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar.
Pas përfundimit të gjimnazit „Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik vijoi studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike- Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.
Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën „Qëndresa“ në Zvicër.
Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:

- “Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,
- “Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,
- “Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.
- “Pasqyrë e përgjakur”, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,

- “Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, Onufri, Tiranë, 1997,
- “Gjuha e dheut tim”, poezi, Albin, Tiranë, 1999,
- “Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,
- “Baraspesha e humbur”, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,
- “Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,
- “Lëvozhga e vdekjes”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,
- “Setele Vesniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneza, din Kosova, BKSH
    të Rumanisë, Bukuresht, 2008,
- “Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”  Has, 2009.
- “Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, publicistikë, Brezi `81, Prishtinë 2011.

Është i prezantuar edhe në këto libra:
- “Rrjedhë e lë gjurmë”, poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983,
- Nebil Duraku: “Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985”,  Rilindja, Prishtinë, 1985,
- “Poezia dal Kossovo”, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò (Lecce),
     Itali,1999,
- Hasan Hasani: “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001”, Faik Konica,
Prishtinë 2003,
- “Vulcanul rabdarii/Vulkani i durimit”, Poeme traduse in liba romana de
Baki Ymeri,  Editura Do-Minor, Bukuresti, 2008,
Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin „Hivzi Sylejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj. Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“ dhe i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar dhe të lexuar me 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar, të lexuar me 25.4.2011, ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, në Koblenz të Gjermanisë…
Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.
Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Autorëve të Zvicrës (AdS) dhe anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvcrës, etj.

Biografia e autorit është marrë nga Gazeta NACIONAL


Poezi nga autori Brahim Avdyli


ISHULLI I VARGJEVE

Kur e kapërceni ishullin e vargjeve
mund t`a takoni veten e shokuar
duke më takuar mua, pasqyrën e përkryer-

jam vetmia e trishtuar me dhembjet tuaja
të një këngë që këndohet
në veten e tretë shumës.

Kështu është krijuar ishulli i vargjeve
rreth e rreth me detin e thellë të lotëve
të derdhur në këngën e pafund…

Shumë më torturojnë e nuk më lënë të shkruaj
ma mbyllin gojën dhe përpiqen të m`i zënë duart
sado që ua vjedhë tinëzisht nga një varg

prandaj, nuk e di a e merrni vesh
këngën e zonuar, në ishullin e vetmisë.



Teatër i dhembjes së pafund

Është vend i shpalljes së dhembjes
marr frymë thellë në damarët e qenies sime
dhe e lëshoj rëndë në përkushtimin e vargut
me një pikë loti bebëzavë të heshtjes
që ngrihet i gjallë deri në pafundësi...

Gjakova është vendi i dashur i fëmijësisë
me të gjitha dhembjet e ndarjes së pakthim,
me lotë e shoh zhdërvjeljen e filmit të fëmijësisë
dhe nuk kam kohë të ndalem me therrjet
nëpër mushkëritë e djegura të mendimeve-

është botë e veçantë e përplasjeve të mëdha
mbrenda zemrës sime tërmetet prore rrënojnë
prap një vistër i përtërirjeve ngritet me diell,
mbrenda një çasti shprehen të gjitha stinët
e nuk ndalen bubullimat e mëdha të dheut tim
duke i ndjekur vetëtimat e përdalura të brejtjes.

Dita dhe nata nuk kanë fare kuptim të mirë
e keqja dhe e mira mbeten prore në dyluftim,
i mbledhë cuklat e fijeve të këputura papritur
e të gjëj fillet e dhembjes që piketon gjak-

gjak, gjakova dhe gjaku që nuk ndalet kurrë
për një ditë të bukur ulur këmbëkryq nën bli
me plisin e bardhë të një plaku të ndjenjave
që gjithëmonë e shoh të ulur në pikëtakimet tona
të asaj malësisë që i jep pore shpirt e madhëri,

gjak i kuq është gjaku i shenjtë i lirisë
që vetëm në Gjakovë është në çdo gemb të ri,
edhe fëmijët që vinë të shëndetshëm pas këngës
duke qarë thekshëm me lotë të përzier gjaku
e m`i ngrisin mua flokët peshë deri në vdekje
nëpër muranat e shumta të dëshmorëve...

A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole
duke qajtur me lot kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,
ka mbetur e përhershme kinoja dhe teatri i gjallë
që lozin tragjikomeditë e dhembjes së pandalur-

prap do të rrëzohem në Paradeplaz në Zürich
apo në Rapperswil, në Stuttgard, München e gjetiu
trotuaret e pagjetura përmallshëm në ëndërrat e mia,

liria është ndjenjë që çel sythin e përmbajteve
me pranverën rritet e me dimrat e shumtë zhduket,
rreth e rreth zgjerohen në pafundësi këngët e saj
që si fëmijë të rritur dhimbshëm më rrënqethin

prore i kam kënduar, por çuditërisht më janë zhdukur
dikund në ndërdije ka mbetur ia zë i qartë kënge
se Gjakova është teatër i shpalljes së dramave
e i dhembjes së pa fund të përkryer të burrërisë!



GJURMË NË KOHË

Askujt nuk i kam thënë, deri më sot, e dashura ime
shumë vite u bënë pa asnjë pulëbardhë të shtrenjtë,
unë nuk mund t`u gënjej kur nuk e ndien këtë shpirti
zemra ime nuk thotë fjalë që nuk dalin prej zgafellës,

dy korbat që i kam pasur një kohë më kanë gënjyer
me atë periudhë fjalësh të pështjellura rreth gjuhës,
kur nuk më kishte njëra fatzezë rob të ndjenjave të saj
provonte të më ngrehë tjetra me lëvozhgën e fjalëve...

Zemra ime është rrudhur e tharë nuk nxjerrë pipa të rij
të dashurisë që nuk del e nuk rritet nën kujdesin e viteve,
jeta ime ka mbetur tokë e braktisur deri në pafundësi
sa herë kaluan vitet pranë meje dhe bëjnë sikur s`më shohin.

Tani zotrat më kanë braktisur prej tryezës së përpëlitjeve
në një skaj të dhomës së mbushur me pluhur dhe libra,
qaj e përlotem pa pra për anëtarët e tjerë të bashkësisë-
si duket, të gjithë i kanë mashtruar ndër fjalë të kurdisura.

Tashmë, fare i dalloj njerëzit nga jeta, vetja dhe zotrat
jeta normale e njerëzve është qelbëzuar me gënjeshtra të liga,
janë joshur të gjithë nga shfryrjet pa ndjenja e lakuriqësia,
nga korrupsioni dhe e pavërteta, deri në thellësin e gjërave

dhe vetëm pyes, a është kjo bota e ime në të cilën pështillem
askush nuk më vëren se jam gjallë edhe pse njëlloj marr frymë,
a u dashka të jem shumë më pak njeri dhe kjo qenka e vërteta
e të zbres poshtë në tokë sikur tjerët dhe të luaj pa ndenja-

jeta ime është luftë me të keqen, jetë e vetëm e pa dashuri!...



 
SPROVË ME VETVETEN


çdo ditë vdes nga pak njeriu
dhe nuk mendon se po vdes
deri sa i afrohet fundi

çdo gjë vdes radhazi

vdes edhe ideali pak nga pak
dëshirat vdesin në shpirt
edhe pse i mbesin gjurmët

mendimi kthehet në etje
që të merr me ethe
dhe tretet dikur bashkë me ty
humnerave të botës...

Jeta është komplekse dhe nuk ka shpjegim
edhe pse njeriu përpiqet me fjalë
prej lules së shpirtit t`a nxjerrë fjalën,

jetë pa ngjyrë
jetë me ngjyrë- gjak kuq të zi
jetë e zezë i thënçin
njëmijë herë vdiça dhe mbetem gjallë

çasti çastit nuk i përngjet!...

Tërë jetën e kam vdekur nga pak
dhe trupi mund të pushojë një ditë
përgjithmonë,

mbetet testament vepra e gjallë
dhe a e di dikush të lexojë
atë tekst të pa fjalë midis rreshtave
lartë mbi jetën?!...

Ndonjëherë nuk kemi vështrim
dhe nuk shohim
çka është shkruar në biografinë e ditëve,

njeriu qenka fluskë saponi
të lojërave që fëmijët i lëshojnë
dhe zhduken në hapësirë

prandaj, nuk e di
si duket jeta në botën tjetër-

kjo jetë është sprovë
me vetveten...

është sprovë me të vërtetën!...



ZOG I NEMUR PREJ QIELLIT

Kudo nëpër Evropë
vajton përherë me pikëllim
e askush nuk të kupton

zog i nemur prej qiellit.

Dhembjen tënde e deshifroj
për të vetmin vëlla të vogël,
e të lanë mëtutje mbi tokë
të vajtosh dhembjen tënde
pranë nesh

gjithmonë shara të rri mbi qafë
ku peri rrinte i vjerrur
derisa thurje qorapë të leshta...

Kur të dëgjoj më vjen të qaj
më përloten sytë me lotë të tharrë
midis bebëzave-

jam shqiptar dhe ti e ke gjuhën time
mija njerëz na kaplojnë anash
dhe nuk na kuptojnë
se të dytë jemi të dënuar,

në livadhe, le të pëlcasë një gomar
sepse asnjë fjalë nuk e njeh
as nga gjenealogjia
as nga mitologjia-

qielli ynë është i pa skaj...

A e dinë, o Gugu-Isuf,
se ilirët qenë të parët në Evropë

prandaj ti-
zog i nemur prej qiellit
përherë vajton në ilirisht!...



FRYMA E FUNDIT

Toka e shqipes e shkelur dhimbshëm
rreth e rrotul nga të gjithë fqinjët
sa brinjët duan të pëlcasin
deri ku nuk ka më fund,

shkelur me shkelmat e tankseve
të dhunës së përdalur...

A e mbledhë frymën e fundit të shpirtit
nëpër oqeanet e paskajshme të lotëve
me jetën e ndrydhur thekshëm
nëpër dhembjet e vdekjeve

nga fundi i asgjësë për ta nxjerrur
pikën e fundit të durimit
derisa vetëtinë e bubullinë jashtë saj
murmuron minutat e mbetjes gjallë

dhe mbledhë veten si mbiqenie
zemrën e shtrydhë për të fundit herë
të leshojë ulurimat e gjalla të shpirtit-

këngën e zjarrtë të lirisë!...



PËRFYTYRIMI  I  DETIT

Shpesh më fanitet deti
si sofër e madhe
shtruar nën hënë-

përreth të heshtur
përtypen shkëmbinjtë
kafshoren duke e njomur
në atë verdhësi të largët...

Asgjë nuk më duket
më e pikëlluar
se shkëmbijtë e kërrusur
në  vetvete,

e gropëzave të tyre
po të isha gomë
e fatkeqësive të botës
hijën e mosbesimit
do ta zhbija

dhe trishtimet e shtruara
në atë sofër!...



VARGJE PËR NËNËN

Të kemi borgj
më tepër se ajrin
se prehjen e përjetshme-

na ke ushqyer
me dromca shpirti

na ke rritur
me drojën e përditshme

e veshur
me zhgunin e rrudhave të ballit!...

Sa keq
që s’mund të të gëzoj më shumë
pos me ndonjë këngë
nipa e mbesa,

dhëntë fati
e të buzëqeshësh Dielli
ndonjëherë!



Fragment rrugësh

Kush e dëgjon këngën time
dhe vërtetë zemra si dridhet
ai do të jetë falumtur,

se unë
këtë grusht leckash
dhe këtë çifteli
do ta bart pa pushim
rrugë më rrugë
banesë në banesë

derisa telat së klithuri të këputen
e të fundosen
në fund lukthi
si e vetmja gjellë
e papërsëritshme...!

Kush e dëgjon këtë këngë
veshët, zemrën,
sytë le ti mbyllë-

derisa të çmendem,
derisa të vdes duke kënduar!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen