Ymer Nurka |
Ymer Nurka: lindur më 27. 09. 1965 në Korçë. Nga viti 1980 jeton në Durrës, ku kreu dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1990 mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës; Fakulteti “Histori-Filologji” dega Gjuhë- Letërsi Shqipe. Në vitin 1992, po ne Universitetin e Tiranës mbaron studimetpasuniversitare në Fakultetin për “Shkenca Sociale”, dega; Psikologji Sociale. Dy vjet rresht, ka dhënë lëndën e Letërsisë Shqipe, në një nga gjimnazet e zonës së Kavajës, ku u njoh nga afër me jetën e njerzve në fshat për të cilët shkroi mjaft artikuj problemorë për hallet dhe shqetësimet e tyre. Nga viti 1993 deri ne 2005, punon në admministratën shtetërore, pranë Ministrisë së Punës, si Inspektor Pune, për qarkun e Durrësit, ku dhe ka kryer mjaft kualifikime profesionale. Që në vitet 80-të është marrë me krijimtari letrare dhe ka botuar poezi dhe publiçistike, në shtypin e kohës. Në vitin 2003, del libri i parë me fabula i titulluar "ZËRA NË XHUNGËL". Në vitin 2004, boton tre libra të tjerë, po në gjininë e fabulës, përkatësisht titujt:
1. “MARRSHI LUKUNISË "
2. "KUVENDI QENVE",
3. "ZBORI KAFSHËVE ZBATHARAKE".
Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Aktualisht punon dhe jeton në Durrës.
NJË UDHË, PA ODISENË
Si udhëbërës i regjur e brodhe ti Botën,
Dhe ditën e shkele, si natën,
Vetvetes i thoje: “Kërkoj Penelopën.”
Të tjerëve u thoje: “Itakën.”
Në këngë sirenash, ti veshët s’i zure,
Penelopa, t’u dukën gjithë gratë,
Pas tyre ti rende, sa ëndrra ti thure,
Gjithë vendet, të ngjanin Itakë.
Nuk ka jo kuptim, asnjë aventurë,
Për atë, që Botës po rend,
Nëse natës për të, s'u prish një pëlhurë,
E ditës, përsëri nuk u end.
Si kuptove, që rrugët e Botës të ngopën,
E ëndrrat e moshës, t'u plakën,
U kujtove vërtet të kërkosh Penelopën,
Me të, të gjesh dhe Itakën.
Kur pe që “penelopat” shpirtin, ta ropën,
E “itakat„ në rrugë të flakën,
“O Zot!” ti u lute,”Tregomë Penelopën!
Tregomë o Zot, Itakën!”
KËNGA E SILES SË BUKUR
"Do ta prish shtëpinë, do ta bëj lëndinë,
Do ta marr moj Dado, kapedan Shahinë.!"
populli
Tridhjetë ditë sëmurë, na kishte kaçaku,
S'bënte derman mjalti, s'bënte as farmaku,
Në mes tre livadhesh, po lëngonte plaku,
Tretur nga veremi, tretur nga meraku.
Tutje flaku bukën, ujin tutje flaku,
Herë-herë venitej, herë i vlonte gjaku,
Po i çahej zemra, si arra nga sharku,
Priste Silen priste, ky Shahin Matraku.
Seç të hodhën trimat në vithe të mushkës,
Gjeraqinë e malit dhe thëllëzë e fushës,
Beli yt i hollë, si gargi e pushkës,
Të keqen e gjirit, të keqen e gushës.
Ah, po kur të shpunë, ballas me Shahinë,
Në gjunjë t'u ul trimi, të puthte pëqinë,
Të dehu me qumshtin e bejkës kërthinjë,
Dhe ta shtroj jatakun, bar e trëndelinë.
Luginës së bardhë, ra mjekra dëborë,
Të dy ftonjt’ e çupës, ç'i vranë kraharorë,
Kjo ushtri e Siles, sa dyzet taborë,
Ç'e mposhti kaçakun , kaçakun e gjorë.
Çelën lulet çelën, oh, në tre livadhe,
Po puthej ariu, bashkë me një sorkadhe,
Dashuria shokë, qënka punë e madhe,
Shpëtoi kapedanë edhe kësaj radhe.
ÇUPË E VELI BEUT
"Në mes të Përmetit, një zambak i bardhë,
Çup' e Veli Beut me nishan në ballë...”
Populli
Çupë kaq të bukur, nuk kish parë vendi,
Më rridhje prej soji, ardhur prej mademi.
Ndaj një trim me fletë, levend, bir levendi.
Venitej nga malli, tretej nga veremi.
Bijë e vogël ishe, thesar i babait...
Shtat' a tetë sylina, çesmat e sarait,
Më freskoje gjinjtë, të ndezur prej Majit,
Të dehur prej moshës, të drojtur prej “fajit”.
Ballin porsi Hëna, si ylli nishanin.
Ti më ishe perla, që lidhje gjerdanin,
Me rrezet e shtatit, më ndrije karvanin,
Era nëpër male, tutje të çoj namin.
Mushkat me revan, kali yt me trok-ë,
Si s'këputej beli, sa dy çepirok-ë?!
Tisi yt i purpurt, s' peshohej me okë,
Për gushën guguçe, për të ziun flok-ë...
Ah, po te bandilli, vajzë kur të shpunë!
Tre dit’ e tre netë, s'fjeti syri gjumë:
Ti më ishe shtrati, ai derdhej lumë.
Ai ishte Dielli, ti ndrije më shumë.
KËNGA E GJERMANKËS
“Seç i vure zjarrë, bo, bo, dogje fshanë,
Hiqu moj gjermankë, se do gjeç belanë!”
Populli
Seç më ndrije odat, si zonjat e rënda,
Ku kriste shakaja, ku shpërthente kënga,
Ç'i tërbove burrat, veshur alla-frënga,
Ndërsa gratë e gjora, rrinin si në gjëmba.
Gjermankëz e bukur, moj bijëz gjermani,
Më ngrije dollinë, kur ta deshte xhani,
Ma pije rakinë, të sertë prej mani,
Dy herë të zjerë, ballë prej kazani.
Në shtratin e freskët, mbuluar me napë,
Shurup borziloku, pije që me natë,
Dhe mjaltë në hoje, haje plot një pjatë
Ngjyeje dhe lëpije, dy gishta të gjatë.
Oh buzët e kuqe, trëndafil Prusie,
Si gonxhe m'i çelje, ndë kënde kur rrije,
S'thonin nga do shkoje, s'thonin nga po vije,
Dukej sikur mblidhnin, nektar dashurije.
Floku yt i artë, mbledhur nën kapele,
Në vënd të dorisë, ç'i hipje një pele,
Pa shalë e pa frerë, mbaheshe ndër jele,
Duke fluturuar, nëpër fusha ngele...
KËNGA E MULLIXHIUT
Te mulliri i fshatit, vijnë rreth dy gurë,
Njëri bluan këngë, tjetri bluan grurë,
Koritat e jazit, ç'ujë paskan prurë,
Vetëm ti zotrote, më thërmon bollgurë.
Oh, ky pah i miellit, të ra përmbi gushë,
Bo, bo, mullixhiu, ç'u dogj flakë e prush..!
Syri shihte majat, mëndja deshte fushë,
Po i plaste zemra, porsi tane rrush.
Me llërë përveshur, të dy mbushnit thesin,
Mullixhiu anët, ti më mblidhje mesin,
Dielli zuri drekën, Hëna la mëngjesin.
Dhe barrët me drithë, presin radhën, presin.
Binte uj' i malit, boshtit me vërtikë,
Rridhte djers' e ballit, rridhte pikë-pikë,
Ah kjo ndjenj' e mallit, përzierë me frikë.
“Eja!” i thotë djalit, çupës i thotë; “Ikë!”
Ky mulliri i fshatit, bluan ëndrra, bluan,
Njëra zemër digjet, tjetra zemër vuan,
Sa yje u ndezën, aq yje u shuan,
Shpirtrat, që u deshën, dot s’u dashuruan...
PENG MIDIS EKUINOKSESH
Mbrëmja, mos harroftë të vijë!
Yjet të çelin e sytë të puliten,
Buzë-muzgjet, të puthen me buz-agimet,
E trëndafilat të shpupurisen,
Prej tallazeve e trilleve.
E manushaqet të vesiten,
Nga lotët e prilleve,
E majet të ndizen, nga buzët e bandilleve...
Të ndizen majet, të ndizen!
E prushin, si oriz ta hedhin qershorëve,
Qershorëve të hazdisur,
Si vrap’ i hamshorëve,
Qershorëve të nanurisur,
Si dremk’ e dashnorëve.
Mbrëmja, mos harroftë të vijë!
Pa rrëzëllitje yjesh,
E pa horizonte të purpurta.
Dita e shkurtër, më tepron të vuaj,
Nata e gjatë, s'më mjafton të luaj,
Gjumin, po e jap falas të lodhurve,
Të lodhurve, të kudo-ndodhurve.
Oh mbeta peng, midis ekuinoksesh !
KËNGA E MULATES
Ç’u mpleks ar’ i bardhë, me arin e zi,
Nga dashni e tyre, seç më dole ti,
Linde kaq e vogël, sa një kulumbri,
Maman’ arixhofkë, babain gaxhi.
Ç’u rrite pas nënës, luginash të thella,
Një krah, plot me shosha, tjetrin, me umbrella,
Fustanin, me kinda, linjën, me dantella,
Unë të përshëndesja, ti më thoje:”Ella!”
Me këmbën e zbathur, me shkelje ndër zalle,
Cili të erdh’ i vdekur edhe ti s’e ngjalle?!
Ç’të lidhte magjia e zgjidhje me falle,
Bëje fukarain, të ngjante pa halle.
Tek kasollja jote, rrethuar me shelgje,
Fytyrën zeshkane, ma shihje ndër pellgje,
Çunave të bardhë, ju punoje rrengje,
Ndërsa arixhinjtë, ngarkoje me dengje.
Me doçkat e vogla, më thurje kofina,
Kur ja merrje këngës, ta mbante lugina,
Pastaj iso mbanin, kodra e kodrina,
Në gjunjë ç’i ule, një ushtri me trima.
MERAK TRENDAFILI
Vithet topolake, shtatin si biskonjë,
Herë më hiqesh çupë, herë më mbahesh zonjë,
Herë më puth me buzë, herë më çjerr me thonj,
Si më bën të vdekur, lutesh që të rronj.
Porsi brumë i ardhur, të kërcejnë gjinjtë,
Vij si zog i mardhur, më kthen të florinjtë,
S'di ku t’i çoj sytë, ku t’i hedh të zinjtë?!
Luajmë kuka-fshehti, porsi çiliminjtë.
Syt’ e tu të kthjellur, porsi dy burime,
Buza ime e etur, ah, moj buza ime!
Si prushi të dogji, ah, një buzërubine!
Nën një rreze ylli, një mijë përqafime.
Unë fryja si flladi, ti si erë e vrulltë,
Rrithte pik'e mjaltit, mbi ëndrrën e tultë,
Porsi qelibari, shkëlqejnë ato pulpë,
Merak trëndafili, tretur mbi një lulkë.
Floku valë-valë, derdhej përmbi supe,
Unë, me huqe djali, ti, me naze çupe,
Ti, më the një fjalë, unë, të thashë një lutje,
“Pa më shuar mallin, s'do të ikësh tutje!”
GJYSMA
Adami, një gjysmë njeriu,
I pari, mbi Botën e vjetër,
Nga që s’ishte i plotë vetiu,
Nga vetja e shkul gjysmën tjetër.
Adami dhe Eva, dy gjysma,
Të parët, që lindën, veç gjysma,
E gjysmat, që lindën nga gjysmat,
Veç gjysma lindin, si gjysmat.
Kështu, qysh atëherë dhe sot,
Në horizontet e jetës pa skaj,
Gjysma, ndjek gjysmën më kot,
Në kërkimin e gjysmës së saj.
Miliarda gjysma janë bërë,
Prej gjysmës së Adamit në Tokë.
E prapë, po t’i mbledhësh të tërë,
Një njeri, nuk e bëjnë të plotë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen