Dienstag, 28. Mai 2013

Roli i Sulejman Delvinës si atdhetar

Karriera e Sulejman Delvinës si Kryeministër i Shqipërisë dhe roli i tij si burrë shteti dhe patriot i shquar, në themelimin e konsolidimin e shtetit shqiptar. Historia e panjohur e Sulejman Delvinës, njërit prej pinjollëve të familjes së famshme delvinjote, i cili pasi u shkollua në Janinë e Stamboll, shërbeu në detyra dhe funksione të larta në administratën e Perandorisë Osmane. Kthimi i tij në atdhe dhe angazhimi në Kongresin e Lushnjës, ku atij iu besua detyra e kryeministrit, zv/ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë.

Nga Sherif Delvina & Dashnor Kaloçi

Karriera e Sulejman Delvinës si Kryeministër i Shqipërisë dhe roli i tij si burrë shteti dhe patriot i shquar, në themelimin e konsolidimin e shtetit shqiptar. Historia e panjohur e Sulejman Delvinës, njërit prej pinjollëve të familjes së famshme delvinjote, i cili pasi u shkollua në Janinë e Stamboll, shërbeu në detyra dhe funksione të larta në administratën e Perandorisë Osmane. Kthimi i tij në atdhe dhe angazhimi në Kongresin e Lushnjës, ku atij iu besua detyra e kryeministrit, zv/ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë.



Kryeministër në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës

Në janarin e vitit 1920, Sulemjan Delvina mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku spikati si një nga aktorët kryesorë të asaj ngjarjeje madhore, e cila i hapi rrugë riorganizimit të shtetit shqiptar. Lidhur me këtë, në revistën "Minerva" të vitit 1932, publicisti i njohur, Nebil Çika, në artikullin me titull: "Vdekja e Sulejman Delvinës", ka shkruar: "Kongresi i Lushnjës plotësoi qeverinë e re me zgjedhjen e një kabineti prej nëntë anëtarësh të kryesuar nga Sulejmani dhe caktimin e një Senati apo Këshilli Kombëtar prej 37 anëtarësh të veshur me fuqi parlamentare deri në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme. Kabineti përbëhej si më poshtë: Sulejman Bej Delvina, Kryeministër, Mehmet bej Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Bej Zogu, Ministër i Brendshëm, Kadri Bej Prishtina- Ministër i Drejtësisë, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Eshref Bej Frashëri, Ministër i Punëve Botore, Idhomene Kosturi, Ministër i Postave dhe Telegrafëve dhe Ali Riza Pasha Kolonja, Ministër i Luftës.

U zgjodh dhe Këshilli i Lartë i Regjencës prej katër vetash: z. Imzot Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani dhe dr. Mihal Turtulli. Në këtë Kongres u formua dhe Këshilli Kombëtar, si dhe u miratua Statuti i Lushnjës, i cili ishte ligji themeltar i shtetit të ri shqiptar. Ai shpalli ndarjen e fesë nga shteti dhe vendosi që më vonë, kur të bëheshin zgjedhjet, Asambleja Kushtetuese të përcaktonte formën e regjimit. Pra, në Lushnjë u sanksionua sovraniteti i shtetit shqiptar me organet që ngriti Kongresi. Në gazetën "Mbrojtja Kombëtare" të datës 11 nëntor 1920, në artikullin "Rregulli i Shtetit", Ali Këlcyra e përcakton kështu Kongresin e Lushnjës: "Mbledhja e Lushnjës, e cila u bë burimi i shpëtimit të Shqipërisë, do meritojë të shkruhet me shkronja të arta në historinë tonë." Ndërsa për Kryeministrin Sulejman Delvina, ai shprehet: "Sulejman Beu, i cili këto kohërat që u ndodh në qeveri dha prova jo vetëm si njeri i mësuar, por akoma dhe si një burrë shteti me karakter".

Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë kompromisin 13-14 janarit të vitit 1920 ku Fuqitë e Mëdha kërkonin copëtimin e Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës gjithashtu rrëzoi qeverinë filo-italiane të Durrësit, duke u zotuar se do të luftonte për çlirimin e vendit. Qeveria e Sulejman Delvinës brenda një kohe prej dhjetë muajsh zgjidhi me sukses detyrat që i caktoi Kongresi i Lushnjës. Më 11 shkurt, qeveria u vendos në Tiranë, e cila që nga ajo kohë u bë kryeqyteti i Shqipërisë. Më 13 mars të po atij viti u shpall bashkimi i Shkodrës me qeverinë kombëtare të Tiranës, duke shmangur repartet e armatosura jugosllave që kishin ardhur afër Shkodrës. Lidhur me këtë, në një shkresë të Sulejman Delvinës, thuhet: "Tiranë më 8-IV- 192O. Prokurorisë s‘Apelit Shqypni. Mbas shkresës së Kryeministrisë Nr. 252/1 dhe 4/4/20, Ju njoftohet se Këshilli i Përfaqësuesve me vullnet e dëshirë të këshilltarëve të vet mori emrin Këshilli Kombëtar. Zv. Ministri i Drejtësisë. Kryeministër. S. Delvina (d.v.)" (Fondi 249, dosja II-12 viti 1920).

Sulejman Delvina ka lindur në vitin 1873 në qytezën e Delvinës, në një nga familjet më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindjen e tij, ai shkoi në gjimnazin e Janinës dhe që andej në atë të Mylqijes së Stambollit. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane ai e mbaroi në vitin 1898, dhe pas marrjes së diplomës ai u emërua menjëherë në detyrën e atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Liceun e Gallata Sarajit dhe në gjimnazin e Vefasë. Duke dhënë mësim në liceun e Gallata Sarajit, ku frëngjishtja ishte gjuha bazë e atij liceu plot me libra të vlefshëm të asaj kohe, Sulejman Delvina e shfrytëzonte atë mjedis perëndimor, bibliotekën e pasur të liceut dhe me ato libra ai lidhej me shkencën perëndimore duke kaluar kohën e lirë. Më pas, ai u emërua nënshef seksioni dhe shef seksioni në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe pak më vonë në funksionin e drejtorit të përgjithshëm të punëve lokale të vilajeteve. Pas Luftës së Përgjithshme, Sulejman Delvina, shkoi në Paris si delegat i kolonisë shqiptare të Stambollit, ku bashkë me të ishin edhe Halil Pasha Gjirokastra me Fuat bëj Dibrën.



Raporti i Sulejman Delvinës për qeverinë që kryesonte

Më 29 prill të vitit 1920, Sulejman Delvina raportonte në Këshillin Kombëtar se qeveria ka zbatuar vendimet e Kongresit të Lushnjës. Lidhur me këtë, në atë raport të kryeministrit Delvina, thuhet: "Kongresi i Lushnjës duke i dhënë besimin qeverisë së re, i parashtroi dhe programin politik, të cilin ajo e ka pranuar dhe mbi të cilin është betuar dhe ky program është mbrojtja e indipendencës së plotë me të drejta sovrane i tërësisë tokësore të shtetit shqiptar; kështu që tashti qeverisë i mbetet vetëm me ju paraqit zhvillimin e programit të brendshëm në të gjitha degët e administratës dhe rrugën që ka për të ndjekur për të mbrojtur të drejtat kombëtare, sipas programit të Lushnjës.
Për të siguruar indipendencën e plotë qeveria ka vendosur të mos njohë asnjë qeveri të huaj të përzihet në punët shtetërore dhe këtë vendim e ka mbajtur dhe do ta mbajë me çdo teori për sigurimin e tërësisë tokësore, e cila është krejt e dëmtuar nga fuqitë e huaja..." (Fondi 146, dosja 23, vitet 1920-1929, fq.

Në fushat e politikës së brendshme qeveria e kryesuar nga Suljman Delvina u drejtua në zhvillimin e programit të brendshëm në të gjitha degët e administratës. Po në dosjen 23, të cituar më lart, flitet edhe për Ministrinë e Brendshme. Aty, midis të tjerave, theksohej se: "Mendimi i ministrive për administratat e vendit është të ngriturit e prefekturave e të qeverisurit të Shqipërisë vetëm me shkallë qeverinash, sigurimi i qetësisë, ruajtje e kufijve të shtetit mbështetet vetëm në fuqinë e xhandarmërisë, veç një batalion që gjendet në çdo qendër prefekture, kanë për të formuar dhe tre batalione shëtitëse". Po në dosjen 23 të fondit 146, vitet 1920-1929, me nëntitull "Financat", shkruhet: "Duhen
shtuar të marrurat, që të mos vrasin drejtpërdrejt pasurinë e popullit. Arka e përgjithshme e Financës ka për të paraqitur së bashku të gjithë të marrurat, si dhe prishjet e gjithhershme të shtetit, të rregullohen, të mos i rëndohen shtetit jashtë fuqive financiare që mund të ketë shteti, ndonëse duket se të marrurat sot nuk u bëjnë dot ballë shpenzimeve".

Në kuadër të kësaj, shtojmë se Kryeministri Sulejman Delvina për sigurimin e mjeteve financiare në fillim të marsit 1920, nxori vendimin për të emetuar një hua të brendshme prej dy milionë franga ari, e cila do të shlyhej brenda dy vjetëve. Vlen të theksohet se Korça, në kohën e bashkimit me pjesën tjetër të atdheut, dorëzoi qeverisë qendrore të Tiranës gjendjen e arkës që përfshinte shumën e dy milionë franga franceze, shumë kjo që ishte kursyer nga miradministrimi i administratës franceze gjatë pushtimit francez. Qeveria e Sulejman Delvinës e dalë nga Kongresi i Lushnjës e qeverisi vendin fill pas Luftës së Parë Botërore, ku dëmet materiale dhe njerëzore në Shqipëri ishin tepër të mëdha. Ajo u përpoq të mirë-administrojë vendin dhe arriti të mos marrë hua nga asnjë shtet i huaj. Kurse për arsimin, gjendja në Shqipëri në kohën e qeverisjes së Sulejman Delvinës ishte e mjeruar, mungonin librat, orenditë, ndërtesat shkollore. Në këtë kuadër, ajo qeveri duhej të krijonte prej asgjëje, gjithçka që i përket arsimit, të përgatiste mësues të aftë, të hartonte libra e të përkujdesej për orendi e ndërtesa. (Parlamenti, Fondi 146, Dosja 23, vitet 1920-1929).

Konsolidimi i organeve të drejtësisë nga qeveria e Delvinës

Për sa u përket organeve të drejtësisë, asokohe u përdor legjislacioni turk, gjë të cilën më parë e kishte bërë edhe qeveria e Vlorës, për interesat e shtetit shqiptar, por në qeverinë e kryesuar nga Suljeman Delvina u bënë edhe ndryshime në organizimin gjyqësor, në llojet e gjykatave. Kështu, pas Gjykatës së Paqit, (e Faktit, shënimi ynë), vinte Gjykata e Fillimit, e Përtërimit dhe e fundit, Gjykata e Diktimit, (Apelit), ishte instanca më e lartë
në sistemin gjyqësor. Sulejman Delvina ishte jo vetëm Kryeministër, por dhe zv.ministër i Drejtësisë. Mes të tjerash, lidhur me ushtrimin e asaj detyre të dytë bëjnë fjalë edhe këto dokumente që po citojmë më poshtë, ku thuhet: Kryesisë së Këshillit Ministerial. Ministrisë së Drejtësisë, Në Tiranë. Po ju dërgojmë këtu ngjit shtojcën e ligjeve të organizimit edhe ligjin e nëpunësve të vërtetuara përkohësisht prej Këshillit Kombëtar Nr. 51, datë 28-05-1920, e pëlqyer prej Këshillit të Lartë, Nr. 108 më 19-07-1920, për ta vënë në veprim plotësisht. Tiranë, 11 VIII 20. Kryeministri. Sulejman Delvina.
(Vula Firma). (Ministria e Drejtësisë, Kuadër Organizim, Fondi 155, Dosje II-13, vitet 1919-1920).

Ministrisë së Drejtësisë. Kryeministrisë Tiranë

Në përgjigje të shkresës suaj 1346, kemi nderin të lajmërojmë Shkëlqesinë tuaj se trupi gjykues i Përtërimit të Beratit është i plotësuar. Por në ndryshimin që qe bërë, prokurori qe emëruar kryetar dhe zoti Hamid që ka qenë pyetës është emëruar ndihmës-anëtar. Nga shkaku që këta nuk kanë mundur të gjinden në shikimin e disa padirave mbas një shkrese të prokurorisë e Diftimit gojarisht të z. Prefekt të Beratit, u muar vesh se gjyqi i Beratit nuk ka mundur të veprojë rregullisht. Për të mos u shkaktuar vonimi i gjyqeve qe dhënë urdhër i veçantë, të merret si gjyqtar z. Faik Monopati, pyetës që është emëruar rishtas e kështu të plotësohet trupi gjykues. Tiranë 8-8-1920.

Me nderime të posaçme paraqesim këtë anëshkrim.

Kryeministri.
Zv/ministër i Drejtësisë, S. Delvina.

Për të mos me shkaktue vonim gjyqeve me urdhër të veçantë u emërua pyetës në gjyqin e përtërimit të Beratit, Faik Monopati. (A.Q.SH. Fondi 249, Dosja I 223/3, fl. 119)

Roli i Sulejman Delvinës në diplomacinë shqiptare

Më 28 maj të vitit 1920, u nënshkrua protokolli i Kapshticës me qeverinë greke, u njohën kufijtë e 1913-ës, dhe kështu u ndalua hyrja e ushtrisë greke në Jug të Shqipërisë, por atje ngelën 26 fshatra shqiptarë në duart e grekëve. Me akordin e qeverisë së Tiranës u normalizuan marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë. Qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina u përpoq për çlirimin e plotë nga ana e veriut dhe e lindjes, duke u ankuar me notat 12 dhe 14-VIII- 1920 për shkeljen e padrejtë të tokës shqiptare. Po në këto kohë, qeveria bëri çka kishte mundësi për t‘u bërë që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve. Votimi i favorshëm që dha Asambleja e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor të vitit 1920, ishte një fitore e madhe për diplomacinë shqiptare. Qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina arriti të çlirojë pjesën më të madhe të Shqipërisë, ngriti administratën shqiptare dhe krijoi ushtrinë kombëtare për mbrojtjen e atdheut.

Qeveria shqiptare nuk pranoi propozimin italian për mbrojtjen e Vlorës për shkaqe "sigurie", për të mirën edhe të vetë Shqipërisë! Ajo nuk lejoi të cenohej tërësia tokësore e Shqipërisë. Sulejman Delvina u përpoq që çlirimi i Shqipërisë të kryhej me mjete diplomatike, me mbrojtje të interesave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Ajo nuk u solidarizua haptazi me luftën e Vlorës, por e ndihmonte atë me gjithçka kishte mundësi. Sulejman Delvina dallohej për kulturën e madhe që kishte. Ai kishte kryer shkollën e lartë të shkencave politike-administrative e ekonomike, Universitetin e Perandorisë Osmane ku përgatiteshin kuadrot e larta drejtuese në fushat e ndryshme të administratës perandorake, gjë e cila bëri që në Perandorinë Osmane, atij t‘i besoheshin detyrat të rëndësishme.

Puna e Sulejman Delvinës si ministër i Brendshëm

Përveç funksionit të Kryeministrit, Sulejman Delvina mbajti edhe postet e zëvendësministrit të Brendshëm dhe të Drejtësisë. Në këto detyra ai u përpoq dhe luftoi me të gjitha mundësitë e tij për krijimin e institucioneve themelore të shtetit të ri shqiptar të riorganizuar pas Kongresit të Lushnjës. Në kuadër të këtyre detyrave, Sulejman Delvina iu vu punës për konsolidimin e sistemit gjyqësor dhe për mirëfunksionimin e tij. Lidhur me këtë bëjnë fjalë edhe disa dokumente e materiale që po citojmë më poshtë, ku shihet qartë puna dhe roli i madh i tij si nacionalist e diplomat, i cili përpiqej ta drejtonte shtetin shqiptar me drejtësi, sjellje të matura, këshilla të urta dhe të vlefshme, pa shkaktuar konflikte, duke u munduar të shpëtonte shtetin e porsakrijuar shqiptar.

Kështu, në dokumentin që mban datën 5 shtator 1920, i cili gjendet në fondin arkivor të Bajram Currit, midis të tjerash shkruhet: "I nderuari Zotni, Pranimi i armëve të dërguara në emër të Hasan Beut (Hasan Prishtina, shënimi ynë), nga ana e D‘Anuncios (D‘Anunzio), politikisht ka shumë inkonveniencë të jashtëzakonshme, po ta marrë vesh Europa se qeveria shqiptare ka marrëdhënie dhe bashkëpunon me D‘Anuncion, të cilin e trajton si një aventurier, kishte për të dhënë një gjykim shumë të keq dhe do ta trajtonte si një element turbullues e ngatërrestar. Mbas lajmeve të fundit, Anglia nuk dëshiron ndonjë shteg të ndizet zjarri i luftës në Ballkan. Amerika, që është më i madhi mbrojtësi ynë, është duke bashkëpunuar me D‘Anuncion, i ndërron mendimet dhe qëllimet e mira që ushqen për ne".

Po si qëndronte e vërteta e problemit që Sulejman Delvina i parashtronte Bajram Currit në atë letër? Në atë kohë, Këshilli i Ministrave me në krye Sulejman Delvinën, vendosi mos-shkarkimin në portet shqiptare të një vapori italian, i cili ishte ngarkuar me armë e municion dhe me mjete të tjera luftarake. Kjo anije kishte ardhur në Durrës për të shkarkuar armët e dërguara nga D‘Anuncio për kosovarët, që ata, me të marrë këto armë, të hidheshin në kryengritje. Po të mbërrinin këto armë në Kosovë, serbët, si reprezalje të veprimeve të kosovarëve do të digjnin fshatra të tërë e do të shkaktonin një eksod të ri të kosovarëve. Vapori që u dërgua në Durrës, atje u dëbua, pastaj ai shkoi në Shëngjin, ku u ndalua me forcë shkarkimi i tij nga xhandarët.
Në këtë kohë, fuqitë jugosllave ishin përqendruar në Grykën e Bunës, gati për të pushtuar Shëngjinin në rast të shkarkimit të armëve.

Delvina: Të mos përlyejmë emrin e Shqipërisë

Lidhur me këtë ngjarje, në letrën e sipërcituar, Sulejman Delvina shkruan: "Respektin që kemi fituar në Europë me ngjarjen e lumtur të Vlorës, po ta përlyejmë me disa sjellje të pamatura, kishte për t‘u zhdukur dëshira që kanë shtetet e Europës për të formuar rishtas një Shqipëri indipendente, e atëherë, atdheu ynë i mjerë, do të jetë fatzi përgjithmonë. Thoshin se deri tashti e shkatërroi Shqipërinë Esat Pasha. Porse këtë herë, në qoftë se Shqipëria shkatërrohet, ajo shkatërrohet me dorën tonë, ka për të qenë një fatkeqësi e një dëm i madh për ne. Po të vijojmë me veprimet tona që t‘i sjellim shqetësime Europës, ju siguroj me nderin dhe ndërgjegjen time se Shqipëria do zhduket ..."

Është për të ardhur keq se me sigurimin e këtyre armëve dhe zbarkimin e tyre në bregdetin shqiptar merrej miku i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", D‘Anuncio. Kurse për të treguar se kush ishte fashisti, Gabriele D‘Anuncio, citojmë lajmin e gazetës "Shqipëria e Re", ku njoftohet se poeti italian, D‘Anuncio, dërgoi në Shqipëri 30 milionë fishekë për të vrarë shqiptarët në Luftën e Vlorës. (Dokumenti Nr. 80. Dokumente e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917-1941, Tiranë, 1959). Midis të tjerash në ato dokumente bëhet fjalë edhe për D‘Anuncion, ku ai shfaqte hidhërimin për humbjen e Vlorës: "Si mundeni, mbrojtës të Fiumes, të ndieni dhembje e të hidhërohi që Vlora t‘u kthehet shqiptarëve? Nuk luftoni ju kundër çdo lloj grabitjeje, shtypjeje? Nuk mbroni si në Fiume me çdo kusht parimin e nacionalitetit dhe të drejtën popullore për t‘u ribashkuar me atdheun e zgjedhur?" (Për D‘Anuncion, atdheu i zgjedhur ishte Italia, më të cilin duhet të ribashkohej Vlora, sepse, siç pohonte vetë D‘Anuncio: "Për shkak të dëbimit nga Vlora, Italia është një kor i madh sopran të tredhurish...")

Qëndrimi i Sulejman Delvinës ndaj luftës së Vlorës

Në verën e vitit 1920, qeveria e Tiranës, në bisedimet me palën italiane, kishte si kusht kryesor pranimin nga ana e tyre të bashkimit administrativ të Prefekturës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit. Sulejman Delvina, nga funksioni i tij si Kryeministër, nuk donte që lufta e Vlorës të kishte karakterin e një lufte midis shtetit shqiptar dhe atij italian. Kjo vinte, pasi qeveria e kryesuar prej tij asokohe vazhdonte bisedimet diplomatike, duke fituar prestigjin ndërkombëtar dhe duke e mbrojtur tërësinë territoriale të vendit nga fqinjët grabitqarë. Në këtë kuadër, qeveria e Sulejman Delvinës pati akuza pa vend në mbledhjen e 40-të të Këshillit Kombëtar, e cila u zhvillua më 23 maj të vitit 1920. Në procesverbalin e asaj mbledhje, midis të tjerash thuhet se: "Z. Qazim Koculi, kërkon se ç‘masa ka marrë qeveria për çështjen e Vlorës...? Shkëlqesia e tij, Kryeministri dëfton, se qeveria jonë përherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës.

Zoti Koculi, tregon hidhërimin e tij se qeveria nuk ka bërë kurrgjë për shpëtimin e Vlorës. Shkëlqesia e Tij, Kryeministri thotë se qeveria jep fjalën e nderit se kurrë nuk do kursehet të bëjë edhe një therorësie për shpëtimin e Vlorës". Sipas librit "Historia e Popullit Shqiptar" (vëll. III, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2007), qeveria e Sulejman Delvinës i premtoi Komitetit të Vlorës ndihma materiale etj., por me rrugë jozyrtare. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty thuhet: "Ky qëndrim gjeti mirëkuptimin e Komitetit "Mbrojta Kombëtare"... Ministër pa portofol u emërua edhe Spiro Koleka, i cili do të mbante lidhje ndërmjet Komitetit të Vlorës dhe qeverisë së Tiranës". Po kështu, Sejfi Vllamasi, senator i asaj kohe, në librin e tij "Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1912)" për Sulejman Delvinën shkruan: "Sulejman Delvina, gjatë luftës së Vlorës ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër italianëve. Ai ka qenë për zbrazjen pa kusht të tokës shqiptare nga italianët dhe kur Komiteti i Luftës së Vlorës filloi të lëkundet për shkak të luftës, ai e inkurajoi atë për vazhdimin e saj, derisa u arrit fitorja e plotë".

Letra e Sulejman Delvinës për Bajram Currin

Krahas angazhimit, ndonëse të tërthortë për të ndihmuar luftën e Vlorës, qeveria e kryesuar prej Sulejman Delvinës, bënte një përpjekje të madhe edhe për çështjen e Kosovës. Por siç shihet edhe nga një letër e Sulejman Delvinës, e cila gjendet në fondin arkivor të Bajram Currit (dhe që mendohet t‘i jetë dërguar atij), sipas tij, problemi i Kosovës duhej parë me kujdes dhe jo gjithmonë për zgjidhjen e atij problemi duhej të përdoreshin armët dhe kryengritjet e armatosura. Ai i sugjeronte mikut të tij, Bajram beg Currit, se për zgjidhjen e problemit të Kosovës duheshin përdorur edhe metodat diplomatike, pasi shteti shqiptar ishte i dobët dhe në tentativë për të zgjidhur të gjitha problemet me forcën e armëve, mund të vihej në rrezik i gjithë shteti shqiptar që ishte brenda kufijve të 1913-ës. Lidhur me sa më sipër, në letrën dërguar Bajram Currit, Sulejman Delvina shkruante: "Unë kam këshilluar zotni e miq, shokë tuaj të ndershëm të heqin dorë nga Kosova kreshnike, që është pjesa më e madhe dhe më e bukur e vendit tonë.

Unë e provoj me fakte se krejt Shqipërinë e dua njësoj e nuk preferoj një krahinë më tepër se tjetrën, po të them të vërtetën, tash për tash nuk shoh fare mundësi për shpëtimin e Kosovës. Çdo veprim e iniciativë që do të bëhet sot për shpëtimin e Kosovës, ka për të vënë në rrezik Shqipërinë e 1913-ës. Ju premtoj se kur të vijë koha kemi për ta përkrahur. Edhe ngjarjet e vajtueshme të Dibrës, edhe për pak kohë do të binte Elbasani, duke marrë parasysh këto kondita e konflikte me serbët nuk mund të zgjidhen me fuqi të armëve. Unë jam njeri që nuk i trembem vdekjes, se përpara se të vija në Shqipëri vendosa me vdek e pastaj erdha. Po me kusht që vdekja jonë të shpëtojë nderin. Po të humbë atdheu, ç‘rëndësi ka vdekja... Po ju parashtroj gjithçka mendoj dhe zotnia jote vini dorën në zemër, në zemrën tuaj të pastër dhe mejtohuni. Vendimin që do të merrni ma shkruani që të veproj dhe unë. Me nderime të përzemërta, Kryeministri Sulejman Delvina". (AQSH F. 818, Dosja 8/2, fq. 24).

Letra e Sulejman Delvinës për amerikanët

Gjatë qeverisjes së tij, Kryeministri Sulejman Delvina mbajti marrëdhënie shumë të mira edhe me qeverinë e SHBA-së, duke parë tek ata mbrojtësit e sigurt të paqes dhe dashamirësinë që kishin treguar ndaj Shqipërisë. Lidhur me këtë bën fjalë edhe një letër e Sulejman Delvinës, dërguar Personelit Amerikan për Bashkëpunim në fushën e Arsimit, Kulturës e Bujqësisë, ku midis të tjerash shkruhet: "Tiranë, 15 tetor, 1920, Hirësisë së Tij, Peshkopit Blake, Hirësisë së tij, Dr. E.F. Lee dhe z. Franc. Përshëndetje kordiale, Ne autorët e Regjencës dhe Qeverisë Shqiptare jemi prekur nga ndjenjat fisnike dhe interesi dashamirës që ju keni shprehur në emër të SHBA-së. Sugjerimet që keni bërë për sa i përket zhvillimit të popullit tonë aprovohen. Nevoja e parë për ne është një shkollë e mesme. Ne duam që këtu të sillet qytetërimi tuaj. Ajo do të kishte një vlerë shumë të madhe për stërvitjen e udhëheqësve të kombit, të rinisë femërore.... nevoja jonë e dytë është stërvitja e mësonjësve për shkollat kombëtare.

Kërkojmë që një degë e shkollës suaj të jetë për stërvitjen e mësonjësve. Nevoja jonë e tretë është të na dërgoni një ekspert edukimi të stërvitur jo vetëm nga teknika, por me zotësi organizimi, administrimi që të veprojë si këshilltar në Ministrinë e Arsimit. Ne jemi një popull bujk, por Shqipëria prodhon një të katërtën e asaj që duhet të prodhonte. Në qoftë se ju merrni përsipër krijimin e një ferme model, instruktime shkencore për bujqësinë moderne ashtu siç është zhvilluar në USA. Anëtarët e qeverisë sime janë gati të bashkëpunojnë në gjetjen e tokave për ferma, ndërtesa, ne jemi shërbyesit tuaj. Regjentët Sulejman Delvina, Aqif Elbasani, Kryeministër, Dr. M. Turtulli, Mehmet Konica, Abdi, Toptani, ministër i Jashtëm, Imzot Luigj Bumçi, Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, Sotir Peci, ministër i Arsimit. (AQSH Koleksion fondesh, Fondi 886, Dosja 2334, fq. 1-8).

Në periudhën e qeverisjes së tij, Kryeministri Sulejman Delvina i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe formimit të administratës shtetërore, duke shtruar si detyrë kryesore për nëpunësit e shtetit, përvetësimin e gjuhës shqipe. Lidhur me këtë, në një dokument arkivor, midis të tjerash thuhet: "Kryesia e Këshillit Ministerial (të Shkëlqyeshmit e Këshillit të Naltë). Këshilli i Ministrave vendosi me bisedën e tij nr. 888, 10-11-1920, përmbi propozimin e Ministrisë së Drejtësisë nr. 317/3/10-20 vendosi heqjen e Mustafa Boriçit, ndihmësgjyqtar i pajtimit të Shkodrës nga padija e tij e gjuhës zyrtare". Tiranë, 17.11.1920. Zv/kryeministri Sulejman Delvina.

Konflikti me Mitropolitin Jakovos për Fan Nolin

Në korrik të vitit 1920, Sulejman Delvinës iu desh të përballonte Mitropolitin Jakovos Ngjingjilas, Eksark i Patrikanës dhe armik i vjetër i Shqipërisë. Mitropoliti Jakovos i shkruante Sulejman Delvinës në korrik të 1920-ës një letër, ku kërkon moslejimin e ardhjes së Fan Nolit në Shqipëri. Duke e quajtur mes fyerjeve të tjera Nolin, si episkop rrenacak që kishte shkelur çdo ligj të Zotit. Në këtë kohë kishte filluar lufta e Vlorës, një pjesë të tokave të Shqipërisë Verilindore i kishin pushtuar jugosllavët dhe peshkopi grek i bënte presion Kryeministrit Sulejman Delvina, që të mos pranonte Fan Nolin, duke pasur përkrahjen pa rezerva të Patrikanës, e cila nuk donte të lejonte kurrë që në Shqipëri të krijohej Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Sipas Apostolos Glavinas, autor i librit "Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë", (Selanik 1989), thuhet se: "Jakovi ishte fronëzuar në Stamboll më 15 shkurt të vitit 1911 si Mitropolit i Durrësit dhe kishte shërbyer si mitropolit i këtij qyteti deri në vitin 1917, vit i dëbimit të parë nga Shqipëria (nga austriakët, shënimi ynë). Ky Mitropolit u kthye përsëri në fund të vitit 1919, sepse ishte mik personal i Venizellosit". J. Swire për këtë pohon: "Esat Pashë Toptani pati koleg kryesor në intrigat e veta peshkopin grek, Jakov dhe sekretarin e tij, Gjurakoviç, i cili u bë prefekti i Durrësit gjatë pushtimit serb. Ky mitropolit u vendos në Korçë më 1 dhjetor të vitit 1919, por kësaj radhe si eksark. Në Korçë, ai krijoi shoqatën "Bashkimi i Ortodoksëve të Korçës". Mitropoliti Jakovos ishte kundër autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, ai ishte vetëm për autonominë e saj, Patrikana e Stambollit donte kontrollin administrativ mbi kishën tonë.

Në atë kohë, Kryeministri Sulejman Delvina, hoqi mundësinë e një fërkimi me mitropolitin Jakovos dhe pas kësaj ai i shkroi një letër Kryeministrit Delvina, ku thuhet: Nr. Prot. 1711. Shkëlqesisë së tij Sulejman bej Delvinës, kryetarit, qeverisë shqiptare në Tiranë, Shkëlqesë, Tuj u përkujdesun për qetësinë e vendit, sidomos në këto ditë të kritikshme, tuj u përkujdesun për nderë e prestizhin e fesë, në të cilën është bashkë me mua një pjesë e madhe e Kombit Shqiptar dhe më shumë si kryetar i ligjshëm i Orthodoksëve të Diocezit të Durrësit, sillem prej detyrës së hjeq vërejtjen e plotë të shkëlqesës suaj dhe të qeverisë mbi një çështje fort me rëndësi, dhe jam i sigurt që shkëlqesa e juaj do ta çmojë sikurse duhet. Lajme prej Amerike kallëzojnë se pregatitet të vijë në pak kohë në Shqipëri i njofturi Prift Fan Noli, i cili, është një send për m‘u tmerrue, tuj shkelun çdo ligjë të Zotit dhe të njerësve dhe tuj përqeshun e tuj marë në lojë Zotin, njerëzit dhe fenë së cilës për fat të keq ka takuar anëtar, ka filluar prej disa kohësh të çfaqet si Episkop, të meshojë dhe jo vetëm këtë, por edhe të autorizojë (të bëjë) si i këtillë priftër dhe dhjakona.

Klerikalë me të tillë ndërgjegje dhe pa frikësie Zoti fort të pakët tregon historia e Kishës sonë. Midis këtyre vjen të zërë vent në shekullin e njëzetë dhe i përmenduri Episkopi i rrenave Fan Noli. Po ju dërgoj një kopje të një shkrese që i është drejtuar Episkopit Rus prej anës së tre priftërinjve orthodoksë shqipëtarë: at Naum Ceres, at Dhamianit Angjeli dhe at Nikollës Kristoforit. Në këtë qartas shifet, porsi në pasqyrë jeta dhe sjellja e të përmendurit Fan Nolit. Gjithashtu, po ju dërgonj dhe një kopje të shtypur të qarkores së Episkopit Rus, e cila u drejtohet shqiptarëve të Amerikës klerikalë dhe laikë. Tashi, sa të drejtë ka Episkopi Rus Aleksandër të sjellë titullin episkop i orthodoksëve shqiptarë të Amerikës. Kjo është një çështje kanonike, e cila u përket autoriteteve fetare kompetente. Gjëja, e cila intereson shkronjësin dhe shkëlqesën tuaj është se, që prej qarkores së përmendur vërtetohet se at Fan Noli i autorizuar sipas rregullave të Kishës Episkop dhe kështu është një rrenacak pa ndërgjegje.

Do të jetë mendoj, dakord me mua plotësisht dhe shkëlqesa juaj, se ky njeri nuk i sjell nder kombit shqiptar, në të cilin pretendon se ka pjesë. Tuke qenë pra kështu i bëhet lutje shkëlqesisë suaj që të marrë masat e duhura dhe të ndalojë në çdo mënyrë ardhjen në Shqipëri të të përmendurit Episkopit rrenacak Fan Nolit, sepse jo vetëm që kjo nuk do të sjellë ndonjë të mirë, por do të bëhet përkundrazi shkak i shumë të këqijave. Jini të lutur shkëlqesë të kini mirësinë të pranoni ndjesinat e mia më të nalta". Korçë 9/22 Korrik 1920. Mitropolit i Durrësit Jakovos (firma) (AQSH fq. 249 v. 1920. d.I 30, fl. 1).

Shoqëria "Vatra" ndërmjetëson te Delvina për Fan Nolin

Ndryshe nga mitropoliti i Durrësit, Jakovos, kryesia e shoqërisë "Vatra" të Bostonit, i kërkonte Kryeministrit Sulejman Delvina që ai të lejonte ardhjen e Fan Nolit në Shqipëri. Në atë letër thuhet: "Shkëlqesisë së Tij Sulejman Delvina. Kryesia e Shoqërisë "Vatra" kërkon dhënien e lejes Fan Nolit për të hyrë në Shqipëri dhe emërimin e tij si delegat pranë Lidhjes së Kombeve në Zvicër. Lajmërohet ardhja e At Nolit me vaporin Puglia". (AQSH F. 149, D. 20, viti 1920). Pasi mori letrën, Kryeministri Sulejman Delvina urdhëroi Prefekturën e Durrësit që t‘i bënte me dije Fan Nolit se për shkaqe politike të brendshme të elementit ortodoks, qeveria shqiptare është e shtrënguar që të mos e lejojë të zbresë nga vapori në Shqipëri, të kthehet në Bari dhe atje do të marrë një letër". Në një letër me koncept nr. 180 7/1 drejtuar Prefekturës së Durrësit nga Sulejman Delvina, shohim gjuhën plot respekt që përdor ai Kryeministër për Fan Nolin. Sulejman Delvina kërkonte që urdhri i tij t‘i komunikohej Nolit në mënyrë të butë (Fondi 149, dosja I-29, viti 1920). Lidhur me këtë, me anë të një letre Kryeministri Sulejman Delvina, njoftonte: "Kryesisë së Federatës Boston, me gjithë ndalimin e arsyeshëm at Nolit ju dha leje për me ardhë në Shqipëri, u emërua delegat pranë Lidhjes së Kombeve. Kryeministër S. Delvina". Koncept Nr. 2301 (AQSH Fondi 249, Dosja I-29, viti 1920). Pas kësaj, në nëntor të vitit 1921, u dëbua nga Korça mitropoliti grek Jakov Ngjingjilas, i cili ishte kundërshtar i vendosur i autoqefalisë.

Dorëheqja e Kryeministrit Sulejman Delvina

Në fundin e vitit 1920, në krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës filloi të përhapej lëvizja për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese. Duke u mbështetur në këtë lëvizje, qeveria e Sulejman Delvinës vendosi që më 14 nëntor të atij viti të zhvilloheshin zgjedhjet për Asamblenë. Por ky vendim u kundërshtua nga disa anëtarë të Këshillit të Lartë dhe nga mjaft deputetë të Këshillit Kombëtar, me të cilët u bashkuan dhe disa ish-anëtarë të qeverisë së Durrësit, si dhe figura të tjera me orientim pro-italian. Në këto rrethana, qeveria e Sulejman Delvinës, po atë ditë u detyrua të jepte dorëheqjen ("Historia e Popullit Shqiptar", vëll. III, Tiranë 2007). Lidhur me këtë, në tekstin e dorëheqjes së tij, Kryeministri Sulejman Bej Delvina, shkruante: "Si mbas nevojës, që pashë, dhashë dorëheqjen me emërin e Kabinetit tim, derisa të formohet kabinet‘ i ri, do të veproj si zëvendës; Kabineti i ri do të formohet prej njerëzve të ndershëm, që ka besimin e popullit të plotë të kombit.

Jam përkrahje e këtij Kabineti me gjithë fuqinë time, në këto kohëra delikate. Lutemi të kini kujdesin për qetësinë e prehjes të vendit; këtë e pres prej atdhedashurisë". Kryeministri Sulejman Delvina. Në përgjigje të kësaj letre, Këshilli i Lartë i Shtetit, i shkruante: "Këshill‘ e Naltë e Shtetit Shqiptar, e pranoj dorëheqjen që bëri kabineti që ish formuar nën kryesinë e Shkel. Së Tij Z. Sulejman Delvinës, me DEKRET. Shkel. Së Tij Z. Sulejman Delvinës-Tiranë. Shkëlqesi! E muarmë letrën e Z. S. me 14.11.1920 me të cilën na bëni të njoftur se Kabineti që qe formuar nën Kryesin e Sh. Suaj dha dorëheqjen: çmojmë fort mirë shërbimet e Sh. Suaj që kini sjellë Atdheut në kohërat me të vërtetë kritike dhe ju falënderojmë për të gjitha këto. Por, me qenë që në Parlament s‘keni një shumicë përmbi të cilën të bazohet, jemi edhe na të detyruar t‘jua pranojmë dorëheqjen. Por, pas zakonevet, ju lutemi shumë që Shkëlqesa juaj bashkë me Ministrat e tjerë të vazhdoni në punë, si zëvendës, gjersa të nisin punë ata që do të emënohen.

Pritni nderime t‘ona më të mëdha. Këshill‘ e Naltë e Shtetit Shqiptar". Elbasani, Bumçi, D. M. Turtulli, Abdi Toptani. (Mbrojtja Kombëtare, 18. nëntor, 1920). Është për të vënë në dukje se në këtë dekret vlerësohet shumë puna e Kryeministrit Sulejman Delvina në shërbim të atdheut në kohërat me të vërtetë kritike. Vlen të përmendet gjithashtu edhe roli i Kryeministrit Sulejman Delvina dhe i qeverisë së tij në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Ai vihet në dukje në veprën "Shqipëria dhe Mbreti Zog, Pavarësia, Republika dhe Monarkia 1908-1939" të autorit Owen Pearson, Londër 2004, vëllimi I, ku në faqen 155 thuhet: "Arritjet e qeverisë së S. Delvinës s‘kanë të numëruar. Ajo bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të vendosur marrëdhënie miqësore me shtetet fqinje, sidomos me Italinë.

Ia doli të mbledhë një hua kombëtare prej dy milionë frangash ari, organizoi një ushtri të vogël e xhandarmërinë dhe arriti të krijojë një shërbim civil të efektshëm dhe të moderuar. Ajo ngriti 528 shkolla fillore dhe po studionte mundësinë e ngritjes së një sistemi arsimor kombëtar të një niveli më të përparuar. Ia doli të shmangë me sukses kërcënimet e intrigat e huaja, mposhti kryengritjet e brendshme dhe bashkoi popullin shqiptar. Dhe së fundi rivendosi kufijtë kombëtarë të cënuar nga Konferenca e Ambasadorëve të vitit 1913".
 
Burimi Çdoditë.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen